Të varfrit në Kosovë shesin veshkat
Sunday, 6. April 2008 by mollakuqe
Kam zgjedhur të përdor vetëm inicialet e emrit të personit në fjalë pasi që ky artikull është/ mund të bëhet barrë për atë dhe rrethin e tij (Molla e Kuqe)
B. S. (31) nga një fshat i Vushtrrisë, ka marrë vendimin përfundimtar. Ai ka vendosur të shesë njërën nga veshkat e tij. B. S. beson se nuk ka më asnjë rrugë tjetër për të shpëtuar nga gjendja e vështirë ekonomike, në të cilën ndodhet familja e tij.
“Këtë e kam vendosur. Nuk është e lehtë. Ai që ofron 160 mijë euro, duke përfshirë edhe shpenzimet mjekësore, e ka të sigurt veshkën time”, thotë B. S. për Express.
Ai, gruaja e tij dhe vajza E. S., 15-muajshe, jetojnë si të mundën. Tash kanë dy javë që janë vendosur në Prishtinë, në lagjen “Kolovicë”, në një shtëpi të vjetër njëdhomëshe.
Ai ka vendosur që shumë më shpejt të shesë veshkën e tij për të përmirësuar gjendjen e tij të rëndë
ekonomike. Qiraja e shtëpisë ku jeton B. S. dhe familja e tij është 110 euro në muaj, ndërkohë që babai, vëllezërit dhe motrat, thotë se nuk duan të dëgjojnë për hallin e tij.
“Unë nuk u kam bërë asgjë. Si fëmijë kam punuar në tregun e Vushtrrisë me karrocë për t’iu ndihmuar. Babai ka qenë kumarxhi”, tregon B. S. Ai ka edhe një vëlla në Prishtinë, i cili nuk e ka gjendjen e mirë ekonomike, ndërkohë që një vëlla dhe motër që ka në Zvicër, thotë se nuk duan të dëgjojnë për të.
“Ata nuk kanë asnjë pikë mëshire. I kam thirrë, por nuk duan as të dëgjojnë. Ju premtoj se asgjë nuk u kam bërë”, rrëfen B. S. derisa në duar mban vajzën e tij. Pavarësisht se për vëllanë e tij ai tregon se ka edhe një banesë, e cila rri e zbrazët në Vushtrri,
B. S. thotë se është i detyruar të jetojë në kushte të tilla dhe të shesë veshkën së paku për një arsye. “Dua që vajza ime të jetojë si duhet, të ketë shtëpi. Për mua nuk është me rëndësi jeta”, thotë ai, i bindur se është duke e bërë gjënë e duhur.
Edhe pse është vetëm 30 vjeç, jetën e tij B.S. e përshkruan si një libër që në asnjë faqe të tij nuk ka diçka të mirë apo të gëzuar.
“Kam jetuar në Mal të Zi, Bosnje, Novi Pazar, Vushtrri e tash në Prishtinë. Sikur të merresha me hajni, ndoshta nuk do të isha në këtë gjendje”, shprehet B. S.
Gruaja, e cila nuk dëshiron t’i publikohet emri, ka kryer shkollën e lartë për mësim klasor, por thotë se nuk mund të hyjë në punë, ngase duhet pasur njerëz të njohur. Ndërkohë, B. S. tregon se për të shitur veshkën e tij, do të bëjë marrëveshje përmes avokatit dhe gjykatësit, në mënyrë që të mos ketë më probleme.
Shitja e veshkave në Kosovë për qëllime përfitimi ekonomike ka filluar të rritet, ndërkohë që çmimet janë të ndryshme. Rasti i fundit është në Gjilan, kur një person ka ofruar veshkën e tij për një shumë prej 70 mijë eurosh, ndërkohë që çmimi për këtë organ vazhdon të rritet.
Aktualisht vendi ka një shkallë shumë të lartë të papunësisë që jozyrtarisht llogaritet të jetë mbi 50 për qind, ndërkohë që sipas zyrtarëve përkatës, ajo është në shifrën prej 40 për qind. Por në bazë të një raporti të publikuar të enjten nga Banka Botërore, varfëria në shtetin më të ri të Evropës, në krahasim me vendet e tjera të këtij kontinenti, është
shumë e lartë.
Sipas këtij institucioni të respektuar ndërkombëtar, varfëria në Kosovë është më shumë e theksuar në vendet rurale
sesa në ato urbane. Këto të dhëna janë dokumentuar në dy vëllime të prezantuara nga zyrtarët e Bankës Botërore në Prishtinë, nën titullin “Vlerësimi i varfërisë”.
Në këto vëllime, sipas përfaqësuesit të Bankës Botërore, Andrew L. Dabalen, janë elaboruar dhe përmbledhur analizat për kushtet e jetës në Kosovë në periudhën ndërmjet viteve 2002-2005.
Ministri i Shërbimeve Publike, Arsim Bajrami, pas publikimit të këtij dokumenti ka deklaruar se Qeveria do të hartojë strategji afatgjate. Derisa të realizohet strategjia ministrit, B. S. ka gjetur strategjinë e tij për të dalë nga fukarallëku.
J. Musliu, Gazeta Express





