Pas presionit të vazhdueshëm të familjes së tij është vetëdorëzuar në polici personi që sulmoi shtëpinë e kryeministrit të Kosovës Hashim Thaçi. Sipas burimeve bëhet e ditur se i vetëdorëzuarri F. S. ka deklaruar në polici se ka sulmuar për të grabitur. Duke shprehur se është përdorues i drogës, i vetëdorëzuari ka marrë përgjegjësinë e sulmit me armë ndaj kryeministrit kosovar.
SHPK-ja ka njoftuar sot, përmes një komunikate për opinion, se mbrëmë rreth orës 23:15 është sulmuar me armë zjarri shtëpia e Kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, në lagjen “Arbëria” të Prishtinës. Policia po ashtu ka njoftuar se asnjëri nga anëtarët e familjes Thaçi nuk është lënduar gjatë përpjekjes për sulm të armatosur në shtëpinë e kryeministrit.
Në kumtesën e policisë thuhet se mbrëmë rreth orës 23:15 Shërbimi Policor i Kosovës është njoftuar për të shtëna me armë zjarri në lagjen Arbëria (ish Dragodan).
Pas reagimit të policisë në vendin e ngjarjes, fillimisht jemi njoftuar se nga ana e sigurimit të shtëpisë së kryeministrit Hashim Thaçi, është vërejtur së paku një person i dyshuar në tarracën e katit të dytë të shtëpisë, në përpjekje për tu futur brenda, thuhet në kumtesë
Pas paralajmërimit nga ana e sigurimit ka ardhur deri të shkëmbimzjarri nga armët, ndërsa pas kësaj sulmuesit janë larguar në drejtim të panjohur.
Policia thekson në kumtesë se, sipas shikimit preliminar të vendit të ngjarjes, dyshohet që njëri nga të dyshimtit është plagosur gjatë shkëmbimit me armë zjarri.
Në kohën e sulmit, kryeministri Thaçi nuk gjendej në shtëpi, ndërsa anëtarët e tjerë të familjes, të cilët ishin brenda në shtëpi, nuk kanë pësuar lëndime.
Në rast janë përgjigjur të gjitha njësitet e nevojshme policore dhe janë duke punuar me qëllim të ndriçimit të rastit, thuhet në kumtesën për opinion të lëshuar sot nga Zyra për informim pranë SHPK-së, Komanda Kryesore e Policisë Prishtinë.
Reagimi i Thaçit
Kryeministri Hashim Thaçi, në një konferencë për media, tha se sulmet nuk mund ta ndalin Kosovën në rrugën e saj si shtet i pavarur, në ndërtimin e rendit kushtetues.
Thaçi u ka thënë gazetarëve se nuk dëshiron të paragjykojë asgjë për adresën e sulmit të mbrëmshëm në shtëpinë e tij, si dhe për motivet, duke ua lënë këtë çështje në përgjegjësi organeve kompetente që ta zbardhin.
“Mbrëmë është sulmuar familja ime. Si çdo prind dhe bashkëshort, jam i lumtur që familja ime është shëndosh dhe e sigurt”
“Dëshiroj që përmes këtij komunikimi me ju, t’ju siguroj se askush nuk do të ketë fuqi të cenojë pavarësinë, rendin demokratik, sundimin e ligjit, lirinë dhe sigurinë e qytetarëve të Republikës së Kosovës. Prandaj, kërkoj prej të gjithë qytetarëve që të vazhdojnë të qetë të japin kontributin e tyre për fuqizimin e shtetit tonë të ri – ta ruajmë unitetin qytetar dhe politik. Vetëm të bashkuar mund të kemi sukses”
Dënohet sulmi
Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu, Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi dhe Qeveria e Republikës së Kosovës e kanë dënuar ashpër sulmin e mbrëmshëm në shtëpinë e Kryeministrit Hashim Thaçi, duke e cilësuar atë si akt qyqar e kriminal dhe sulm të drejtpërdrejtë ndaj institucioneve të Kosovës.
Pos udhëheqësve më të lartë të institucioneve të vendit, atyre të Shqipërisë, sulmin e mbrëmshëm në shtëpinë e kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, e kanë dënuar ashpër partitë politike nga të gjitha trojet shqiptare, TMK-ja, KMDLNJ, OVK UÇK e shumë subjekte tjera nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia.
PDK-ja: Sulmi i mbrëmshëm në shtëpinë e kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës dhe Kryeministrit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, z. Hashim Thaçi, është akt i rëndë kriminal që cenon integritetin kombëtar, institucional, familjar dhe individual të liderit të PDK-së dhe të institucioneve të Republikës së Kosovës. Në kohën kur Kosova ka shënuar fitore historike, duke ndërtuar institucione demokratike të frymës së unitetit politik kosovar dhe të perspektivës evropiane, akti i tillë është atak i drejtpërdrejtë mbi stabilitetin, sigurinë dhe ardhmërinë e Kosovës.
LDK-ja: Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës e dënon sulmin e mbrëmshëm në shtëpinë e kryeministrit të vendit, z. Hashim Thaçi. Kryesia vlerëson se një akt i tillë i dhunshëm është i papranueshëm dhe cenon rënd rendin dhe qetësinë, duke e dëmtuar edhe stabilitetin dhe sigurinë e qytetarëve të Kosovës. Kryesia vlerëson se sulmi i mbrëmshëm është në të njëjtën kohë sulm i drejtpërdrejtë jo vetëm ndaj z. Thaçi dhe familjes së tij, por edhe ndaj institucioneve të Republikës së Kosovës.
AKR-ja: Një akt i tillë i dhunës, është jashtëzakonisht shqetësues, për qytetarët dhe institucionet e Shtetit të Kosovës. Ky akt është padyshim sulëm, jo vetëm ndaj Kryeministrit Thaqi, por ndaj gjithë institucioneve të Republikës së Kosovës.
AAK-ja: Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dënon ashpër sulmin kriminal në shtëpinë e Kryeministrit të Kosovës Hashim Thaçi. AAK kërkon nga organet e rendit që urgjentisht të zbardhin këtë rast kriminal në mënyrë që kryesit e kësaj vepre të nxirren para drejtësisë. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës vlerëson se institucionet e Kosovës, dhe udhëheqësit e tyre janë të paprekshëm, dhe që mekanizmat e rendit dhe ligjit duhet të krijojnë siguri të plotë për institucionet dhe udhëheqësit e tyre në Republikën e Kosovës.
TMK-ja: Shtabi i Përgjithshëm i TMK-së, dënon fuqishëm sulmin e mbrëmshëm që ndodhi ndaj shtëpisë së Kryeministrit të Kosovës Hashim Thaçit. Sulmi i mbrëmshëm është i drejtuar kundër interesave të përgjithshme shtetërore dhe kombëtare, kundër personalitetit të vet Kryeministrit të Kosovës z. Hashim Thaçi dhe të gjitha institucioneve të Kosovës, prandaj kërkojmë nga organet e ndjekjes që urgjentisht të punojnë më ngulm, që përgjegjësit e këtij sulmi të dalin para drejtësisë dhe të marrin dënimin e merituar.
KMDLNJ-ja: KMDLNJ fuqishëm e gjykon këtë sulm i cili është drejtuar kundër Institucioneve të Republikës së Kosovës. KMDLNJ këtë sulm e vlerëson si sulm kriminal që për qëllim kishte kryeministrin e Kosovës dhe rrezikimin e jetës së tij. KMDLNJ kërkon nga organet e hetuesisë të zhvillohen hetimet në mënyrë që sa më shpejt të zbardhet ky rast dhe përgjegjësit të arrestohen dhe të përballen me ligjin.
Ali Ahmeti dhe BDI-ja: Atentati kundër Kryetarit të Qeverisë së Kosovës dhe familjes së Tij, flet qartë se deri ku mund të arrijë çmenduria e armiqve të shtetit të Kosovës, institucioneve të saja dhe perspektivës euroatlantike të kombit tonë. Unë dhe Bashkimi Demokratik për Integrim si dhe mbarë populli shqiptar në Maqedoni, duke dënuar këtë akt të qyqarëve, solidarizohemi me përkushtimin Tuaj për ta bërë Kosovën shtet modern dhe të integruar në NATO dhe BE. Jo një herë në histori ka pasur forca dhe përpjekje për të ndalë proceset, por patriotizmi dhe ndjenja e atdhedashurisë, përcaktimi për liri dhe përparim gjithmonë kanë fituar.
RTK
Evropa e Lirë
Molla e Kuqe







aaaaa prit beg se ka hendek? e ju kon e keni vra e myt deri tash pa kurfar faji?
Ju lumt zot.kryeminister vetem vazhdoni keshtu kam bindjen se kurr kosova nuk ka pas kryeminister dhe qeveri ma te fort.e sa per frig e din bota kush eshte Hashim Thaqi[gjarpri]