Shkëlqesia e Tij Ban Ki-moon
Sekretar i Përgjithshëm
Kombet e Bashkuara
Nju-Jork
I nderuari z. Sekretar i Përgjithshëm,
Pas konsultimeve dhe në pajtim me Kryetarin e Kuvendit dhe me Kryeministrin e Republikës së Kosovës, ju shkruaj për t’ju falënderuar për letrën tuaj të datës 12 qershor, me të cilën shpjegoni planin tuaj për të rikonfiguruar praninë ndërkombëtare civile në Kosovë. Siç keni vënë në dukje në letër, njohja e pavarësisë së Kosovës nga një numër i shteteve anëtare të Kombeve të Bashkuara dhe hyrja në fuqi e Kushtetutës sonë e kanë ndryshuar situatën në mënyrë përmbajtësore. Në dritën e këtyre fakteve, vlerësojmë iniciativën tuaj dhe do të punojmë ngushtë me ju në veprimet tuaja të mëtejshme.
Marrim në dijeni vendimin tuaj që Kombet e Bashkuara të kryejnë disa funksione të kufizuara që kanë mbetur, ashtu siç është paraparë në raportin tuaj të datës 13 qershor drejtuar Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Ne po ashtu kuptojmë që OKB-ja do të vazhdojë të kryejë, për një kohë të kufizuar, funksione të zbatimit të ligjit, në përputhje me Rezolutën 1244 (1999) të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (1999) deri në kohën kur Bashkimi Evropian të mund ta kryejë rolin e vet operativ.
Jemi të hapur ndaj propozimit tuaj për të diskutuar aranzhmanet e mundshme praktike për të adresuar kërcënimet ndaj stabilitetit. Vlerësojmë zotimin tuaj për t’u konsultuar ngushtë me ne, pasi që aranzhmane të tilla nuk janë të mundshme pa pjesëmarrjen dhe aprovimin e Qeverisë së Kosovës.
Stabiliteti i qëndrueshëm në vendin tonë do të vijë nëpërmjet zhvillimit të një shoqërie multietnike që qeveris vetveten në mënyrë demokratike. Korniza për angazhimet tona do të jetë plani i hartuar nga i Dërguari juaj i Posaçëm Martti Ahtissari –ky plan i aprovuar me shumicë dërrmuese nga Kuvendi i Kosovës, vazhdon të gëzojë përkrahje të gjerë nga populli i Kosovës.
Dëshirojmë t’ju shprehim edhe një herë mirënjohjen tonë burrave dhe grave të OKB-së për punën e tyre në ndihmë të rimëkëmbjes sonë nga lufta dhe për themelimin e institucioneve demokratike. Republika e Kosovës, shteti i fundit që ka dalë nga shpërbërja jokonsensuale e Jugosllavisë, synon të mbështesë fuqimisht qëllimet dhe parimet e Kartës së OKB-së. Duke punuar së bashku, ne mund të sigurojmë që trashëgimia e paqes dhe e tolerancës e OKB-së të ruhet në rajonin tonë.
Ju lutem, Shkëlqesi, pranoni sigurimet e konsideratës sime më të lartë.
Dr. Fatmir Sejdiu
President i Republikës së Kosovës





