Edita Tahiri, kryetare e Alternativës Demokratike të Kosovës (ADK)
Kosova deklaroi pavarësinë dhe u bë tashmë një shtet i njohur ndërkombëtarisht nga pjesa më e fuqishme e bashkësisë ndërkombëtare. SHBA-të dhe vendet kryesore të Bashkimit Evropian e më gjërë e njohtën të drejtën e Kosovës për shtetësi dhe mirëpritën ardhjen e saj në familjen botërore të shteteve. Më 15 qershor 2008 hyri në fuqi Kushtetuta e Kosovës si dokument që legjitimon vullnetin e popullit për pavarësi dhe i cili vendos bazën ligjore të një shteti ligjor, demokratik, sovran e të pavarur. Kosova hapi një kaptinë të re, atë të shtetësisë dhe të sfidave që vijnë me të. Në këtë rrugëtim Kosova do të ketë për mbështetje praninë ndërkombëtare, ushtarake e politike, me ndryshime që përkojnë me realitete të reja por edhe të kushtëzuara nga kontekstet ndërkombëtare. Definimet e reja të pranisë ndërkombëtare u bënë të qarta këto ditë pas pritjeve dhe debateve se a thua çdo të sjellin udhëzimet e Sekretarit të Përgjithshëm to OKB-së, Ban Kimun. Nga dy letra që ai dërgoi një në adresë të Prishtinës dhe një në adresë të Beogradit (dhe në mungesë të informacionit se çka përmbanë letra/dokumenti që shoqëron letrën për Prishtinën) ajo që mund të konkludohet është se statusi i ri i Kosovës është ‘pavarësi plus protektorat asimetrik’.
Në planin ushtarak protektorati në Kosovë mbetet i njejtë me atë të para pavarësisë, KFOR-i vazhdon misionin e njejtë të ruajtjes së sigurisë globale, ndërkohë që NATO mori përsipër zyrtarisht që ta mbështesë formimin e Forcave të Sigurisë së Kosovës. Këtij procesi i parapriu miratimi i ligjeve përkatëse nga ana e Kuvendit të Kosovës por edhe vendimi për zhbërjen e TMK-së. Këto ndyshime në funksion të krijimit të sovranitetit të plotë të vendit tonë nuk kaluan pa emocione për peshën e TMK – së si trasheguesja e UÇK-së. Procesi që do të pasojë pritet të ngrit kapacitetet ushtarake të Kosovës në përputhje me standardet e NATO-së sado që dimenzionet e tij e bëjnë të domosdoshëm mbetjen e NATO-s në Kosovës, gjë për të cilën ekziston një koncenzus i plotë kombëtar.
Në planin politik Kosova në një masë mbetet ende protektorat, kësaj rradhe i tipit asimetrik. Nga letra e Ban Kimunit shihet se në një pjesë të Kosovës, protektorati do të jetë më i fuqishëm ndërsa në pjesën tjetër mund të jetë më i lehtë. Protektorat i fuqishëm në bazë të definicioneve kuptohet shkalla e fuqisë vendimmarrëse të faktorit ndërkombëtarë në të cilën vendimmarrja e vendorëve është minimale apo nuk ekziston fare. Një formulë e tillë pritet të veprojë në zonat e identifikuara me shumicë serbe (disa të qena dhe disa të paqena) dhe në sektorë të caktuar ku eksluziviteti i pushtetit do të mbetet në duartë e UNMIK-ut të rikonfiguruar, e që sipas letrës së Ban Ki Munit përfshijnë fushat vijuese: policinë, gjykatat, doganat, kufinjtë, procesi i dialogut për çështjet teknike dhe ndërkufitare dhe trashëgimia e Kishës ortodokse (kjo e fundit nën kompetencat direkte të selisë së Kishës ortodokse në Beograd). Sekretari gjeneral i OKB-së thekson në letrën e tij se këto masa janë arranzhime të përkohëshme që do të zgjasin një kohë të caktuar si dhe nuk do të prejudikojnë statusin e Kosovës. Nga ana tjetër misioni i BE-së pritet të veprojë në tërë Kosovën dhe roli i tij duket se është definuar në dy nivele në atë të mbikqyrjes dhe atë ekzekutive në rastet kur mund të ketë devijime nga marrëveshjet ndërkombëtare të reflektuara në Kushtetuten e Kosovës. Një sfidë e vet këtij misioni është ambivalenca e pushteteve që rrezikon të krijohet nga veprimtaria paralele e dy misioneve ndërkombëatre, ICO/EULEX dhe UNMIK.
Megjithë mirëkuptimin për një formulë të këtillë të pranisë ndërkombëtare në Kosovë, duke marrë parasysh kufizimet e vet mekanizmit të OKB-së ndaj faktorëve pengues të procesit të pavarësisë së Kosovës, sfidat që i krijon kjo formulë kërkojnë një trajtim strategjik nga ana e udhëheqjes shtetërore të vendit tonë. Sfida kryesore është asimetria e kësaj pranie ndërkombëtare e cila në përshtypje të parë asocon në ndarje dhe kur kësaj i shtohet realiteti i ekzisimit të strukturave paralele serbe dhe synimet e qarta të Sërbisë për ndarjen e Kosovës, kjo sfidë merrë dimenzione të interesave vitale për shtetin tonë të ri. (Implikimet e rrezikshme të skenareve të ndarjes dhe të lëvizjes së kufinjëve nuk janë objekt i këtij shkrimi sepse ato janë elaboruar nga autori në paraqitjet e mëhershme publike)
Përderisa nuk mund ti iket këtij asocimi pesimist, ekziston edhe ana optimiste e këtij skenari që mund dhe duhet shfrytëzohet në funksion të vendosjes së sovranitetit të plotë të Kosovës në tërë territorin e saj dhe reintegrimin e plotë të minoritetit serb. Sfidat e konsolidimit të sovranitetit dhe të reintegrimit të minoriteteve të caktuara në përvojatë e vendet e pasluftës janë sfida të paevitueshme dhe shembujtë pozitivë si ato ta zëmë të Kroacisë në raport me minoritetin serb në pjesën e Slavonisë duhet të merren parasyshë në mënyrë që proceset e paspavarësisë të marrin kahjen e duhur.
( Autorja është Magjistër i Administrimit Publik nga Universiteti i Harvardit)





