Një grup serbësh sot ia kanë djegur sanën e tubuar në arën e tij, Skënder Rexhepit, nga fshati Suhadoll i Mitrovicës.
Drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim në Komunën e Mitrovicës, Ylber Durmishi, tha se ngjarja ka ndodhur pas orës 12:00, me ç’rast një grup serbësh kanë hyrë në arën e Skënder Rexhepit dhe ia kanë djegur sanën e tubuar.
Ndërsa përfaqësuesi i Suhadollit, Shefki Imeri, tha se në momentin kur Skënder Rexhepi ishte duke mbledhur sanën e kositur në arë, një serb me një motorolë në dorë ka shkuar dhe i ka thënë që të largohet prej aty. “Pasi që Rexhepi s’ka pranuar ta largohet pa e kryer punën, aty janë mbledhur rreth 15 persona të cilët ia kanë vënë flakën sanës së tubuar”. Imeri thotë se e gjithë kjo ka ndodhur para syve të policisë së UNMIK-ut, të cilët edhe pse kanë qenë në afërsi nuk kanë intervenuar fare.
RTK





