Feeds:
Postime
Komente

Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu priti sot humanisten serbe Natasha Kandiç, drejtoreshë e Fondacionit për të Drejtën Humanitare me seli në Beograd, e cila po qëndron në Kosovë.

Zonja Kandiç theksoi se është shumë e nevojshme që të krijohet një Komision Rajonal për Viktimat, i cili do të punonte për ndriçimin e të gjitha krimeve që kanë ndodhur në ish-Jugosllavi. Ajo tha se nisma e saj është përkrahur edhe në Kroaci dhe në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe se priste që kjo përkrahje t’i jepej edhe në Kosovë.

“E vërteta është e vërtetë dhe para saj bien të gjitha “argumentet” e tjera, të cilat ndokush përpiqet t’i plasojë në opinion”, theksoi zonja Kandiç, e bindur se zbardhja e krimeve do ta lehtësonte afrimin dhe bashkëpunimin mes popujve në këtë pjesë të Evropës.

Ndërkaq, Presidenti Sejdiu e përgëzoi zonjën Kandiç për tërë veprimtarinë e saj humanitare, sidomos për angazhimin e saj të fuqishëm për zbardhjen e të gjitha krimeve që kanë ndodhur në hapësirat e ish-federatës jugosllave.

Zyra e Presidentit të Kosovës

E krasit RTK-në

Adi Krasta për emisionin “Njerëz të një shteti të ri”, për një muaj paguhet më shumë se Presidenti, Kryeministri dhe Kryeparlamentari së bashku. Paga e tij sillet prej 6 mijë deri në 8 mijë euro në muaj. Edhe paga e Krastës edhe e Presidentit Sejdiu paguhen nga buxheti i Kosovës.

Njëri prej moderatorëve më të mirë shqiptarë, është duke vazhduar ciklin e emisioneve më të dobëta dhe më të shtrenjta që janë realizuar ndonjëherë në Radio Televizionin e Kosovës. Meqë këto ditë aq shumë është folur për pagat e Presidentit dhe të Kryeministrit të Kosovës, ia vlen të thuhet se Krasta për një muaj të vetëm është paguar më shumë se sa Presidenti, Kryeministri dhe Kryeparlamentari tok. Ose, Krasta i vetëm paguhet se gjysma e ministrave së bashku. Lajmi i vetëm që eventualisht mund ta prodhojë “shoë” i Krastës, i titulluar “Njerëzit e shtetit të ri”, është çmimi me të cilin RTK ka vendosur ta paguajë këtë moderator.

Gazeta Express ka mësuar prej burimeve të saja se për një emision Krasta paguhet më shumë se 2 mijë euro, ose rreth 8 mijë euro në muaj. Këtë e ka mohuar drejtori Televizionit, Liridon Cahani, sipas të cilit, moderatori i importuar nga Shqipëria paguhet për një emision “vetëm” 1600 euro. Kjo i bie që Krasta për një muaj nga RTK ka marrë rreth 6 mijë euro. Kjo shifër kalon të gjitha pagat që ndonjëherë është paguar ndonjë gazetar i Kosovës, apo moderator.

Express ka kërkuar prej RTK-së që ta shohë kontratën e lidhur me Krastën, por kjo gjë nuk është mundësuar me pretekstin se kontratat e tilla nuk bëhen publike. Radio Televizioni i Kosovës, si organ publik, do të duhej ta kishte të obliguar që t’i bënte publike të gjitha të dhënat për të hyrat dhe të dalat e veta, pra edhe këtë kontratë.

Përndryshe në vende të ndryshme të botës, edhe televizionet komerciale, i bëjnë publike, të shumtën e herave, kontratat me shoëmen-et e televizioneve të tyre. Përndryshe, emisioni që Krasta po realizon në Kosovë, nuk është as hija e atyre që ky shoëman i ka realizuar gjatë punës së tij në televizionet shqiptare.

Emisioni i tij është krejtësisht joatraktiv, jocilësor, joinovativ dhe njëqelizor. Anipse bëhet fjalë për një emision me titull “Njerëz të një shteti të ri”, aty defilojnë edhe njerëz të “shtetit të vjetër”, nga Shqipëria. Për shembull kemi pasur rastin të fascinohemi me prezencën e njëfarë Arbana Osmani dhe Arbër Qepani, që nuk kanë ndonjë lidhje të ngushtë me shtetin e ri, sepse ata janë pjesëtarë të shtetit shqiptar. E vetmja lidhje e këtyre dy personave me Kosovën është se miku i tyre, Adi Krasta, po merr para nga shteti i ri. Ata janë pjesë e stafit që kishte realizuar emisionin “Big Brother”, një shoë të cilit i është bërë një propagandë e madhe.

Edhe shikuesit më të shkujdesur të këtij emisioni, kanë pasur mundësinë të vërejnë se Krasta në disa intervista të tij është shfaqur me rroba të njëjta. Dyshohet se ai i ka realizuar dy – tri intervista brenda një dite. Kaq sa i përket seriozitetit dhe djersës që Krasta ka derdhur për realizimin e emisionit.

Deri më tani janë transmetuar emisionet me të ftuarit si Fatmir Limaj, Ramush Haradinaj, Melihate Tërmkolli, Arbana Osmani, Arbër Qepani dhe Muharrem Nitaj.

Po presim që Krasta të na befasojë ditëve në vijim.

Gazeta Express

Çiftelia në iPhone

Shumë shpejt do të keni mundësi të shkarkoni në telefonin tuaj iPhone një program/aplikacion që është një çifteli virtuale. Shikojeni videon e mëposhtme për të mësuar më shumë. Aplikacioni është gati dhe po pret miratimin nga Apple, prodhuesi i iPhone.

Vazhdoni me Lexim »

“Plani i Ahtisarit sipas mendimit tim është projekti i një shteti që formon kombin.”
“Ky është pragmatizmi i një klase politike, e cila historikisht, siç thashë, ka ardhur në pushtet nëpërmjet të huajve.”

Intervistë e Fatos Lubonjës botuar në gazetën kosovare “Epoka e re”. Intervistoi Dritan Dragusha.
-Më 17 shkurt 2008 është shpallur Kosova shtet i pavarur bashkë me rezolutën 1244, me pakon e Ahtisarit, pa ushtri, policinë nuk e kontrollon vetë, por dhe nuk e kontrollon një pjesë të territorit të vet. A mund ta quajmë këtë pavarësi sipas jush?

“Sigurisht që nuk është pavarësi. Në rastin më të mirë është pavarësi nga Serbia, nëse është. Gjykimi im për këtë situatë është se nuk jemi në një proces të përcaktuar qartazi, prerazi, vijëdrejtë, përkundrazi mjaft kontradiktor. Them kontradiktor në dy aspekte që duhen dalluar njëri nga tjetri. Njëri është procesi i kushtëzuar nga ndërkombëtarët, që marrin pjesë në proces me gjithë aktorët e vet, ndërsa tjetri është konteksti brenda Kosovës, ku ka edhe atje aktorë të ndryshëm, të cilët edhe ata janë në proces. Dhe po t’i shohësh të dyja palët, edhe ndërkombëtarët, edhe shqiptarët brenda, ku duhet të përfshijmë edhe pakicat e tjera, kanë kontradiktat e veta në këtë proces. Gjendja e Kosovës për sa i përket statusit të saj është pikërisht, për mendimin tim, shprehje e të gjitha këtyre kontradiktave. Më konkretisht, kur flas për ndërkombëtarët dhe kontradiktat mes tyre, kam parasysh: kontradiktat në një nivel gjeopolitiko-strategjik, ku mund të përmendja Rusinë me njërin krah që ka mbrojtur Serbinë dhe është kundër pavarësisë, me pjesën kryesore të Perëndimit me në krye SHBA-të që e mbështet. Por është edhe kontradikta që ka vetë Perëndimi brenda vetes në këto çështje. Disa shtete që kanë probleme të ngjashme, si Spanja dhe vende të tjera janë kundër. Po ashtu mendoj se ka edhe një kontradiktë tjetër, që nuk duhet harruar, që lidhet me pyetjen se ku po shkon Evropa. Ajo vetë është ngërthyer në kontradiktat midis atij që mund ta quajmë projekti i Evropës së Bashkuar, kozmopolite mënjanë dhe prirjet nacionaliste brenda shteteve të saj në anën tjetër. Edhe kjo është një kontradiktë e pazgjidhur. Padyshim që të gjitha këto reflektohen edhe në Kosovë, me një situatë paqartësie, siç e përshkruat edhe ju që jetoni atje çdo ditë. Nga ana tjetër, mendoj që edhe aktorët shqiptarë nuk është se janë të gjithë bashkuar në këtë proces. Ndoshta i bashkon të gjithë ideja e pavarësisë, por nga ana tjetër shoh se kanë shumë kontradikta midis tyre. Po ashtu ,raporti i politikanëve shqiptarë me ndërkombëtarët nga njëra anë dhe bashkatdhetarët nga ana tjetër ngërthen brenda një kontradikte tjetër të fortë për mendimin tim. Ç’kuptoj me këtë? Kuptoj që ata duhet të përdorin dy gjuhë, dy kode. Njëra është gjuha që lidhet me projektin ndërkombëtar, Planin e Ahtisarit, që dukej qartë, p.sh., në fjalën që mbajti ditën e pavarësisë Thaçi, apo që u shfaq në flamurin që u valëvit në Parlament si flamur i Kosovës, ndërsa tjetra është gjuha nacionaliste me shqiptarët, në kuptimin e gjuhës së aspiratave të shqiptarëve që kanë qenë aspirata të ndërtimit të shtetit të tyre komb. Edhe në këtë të fundit përsëri, nëse i hyjmë edhe më thellë kontradiktave midis shqiptarëve, do të dallojmë një projekt për një Kosovë të pavarur, shtet më vete, dhe një projekt për bashkim me Shqipërinë. Të gjitha këto që numërova e bëjnë situatën dhe këtë proces mjaft të paqartë e aspak vijëdrejtë”.

Vazhdoni me Lexim »

Enver Robelli, Koha Ditore

Gazetarë apo tregtarë? Në Kosovë po kopjohet modeli më i fëlliqur i gazetarisë – ai i Tiranës.

A duhet ti besohet një gazetari, i cili nëpër rrugët e Tiranës defilon me “Porche Cayenne”, fundjavën e kalon diku në vilën e tij në bregdetin shqiptar dhe përherë është i gatshëm që me ton dashamirës t’i promovoj politikanët në pushtet, duke zhvilluar me ta intervista pa asnjë pyetje kritike? Fakti që ky lloj gazetari krekoset me “Porche Cayenne” në njërin ndër vendet më të varfra të Evropës nuk ka fare të bëjë me zilinë sociale ndaj tij; përkundrazi: vozitja me “Porche Cayenne” është shenjë e mjaftueshme dalluese e korruptimit dhe të detyron të mendosh se ku pseudogazetar nuk ka mision publicistik, por ka zgjedhur gazetarinë si fushë tregtie për t’u pasuruar me metoda të fëlliqura. Në këtë rrugë ky oj gazetari është i gatshëm që në çdo kohë t’u lyej mustaqet me mjaltë politikanëve, të jetë përherë në pozitën e sahanlëpirësit, t’i shantazhoj qeveritarët në vendimmarrje derisa të fitoj ndonjë privilegj dhe, pastaj, t’i lavdëroj deri në qiell. Ky lloj bastardimi i gazetarit është në anën e pushtetarëve, deri në atë moment kur e vëren se në zgjedhjet e ardhshme do të fitoj opozita. Këtu e tutje ky tip gazetari idiot i vardiset opozitarëve si një kurvë, sepse e di se ata nesër do të jenë në pushtet. Shumica e politikanëve shqiptarë janë përherë të gatshëm të lozin këtë lojë me gazetarët e korruptuar, sepse kështu e kanë më lehtë të jenë të pranishëm në ekranet televizive dhe në gazeta. Shqipëria deri më tani ishte ndër vendet e rralla në Evropë, ku një pushtetar i lartë mund t’i telefononte një gazetari të ashtuquajtur prominent dhe t’i thoshte: “Dua të inkuadrohem drejtpërdrejt në emisionin tënd për të dhënë një mesazh për opinion”.

Për fatkeqësinë e Kosovës modeli i çoroditur i gazetarisë së Shqipërisë ka filluar ngaherë të kopjohet dhe në disa fletushka të Prishtinës. Gazetarë deri dje krejtësisht anonim, kacagjela të pështirë, hiqen si autoritete të publicistikës, shesin mend në veten e parë dhe – mbi të gjitha – shtyhen me bërryla se cili më së shumti do të dëshmohet në rolin e çanaklëpirësit në tezgën e pushtetarëve. Për këtë shërbim me përulësi të paparë ky soj gazetarëve të Prishtinës, shpërblehet prej autoriteteve. Dikur këto shpërblime janë dhënë edhe në formën e qofteve, ndonjë gotë me raki ose verë. Tash dhuratat janë shtuar, për shembull me hapësira banimi, troje, shtëpia, vetura, para të gatshme, me trajtim të privilegjuar, me gallata e darka, muhabete për jetën e natës, pushimet në plazhe etje.

Vazhdoni me Lexim »

Avni Spahiu, aktualisht drejtor i Radio Kosovës, ambasador në Washington.

Sylejman Gashi, korrespondent i RTK-së në New York, ambasador në New York.

Muhamedin Kullashi, profesor në Universitetin e Parisit, ambasador në Paris.

Muhamet Hamiti, ish zëdhënës i Ibrahim Rugovës dhe tani këshilltar i Fatmir Sejdiut, ambasador në Londër.

Vilson Mirdita, punonjës kërkimor pranë Universitetit të Hohenheim-it, ambasador në Berlin

Albert Prenkaj, profesor dhe ish punonjës i OSBE-së, ambasador në Romë

Ilir Dugolli, analist në KIPRED dhe ish-këshilltar i kryeministrit Bajram Rexhepi, ambasador në Bruksel

Naim Mala, ambasador në Bernë

Gazmend Pula, drejtues i Komitetit të Helsinkut në Kosovë, ambasador në Tiranë

Sabri Kiçmari, anëtar i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës dhe ish emigrant në Gjermani, ambasador në Vjenë

Bekim Sejdiu, këshilltar politik i Ministrit të Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, ambasador në Ankara.

Molla e Kuqe

OSBE ka kritikuar ligjivënësit e Kosovës se nuk kanë respektuar rregullat parlamentare dhe detyrat e kërkuara nga qeveria. Në vlerësimin e saj mbi efetkshmërinë e parlamentit për periudhën nga prilli në qershor, një raport i OSBE-së i publikuar të dielën (10 gusht) kritikon faktin që anëtarët e qeverisë nuk kanë marrë pjesë në seancat e zakonshme dhe se takimet e komisioneve janë mbajtur pa kuorumet e kërkuara. OSBE i bëri thirrje parlamentit të ushtrojë autoritetin e tij dhe të insistojë tek anëtarët e kabinetit të jenë të pranishëm në seanca për t’ju përgjigjur pyetjeve mbi çështjet kyçe.

Në lajmet e tjera, ish-dërguari i posaçëm i BE-së në Kosovë Volfgang Petritssh po sugjeron se modeli i Brcko, në Bosnje-Hercegovinë (BH), mund të përdoret në Kosovë për të zgjidhur përkohësisht çështjet e Mitrovicës. “Duhet të jetë një dialog i drejtpërdrejtë midis Beogradit dhe Prishtinës. Janë kaq shumë institucione që kanë të drejtën legjitime të negociojnë dhe të gjejnë një zgjidhje të identifikuar,” i tha Petritssh BBC të hënën.

SETimes.com

Ndiqeni

Merreni çdo postim të ri drejt e te email-et tuaja.

Bashkojuni 26 ndjekësve të tjerë