Feeds:
Postime
Komente

Archive for Shkurt, 2008

Anila Disha, Lajm Maqedoni

Maqedonia me sa duket me arshin të dyfishtë e përcjellë situatën në fqinjësi. Përderisa kur është fjala për Kosovën, situata ;do herë dramatizohet, kur është në pyetje Serbia situata relativizohet, madje edhe kur është dramatike.

Edhe pse në Serbi kanë filluar protesta të cilat e rrezikojnë tërë rajonin, ato aspak nuk e brengosin MPB-në e Maqedonisë, ku vlerësohet se situata është normale. Zëdhënësi i MPB-së, Ivo Kotevski thotë se MPB-ja po e përcjellë situatën dhe për momentin nuk ka nevojë të rritjes së forcave të sigurisë në vendkalimet kufitare me Serbinë. “Situata është normale dhe gjithçka është nën kontroll. Gjatë gjithë kohës e përcjellim situatën dhe po qe nevoja do të ketë edhe përforcime”, tha zëdhënësi Kotevski, duke shtuar se për momentin gjithçka është normale.

Edhe serbët e Maqedonisë kanë paralajmëruar protesta në Maqedoni. Partia Demokratike e Serbëve të Maqedonisë, ka paralajmëruar protesta pasi të kthehen nga protestat e Beogradit. Protestat janë planifikuar që të mbahen në qytetin e Kumanovës, ku protestuesit kryesorë do të jenë nxënësit e shkollave. Sipas organizatorëve protestuesit planifikohet që të marshojnë edhe drejt gjimnazit të Kumanovës, ku mësojnë nxënësit shqiptarë.

Reklama

Read Full Post »

Björk

Këngëtarja islandeze Bjork në koncertin e mbajtur në kryeqytetin japonez Tokio të martën mbrëma disa herë gjatë interpretimit të saj ka përmendur “Kosovën” dhe mes tjerësh ka deklaruar se “Kosova duhet të jetë e pavarur”.

Sipas disenjatores beogradase, Irena Inumaru, e cila jeton e punon në Tokio, në një deklaratë dhënë gazetës “Blic” në koncertin e mbajtur në sallën “Budokan” gjithçka ishte normale deri në momentin kur Bjork interpretoi këngën “Declare Independence”, që në shqip i bie “Shpalle pavarësinë”. Këtë këngë këngëtarja ia ka kushtuar Ishujve Faroe, mirëpo pasi që e këndoi këngën, ajo nisi të bërtiste “Kosova, Kosova”, ndërsa publiku e shoqëronte me ovacione. Këngëtaren në sfond e përcillnin imazhe të flamujve të kuq, që të asociojnë në flamuj shqiptarë. Këtë pjesë Bjork e përfundoi duke thënë: “Kosova duhet të jetë e pavarur. Serbët nuk bënë të sundojnë në Kosovë”.

Kohavision
Wikipedia Commons (foto)

Read Full Post »

LDK + PDK

Dikur, ish-presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova dhe partia e tij ishin armiqtë më të mëdhenj të Hashim Thaçit, që para se të bëhej kryetar partie, e tani kryeministër, ishte pjesë e strukturave udhëheqëse të UÇK-së. Sipas këtyre njerëzve LDK dhe udhëheqësia e saj ishin tradhtar të popullit të Kosovës, diçka që arsyetohej me fotografitë nga takimet mes Ibrahim Rugovës dhe Sllobodan Milosheviqit.

Por gjërat kanë ndryshuar. E gjithë kjo i takon të kaluarës. Thaçi tani më nuk është radikal siç ishte kur ai studionte në Universitetin e Prishtinës apo u bë pjesë e udhëheqësish së UÇK-së. Pas një kohe të shkurtër si kryeministër i Kosovës fill pas mbarimit të luftës, Thaçi që nuk kishte një përshtypje të mirë tek ndërkombëtarët u deshtë të hynte në opozitë dhe në të njëjtën kohë të filloj një reformim të partisë dhe mënyrës se sy ky perceptohej nga ndërkombëtarët në Kosovës.

Për tu bërë më i pranueshëm, Thaçi i ktheu shpinën idealizmit, asaj që ai gjithmonë kishte besuar, dhe filloi me pragmatizëm për të ju treguar ndërkombëtarëve se ky tani nuk ishte më ushtari gjarpër i luftës së Kosovës por një politikan i respektuar që ishte i gatshëm të merrte në drejtim shtetin e Kosovës.

Në këtë rrugë të transformimit të Thaçit nga një idealist në një pragmatist, partia PDK, ndoshta edhe për shkak të egoizmit të Thaçit për tu bërë kryeministër dhe bile kryeministri i parë i Kosovës së pavarur, sakrifikoi shumë. Lufta e Kosovës filloi të përmendej më rrallë, u pranua që Kosova të mos ketë ushtri të vetën, u hesht kur ata që tani përsërisnin kërkesat e dikurshme të Thaçit dhe shokëve të tij arrestoheshin nga policia ndërkombëtare, LDK nuk ishin më tradhtarët e dikurshëm por bashkëpunëtorët e nevojshëm, flamuri kombëtar u sakfrikua për yllat e BE-së.

Thaçi dhe LDK u bënë mish e shpirt. Kjo ilustrohet më se miri nga vizita e Thaçit tek varri i ish-presidentit të ndjerë Ibrahim Rugova. Për së gjalli nuk arritën të pajtoheshin por tani, ndoshta jo nga vetëdëshira, një pajtim po vjen. Një pajtim që siguron pozicionet e politikanëve por që pa dyshim dëmton popullin pasi që Kosova tani nuk ka ndonjë opozitë dhe fati i popullit është në duart e njerëzve që për më shumë se 9 vite rresht dëshmuan se nuk dinë asgjë tjetër veçse të keqpërdorin në të gjitha mënyrat besimin e popullit. Askush në parlament për të ngritur zërin nëse qeveria Thaçi fillon të çoroditet si ato te mëparshmet. AAK-ja e vogël që tani është në opozitë për një kohë është neutralizuar me ndryshimin e Kornizës Kushtetuese që e bënë të mundshme përfaqësimin e kësaj partie në kryesinë e kuvendit.

Read Full Post »

Ndërtesa ku u mbajt Lidhja Shqiptare e Prizrenit, Prizren

Qysh se ta pata nisë një letër të gjatë dikur për gjuhën,më pëlqen me iu përgjigjë kërkesave tua për me kontribue herë mbas here në “Java”, duke ruejt formën e një letërkëmbimi midis miqsh.

Mbi çka me e ndërtue Kosoven,me pyet ti. Mbi gjak, sakrifica e përmendore, apo mbi vlera e të drejta.

Reagimi i parë që më vjen para një pyetje të tillë asht se une nuk e di.

Gjithmonë më kanë lanë shije jo të mirë ata që ulun para tastieres së një kompjuteri diku nëpër qytetet e Europës, lëshojnë receta e shesin mend ( e në fakt i shesin lirë, mbasi mendt nuk po kanë shumë të shitun kohët e fundit) se si me i zgjidhë çashtjet themelore të egzistencës sonë si komb a si shtet.
Pra, tundimi i parë ishte që të pergjigjesha duke të thane se, i dashtun Migjen , une nuk po di se mbi çka duhet me e ndërtue Kosovën.
Por, nuk mundem me e mshehë se pyetja që ti më kishe nisë më bani me mendue. Jo aq me mendue se çfarë recetet mundem une me i ofrue kosovarëve mbi ndërtimin e shtetit të tyne, por më bani me mendue mbi ate se sa asht e drejtë me e shtrue problemin në këte mënyrë.
Mbi gjak a mbi vlera.
Mënyra se si e ke ndërtue pyetjen i ven gjakun,përmendoret e sakrificat në krahun e kundërt të vlerave e të drejtës. Duke e pranue këte kundërshti si një të dhanë objektive, ti mandej shtron pyetjen se çfarë zgjedhjet duhet ba kur të hidhen themelet e shtetit të Kosovës, zgjedhja e gjakut apo e vlerave.

(më tepër…)

Read Full Post »

Hakerat sulmojnë Kosovën

Nga data 19 shkurt, faqja e Agjencisë së Pavarur të Lajmeve Kosova Press është duke u sulmuar nga persona tani për tani të panjohur. Nga këto sulme, kohë pas kohe me një ndërprerje(nganjeherë5-10 minuta ndërsa tani për tani ka me shumë se një orë qe ne këto rrjete është ndërprerë), është duke iu pamundësuar qasja lexuesve (qe janë të lidhur me IPKO dhe KUJTESA)vetëm në Kosovë.

Po ashtu, kjo është duke i ndodhur edhe disa faqeve në Kosovë(RTK). Disa burime të pakonfirmuara i thanë Kosovapress-it se këto sulme janë duke ardhur në mënyrë të organizuar nga Serbia dhe vendet kundër pavarësisë si Rusia, Rumania pas shpalljes së Kosovës shtet të Pavarur dhe Sovran. Po ashtu, këto burime nuk mund ta konfirmonin nëse këto sulme janë duke ardhur në mënyrë institucionale, apo nga individë të caktuar.

Kosovapress

Read Full Post »

Sheshi Skenderbeu, Prishtinë 

Edlira Gjoni, Tirana Observer

Të shoh në sy, Kosovë! Drejt, në syrin tënd zhbirues, që s’tutet, as ulet, as dridhet. Në sy të shoh, Kosovë. Në sy! Dhe më ngul drithërimat qartësia e asaj që shoh drejt në sytë e tu. Mëvetësinë, bindjen për ta pasur, këmbënguljen për ta arritur, të drejtën për ta merituar. Dhe më dhembin sytë e mi, Kosovë. Sytë e mi shqiptarë, që nuk e panë kaq drejt vuajtjen tënde; as pastrimin tënd etnik; as rrugën tënde të pashembullt 9-vjeçare për ta arritur standardet që në Tiranë nuk po dinë të arrijnë dot; as këmbënguljen tënde të palëkundur nga asnjë lloj presioni, lëmoshe apo gënjeshtre.

Të shoh në sy, Kosovë, dhe më vjen për të qarë. Për të vuajtur më vjen, që ndjenja ime e gëzimi për ty më është mbuluar nga manipulimet prej të cilave nuk kam imunitet. Guximi yt për të marrë atë që meriton më tremb, sepse më pyesin “a din ti, Kosovë, të ndërtosh shtet? A mundesh ti, Kosovë, të kuptosh fjalën “demokraci”? A din ti, Kosovë, të jetosh në komunitet?” …Unë i ul sytë e para, Kosovë. I ul poshtë krejt, se nuk e kam aq të fortë besimin tek origjina ime; as tek të drejtat e mia që përditë m’i tregojnë të ndryshme; as tek kultura ime, që shumë kam lënë të ma përziejnë; as tek idealet e mia, që nuk di nën ç’qiell presin të damkosen a të lulëzojnë.

Unë ika nga Shqipëria në ’97-ën, Kosovë. Së bashku me mijëra të tjerë që eksoduan, e me të tjera mijëra që shkuan poshtë dheut për të mos parë çmenduritë sipër tij. Kurse ti i mblodhe të gjithë shqiptarët e tu një vit më vonë, me anije, aviona e mushka, me armë në krah e pa kompromis në kokë. T’i pritëm të dëbuarit e tu, Kosovë, por nuk iu bashkë-ngjitëm Bacës, as Ramushit, as Hashimit, as Vetonit, as Imbrahimit. As në Recak, as në Rambuje, as në Prishtinë! E pamë të vërtetën tënde me sytë e botës, Kosovë; edhe pse me gjysma fjalësh përkthenim vetë për ty në Morinë. Por s’ta kaluam cakun, Kosovë. Prandaj i ul sot sytë e mi.

“Mëvetësinë ta njoh me kushte”-të thashë. Po ti e kurseje zërin për atje ku do të dëgjohej. Kushtësitë e mia ishin sy-poshtë. Por në 17 Shkurt ma shkule nga kraharori ndjenjën që meskiniteti dhe sytë e tretë më bënin të shihja për ty. Festova në Vlorën e Ismailit dhe qava bashkë me Isë Boletinin. Ia mora këngës labe për ty; dhe nuk doja fare të frenohesha e kërkoja llogari për ndjesitë e mia të vrullshme kuqezi. Ngrita dolli për pavarësinë tënde në Tiranë, e ri-gjetura Kosovë. Dhe përjetova njëlloj si në Fier, në Lushnjë, në Durrës, në Shkodër, në Gostivar, në Shkup, në Tetovë, Romë, Londër, Boston, New York, Gjenevë….kudo ku kishte një shqiptar. Gëzova; dhe ngrita kokën të të shoh drejt në sy! Mezi i shihja sytë e tu, me kokën lart dhe vështrimin drejt, ashtu siç e mbaje edhe në Recak, edhe në Rambuje, edhe në Hagë. Nuk e kapja dot vështrimin tënd që sheh vetëm drejt. Vështrim gjigant, mbartur në pa-përulësinë e ish-komandantit që para se të mësonte të “negocionte” për termat, i mësoi terma-nxjerrësit se ç’do të thotë “të mos heqësh dorë nga ideali”.

Kam frikë nga vështrimi yt, Kosovë. Është i gjallë, i qartë, i largët, i drejtë, dhe është disa kokë sipër meje. Ty s’tu drodh qerpiku. As me shprehjet e ngrira në kokat e prera në 99-ën, as në politikën e zvarritjes vrasëse deri në 2008-ën. Ti pe drejt! Shumë drejt, Kosovë! Prandaj më tremb, më tkurr, më shpërfill vështrimi yt. Por unë vazhdoj, vazhdoj të të shoh në sy, sepse dua të di deri ku shkon ai vështrimi yt; se këtu poshtë, nga Shqipëria ime, ende nuk duket dot gjë. Asgjë nuk shoh. Shtati, përshtatja, asimilimi, përulja, hapja rrugë, bindja pa fjalë, kompromisi pa skrupull, etja për pak më shumë gjatësi, m’i kanë shkulur fare ato rrënjët që ushqejnë virtytet që mban ende gjallë ti, Kosovë. Ato virtyte që guxoj të t’i quaj edhe tribale, se kështu më kanë mësuar të parët dhe ndërkombëtarët. Të njëjtët të cilëve ti u mësove se mëvetësia ka lindur para diplomacisë. Po, po. Të njëjtët që më kërkojnë Himarën e më mohojnë Çamërinë. Të njëjtët që më thonë “orientale”, e që rrugën për tek gjuha ime fare nuk e dinë. Të njëjtët që më përbuzin e më duan, se pa përbuzjen ndaj meje, nesër më nuk gdhijnë! Ti i sfidove, Kosovë. Ata, bashkë më mua, perëndimoren pa tribu. Qytetaren e salloneve të mëdha me gota gjaku pa shije. Zbërthyesen e demokracisë, tamam këtu ku ka 18 vjet që meritokracia është ulur këmbëkryq në orgjitë me kalbëzimet perëndimore. Të shoh në sy, Kosovë. Dhe ti bën bash mirë që ma shpërfill vështrimin. Më në fund, e meritoj!

Read Full Post »

Flamuri i Rugovës kërkund hiq

Flamuri i Dardanisë
UNMIK ka vendosur që flamuri i dizejnuar me inciativë të ish-presidenti Ibrahim Rugova, nuk mund të përdoret as si logo e Presidencës së Kosovës, njoftojnë mediat në Kosovë.

LDK dhe Presidenca u kanë thënë gazetave se nuk kanë informata për një gjë të tillë.

Read Full Post »

« Newer Posts - Older Posts »