“Dalja e PDSH-së nga Qeveria është çështje orësh dhe kjo është punë e kryer. Unë sonte do të dal me propozim para kryesisë qendrore dhe besoj se propozimi im për dalje nga Qeveria do të pranohet”, deklaroi të mërkurën kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi pas takimit një orësh që pati me përfaqësues të ambasadës amerikane në Shkup.
Arsyet për daljen e PDSH-së nga Qeveria janë gjashtë kërkesat e Thaçit të cilat kryeministri Nikolla Gruevski i ka refuzuar. “Heshtja e kryeministrit nënkupton se ai nuk ka ndërmend që t’i pranojë kërkesat tona”, potencoi Thaçi. Sipas tij, në institucionet qeveritare vërehet një joseriozitet i funksionimit të tyre në këto momente të rëndësishme dhe historike për Maqedoninë. “Unë dhe partia ime nuk do të dëshironim që ne të jemi pjesë e kësaj qeverie. Kam bindjen e thellë se organet e partisë do ta mbështesin këtë qëndrim”, u shpreh kreu i PDSH-së.
Në pyetjen pse PDSH-ja ndërmerr një hap të tillë para Samitit të NATO-s, Thaçi tha se në mënyrë figurative e lëshon semaforin e kuq që të mos vjen në ndeshje komunikacioni për njerëzit që janë në politikë. “Nuk mund të lejoj që partia të hyjë në ujëra tjera, ekstreme, radikale”, tha ai. Për atë se çka është biseduar në Ambasadën e SHBA-ve, Thaçi tha se në politikën moderne ato punë nuk tregohen ashtu dhe se ata flasin në mënyrë tjetër. “SHBA-të janë partneret kryesorë të Maqedonisë. U bisedua në lidhje me çështjen e emrit e ndërkohë kishte interesim të jashtëzakonshëm edhe për mundësinë e marrjes së vendimit të PDSH-së që të largohet nga Qeveria e Maqedonisë”, u shpreh lideri i PDSH-së.
Nënkryetari i PDSH-së dhe ministri i Shëndetësisë, Imer Selmani tha se për daljen e PDSH-së nga Qeveria do të vendos kryesia e partisë. “Vendimet e mëdha nuk merren individualisht, por në mënyrë kolektive dhe për këtë shkak ekzistojnë organe partiake”, deklaroi ministri Selmani të mërkurën në Matkë, ku u inkuadrua në aksionin “Dita e drurit – Mbjelle të ardhmen tënde”.
Nga ana tjetër Partia për Prosperitet Demokratik (PPD) e cila është pjesë e Qeverisë nuk ka koment rreth zhvillimeve të fundit në koalicionin qeveritar.
Ndryshe, në takimet të dielën dhe të hënën, Thaçi ka kërkuar nga Gruevski të zgjidhet statusi i ish pjesëtarëve të UÇK-së, zyrtarizmi i gjuhës shqipe në Maqedoni, njohja e shpejtë e pavarësisë së Kosovës, rritja e përfaqësimit adekuat të shqiptarëve në administratë, përdorimin zyrtar i flamurit shqiptar krahas atij shtetërorë dhe mbyllja e katër rasteve të Hagës. Këto kërkesa Gruevski i ka refuzuar.
Liderët e PDSH dhe të BDI-së, Menduh Thaçi dhe Ali Ahmeti, pas takimeve në ambasadën amerikane kanë realizuar takime edhe me ambasadorin e Bashkimit Evropian (BE), Ervan Fuere.
Lajm Maqedoni
Lini një Përgjigje