Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, në intervistën e tij flet për çështjen e flamurit shqiptar, valëvitja e të cilit nëpër institucionet shtetërore pak kohësh u ndalua me ligj, ai flet për shqipen, jo si gjuhë e dytë, por si gjuhë zyrtare, pasi shqiptarët atje janë 25 për qind. Në këtë intervistë ai flet për çështjen e Shqipërisë së madhe dhe për aspiratat e Maqedonisë për të marrë ftesën për anëtarësim në NATO, në Samitin e Bukureshtit.Rrugës për në Tetovë, nga kufiri deri këtu kemi kaluar nëpër fshatra, nëpër qyteza shqiptare dhe kemi pare shumë flamuj shqiptar. Një realitet që në fakt nuk e kemi parë kaq shpesh në 7 vitet e fundit.
Tani sigurisht që këta flamuj dhe këto stoli janë nga 17 shkurti e këndej dhe akoma njerëzit nuk i kanë hequr nga ballkoni, por si duket edhe nuk duhet t’i heqin, për arsye se këtu qeveria e Maqedonisë ka marrë një vendim për reduktimin e ligjit për përdorimin e simboleve kombëtare. Kështu që kjo iniciativë ka filluar pak më herët, por numerikisht numri i flamujve dhe i banderolave nëpër mure që i keni parë ju, është në shumicë të madhe nga 17 shkurti me rastin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, sepse këtu ka pasur një festë po aq dinjitoze sa ka qenë edhe në Kosovë, pasi shqiptarët e Maqedonisë e kanë përjetuar edhe një festë si të veten. Është plotësuar një ideal i brezave të tëra që kanë sakrifikuar, që kanë dhënë për çështjen kombëtare shqiptare edhe shqiptarët e Maqedonisë si pjesë e këtij kontributi për pavarësinë e Kosovës.
Për të freskuar pak kujtesën historike të “Marrëveshjes së Ohrit”, me pak fjalë, cilat ishin pikat kryesore të kësaj marrëveshje?
Sipas komunikatës numër 6 të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, dy pika janë kryesore, barazi e plotë e shqiptarëve në Maqedoni dhe amnisti e përgjithshme për të gjithë ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare.
Janë realizuar këto kërkesa deri më sot?
Ne këto kërkesa, thuajse në përgjithësi edhe i kemi realizuar, ka akoma për të bërë në këtë drejtim. Aktualisht po bëjmë përpjekje që përfundimisht të mbyllet edhe problemi i gjuhës shqipe, si problem që ka mbetur akoma pa u kryer, gjuha shqipe gjuhë zyrtare në Maqedoni.
Gjuha e dytë zyrtare…
Unë nuk e rendis në gjuhë e parë dhe e dytë, gjuha po është zyrtare, është e para apo e dyta, ajo është gjuhë zyrtare. Paralelisht gjuhës zyrtare maqedonase, edhe gjuha shqipe të jetë gjuhë zyrtare në Maqedoni, sepse ne këtu nuk jemi minoritet, në Maqedoni shqiptarët janë popull dhe sipas prehambullës të Kushtetutës së Maqedonisë, shqiptarët janë pjesë e ndarë e popullit shqiptar. Do të thotë që jemi autokton, jemi në vendin tonë dhe ne i duam të gjitha të drejtat e barabarta. Në këtë drejtim ka përparim. Thashë ka mbetur që të rregullohet edhe çështja e gjuhës, por sipas “Marrëveshjes së Ohrit” dhe Kushtetutës së Maqedonisë, gjuhën në të cilën e flasin mbi 20 % e qytetarëve, gjithashtu është gjuhë zyrtare. Mirëpo në këtë drejtim ka hezitim, nuk demonstrohet ndonjë vullnet i mirë nga forcat aktuale që e udhëheqin.
Sa për qind e popullsisë së Maqedonisë flet gjuhë shqip? Sa për qind janë shqiptarë?
Pa dashur të spekuloj, në vitin 2004 është bërë regjistrim me ndërmjetësim ndërkombëtar, sepse kjo ka qenë edhe njëra nga kërkesat e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtarë, që të bëhet regjistrim me ndërmjetësim ndërkombëtar, sepse ka pasur falsifikime të ndryshme, ka pasur pretendime të ndryshme lidhur me numrin e popullatës në Maqedonisë. Zyrtarisht shqiptarët janë 25.17 %. Mirëpo në këtë numër, në këtë përqindje, ne kemi një diasporë jashtëzakonisht të madhe, që nuk kanë pasur mundësi edhe të regjistrohen këtu, për shkak të punëve të tyre, për shembull, në SHBA, në Australi, në Evropë. Ai numër që ka arritur të vijë dhe të regjistrohet, sigurisht që është regjistruar.
Ju sa mendoni se mund të jetë përqindja e shqiptarëve?
Realisht do të thotë që përqindja e shqiptarëve mund të jetë mbi 30 %, pa e tepruar.
Ju keni kërkuar si parti, si BDI, por edhe si kryetar i kësaj partie, që të jeni pjesë e negociatave për emrin e Maqedonisë me palën greke. Një çështje e cila rrezikon në fakt jo vetëm Maqedoninë për të mos marrë këtë ftesë tani për në NATO, por ndoshta edhe A3-shin. A është marrë parasysh kërkesa juaj? Nëse nuk merret, çfarë do të bëni?
Tani, dy herë janë bërë takime liderësh për këtë çështje. Nuk kemi ardhur deri tek pika kritike për ndryshim apo mos ndryshim të emrit. Unë i kam bërë me dije partive politike maqedonase që kjo çështje duhet të zgjidhet me konsensus etnik, duhet të pajtohemi edhe me shqiptarët, sepse shumë lehtë mund të vendoset Republika Sllave e Maqedonisë, por ky term është i papranueshëm, sepse në Maqedoni nuk jetojnë…
Gjithsesi, janë hedhur pesë emra në tryeza dhe dy prej tyre kanë qëndruar.
Po sjell një shembull ekstrem. Tani jemi në bisedime, por unë mendoj që komitetet ndërkombëtare janë mjaft aktiv në këtë drejtim për të zgjidhur dhe për të mbyllur këtë çështje që tani e 18 vite qëndron e pazgjidhur. Mendoj që duhet të ketë mirëkuptim, si nga pas greke ashtu edhe nga pala jonë këndej. Duhet për arritjet konsensus, sepse për ne interes madhor është anëtarësimi i Maqedonisë në NATO dhe nuk duhet të rrezikojmë shansin historik për Maqedoninë dhe shansi historik është që Maqedonia në Samitin e Bukureshtit duhet të marrë ftesë për anëtarësim në NATO. Nëse ne nuk arrijmë dot që ta zgjidhim mosmarrëveshjen me Greqinë, sigurisht që mund të rrezikohen anëtarësimin e Maqedonisë në NATO dhe ne nuk jemi që të ne të hyjmë në një rrugë që nuk e dimë se çfarë dalje ka.
Ka mbetur rreth një muaj, a jeni optimist se mund të zgjidhet?
Unë mendoj që domosdo të zgjidhet kjo çështje dhe të arrihet një zgjidhjes mes Republikës së Maqedonisë dhe Greqisë.
Një problem tjetër, që pjesa zyrtare apo qeveria e Maqedonisë ende nuk e ka zgjidhur, është edhe çështja e pavarësisë së Kosovës. Pse nuk është njohur ende kjo pavarësi dhe çfarë po bëni ju që Maqedonia t’i bashkohet atij treni të madh vendesh demokratike të cilat po e njohin një e nga një Kosovën…?
Tani, unë si Bashkimi Demokratik për Integrim me rastin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës kam thirrur grupin parlamentar dhe kemi nënshkruar një deklaratë drejtuar organeve të Maqedonisë, Kryeministrit, Presidentit dhe Kryetarit të Parlamentit për njohje të shpejtë të Republikës së Kosovës, të shtetit të Kosovës. Duke menduar që ne do t’ju bashkëngjitkemi shteteve të parë që e njohën pavarësinë e Kosovës, por edhe njëherë duke shpresuar në vetë deklaratat që bëri para shpalljes së pavarësisë, vetë Ministri i Maqedonisë, se ndoshta nuk do të jemi nga vendet e para dhe pse një deklarata që nga vendet e para do të jetë Maqedonia që do të njohë Republikën e Kosovës dhe tani e zhgënjyer se nuk qëndron në fjalët që ka dhënë. Nuk e ka detyruar kurrkush Gruevskin që të japë deklarata, jo një herë, por disa herë, që ne do të jemi nga vendet e para që do ta njohim Republikën e Kosovës. Cilat janë arsyet tani, pse tani, se përse ai heziton që ta njohë Republikën e Kosovës, për mua janë të panjohura dhe ku arsyet për mua janë të panjohura, mjaftojnë të krijojmë dilema se në cilën sferë të interesit, tanimë Gruevski e ka rrezen e tij të veprimit.
Intervistë dhënë gazetarit Alfred Peza, me kryetarin e BDI-së, Ali Ahmeti
Lini një Përgjigje