Levizja Vetëvendosje
Shpallja e pavarësisë nuk na bëri të pavarur. Edhe pse e rëndësishme, as njohja nga shtetet e botës nuk na bën të pavarur. Është ndryshimi radikal i situatës në terren – kush ushtron pushtetin, nga kush dhe ndaj kujt, si dhe deri ku ushtrohet ai – ajo që do të na bënte të pavarur. Më poshtë janë 10 hapa fillestarë që do të duhej të ndërmerren nga institucionet e Kosovës për ta themeluar një bazë të fortë për zhvillim të pavarur politik, ekonomik e social të Kosovës. Këta hapa do t’i bënin institucionet INSTITUCIONE, nga populli, të popullit dhe për popullin.Kuvendi i Republikës së Kosovës:
– Duhet ta tërheq menjëherë zotimin për zbatimin e Planin të Ahtisaarit. Ky plan ka qenë dashur të jetë marrëveshje mes Serbisë dhe Kosovës (si çmim për pavarësinë e Kosovës të cilën do ta pranonte Serbia dhe Rusia si rrjedhim). Serbia dhe Rusia nuk e pranuan. Pse ta pranojë Kosova?
– Duhet ta kthejë prapa draft kushtetutën dhe të kërkojë nga Komisioni Kushtetues ta përpilojnë një Kushtetutë e cila i vesh institucionet e Kosovës me sovranitet dhe që i bën ato, por edhe veten si dokument, autoritetet më të larta në territorin e Kosovës.
Kryetari i Republikës së Kosovës
– Duhet që menjëherë ta shpallë TMK-në Ushtri të Kosovës. Njëkohësisht duhet që menjëherë ta fillojë procesin e shndërrimit të TMK-së në Ushtri (në bashkëpunim me Ministrinë e Mbrojtjes e cila do të krijohej konform kësaj shpalljeje). Çfarë pavarësie e kemi nëse nuk na lejohet ta krijojmë vetë Ushtrinë tonë! Ai më pas do të jetë Komandant Suprem i kësaj Ushtrie. Në asnjë mënyrë nuk bën që ta pranojë shuarjen e strukturave të saj, e as krijimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës. Deri në këtë shndërrim, Kryetari i Kosovës duhet të kërkojë marrëveshje të veçanta mbrojtëse me shtetet që e kanë njohur Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran (Shqipërinë, ShBA-të, Britaninë e Madhe, etj.) Ndërkohë që duhet ta kërkojë një Marrëveshje SOFA (Status of Forces Agreement) me Aleancën Veri-Atlantike.
– Duhet të kërkojë nga UNMIK-u që ta lëshojë Kosovën pasi që vetë natyra e këtij misioni është kundërshtim i pavarësisë dhe sovranitetit të Kosovës. E njëjta gjë duhet të vlejë edhe për misionin e BE-së (EULEX dhe ICO). Kosova nuk mund t’i ketë DY qeverisje sovrane. BE-ja, e edhe OKB-ja, mund të qëndrojnë në Kosovë me misione ndihmuese, këshilluese madje edhe monitoruese, por assesi me misione qeverisëse, të veshura pushtet ekzekutiv. Pushteti qeverisës që nuk është i zgjedhur nga ne, na e cenon sovranitetin, të drejtat dhe lirinë.
– Duhet t’ua tërheqë kredencialet dhe lejeqëndrimin të gjitha zyreve të vendeve të cilat janë shprehur kundër pavarësisë së Kosovës. Të gjithë përfaqësuesit e këtyre shteteve të cilët janë me shërbim në Kosovë, qoftë në zyra diplomatike, apo në ndonjë formë tjetër në misione ekzekutive, duhet të urdhërohen ta lëshojnë Kosovën. Policët si dhe ushtarët e vendeve që nuk e njohin Kosovën, duhet që po ashtu ta lëshojnë Kosovën. Nga këto vende duhet të kërkohet njohja reciproke por edhe vendosja e marrëdhënieve bilaterale diplomatike. Kosova nuk mund t’i njeh shtetet që nuk e njohin atë!
Qeveria e Republikës së Kosovës
– Duhet që menjëherë, përmes Ministrisë së Rendit, ta vendos nën komandë të veten ShPK-në, duke e bërë atë Polici të Kosovës. Këta policë duhet të pajisen me të gjitha mjetet e nevojshme për ushtrimin e ligjshmërisë së Kosovës në tërë territorin. Këto veprime duhet të bashkërendohen me Kryetarin e Kosovës, si Komandant Suprem i Ushtrisë së Kosovës. Mbrojtja e integritetit territorial të Kosovës si dhe ushtrimi i sovranitetit në tërë territorin janë çështje të ngutshme dhe parësore sot në Kosovë.
– Duhet që t’i ndërmarrë masat për ndalimin e mbajtjes së zgjedhjeve të Serbisë në territorin e Kosovës. Këto zgjedhje (ndalimi i tyre), në afatin e shkurtër, do të jenë matësi më i mirë i pavarësisë së Kosovës. Shtetet sovrane nuk lejojnë mbajtjen e zgjedhjeve përbrenda territorit të tyre të organizuara nga shtetet tjera. Në të njëjtën frymë, duhet t’u ndalohet hyrja në Kosovë e politikanëve nga Serbia. Ministrat në qeverinë e Serbisë nuk mund të kenë vizita private në Kosovë, duke i kthyer ato në angazhim armiqësor kundër sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës. Marrëdhëniet bilaterale si dy vende me interesa reciproke mund të vendosen vetëm pas njohjes nga Serbia.
– Duhet që menjëherë, dhe pa pritur miratimin e askujt, ta fillojë themelimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme. Çfarë kuptimi do të ketë pavarësia e shpallur nëse presim nga kushdo miratimin për Ministri të Punëve të Jashtme. Kjo Ministri pastaj duhet të fillojë me ngritjen e përfaqësive diplomatike të Kosovës nëpër botë. Shqipëria ka ofruar përdorimin e ambasadave të saj aty ku i kanë ato. Krejt çka na nevojitet është t’i dërgojmë përfaqësuesit tonë atje. Ose t’ua zyrtarisht t’ua delegojmë këtë gjë Ambasadorëve të Shqipërisë. P.sh Ambasadori i Zvicrës në Iran i përfaqëson edhe interesat amerikane atje qysh nga viti 1981, një vit pas ndërprerjes së marrëdhënieve diplomatike mes Iranit dhe ShBA-ve. Ambasadorët e Shqipërisë do të duhej përdorur veçanërisht në vendet që nuk e njohin Kosovën për të lobuar në bazë ditore për njohjen e Kosovës.
– Duhet marrur nën kontroll të vetin Agjencinë e Privatizimit (AKM-në) dhe të gjitha asetet e saj. Paratë e Kosovës të mbledhura nga privatizimi i deritashëm të përdoren për investime kapitale të rëndësisë strategjike për Kosovën. Ndërkohë që privatizimi i mëtejmë të pezullohet, derisa Kosova të bëhet vërtetë sovrane dhe të jetë në gjendje që vetë ta përcaktojë se cilat nga ndërmarrjet do të shiten dhe si. Qeveria e mëvetme duhet të vendos për mënyrën se si shpenzohet dhe financohet buxheti i Kosovës – natyrisht duke ndjekur me përpikmëri interesat dhe nevojat e qytetarëve të Kosovës. Duhet të kujdeset që të ketë kontroll të rregullt të të gjitha pikave kufitare të Kosovës, në të cilat do të zbatojë politikë fiskale që do ta mbronte prodhimin vendor.
Agjencitë Shtetërore dhe të Pavarura
– Duhet që automatikisht ta refuzojnë çfarëdo urdhëri që vjen nga ndonjë autoritet tjetër që nuk është i Kosovës. Ato duhet të mbesin të pavarura dhe të punojnë në interes të popullit të Kosovës, dhe vetëm në interes të tij. Banka Qendrore duhet të fillojë të veprojë si e tillë: të ushtrojë kontroll të planifikuar në politikën monetare të Kosovës. Njëkohësisht Banka Qendrore duhet të fillojë me emetimin e bonove të thesarit në mënyrë që t’ua mundësojë të gjithë qytetarëve të Kosovës të investojnë në zhvillimin ekonomik të vendit. Komisioneri i pavarur për media duhet t’i çlirojë mediat nga kthetrat e UNMIK-ut dhe OSBE-së, në mënyrë që këto ta kenë të mundur informimin e drejtë dhe ndikimin në ngritjen e vetëdijes së qytetarëve të Kosovës për realitetin. Pavarësia nënkupton pavarësi edhe nga UNMIK-u dhe ICO-ja.
Lini një Përgjigje