Shaqir Islami, Lajm Maqedoni
S’jam i sigurt, më duket se është një thënie e Markesit : “s’ka diçka më fantastike, se realiteti”. Ngjarja e Gërdecit, është realiteti i Shqipërisë. Realiteti i shëmtuar i saj. Pas vitit të nëntëdhjetë, ka pasur me mijëra raste të tilla të shëmtuara. Kulminacioni i absurditetit të asaj shoqërie ishte nëntëdhjetë e shtata. Ndodhi zhbërja e shtetit shqiptar. Edhe trutë më të ndritur të industrisë së Hollywoodit, mbetën pa tekst. Bota mbeti pa tekst.
Duhej të kalojë vetëm një dekadë, që Shqipëria ta rrëqethë opinionin botëror edhe me absurditetin e Gërdecit. Shqipëria me këto spektakle horror do të konkurrojë për vendin e parë në botë, me ngjarjet katastrofike të saj, që e lemerisin opinionin botëror. Dhe e gëzojnë fqinjësinë, për t’ua vërtetuar, teoritë e tyre të shumta propagandistike për inxhinjerinë gjenetike shqiptare të rrezikshme për rajonin dhe më gjerë.
Në një shkrim timin të botuar në “Java” para një kohësh, me titull të botuesit të saj “Gjithmonë qeshem me shtetin e Shqipërisë”, reagoi A. Ndreca me emocione, duke i kritikuar ” ata që qeshen me shtetin e Shqipërisë”. I kërkoj falje z. Ndrecaj, më s’qeshi me Shqipërinë. Pati të drejtë z. Ndreca, me Shqipërinë s’duhet qeshur. Për Shqipërinë duhet qarë. Shqipërinë aktuale, duhet vajtuar me vajtojcat e Zajazit. Mbase janë më të mirat në atë zanat.
Duhet qarë klasën politike të saj. Duhet qarë klasën intelektuale. Duhet qarë klasën mediatike. Duhet qarë…
Mënyra se si e trajtuan mediat ngjarjen e Gërdecit, është tregim në vete.
Sëmundja më gjithëpërfshirëse në shoqërinë e saj, është snobizmi. Snobizmi e gërryen Shqipërinë.
Trajtimi i ngjarjes së Gërdecit, nga mediat është një shkollë e mirë se si mediat s’duhet të informojnë. Mediat shqiptare, deri dje, duke qenë vetëm proçesverbalistë të Partisë së punës, përnjëherë duke përjetuar lirinë e fjalës dhe të mediave, janë “humbur në përkthimin”e demokracisë. Mediat shqiptare, s ‘e kanë ndjenjën dhe autocenzurën profesionale, se çka është liria e fjalës dhe çka është anarkia. Edhe liria ka një kufi. Liria e shfrenuar sjell në anarki.
Kjo është sëmundja më akute e mediave në Shqipëri. Ato sikur s’kanë njohuri për industrinë mediatike. Informata, së pari duhet të përpunohet si çdo mall tjetër. Ky mall mediatik, nëse s’përpunohet mirë, ka veprim shkatërrues, ashtu siç ndodhi në Gërdec. Mungon vija e kuqe.
Mediat shqiptare, gjatë raportimit të ngjarjes së Gërdecit, e tepruan me lirinë mediatike. E tepruan me profesionalizmin gazetaresk, duke vuajtur sëmundjen kolektive të Shqipërisë, snobizmin.
Sipas asaj që raportuan dhe raportojnë për rastin e Gërdecit, Shqipëria është një aeroplan pa pilot. Aty s’din as kush pi, as kush hanë. Por mediat, duke e trajtuar shtetin dhe shoqërinë e Shqipërisë në këtë mënyrë, shkaktojnë një kaos mental. Shkaktojnë një panik kolektive në mbarë shoqërinë. Harrojnë se dëmi i tyre është kolateral, i pyes mediat : me gjithë atë hallakamë, kush do të guxojë të vjen si turistë i huaj në Shqipëri ?
Mediat edhe pse flasin për liri mediatike, duket qartë se janë shumë të varura nga klane të ndryshme interesash. Shteti i Shqipërisë, doemos duhet të vejë një kontroll mbi ta. Më mirë shteti sesa klane të panjohura dhe të rezikshme për sigurinë e Shqipërisë. Duhet të ketë një organ që bën kontrollin e medias. Një këshill apo diçka tjetër.
Në anën tjetër, duke akuzuar shoqërinë në një mënyrë brutale ekstreme, harrojnë se dhe vetë janë pjesë e asaj shoqërie. Gazetarët e Shqipërisë, s’kanë pikuar nga ndonjë planetë tjetër. Janë pjellë e atij mentaliteti.
Në zanatin mediatik, një ndër principet më fundamentale, është edhe edukimi. Informata nëse shkakton panik dhe defetizëm në mbarë shoqërinë, vlen edhe të autocenzurisohet nga vetë shtëpia mediatike dhe stafi i saj. Nëse informata, cenon sigurinë e shtetit, sigurinë e qytetarëve, shkakton panik mbarë shoqërore, duhet të ketë një dozë kontrolli nga vetë fella mediatike.
Në Shqipëri të gjithë vuajnë nga vija e kuqe për shijen e mirë dhe të keqe. Mediat dështuan totalisht me rastin e hidhur të Gërdecit. Mediat snobe, edhe njëherë e zhbënë imazhin e shtetit shqiptar, karshi botës. Të gjitha tentimet e përmirësimit të imazhit të shtetit shqiptar, u minuan brutalisht nga naiviteti i mediave, ose nga dirigjimi i dikujt. Prandaj shteti Shqiptar, dita ditës i ngjan fatit të kështjellës së Rozafatit. Sa të mundohet Sali Berisha që ta ndërtojë me shumë mund, mediat mund ta shkatërrojnë për një ditë. Shkatërrimi gjithmonë ka qenë më e lehtë se ndërtimi. Ka shumë prova në botë, për aftësinë shkatërruese të fjalës. Dezinformata ndahet me një vijë shumë të hollë nga informata.
As që më shkon në mëndje ndonjë teori konspirative për këtë rast. Ajo është punë e shtetit të Shqipërisë. Duhet analizuar mirë naiviteti i mediave shqiptare, që s’e paskan mësuar mirë mësimet e gazetarisë së lirë perëndimore, të cilët mendojnë se media duhet krijuar spektakël dhe në tragjeditë katastrofale. Gabimet e rënda bëhen edhe duke tentuar të tregohet profesionalizëm të tepruar, duke u mishëruar pa dije me profesionalizmin e mediave të shtëpive gjigante si CNN. As që dua të dyshoj në punën profesionale dhe në pasionin e gazetarëve të atjeshëm.
Profesioni i gazetarit s’ka mandat që të krijojë panik në shoqëri. Pamjet që jepeshin atë ditë ishin të tmerrshme. Mediat, a nuk llogarisin se ato pamje i sheh mbarë shoqëria shqiptare. Në atë shoqëri ka fëmijë, ka pleq, ka njerëz të depresionuar… Mundej të informohet me shumë maturi, pasi shoqëria ishte edhe ashtu e hutuar. S’duhej të krijohet spektakël horror, për atë shoqëri të përvuajtur aq shumë. Ende janë të pashëruar plagët e vuajtjeve shpirtërore kolektive. Mediat duhet të kenë konsideratë, për konsumatorët e vetë mediatik. Kush u ka thënë atyre, se mediat janë të pakontrolluara. S’mjafton vetëm kontrolli i padronit të shtëpisë mediatike. Duke ditur se shumica e padronëve, janë pasanikë me prejardhje shumë të dyshimtë pasurie, dhe me pedigre ende kriminale.
Mediat shqiptare, e kanë një problem të madh. Shumë me naivitet e kanë kuptuar shoqërinë demokratike europerëndimore. Dhe gazetarinë e saj.
qfar
keni deshir te beheni