Titulli është i redaksisë, kurse shkrimi i mëposhtëm është marrë nga faqja e internetit e Lëvizjes Vetëvendosje.
Sipas informatave të siguruara nga persona brenda institucioneve, përfaqësues të institucioneve të Kosovës dhe UNMIK-ut tashmë i kanë filluar negociatat me Serbinë për thellimin dhe zyrtarizimin e ndarjes së brendshme të Kosovës. Aktualisht është duke u diskutuar ndarja e sistemit gjyqësor në dysh – pra që në Kosovë serbët, aty ku ata jetojnë, t’i kenë gjykatat e veta të ndara nga pjesa tjetër e vendit. Sipas të njëjtave burime këto negociata pastaj do të vazhdojnë edhe për prokurorinë, policinë etj. Sistemit arsimor dhe atij shëndetësor tashmë i janë legalizuar ndarjet me planin e Ahtisaarit dhe dokumentet tjera ligjore që rrjedhin prej tij (30 instant-ligjet dhe instant-kushtetuta).
Kur Ministri i Serbisë Slobodan Samarxhiq e pati publikuar planin e tij për ndarjen funksionale të Kosovës, Larry Rosin, zëvendës shef i UNMIK-ut i cili kohëve të fundit e ka fituar epitetin si mik i madh i shqiptarëve, e pat quajtur këtë plan si bazë të mirë për diskutime. Fjalët e tij po vijnë në vend – ky plan tashmë ka filluar të diskutohet. Pra, nuk është për t’u çuditur se me çfarë paturpësie krerët institucional të Kosovës janë duke i lejuar zgjedhjet e Serbisë në Kosovë. Këta po i vazhdojnë koncesionet ndaj Serbisë në të gjitha sferat. Prandaj po nguten me miratimin e ligjeve e kushtetuave – për të na qitur hi syve dhe për të na mbajtur të zënë me disa letra, atëherë kur Serbisë e Maqedonisë po i falin toka.
Këtu nuk ka befasi – kravatat e këtyre politikanëve dhe dhëmbët e tyre të zbardhur kozmetikisht (artificialisht) janë simbolet më të mira që i përshkruajnë ata. Këta janë të lidhur në fyt për tu tërhequr kah t’ia ka ëndja akëcilit zyrtar në UNMIK a diplomat të huaj, përderisa në fytyrë i mbajnë maskat për ta mbuluar fytyrën e vërtetë – atë të turpit, të njeriut të ulët e të qullët pa asnjë dozë dinjiteti. Për secilin krim thonë se e vështirë është hera e parë. Krimet e tjera në vazhdim janë çështje teknike (përqendrimi është në atë se si të realizohet akti e jo në peshimin moral të aktit). Pas planit të Ahtisaarit në Kosovë çdo gjë është e lejueshme edhe e mundshme.
ne jemi shqiptaret,,,skenderbeu i dha pavaresine shqiperise me aq sa i duhesh turqise.ismail qemali i dha pavaresine shqiperise me aq sa i duhesh evropes,lali veri i mbajti ison,duke pranuar edhe largimin e çamerve nga trojet e tyre,tani dhe politikanet e kosoves u buzeqeshin karameleve qe u jep bota,,,paçka se shqiperine e shkrete e ha uji avash avash veç jo me nen rrogoz qe i thoshin perpara por ne mes te dites,ashiqare,,,