Organizata Freedom House publikoi në Uashington raportin vjetor për lirinë e shtypit në botë.
Lidhur me Kosovën, raporti thotë se sistemi i liçensimit të mediave atje është i komplikuar dhe jo koherent. Gjatë vitit të kaluar ka patur njoftime për një numër incidentesh dhune dhe shumë herë gazetarët janë ankuar se nuk janë lejuar të shfrytëzojnë burimet e informacionit publik.Drejtuesit e Freedom House thanë dje në prezantimin e rezultateve të raportit, në muzeun e ri të shtypit Newseum se në shkallë botërore, gjendja e shtypit në vitin 2007 u keqësua, me rënien më të madhe në Evropën Lindore dhe ish vende të Bashkimit Sovjetik.
Raporti është hartuar për periudhën para se Kosova të bëhej e pavarur dhe Karin Deutch Karlekar, studiuese e organizatës Freedom House, thotë se ndoshta raporti i vitit të ardhshëm do të përfshijë një kapitull më vete për shtetin e ri.
“Mendoj se ka disa probleme që janë karakteristike për Kosovën përsa i takon polarizimit të popullsisë dhe medias. Por disa nga problemet besoj se janë karakteristike për gjithë rajonin. Do të jetë interesante të shohim më tej gjendjen në Kosovë. Shpresoj që gjendja në Kosovë të stabilizohet gjatë këtij viti dhe të mos ketë pasoja tek media”.
Shumica e mediave në Kosovë, thotë raporti, kanë patur vështirësi të mëdha financiare. Pavarësia redaksionale mbetet e dobët dhe media u nënshtrohet interesave të biznesit. Radiotelevizioni i Kosovës, thuhet në raportin e organizatës Freedom House është veçanërisht në mëshirën e interesave politike dhe ekonomike.
Në shkallë botërore, sipas raportit, në vitin 2007 u keqësua, me prirje më negative në ish-Bashkimin Sovjetik, Azi dhe Afrikën nënsahariane. Është i gjashti vit me radhë një liria e shtypit pëson rënie në botë.
Jennifer Windsor, Drejtore ekzekutive e organizatës Fredoom House, tha se raporti tregon se rënia në lirinë e shtypit këtë vit është dy herë më e madhe se përparimet.
“Jemi shumë të shqetësuar që kemi parë hapa mbrapa, edhe në vende që kanë ecur përpara përsa i takon aspekteve të tjera të lirisë. Ato kanë qenë jotolerante ndaj kritikave dhe mendoj se ky është gabim se çdo qeveri ka nevojë për informacion të saktë për atë që ndodh brenda vendit dhe duhet të bëjnë të gjitha përpjekjet për të garantuar lirinë e shprehjes”.
Nga 195 vendet e botës, 40 për qind kishin shtyp të lirë në vitin 2007, 25 për qind kishin shtyp pjesërisht të lirë dhe 35 për qind një shtyp jo të lirë.
Zeri i Amerikës
Lini një Përgjigje