Shkruan. Bardhyl Metaj, Zürich
Më ngjanë shumë rrallë, që të mos e lexoj javoren “Der Spiegel”.
Jam abonues dhe lexues i rregullt i saj, që nga viti i largët 1990, e kam si një lektyrë obligative javore, qoftë për shkak të spektrit të gjerë të temave botërore që trajton, apo edhe për shkak të profesionalitetit në trajtimin e tyre, që e ka gjithherë.
Artikullin e saj të fundit mbi Kosovën, u detyrova ta ri-lexoj ndërkaq, më shumë se një herë…
Shkas i parë u bë një shoqe e imja nga Prishtina, e cila sapo e kishte lexuar të përkthyer në Koha Ditore, në një e-mail të saj që ma drejtonte për këtë artikull, me gjasë që të zbrazej diku e te dikush, shfrynte plot mllef kundër portretit të Kosovës në Der Spiegel, por edhe realitetit në Kosovë.
Për herë të tretë, artikullin mbi Kosovën, tashmë të ri-titulluar “Republika Bastarde e Kosovës!”, e lexova ndërkaq, kur analisti dhe publicisti i Kosovës, z. Shkëlzen Maliqi, në Editorialin e gazetës Express, 3 Maj 2008, shfryente me shumë lehtësi, kualifikime të paqëndrueshme dhe gjuante në drejtim të javores gjermane, si me një “saçmaricë” të huazuar, një arsenal kualifikimesh, të cilat si të tilla dhe si përgjithësime, assesi nuk qëndrojnë…
E kuptoj drejtë, dhe besoj në vërtetësinë e shpalimeve që bënte Shkëlzen Maliqi, në reagimin dhe sqarimin e tij. Por, si të bësh me kualifikimet, vërtet subjektive e të pamatura që ai i bënë javores shumë profesionale e me renome “Der Spiegel”, kur shkruan në Editorialin e tij se: “Shkrimi tendencioz si ky i Der Spiegel, është si një tagër që duhet të paguhet lirisë së shtypit dhe të qarkullimit të ideve. Por, Der Spiegli nuk është se paraqet të vërtetën e fundit. Jo një herë kjo pasqyre e ka paraqitur Kosovën me imazh të deformuar, të shpifur, me gjysmë të vërteta, teprime, gënjeshtra“!
Tash, te gjithë ata që kanë lexuar artikullin e fundit për Kosovën, të javores Der Spiegel, në Koha Ditore apo në origjinalin gjermanisht – i cili pa dyshim se ishte shumë joafirmativ për shtetin më të ri të globit, dhe për atdheun tonë – dhe të cilët po lexojnë këtë Kolumne, me siguri se shtrojnë pyetjen: por çfarë ka ky Kosovari, ky farë B. Metaj, që po merr në mbrojtje një javore gjermane, po qoftë edhe Der Spiegel famëmadh, edhe përkundër faktit, se kjo e fundit ka baltos fytyrën e atdheut të tij – Kosovës? Bile po e bënë këtë, edhe për-kundër publicistit Maliqi, e i cili ia kish fut Spiegl’it, boll mirë…?
Kjo dilemë eventuale e lexuesit, nuk mund të zgjidhet mbi recidivet, mbi mungesën e patriotizmit tim…
Çështja duhet shtruar në një rrafsh e dilemë krejt tjetër:
– Çfarë të bëjmë, kur trishtohemi nga ajo çfarë shohim – kur kemi pasqyrën përballë?
Apo kur dikush, në këtë rast, “Der Spiegel”, i vë Kosovës pasqyrën përballë?
– Ta thyejmë pasqyrën?
– Ta për-baltojmë!
– Ta kualifikojmë si pasqyrë me prodhim të dyshimtë, e punuar nga ndonjë shërbim i huaj, me qëllime të errëta për Kosovën dhe shqiptarët?
Të themi se: «Jo një herë kjo pasqyre e ka paraqitur Kosovën me imazh të deformuar, të shpifur, me gjysmë të vërteta, teprime, gënjeshtra»
Jo. Duhet ta ndërrojmë realitetin e Kosovës.
Atë, pasqyrën që na e kishin vu përballë, redaksia e javores gjermane dhe publicisti i rryer, Walter Mayr, nuk ishte e prodhimit të dyshimtë! As me t`shtime…
Njëjtë, shkruante kohë më parë edhe një javore tjetër shumë prestigjioze zvicerania “Weltwoche”! Njëjtë gjejmë edhe në shtypin kosovar. Dhe me të drejtë.
Shkrimet, në të dy këto raste, ishin bazuar në shumë studime, analiza e dokumente internacionale e kosovare, si dhe në shumë deklarata të politikanëve shumë të lartë ndërkombëtarë, por edhe të përfaqësuesve politikë e të shoqërisë civile në Kosovë.
Kosova në ato artikuj, ishte Republikë Bastarde, edhe pa citimin fatkeq të Shkëlzen Maliqit.
Kosovës, ndërkaq, kanë me ju vu edhe në të ardhmen, shumë e shumë pasqyre përballë.
Në vend se ti thyejmë ato, ndoshta është më mirë, ta shikojmë veten drejt në sy…e ti përvjelim duart…
`
Përndryshe, do të bëhemi kopje e Serbisë, e cila, s`ka lanë pasqyrë botërore pa thyer! Apo jo?
bardhylmeta@hotmail.com
Pajtohem plotesisht me BM.
Maliqi me citatin ‘skandaloz’ te tij nxajn vec nji paragraf ne kete artikull koxha t’gjate, i cili mund te shkarkohet nga sajti i Spiegelit si n’anglisht ashtu edhe n’gjermanisht.
Aty Maliqi asht i prezantuem si ‘nji filozof’ kosovar qe qilloi rastesisht ne Strip Depo, e jo si analist me nam. Edhe qysh thash, krejt kjo hallakame nxa vend vetem ne dy-tri rreshta.
Si metafore, ‘republike bastarde’ nuk asht aq e keqe nese futet n’kontekst. Po, as fort origjinale e skandaloze nuk asht.
Nuk e meriton tan kete tollovi si n’Kohe ashtu edhe n’reagim te Maliqit, i cili nuk asht tjeter vec keqperdorim i mediave per qerim t’hesapeve personale (te cilat, si duket, kane pak ere rakije e mamurllaku).
Asht artikulli vet, sans monsieur le Analyste (Freudian? Jungian?) Maliqi, qi t’turbullon. Perkunder tonit pak snobist te nji gazetari perendimor ne Ballkan, asht i sakte e i detajuem. Shtrohet pyetja, pra, ku n’hamam jane gazetaret kosovare, e pse nuk shkruajn ata per kto gjana vet ne vend se te mirren me budallaki si kjo.