Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese – BIRN – dënon ashpër sulmin ndaj ekipit të emisionit ‘Jeta në Kosovë’, nga ana e sigurimit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës.Të premten, me 6 qershor 2008, rreth orës 13:30, ekipi i BIRN-it është sulmuar jashtë ndërtesës së Këshillit Gjyqësor të Kosovës në Prishtinë, derisa ishte duke xhiruar. Ekipi është sulmuar nga një punëtor i sigurimit të Këshillit Gjyqësor, institucion ky që ishte dashur të përfaqësojë drejtësinë në Kosovë.
‘Unë jam e befasuar me një sjellje të tillë, sidomos duke marrë parasysh faktin që BIRN ka marrëveshje për bashkëpunim me Këshillin Gjyqësor, me të cilin i lejojnë gazetarët tanë që të monitorojnë punën e këtij këshilli’, ka thënë Jeta Xharra, drejtoreshë e BIRN-it në Kosovë.
Xharra ka shtuar se gazetarët e BIRN-it në asnjë mënyrë nuk e kanë shkelur kodin etik të gazetarisë dhe nuk e kanë rrezikuar sigurinë e objektit apo të personelit të Këshillit Gjyqësor. ‘Incidenti ka ndodhur jashtë objektit, aty ku xhirimi është absolutisht i lejuar’, ka thënë ajo.
BIRN shpreh indinjatë të thellë për këtë rast, sidomos kur i gjithë incidenti ka ndodhur në prani të zëdhënëses së Këshillit Gjyqësor, Ajshe Q. Ramadanit.
BIRN thekson se ky kapadaillëk i punëtorëve të sigurimit të është i papranueshëm edhe kërkon nga drejtori i Këshillit Gjyqësor të Kosovës Halit Muharremi, të ndërmerr masa disiplinore të menjëhershme kundër personit që ka ushtruar dhunë ndaj ekipit tonë.
Për më shumë, kërkojmë që ky institucion të kompensojë dëmin material që është shkaktuar gjatë incidentit dhe të kërkoj falje publike gazetarëve tonë.
Ndërkohë, BIRN kërkon nga autoritetet në Kosovë që të ndërmarrin të gjitha masat që raste të tilla të mos ndodhin. Puna e gazetarit dhe liria e fjalës janë të mbrojtura me ligj dhe ne këmbëngulim që kjo të respektohet me çdo kusht.
Luan Ibraj, SEE Portal
Lini një Përgjigje