Drejtuesi i Organizatës për demokraci, antikorrupsion dhe dinjitet-“Çohu”, Avni Zogiani, ka prezantuar sot në një takim me gazetarë një studim që i ka bërë kjo organizatë, tregut të telekomunikacionit. Ai tha se sektori publik në vendin tonë po dëmtohet nga korruptimi i spektrit politik i cili, sipas tij, po favorizon konfliktin e interesave në dy kompanitë kryesore që ofrojnë shërbime telefonike dhe internet.
Analiza e paraqitur nga organizata ÇOHU ka të bëjë me dy kompanitë e mëdha në vendin tonë. PTK dhe IPKO. Kompanitë publike kanë pasur pasoja nga politizimi, tha Zogiani. Ai shtoi se kjo analizë përfshinë një rast të veçantë të favorizuar nga qeveria aktuale.
“Në përgjithësi mund të themi se sektori i kompanive publike po vuan nga mungesa e një titullari, i cili do ta mbronte pronën publike. Nuk ekziston një zot shtëpie i cili merret me mbrojtjen e interesit qytetar, kur kemi të bëjmë me kompanitë publike”, ka thënë Zogiani.
Në sektorin e telekomunikacionit janë organizuar dy tenderë për operatorin e dytë të telefonisë mobile dhe të që të dy kanë qenë të përcjellur me afera të jashtëzakonshme korruptive, të cilat pastaj kanë finalizuar një operator të dytë publik me titullar të atyre njerëzve që kishin dështuar në tenderin e parë, për shkak të dyshimeve për korrupsion.
“Në këtë proces është vendosur ndikimi politik, janë blerë politikanë, janë blerë partitë politike të cilat tashti janë të pafuqishme për të vepruar. ART-ja nuk është konstituuar asnjëherë. ART-ja është një njeri, ose eventualisht janë dy-tre njerëz të cilët nuk e kanë konstituuar bordin asnjëherë. Asnjë parti politike nuk mundet me intervenu sepse janë ashiqare të lidhur në interesa korruptive me ART-në. Politika kosovare sot është e pafuqishme që të vendosë ligj në ART, duke qenë se ata kanë korruptuar politikën kosovare”, thotë Zogiani.
Akterët më të rëndësishëm në politikën kosovare nuk kanë fuqi e as vullnet që të vendosin rend në këtë drejtim, thotë Zogiani duke shtuar se në” këtë mënyrë as opozita as qeveria, as opozita e dikurshme nuk ka pasur vullnet për t’u përballu me shkeljet e rënda që janë bërë në këtë sektor”.
Aktualisht, në vend po degradohen kompanitë publike. Menaxhmenti i PTK- së është blerë nga IPKO-ja me ç’rast është rrezikuar bartja e sekretit komercial, është krijuar vakum në menaxhment dhe janë larguar kuadro për përgatitjen e të cilëve, sipas Zogianit, janë investuar mjaft para. Ky sindrom, sipas tij, mund të bartet edhe tek kompanitë e tjera publike. Kështu që vullneti politik është ai i cili mund ta parandalojë këtë.
Fragmente nga ky studim
“Tri vjet më vonë, të njejtit njerëz që njëherë kishin dështuar tërë procesin për shkak të korrupsionit, riorganizojnë tenderin për operatorin e dytë të telefonisë mobile duke nxjerrë fitues sërish esencialisht të njëjtit njerëz dhe të njejtat kompani. Në pranverën e vitit 2007, ART-ja sërish nxori fitues Ekrem Lluken në një proces krejtësisht jotransparent. Konzorciumi Kosmocell i përfaqëuar nga kompanitë Dukagjini dhe Kujtesa, është shpallur fitues i këtij tenderi pasi ka ofruar 81 milionë euro për t’u tërhequr vetëm pak kohë pas shpalljes si fitues dhe për t’ia lëshuar rrugën konzorciumit tjetër i përbërë nga partneri i zotit Lluka, Mobilkomi slloven, kompani kjo e cila kishte fituar licensën në tenderin e bërë para tri vitesh por që qe anuluar për shkak të dyshimeve për shkelje. Tri vjet më parë ishte pikërisht Ipko kompania e cila kishte kundërshtuar shpalljen fitues të Mobilkomit slloven duke përdorur ndikimin e vet politik dhe ky i fundit që në ndërkohë e bleu kundërshtarin e vet, kryesor, Ipkon, për të vendosur një ndikim definitiv mbi politikën kosovare. Në këtë mënyrë në pranverën e vitit 2007, fitues shpallet ofertuesi i dytë, Mobilkomi Slloven i përfaqësuar nga IPKO, i cili mori licensën edhe pse ofertën e kishte më të vogël për plot 7 milionë euro nga konzorciumi i përfaqësuar nga Dukagjini. Më vonë del se në të vërtet zoti Lluka ka qenë pjesëmarrës në të dy konzorciumet që u renditen të parat në këtë tender, atë të Dukagjinit dhe atë të Ipko/Mobilkomit slloven. Njëanshmëria e ART-së, gjegjësisht zotit Berisha, duket edhe njëherë kur, përkundër faktit se në mënyrë të qartë është përcaktuar në Paketën tenderuese se në rast tërheqjeje entitetit fitues i ndalet garancioni prej 20% nga çmimi i ofruar, kjo nuk ndodhi në asnjë moment duke dëmtuar në këtë mënyrë Buxhetin e Kosovës për 16,2 milionë euro.”
“Esencialisht tenderi për operatorin e dytë, organizuar për herë të dytë nga ART më 2007, ka qenë shumëherë më i korruptuar sesa ai i bërë tri vite më parë i anuluar për dyshime për korrupsion. Në këtë rast ART nuk ka bërë hapjen e ofertave në mënyrë publike, ashtu siç kërkon Ligji për prokurim dhe Ligji mbi telekomunikacionin dhe siç kërkojnë rregullat e BE-së për lojalitet në konkurrencë. Me lejimin e Mobilkomit slloven që të jetë pjesë e dy konzorciumeve, atë me IPKO Telecommunications dhe me konzorciumin Kosmocell dhe në anën tjetër me lejimin e zotit Lluka që të jetë pjesë e konzorciumit të përfaqësuar nga Dukagjini dhe Kujtesa dhe atij me Ipko, ART ka lejuar një entitet biznesi të bëjë më shumë se një ofertë, të ndaluar në mënyrë eksplicite me Paketen tenderuese. Tutje, kriteret dhe nënkriteret, në mospajtim me ligjin, nuk janë botuar nga ART deri në momentin e mbylljes së ofertimit nga kompanitë publike duke mundësuar kështu diskriminim në konkurrencë duke qenë se këto informacione duket qartë se i kanë pasur entitetet e biznesit të afërta me shefin e ART-së, Anton Berishën, të cilat kanë dalur fitues në të gjitha herat e organizimit të tenderit për operatorin e dytë të telefonisë mobile. Mbi të gjitha, lidhjet e ART-së me Mobilkomin slloven dhe me zotin Lluka u panë kur nuk u mor 20% e ofertes që do duhej të ishte e dorëzuar si garancion dhe në këtë formë u dëmtua Buxheti i Kosovës për 16,2 milionë euro. Mbi të gjitha këto shkelje, kompani të njohura ndërkombtarisht në tregun ndërkombëtar të telefonisë mobile kanë bërë ankesa. Vodaphone ka dërguar ankesa në ART dhe institucionet e Kosovës, kurse Telekomi Austriak ka dërguar një ankesë në Dhomën e Veçant të Gjykatës Supreme. Të gjitha këto janë injoruar nga institucionet kosovare. Përkundër faktit se është e qartë se lojaliteti i ART-së tashmë është blerë nga bizneset sllovene pjestar të operatorit të dytë të telefonisë mobile dhe nga zoti Lluka, Kosova sot e kësaj dite ka të njëjtit njerëz që i prijnë autoritetit rregullativ të sektorit më me interes për shtetin dhe politika nuk është në gjendje të veprojë për ta mbrojtur interesin e qytetarëve të Kosovës. ”
“Operatori privat në telefoninë mobile siç po shihet ka vendosur një ndikim determinues në politikë. Ky ndikim u kurorëzua me nominimin e Dino Asanajt në Bordin e AKM-së nga ana e Qeverisë së Kosovës. Asanaj është emëruar anëtar i Bordit të AKM-së përkundër faktit që ka qenë publikisht i njohur si pronar aksionesh në Ipko si operator privat. Mundësia e tij që të sjellë vendime në lidhje me PTK-në/Valën dhe njëkohësisht të ketë interes privat në kompaninë konkurruese të Valës është një konflikt interesi. Organizata ÇOHU! ka alarmuar institucionet e Kosovës dhe UNMIK-un për këtë konflikt interesi, por Qeveria e Kosovës, UNMIK-u po edhe opozita kanë qenë në një situatë kur praktikisht nuk kanë pasur fuqi të veprojnë kundër një qendre interesi që me kohë kishte vendosur ndikimin e vet mbi politikën. Kjo në praktikën politike quhet dominim i interesit special, por që në këtë rast fatkeqësisht shkon në dëm të madh të pasurisë publike kosovare.”
“Fakti që kjo Qeveri ka interesa krejtësisht jotransparente të lidhura me pjestarë të aksioneve të operatorit të dytë të telefonisë mobile u pa edhe më qartë kur, përkundër faktit se publiku kosovar praktikisht nuk e njef fare zotin Asanaj, Qeveria e emroi atë anëtar në një organ tjetër esencial për të ardhmën e ekonomisë kosovare, atë të Komitetit drejtues për termocentralin Kosova C. Që nga themelimi i kësaj Qeverie në janar 2008 dhe më vonë emërimi i Asanajt anëtar Bordi në AKM, në një masë të konsiderueshme është ngrirë zhvillimi i operatorit publik të telefonisë mobile. Pa një drejtor menaxhues, pa një Bord udhëheqës dhe pa një autoritet rregullativ funksional, kompania publike që ofron shërbime të telefonisë mobile dhe të internetit pothuajse nuk ka ndonjë zhvillim esencial. Tarifat kanë ngelur të larta, shërbimet më të kufizuara edhe në llojllojshmëri edhe në kualitet. Menaxhmenti është larguar në vazhdimësi nga operatori publik, në ndërkohë që jo rrallë njerëzit e ikur nga PTK “befasisht” kanë gjetur punë në operatorin privat të telefonisë mobile dhe të internetit, në konkurrentin e PTK-së. Përballë një agesiviteti të jashtëzakonshëm të marketingut të bërë nga ana e Ipko, PTK pothuaj se ka marrë një profil submisiv në treg dhe as që jep shenja se do të shfrytëzojë përparësitë krahasuese për të mbajtur tregun. ”
RTK
Çohu
Lini një Përgjigje