Presidenti Sejdiu priti ambasadorin e Belgjikës në Sofje, z. Philipe Beke, i cili njëkohësisht përfaqëson vendin e tij edhe në Kosovë.
Presidenti Sejdiu e informoi ambasadorin për vendimin që ka marrë për hapjen e misionit diplomatik të Republikës së Kosovës në nivel ambasade në Bruksel, ku janë duke u zhvilluar procedurat e nevojshme.
Gjithashtu, Presidenti Sejdiu e falënderoi ambasadorin Beke për ndihmat, bashkëpunimin dhe mbështetjen e fuqishme që Belgjika i ka dhënë Kosovës në periudha të gjata.
Ndërsa, ambasadori Philipe Beke i solli Presidentit Sejdiu konsideratat e larta të lartmadhërisë, mbretit të Belgjikës, si dhe garancitë për bashkëpunim të ngushtë të mëtejshëm.
“Belgjika si një nga vendet e para që e ka njohur pavarësinë e Kosovës, do të ketë një angazhim të saj në Kosovë në fushën e sundimit të ligjit, duke sjellë në Kosovë gjykatës me përvojë, policë, si dhe personel tjetër që do t’ju mbështesin në sundimin e ligjit mbi standardet evropiane”, tha ambasadori Beke.
Duke folur për procesin e njohjes së pavarësisë së Kosovës, ambasadori Philipe Beke theksoi se shpreson që vendet fqinje, si Maqedonia e Mali i Zi ta njohin shumë shpejt Kosovën.
“Vendet e BE-së, duhet të sillen në harmoni me vizionin evropian, kurse ato jashtë Evropës janë një çështje tjetër dhe mbase duhet t’i presim edhe pak kohë”, pohoi ai..
Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve për ndikimin e rikonfigurimit të UNMIK-ut në çështjen e njohjes së pavarësisë së Kosovës, Presidenti Sejdiu theksoi: “Mendoj se kanë ndoshta tërthorazi lidhshmëri. Për ne është me rëndësi që të mos krijohen iluzione se Kosova s’është e pavarur. Kosova është e pavarur dhe është njohur nga shumë shtete të botës, nga katër anët e globit dhe ky proces do të vazhdojë dhe rikonfigurimi nuk do të thotë marrje e sovranitetit të Kosovës”.
Presidenti Sejdiu po ashtu theksoi se “dëshirojmë që procesi i rikonfigurimit të përfundojë sa më shpejt dhe të mos ketë asnjë ndjenjë të rikthimit të përgjegjësive të transmetuara më herët në institucionet e Kosovës dhe natyrisht të përcillet bashkë me ne edhe ajo pjesë që mund të quhet e mbështetje ndërkombëtare për anëtarësimin e Kosovës në mekanizmat ndërkombëtarë”.
“Konferenca e donatorëve do të jetë një kthesë e rëndësishme e gatishmërisë së institucioneve ndërkombëtare të vendeve veç e veç dhe në anën tjetër të vazhdohet me këtë procesin e lotimit, por edhe marrjes së mbështetjes lobuese nga vendet mike të Kosovës”, pohoi Presidenti Sejdiu. (Zyra e Presidentit të Kosovës)
Lini një Përgjigje