“Kuvendi i komunave serbe”, i formuar të shtunën në veri të Mitrovicës, është ilegal dhe pa kurrfarë vlere juridike, tha të hënën në takimin e Komitetit të Sigurisë në Mitrovicë, kryetari i Komunës, Bajram Rexhepi.
“Ne si Kuvend Komunal vlerësojmë se krijimi i një kuvendi të tillë nga serbët është ilegal ashtu siç kanë qenë edhe zgjedhjet që janë mbajtur në maj si dhe vetë fituesit që kanë dalë prej atyre zgjedhjeve”, theksoi Rexhepi.
Sipas tij, ai kuvend i formuar prej vetëm dy partive nuk ka kurrfarë legjitimiteti, dhe kundërshtohet edhe nga një pjesë e konsiderueshme e vetë liderëve dhe banorëve serbë në Kosovë, çka tregon se një pjesë e tyre ka filluar ta kuptoj realitetin e ri.
Gjithashtu Rexhepi ka reaguar me këtë rast edhe ndaj zyrtarëve të UNMIK ut në Mitrovicë, konkretisht ndaj zëdhënësit George Kakuk, i cili në prononcimet e tij për media lidhur me “Kuvendin e komunave serbe” nuk ka shprehur një qëndrim të qartë lidhur më këtë çështje, edhe pse shumë më parë krerët e UNMIK-ut në e kanë qartësuar se strukturat e dala nga zgjedhjet e kontestuara të majit janë ilegale.
“Ky konfuzion i zyrtarëve të UNMIK ut në Mitrovicë tregon se krerët e saj kolaborojnë me përfaqësuesit e strukturave paralele serbe dhe me fituesit e zgjedhjeve të kontestuara, duke bërë që edhe më të humb kredibiliteti i UNMIK-ut”, tha Rexhepi.
Në anën tjetër, kreu i Mitrovicës falënderoi popullatën për gjakftohtësinë e treguar gjatë këtyre ditëve, kundrejt këtyre ngjarjeve që kanë tensionuar situatën. Gjithashtu ai lavdëroi edhe strukturat komunale si dhe ato të sigurisë për punën e bërë gjatë këtyre ditëve. (QIK)
Lini një Përgjigje