Më shumë se gjashtë muaj pas përfundimit të zgjedhjeve të 17. nëntorit, Komisioni i Zgjedhjeve për Ankesa dhe Parashtresa, ka vendosur të gjobis shumicën e partive politike në Kosovë për mosdeklarim apo deklarim të mangët të shpenzimeve dhe të ardhurave gjatë fushatës së zgjedhjeve.
Paneli i përbërë nga një ndërkombëtar, që edhe kryeson panelin, dhe dy vendorë, pas një ankese nga Zyra për Regjistrimin e Partive Politike pranë OSBE-së , ka konstatuar se partitë politike në Kosovë, mes këtyre edhe ato më të mëdhatë, kanë bërë deklarim të pasaktë të të ardhurave dhe shpenzimeve gjatë zgjedhjeve të 2007.
Partia Demokratike e Kosovës që pas zgjedhjeve të nëntorit 2007 është edhe partia më e madhe në Kosovë dhe pjesë e qeverisë, është dënuar me 93 000 euro për mosrespektim të rregulloreve të ndryshme për zgjedhjet. Kjo është gjoba më e madhe që është dhënë me rastin e zgjedhjeve të 2007.
PDK që pushtoi gazetat, televizionet, internetin me fushatën e tyre që ishte mjaft e suksesshme dhe i solli në qeveri, nuk ka deklaruar se nga kanë marr shumat marramendëse që ishin të nevojshme për të financuar fushatën zgjedhore. Në fushatën e PDK-së ishin inkuadruar edhe ekspert amerikan për marrëdhënie publike që më herët kishin udhëhequr fushata presidenciale në ShBA.
Në raport shkruan se Partia Demokratike e Kosovës (PDK) nuk ka paraqitur raporte të sakta, nuk ka raportuar plotësisht për të gjitha shpenzimet dhe te ardhurat, nuk ka bërë identifikimin e të gjitha burimeve të ardhurave, ka pasur një historik të mosparaqitjes së deklaratave financiare dhe nuk ka bashkëpunuar me auditorët.
PDK-së i është dhënë mundësia që të ju përgjigjet këtyre akuzave, por Komisioni i Zgjedhjeve për Ankesa dhe Parashtresa nuk ka marrur asnjë përgjigjje nga partia më e madhe në Kosovë, që fitoi zgjedhjet e fundit duke premtuar se do të luftonte korrupsionin që kishte lëshuar rrënjë gjatë qeverisjes së LDK-së dhe AAK-së.
Konkurrentja Aleanca për Ardhmërinë e Kosovë (AAK) që mori shumë më pak vota sesa PDK dhe tani është në opozitë, është gjobitur me 5 000 euro.
Partnerja e PDK-së në qeveri, Lidhja Demokratike e Kosovës, ka marr gjobën 20 000 euro.
Nexhat Daci me dardanët kanë marrë një gjobë prej 8 000 euro.
Aleanca Kosova e Re, që ka lider milionerin Behgjet Pacolli, do të duhet ti paguaj 12 000 euro gjobë.
Edhe partitë e minoriteteve dhe kandidatet e pavarur janë gjobitur.
Arsyetimet janë të njëjta pothuajse në të gjitha vendimet për gjobitje ndaj shkelësve të rregulloreve për zgjedhje, por shuma e madhe që do të duhet të paguhet nga PDK-ja tregon se shkeljet e tyre duhet të kenë qenë më të rëndat.
Gjobat është dashur të paguhen brenda 15 qershorit. Nuk dihet ende se cilat subjekte kanë paguar këto gjoba.
Në vendime nuk shkruan se ç’far mund të ndodhë nëse gjobat nuk paguhen.
Molla e Kuqe
Lini një Përgjigje