S. Adam Cardais, Transitions Online
Shteti i ri i Kosovës shpreson në investimet e emigrantëve për të përmirësuar ekonominë
Gati 5 muaj pas shpalljes së pavarësisë, shteti më i ri i botës, Kosova, “i ka drejtuar sytë” drejt emigrantëve të vet, për të përmirësuar ekonominë me anë të investimeve aq shumë të nevojshme. Kanë kaluar gati 27 vjet, qëkur Agim Kalenderi, atëherë vetëm një adoleshent, u largua nga qyteti i tij i lindjes, Prizreni, për një jetë më të mirë në Belgjikë. Dhe me shumë fat, ai e arriti një gjë të tillë. Sot, 47-vjeçari është pronar i “New Fruit Co”. Me një xhiro vjetore prej 50 milionë eurosh, kompania e tij me bazë në Bruksel është një prej distributorëve të shitjes me pakicë më të mëdhenj të frutave dhe perimeve të Belgjikës. Mes rreth 400 mijë kosovarëve që u larguan nga vendi i tyre në vitet 1960 drejt vendeve si Gjermania dhe Zvicra, por edhe të tjerëve që u larguan gjatë luftërave në Ballkan në vitet ‘90, historia e suksesit të Kalenderit është mbase më e rralla. Shumë emigrantë kosovarë e përshkruajnë jetën jashtë vendit si një betejë konstante për të mbajtur familjet e tyre. Të qenit biznesmen nuk e bën Agimin të veçantë mes diasporës kosovare, por marrëdhënia e tij me Kosovën dhe veçanërisht dëshira e tij e madhe për të investuar në vendlindjen e tij. “Unë jam shqiptar Kosove. Do të doja shumë të investoja në vendin tim, por klima e investimeve duhet ende të përmirësohet. E vërteta është se ne nuk kemi siguri për kapitalin tonë”, – shprehet ai. Ashtu si Agimi, shumë investitorë potencialë hezitojnë, për shkak të frikës së hyrjes në një ekonomi të pllakosur nga papunësia, inflacioni dhe varfëria.
Pavarësia u hapi rrugë investimeve
Statistika të sakta mbi investimet e Diasporës në Kosovë nuk ka. Por, gjithsesi, ashtu siç ndodhi me Irlandën apo Armeninë, ata që jetojnë jashtë vendit mund të kontribuojnë në mënyrë domethënëse për rritjen e investimeve në Kosovë, pasi Diaspora është gjithnjë e prirur më shumë sesa të huajt që të përfshihet, edhe pse me rrezik, në ekonominë e lëkundur të vendlindjes. Prandaj edhe emigrantët kosovarë u cilësuan si një target grupin e investitorëve potencialë gjatë një konference të fundit biznesi të mbajtur në 25-26 qershor në hotelin “Grand” të Prishtinës. Pjesëmarrësit argumentuan, se që të tërheqë këtë potencial, lidershipi i Kosovës duhet të veprojë me shpejtësi për të stabilizuar ekonominë në vend. Kjo natyrisht kërkon angazhim dhe vullnet politik, si dhe reforma të rëndësishme. Por sipas “Forum 2015”, një organizatë kërkimore kosovare, tashmë që Kosova zgjidhi çështjen më të rëndësishme, duke u shkëputur një herë e përgjithmonë nga Serbia, mund të arrijë që me ndihmën e eksperiencës së huaj të tërheqë investitorët në vend, duke hapur fronte të reja pune. Gunter Piening, komisioneri i qytetit të Berlinit për Integrimin dhe Migracionin, e quan këtë një lëvizje thelbësore në marrëdhëniet mes Kosovës dhe diasporës së saj. “Deri tani, çdo diskutim dhe çdo sfidë varej nga çështja e statusit përfundimtar të Kosovës, por tani që kjo çështje u zgjidh, besoj se si hap i dytë do të rriten marrëdhëniet mes vendit dhe emigrantëve të tij. Kështu ndodh zakonisht. Sfida kryesore tani mbetet e ardhmja e ekonomisë së Kosovës”, – shprehet Piening. Stimulimi i investimeve sipas tij, është hapi i dytë, pasi i pari duhet të jetë ndërtimi i marrëdhënieve me Diasporën. Por kjo gjë do të jetë një proces i vështirë, pasi në Gjermani, vend i cili ka emigracionin më të madh kosovar se çdo vend tjetër i botës, diaspora kosovare është më pak e organizuar se grupet e tjera të emigrantëve.
Krijimi i lidhjes me Diasporën
Në Berlin nuk ekziston asnjë organizatë që të përfaqësojë ekskluzivisht 4 mijë kosovarët e këtij qyteti. Sipas studimeve të “Forum 2015”, kosovarët përmes diasporës ndjehen të lënë pas dore dhe thonë se liderët e vendit të tyre kanë dështuar në krijimin e një interkomunikimi. Veç kësaj, njerëzit e biznesit kanë shumë pak informacion mbi mundësitë për investim në Kosovë. “Forum 2015” ka ndërmarrë për këtë një iniciativë. edhe pse qeveritare, me politikën e rilidhjes me Diasporën, ku përfshihet përdorimi i Agjencisë Kosovare të Promovimit të investimeve për të komunikuar drejtpërdrejt me emigrantët kosovarë. Në këtë mënyrë, organizata kërkon të komunikojë me Diasporën për mundësitë e investimeve përmes internetit, konferencave, panaireve dhe duke krijuar fonde speciale për të thithur para prej emigrantëve. Përpjekje si këto mund të ndihmojnë padyshim në ndërtimin e kanaleve informative dhe dëshirës së mirë, por natyrisht që nuk janë të mjaftueshme për të hequr skepticizmin e investitorëve, që besojnë se ambienti ekonomik i Kosovës nuk është dhe aq miqësor. Siç thotë edhe Agimi, ajo që shqetëson më shumë emigrantët biznesmenë është infrastruktura e dobët dhe ekonomia e pamaturuar.
Situata aktuale dhe ndihmat
Shqetësimi i emigrantëve është mjaft me vend. Sipas statistikave, Kosova është një ndër vendet më të varfra në Evropë. Korrupsioni është shndërruar në një epidemi, pasi “Transparency International” e radhit Kosovën vendin e katërt në botë me ekonominë më të korruptuar. Po kështu, sistemi i edukimit dhe ai shëndetësor janë në nivele të ulëta, papunësia është mjaft e lartë dhe importet ua kalojnë eksporteve me një faktor afërsisht 10 herë më shumë. Ndihma më e madhe pritet nga donacionet e huaja. Liderët ndërkombëtarë pritet të dhurojnë më shumë se 1 miliard dollarë gjatë konferencës së donatorëve të BE-së që do të mbahet këtë javë. Prioriteti më imediat, që do të bënte diferencën për investitorët e huaj, është padyshim përmirësimi i infrastrukturës, veçanërisht i asaj energjetike. Ndërprerjet e energjisë janë tepër të shpeshta dhe një nga problemet kryesore me të cilat përballen bizneset. Nga ana e saj, qeveria është angazhuar të rrisë infrastrukturën elektrike dhe ministri i Ekonomisë dhe i Financave, Ahmet Shala, deklaroi pak ditë më parë, se pret një përmirësim të dukshëm në këtë drejtim brenda fundit të kësaj vere. Për më shumë, 4 gjigantë ndërkombëtarë të energjisë, përfshirë gjermanin RWE dhe çekun CEZ, po konkurrojnë për një projekt prej 3 miliardë eurosh për ndërtimin e një impianti energjetik me kapacitet 2 mijë megavat, brenda vitit 2014. Edhe pse në një shkallë më të ulët, edhe vetë liderët kosovarë duken të interesuar të lidhen me emigrantët jashtë vendit. Një zyrë e re që promovon investimet e Diasporës në Kosovës, është hapur pak kohë më parë nga Agjencia e Promovimit të Investimeve, e cila ka organizuar disa konferenca. Mesa duket, qeveria e Kosovës e ka kuptuar se sa i rëndësishëm është roli i saj në këtë drejtim. Tani pritet vetëm reagimi i Diasporës.
Përkthimi: Peshku pa uje
Lini një Përgjigje