Isa Mulaj
Subjektet politike vendore dhe ndërkombëtare ishin të vetëdijshme se gjendja e përgjithshme socio-ekonomike në Kosovë nëse nuk mund të paraqitej si e tmerrshme, së paku duhej arsyetuar në opinion me fjalën si shumë e rëndë. Këtë do ta vërtetoj edhe sekretarja Amerikane e shtetit Condolizza Rice kur deklaroj se “Kosova nuk ka ekonomi”. Për t’i ngjallur shpresat dhe hapur mundësinë e krijimit të ekonomisë, u shpall pavarësia politike dhe filluan njohjet nga shtetet më të fuqishme ekonomike të botës. Duke e ditur se qytetarët nuk mund të ushqehen me euforinë e pavarësisë politike gjatë, duhej gjetur strategjinë e radhës për t’iu dhënë shpresa më praktike qytetarëve që tani po i vlerësonin bisedimet për statusin e Kosovës, Planin e Ahtisaarit, shpalljen e pavarësisë dhe miratimin symbyllur të kushtetutës, me një emërues të përbashkët në shumës – mashtrime. Erdhi konferenca e donatorëve. Këtu nuk duhet të ngutemi e ta cilësojmë këtë si një mashtrim tjetër, përkundër bindjes që e kanë shumica e qytetarëve. Para se të flasim për mundësitë nga premtimet e kësaj konference, është e dobishme të përshkruhet pse pas afër një dekade erdhëm në këtë gjendje të pa ekonomi me gjithë ato donacione?
Mësimet nga shtetet tjera dhe çka nuk shkoj si duhet në Kosovë?
Disa shtete të Evropës përendimore të dala nga Lufta e Dytë Botërore kanë pasur normë dy shifrore të rritjes eknomike pas fazës emergjente të rindërtimit. Shtytjen kryesore ia kishte dhënë Plani i Marshallit por zhvillimin deri më sot e kishin bërë vet. Nuk po themi asgjë tjetër rreth kësaj por po kthehemi tek ish-Jugosllavia, pjesë e së cilës kemi qenë edhe ne. Në fillim të ndërtimit të socializmit vetqeverisës si pasojë e distancimit nga BRSS, Jugosllavia kishte fatin e ndihmës nga SHBA, Britania e Madhe, dhe Franca në vlerë prej 425.8 milionë dollarëve që u dha prej vitit 1951 deri më 1954. Për 13 vite rafall (1953-1965) Jugosllavia kishte normën më të lartë të rritjes ekonomike në botë me një mesatare 11.8%, ndërsa deri në fund të viteve ’70-ta më të lartën në Europë. Kështu nga një vend kryesisht agrar dhe i prapambetur, Jugosllavia ishte shndërruar në një mini-superfuqi me bllokun e vet të shteteve të painkuadruara, që u bë blloku i tretë më më ndikim në botë pas atij të SHBA-së dhe ish-BRSS-së. Bile edhe në industrinë e aviacionit luftarak, gati arriti të prodhoj aeroplanë të gjeneratës së katërt. Këtë e dëshmon projekti “Novi Avion” për aeroplanin me aftësi luftarake të shumëfishta – multirole fighter (ekuivalent i F16 – Faclon të SHBA-ve dhe MiG 29 – Fulcrum ose boshtit të aviacionit luftarak Sovjetik) që fluturimin e parë do ta bënte me 1992, ishte i gatshëm për prodhim masiv po të mos shpërbëhej ish-Jugosllavia, plus kishte siguruar eksportin në shumë shtete tjera. Si shpjegohet kjo përvojë ose sukses?
Ish-Jugosllavia kishte marrëdhënie të mira me të gjitha shtetet por gjithmonë duke e ruajtur sovranitetin, interesin dhe fanatizmin e vet si shtet. Ne përendim arsyetohej se ishte kundër BRSS-së dhe kishte sistem tjetër ekonomik ose ekonomi gjysmë të tregut. Tek BRSS-ja dhe llageri socialist paraqitej, dhe në fakt ishte, shtet socialist ose me ideologji të ngjashme. Me vendet arabe dhe të botës së tretë ishte organizuar si bllok, kinse si kundërpeshë dhe për t’u mbrojtur ndaj ndikimeve eskploatuese të SHBA-së dhe ish-BRSS-së, por në realitet i shfrytëzonte të gjitha për fanatizmin e saj shtetëror. Në shtetin e vet kufizonte ose shtypte religjionin, në shtetet arabe i falte pesë vaktet. Në shtetet afrikane përdorte retorikë të ashpër rreth diskriminimit racial kurse në vendin e vet ende kishte probleme etnike ndërmjet njerëzve më të njëjtën ngjyrë, dhe ndërmejt kombeve të ngjashme ose të njëjta. Kritikonte kolonializmin, ndonëse vet kishte ambicie për të. Me një rrogë njëmujore shkohej dhe qëndrohej dy muaj në Poloni, në mes tjerash, për t’u argëtuar me polake. E mençuri dhe çmenduri tjera!
Edhe Kosova pas luftës së 1999 ka marrë ndihma të konsiderueshme. Deri më sot nuk ka pasur vlerësime konsensuale të sinqerta, reale, detaje dhe të gjithanshme se çka është puna e këtij eksperimenti në shtetin sui generis – ekonomisë së prapambetur të Kosovës me karakteristika të Arfikës qendrore në zemër të Evropës. Kur shqiptarët e Kosovës kishin shkuar si refugjatë në Shqipëri, ishin befasur për të keq se sa mbrapa ishte Shqipëria krahasur me Kosovën, dhe atë pas gati një dekade të zhvillimit të hovshëm në Shqipëri dhe në të njëjtën kohë qeverisjes së dhunshme dhe shkatërrimit ekonomik të Kosovës. Sot Shqipëria i ka të ardhurat për kokë banori gati tri herë më të larta se Kosova.
Analiza më e besueshme rreth fenomenit dhe eksperimenteve sui generis ishte botuar në serinë e artikujve në gazetën numër një të Suedisë, Dagens Nyheter, në qershor 2007. Aty ceket se në Kosovë prej gjysmës së dytë të vitit 1999 e deri në periudhën e raportimit janë derdhur 22 miliardë euro në të gjitha aspektet. Disa në mediat Kosovare e supozojnë shifrën 30 miliardë. Sidoqoftë, mjafton të thuhet dhjetëra miliardë, ose shumë që nuk është derdhur në ndonjë vend fqinj gjatë periudhës së njëjtë. Me këto mjete Kosova ishte dashur të jetë tri herë më e zhvilluar se vendet fqinje e jo tri herë më e pazhvilluar. Është e panevojshme të priten përfundimet e analizave rreth shkaqeve pa u nisur nga supozimi se, këtu është punuar qëllimisht mbprapshtë nga të punësuarit ndërkombëtar dhe gangsterizmi feudalo-nepotist vendor. Më tragjikja është se kurrë nuk është ndërmarr asnjë masë ndaj këtij sistemi degjenerues nga askush, me përjashtim të rasteve inviduale vetëm sa për t’i zëvendësuar personat ekzistues me disa tjerë. Nga askush nuk janë marrë masa ndaj sistemit, as nga OKB, UNMIK, Qeveria e Kosovës, BE, shtetet e huaja, e as nga agjencitë për zhvillim (EAR, UNDP, USAID, DFID, e shumë të tjera). Derisa në përendim është raportuar se tek ndërtesat e policisë së UNMIK-ut gjindet një WC e mbushur deri në tavan me raporte të krimeve që askush nuk i ka lexuar kurrë (vërejtje: në Kosovë ka vetëm 3000 lexues të rregullt!), as agjencitë për zhvillim nuk qëndrojnë keq. E keqja është vetëm se ankesat injorohen sistematikisht nga shtabet e agjencive zhvillimore, me çka u jipet dritë e gjelbërt emisarëve të tyre dhe vendorëve të vazhdojnë, dhe mundësisht t’i kërcënojnë edhe mediat. Kampionë në këtë veprimtari, si gjithmonë, janë vendorët me në krye Qeverinë. Kur filloj të hartohet Strategjia Zhvillimore e Kosovës 2007-2013, kryeministri i atëhershëm e kishte quajtur dokumentin që po përgatitej Plan të Marshallit. Edhe mediat dhe raportet e ndryshme (psh. ato të UNDP-së) i jipnin publicitet atij dokumenti. Disa analistë dërguan komente në raportin e UNDP-së duke paralajmëruar se George Marshall nuk ka qenë shpërlarës i parave. Udhëheqësit e asaj strategjie pëshpërisnin në opinion “le të flasin njerëzit; kryesorja ne i rrujmë paret.” Paret jo vetëm që u “rruan” pa kurrfarë llogarie dhe strategjia mbeti vetëm në letër, por shumë punë që bëheshin pranë zyrës së kryeministrit gjatë asaj kohe për atë strategji të urdhëruara nga ish-udhëheqësi i atij projekti nacional, ishin tragji-komike. Kopjimi (ilegal) i muzikës MP3, dhe atë 90% sllave (Ceca, Dragana, Mirosllav Iliq, Bjelo Dugme, Riblja Qorba, të tjerët nuk më kujtohen si quhen); puna jashtë orarit të punës dhe gjatë vikendeve; detyrimi i punëtorëve për përkthimin e teksteve shkollore; strategjia si të regjistrohen dhe kalohen studentët në provime, dhe më e keqja; mos-pagesa e pagave, ishin vetëm disa nga punët më të shpeshta për strategjinë që ish-kryeministri e quante Plan të Marshallit për Kosovën. Thua ti se je duke punuar në ndonjë kamp të përqendrimit nazist e jo në shekullin XXI për qeverinë tënde në projekt nacional për zhvillim ekonomik! Përkundër se faktet nga kjo përvojë e hidhur i kishin tronditur donatorët dhe e bënë Qeverinë për pesë pare, asgjë nuk u ndërmor.
Disa keqmenaxhime të donacioneve janë rezultat i rregullave diskriminuese, me gjasë të qëllimshme, që janë futur nga vet donatorët. Për shembull, deri vonë në projektet e përbashkëta të UNDP-së dhe USAID-it precizohej shumë qartë se favorizohet rekrutimi i minoriteteve dhe femrave në punët e tyre. Shkaku pse këso njoftime tash nuk gjinden në shpalljet për vende pune në gazetat ditore të Kosovës, nuk ka qenë bombardimi masiv (ang. carpet bombing) me ankesa i zyrës për komunikim të shpejtë (hotline) të UNDP-së në Nju Jork dhe USAID-it në Uashington, por vetëm interpretimi jashtë Kosove nga disa përkrahës të shqiptarëve (sepse shqiptarët ende nuk kanë mend! Shiko më poshtë arsyen) se me “minoritete dhe femra” nënkuptohet që, kriteri bazë i rekrutimeve është racizmi dhe seksizmi. Referenca “minoritete dhe femra” për vende pune është hequr nga shpalljet, por ky kriter tani zbatohet pa letra. Joprofesionalizmi në punën mendore nuk është kurrfarë pengese. Seksizmi është shndërruar në industri sui generis dhe shërbim që shitet dhe blihet, por ata që mendojnë se është ekonomi, gabojnë.
Përfaqësuesit e delegacionit të BE-së së voni dërguan një ekip për vlerësimin(!) e ndihmave dhe fondeve dedikuara për Kosovën. Ata kishin identifikuar disa (çuditërisht) mangësi që lidhen me keqmenaxhimin e këtyre fondeve. Ata vetëm kishin “dëgjuar” nga ekspertët se 75% a parave shkon për konsultime, shërbime të ndryshme, darka pune, mbajtjen e seminareve në Ohër, etj. E vërteta është se BE sikur UNDP-ja, USAID-i dhe donatorë tjerë kanë marrë ankesa jo për keqmenaxhim, por më së shumti për diskriminime dhe korrupsion të hapur. Shkaku i mos zgjidhjes së atyre rasteve, ka sjellur deri te kjo gjendje ekonomike.
Shpresat nga konferenca e donatorëve: çfarë zhvillimi pritet?
Nga konferenca e donatorëve Qeveria planifikonte t’i siguroj 1,5 milardë euro. Në konferencë donatorët premtuan 1,2 miliardë. BE si donatori më i madh ka premtuar 500 milionë euro dhe SHBA 400 milionë dollarë ose 255 milionë euro. Këto mjete do t’i jipen Kosovës (ose atyre që e udhëheqin Kosovën, ku ndërkombëtarët ende e kanë fjalën kryesore) gjatë tri viteve të ardhshme. Po të futen në fuksion dhe të shpenzohen me mençuri të gjitha këto mjete, çka është e pamundur në bazë të asaj se sa mjete shkojnë për konsulencë dhe shërbime për zyrtarët e vet atyre shteteve, ka gjasa të sjellin një përmirësim të vogël në ekonomi. Mund të thuhet se shuma e premtuar prej 1,2 miliardë euro kur të ndahet në tri vite është më të vertetë shumë e vogël përballë problemeve socio-ekonomike të thella të Kosovës. Ajo është përafërisht e ngjashme me atë që e dërgon diaspora e Kosovës. Ne e dijmë se mjetet e diasporës shpenzohen në tërësi, ku shumica e tyre e tyre përsëri përfundojnë jashtë Kosovës. Sa është zhvilluar Kosova me ato mjete deri sot, e dijmë të gjithë. Mjetet e donatorëve për momentin janë vetëm të premtuara. Përvojat me donatorët në Kosovë tregojnë se shuma e mjeteve të angazhuara ose alokuara (përndara) është më e vogël se atyre që janë premtuar, ndërsa e mjeteve të shpenzuara më e vogël se e atyre të angazhuara.
Nuk është problemi tek shumat e mëdha apo të vogla të mjeteve që do të angazhohen dhe shpenzohen. Problemi është tek sistemi i qeverisjes së mjeteve që ka mbetur i pandryshuar prej vitit 1999 dhe prioriteti i projekteve të orientuara kryesisht në energji dhe infrastrukturë, e më pak në zhvillimin shqoqëror, ndoshta për shkakun se Plani i Atisarit dhe Kushtetuta e Kosovës nuk e njohin popullsinë shumicë dhe e identifikojnë atë si grup etnik. Në projektet kryesore për konferencën e donatorëve nuk kam vërejtur se ekziston regjistrimi i popullsisë dhe të drejtave pronësore si një ndër prioritetet. Kjo me gjasë është bërë me qëllim deri sa të ndryshohet struktura etnike e popullsisë që ka filluar të zbatohet.
Pasi sistemi i qeverisjes së mjeteve nga ana e BE-së nuk ka ndonjë mekanizëm të centralizuar për sanksione efikase kundër keqmenaxhimit për shkak të diversitetit të shteteve, mbeten gjasat e vazhdimit me avazin e vjetër. Ndihma e SHBA-ve do të qeveriset kryesisht nepërmjet USAID-it, ku edhe aty nuk ka ndryshuar sistemi i moskontrollit. Këta dy donatorë u shprehen se kjo ndihmë do të jetë një test për Kosovën. Test kanë qenë edhe 9 vitet paraprake, më shumë për BE dhe SHBA, e më pak për Kosovën. Rezultatet e këtij testi, me përjashtim të thashethemeve sikur ato të delegacionit të BE-së që ishte për vizitë në Kosovë, mungojnë por në vija të trasha i dijmë. Duket se me fjalën test, BE dhe SHBA e kanë ndërmend të arsyetohen më vonë nëse kjo ndihmë nuk rezulton në sukses ekonomik, se “ne kemi bërë çmos me ndihma për zhvillimin e Kosovës, por populli nuk ka ditur ose është budalla.” Nuk ka dyshim në budallallëkun e shqiptarëve dhe për këtë janë shkruar edhe libra si “Pse shqiptarët nuk kanë mend?” (dhe pse nuk do të kenë!). Por mungon edhe një libër tjetër me titullin “Pse ndërkombëtarët në Kosovë nuk kanë mend?” Përgjigjja që mund të dal në fund të këtij libri të propozuar është se, ndërkombëtarët në Kosovë nuk kanë mend sepse shqiptarët nuk kanë mend. Në vend të parullës “Hello America” (Tung Amerikë) asnjëherë deri më sot nuk kam dëgjuar dikë duke thënë “Hello USAID Inspector General and Ombudsman. Are you receiving me?” Përkthimi i kësaj fjalie është i nevojshëm vetëm pasi ta merrni përgjigjjen “Roger that!” (pranim) nga këto dy institucione.
Mjetet që u premtuan nga konferenca e donatorëve thuajse janë të gatshme nga vet Kosova (fondi i privatizimit, trusti i pensioneve, depozitat e bankave, fondet e ndërmarrjeve publike, suficiti buxhetor). Kur Qeveritë e Kosovës nuk kanë pasur kapacitete dhe mend për ta qeverisur një buxhet të varfër të vetin dhe ai vazhdimisht u ka tepruar, secili shton dyshimin se çfarë ndryshimesh dhe zhvillimi mund të priten nga mjetet e donatorëve. Sa për BE-në dhe SHBA-në, zhvillimi i Kosovës është çështje shumë e lehtë. Vetëm nëse duan. Nuk kërkohet më shumë se 2-3 vite për ta arritur këtë qëllim. Për shembull, si është e mundur që SHBA-ja ta zhvilloj një Tajvan 23 milionësh deri në atë masë sa të jetë në gjendje t’i bëjë ballë ushtarakisht një superfuqie në ngritje si Kina? Ose zhvillimin e Koresë Jugore dhe Izraelit?
Së fundi, ajo që po ndodhë me moszhvillimin ose zhvillimin e arrestuar ekonomik dhe shoqëror të Kosovës, përfundimisht e hedh poshtë me forcë dhe përgjithmonë propagandën dhe gënjeshtrat helmuese se Kosova ka mbetur vend i pazhvilluar shkaku i sundimit të perandorisë Osmane. Gjatë asaj kohe, Kosova e ka pasur kryeqytet Shkupin ndërsa sot nuk e kontrollon as Prishtinën. Të frustruarit tej mase thonë se tash e tutje nuk do të kemi kompetenca për t’i kontrolluar as gratë tona dhe anasjelltas! Kosova ka mbetur dhe do të mbetet vend i pazhvilluar derisa të “zgjidhet” problemi i popullsisë shumicë nepërmjet ndryshimit të strukturës etnike të Kosovës (këtë e kishte kërkuar edhe Millosheviqi), pastaj do ta shihni bumin ekonomik. Perandoritë që e kanë lënë mbrapa Kosovën janë: BE, SHBA, Banka Botërore, FMN, e disa të tjera, të gjitha perandori e superfuqi ekonomike dhe financiare botërore. Perandoria Osmane nuk ka qenë superfuqi ekonomike dhe ndikimi i saj në botë ishte më i kufizuar se i secilës perandori që u cek më lartë. Në fakt, perandoritë dhe superfuqitë e tanishme ekonomike e duan pa masë Kosovën, që sipas tyre e ka një kancer që duhet të “shërohet” – popullsia shumicë, sepse ajo nuk do që të bëhet vetvetja sikur Izraeli, Tajvani dhe Koreja Jugore, që ne ta armatosim deri në dhëmbë me armët më të sofistikuara. “Këta qenkan në gjendje të bëjnë çmos edhe kundër njerëzve të vet, e mos të flasim kundër neve. Atëherë zgjidhja qenka, t’i shfarosim ose së paku t’i pakësojmë disi.” Superfuqitë megjithatë nuk po munden t’i përdorin metodat e Srebrenicës për shkaqe morale. Në vend të tyre kanë futur metoda më të ndyra që janë duke i zbatuar të “përzgjedhurit” e popullit edhe me kushtetutë. Pasi të arrihet një baraspeshë etnike dhe kur eksperimentet me shumicën e popullsisë për superfuqitë do të bëhen të dhimbshme, dhe ato eventualisht do të detyrohen t’iu thonë ndal të përzgjedhurve tanë (sepse këta nuk dijnë kur është boll kurrë), atëherë mund të themi: Bac, qitash përnime u kry!
Isa Mulaj është hulumtues i lartë dhe koordinator për Kosovë i Institutit për Studime dhe Analiza të Politikave Ekonomike
I do trust all the ideas you have introduced for your
post. They’re very convincing and can definitely work. Still, the posts are too brief for beginners. May you please prolong them a little from subsequent time? Thanks for the post.