Rrëqethen lubotenasit kur dëgjojnë nga goja e prokurorit të Hagës se ish ministri i punëve të brendshme Lube Boshkovski shpallet i pafajshëm.
Në momentin kur shpallej gjykimi i dy të akuzuarve, Boshkovskit dhe Tarçullovskit, “Lajm” ndiqte seancën e Tribunalit të Hagës në familjen e Qani Jasharit, të cilit në masakrën e 12 gushtit të vitit 2001 iu vranë djemtë Kadriu dhe Bajrami.
Të gjithë janë bërë sy e veshë dhe presin…Shtangia që zgjatë disa sekonda, ndërpritet me ndezjen e cigares dhe thithjen e thellë të tymit. Mosbesim në momentin kur Boshkovski u shpall i pafajshëm. Nuk u besonin dot veshëve të tyre.
“Si është e mundur? Ç’është ky skandal që po ndodh sërish? Çfarë gjyqi është ky që e shpall të pafajshëm këtë njeri që na dogji dhe masakroi”, shprehet i revoltuar Afeti vëllai i dy djemve të vrarë.
I dëshpëruar, Afeti thotë se më s’ka mbet jetë në Luboten. “Kur edhe Haga vendosi kështu, atëherë çfarë mund të presim prej maqedonasve”, thotë ai.
Afeti bën paralelizëm mes gjykimit të dy shqiptarëve në Shkup, të cilët u dënuan me burg të përjetshëm, pasi akuzoheshin se kanë vrarë një maqedonas, ndërsa sipas tij Haga ka shpall të pafajshëm një njeri që ka dhënë urdhër për të vrarë 10-të vetë, për të djegur dhe masakruar fshatin.
“Ç’është kjo punë kështu, të marrim dhe ne kallashët dhe të vrasim dhe sipas Hagës të dalim të pafajshëm”, thotë ai.
Ndërsa babai i tyre, Qaniu, nuk flet fare. Atij sikur i ka ikur goja. Si ka mbet më asnjë fjalë për të thënë. I strukur në qoshen e tij ai nuk dëshiron të flasë më asnjë fjalë. Kurrë s’ia kish marrë mendja se Haga do ta shpallte të pafajshëm këtë njeri.
Ndërsa, nëna e djemve, zemra e së cilës është djegur së bashku me shtëpitë e djegura shpreh mllefin e saj.
“Gjyqi po luan me ne, po luan me jetimët, por ata do të rriten….”, thotë ajo.
“Çfarë i bënë djemtë e mi që i vranë. Me duhan po punonin. Ai njeri duhej të kalbej në burg”, psherëtinë ajo me lot në sy.
Ndërsa Kadriu shtatë vjeçar, i cili mban emrin e babait të ndjerë, rri i strukur pranë gjyshit dhe vetëm dëgjon. Ai kurrë nuk e njohu babin e tij, pasi lindi pasi ia vranë të atin.
Edhe për banorët e tjerë të fshatit Luboten, shpallja e Boshkovskit si i pafajshëm nga ana e Tribunalit të Hadës, është e papranueshme. Asnjëri prej tyre nuk e priste një gjë të tillë.
Në masakrën e Lubotenit u vranë: Erxhan Aliu, Dalip Murati, Muharrem Ramadani, Memet Memeti, Rami Jusufi, Xhelal Bajrami, Kadri Jashari, Bajram Jashari, Sulejman Bajrami, Atulla Qaili. Ndërsa u arrestuan dhe keqtrajtuan nga ana e policisë mbi 100 persona.
Anila Limani, Lajm Maqedoni
Lube Boshkoski akuzohej nga Tribunali i Hagës për vrasje, shkatërrim të papërligjur të qyteteve, qytezave ose fshatrave dhe trajtim mizor. Sipas aktakuzës:
*** Lube Boshkoski dinte ose kishte arsye të dinte se krimet ishin kryer nga vartësit e tij gjatë sulmit në fshatin e Lubotenit, një fshat kryesisht shqiptar etnik, i cili gjendet rreth 10 kilometra larg Shkupit, kryeqytetit të IRJM-së, mirëpo ai nuk bëri asgjë për t’i ndëshkuar keqbërësit;
*** Ai nuk nisi asnjë hetim ndaj anëtarëve të njësisë policore të Johan Tarçulovskit, të cilët ishin përgjegjës për trajtimin mizor të banorëve të Lubotenit të cilët u arrestuan më 12 gusht 2001;
*** Ai ishte në dijeni të arrestimeve në shkallë të gjerë të civilëve shqiptarë etnikë nga Luboteni, dhe dinte ose së paku kishte arsye të dinte që këta shqiptarë të arrestuar iu nënshtruan trajtimeve mizore, dhe ai nuk bëri përpjekje të vërtetë për të hetuar këto krime dhe ndëshkuar keqbërësit.
Johan Tarçulovski, oficer i policisë, i cili kryente detyrën e inspektorit shoqërues në Trupën e Sigurimit të Presidentit në Ministrinë e Punëve të Brendshme sipas aktakuzës:
*** Johan Tarçulovski planifikoi dhe organizoi sulmin në Luboten dhe personalisht mori pjesë në sulm;
*** Ai bashkërendoi armatosjen e anëtarëve të rregullt dhe rezervistë të njësisë së tij policore, kërkoi dhe mori mbështetje logjistike, materiale dhe në armë zjarri, vendosi në lidhje me armatimin, burimet njerëzore, mbështetjen logjistike dhe materiale që do të përdoreshin, përcaktoi kohën, metodën, mënyrën, qëllimet dhe caqet, dhe urdhëroi policinë e rregullt dhe rezerviste në njësinë e tij që të sulmonin Lubotenin;
*** Ai udhëhoqi, dhe i priu personalisht sulmit në terren dhe ishte i pranishëm në vendet e kryerjes së krimeve të veçanta;
*** Ai, ose anëtarët e njësisë policore të udhëhequr nga ai, morën pjesë në vrasjen e shtatë meshkujve shqiptarë, shkatërrimin e pjesshëm ose tërësor të së paku 14 shtëpive shqiptare, rrahjen, poshtërimin, ngacmimin dhe keqtrajtimin psikologjik të më shumë se 100 fshatarëve.
Aktakuza e plotë në faqen e internetit të tribunalit
Molla e Kuqe
Lini një Përgjigje