Shumë shpejt do të keni mundësi të shkarkoni në telefonin tuaj iPhone një program/aplikacion që është një çifteli virtuale. Shikojeni videon e mëposhtme për të mësuar më shumë. Aplikacioni është gati dhe po pret miratimin nga Apple, prodhuesi i iPhone.
Archive for Gusht, 2008
Çiftelia në iPhone
Posted in Argëtim, Kulturë, tagged iPhone çifteli, Tingalin on E diel, 31. Gusht 2008| 6 Comments »
Identiteti shqiptar dhe identiteti kosovar
Posted in Lufta e Kosovës, Opinion, Shqiptari, Shtetformim, tagged Fatos Lubonja, identiteti kosovar, Identiteti shqiptar on E diel, 31. Gusht 2008| 4 Comments »
“Plani i Ahtisarit sipas mendimit tim është projekti i një shteti që formon kombin.”
“Ky është pragmatizmi i një klase politike, e cila historikisht, siç thashë, ka ardhur në pushtet nëpërmjet të huajve.”
Intervistë e Fatos Lubonjës botuar në gazetën kosovare “Epoka e re”. Intervistoi Dritan Dragusha.
-Më 17 shkurt 2008 është shpallur Kosova shtet i pavarur bashkë me rezolutën 1244, me pakon e Ahtisarit, pa ushtri, policinë nuk e kontrollon vetë, por dhe nuk e kontrollon një pjesë të territorit të vet. A mund ta quajmë këtë pavarësi sipas jush?
“Sigurisht që nuk është pavarësi. Në rastin më të mirë është pavarësi nga Serbia, nëse është. Gjykimi im për këtë situatë është se nuk jemi në një proces të përcaktuar qartazi, prerazi, vijëdrejtë, përkundrazi mjaft kontradiktor. Them kontradiktor në dy aspekte që duhen dalluar njëri nga tjetri. Njëri është procesi i kushtëzuar nga ndërkombëtarët, që marrin pjesë në proces me gjithë aktorët e vet, ndërsa tjetri është konteksti brenda Kosovës, ku ka edhe atje aktorë të ndryshëm, të cilët edhe ata janë në proces. Dhe po t’i shohësh të dyja palët, edhe ndërkombëtarët, edhe shqiptarët brenda, ku duhet të përfshijmë edhe pakicat e tjera, kanë kontradiktat e veta në këtë proces. Gjendja e Kosovës për sa i përket statusit të saj është pikërisht, për mendimin tim, shprehje e të gjitha këtyre kontradiktave. Më konkretisht, kur flas për ndërkombëtarët dhe kontradiktat mes tyre, kam parasysh: kontradiktat në një nivel gjeopolitiko-strategjik, ku mund të përmendja Rusinë me njërin krah që ka mbrojtur Serbinë dhe është kundër pavarësisë, me pjesën kryesore të Perëndimit me në krye SHBA-të që e mbështet. Por është edhe kontradikta që ka vetë Perëndimi brenda vetes në këto çështje. Disa shtete që kanë probleme të ngjashme, si Spanja dhe vende të tjera janë kundër. Po ashtu mendoj se ka edhe një kontradiktë tjetër, që nuk duhet harruar, që lidhet me pyetjen se ku po shkon Evropa. Ajo vetë është ngërthyer në kontradiktat midis atij që mund ta quajmë projekti i Evropës së Bashkuar, kozmopolite mënjanë dhe prirjet nacionaliste brenda shteteve të saj në anën tjetër. Edhe kjo është një kontradiktë e pazgjidhur. Padyshim që të gjitha këto reflektohen edhe në Kosovë, me një situatë paqartësie, siç e përshkruat edhe ju që jetoni atje çdo ditë. Nga ana tjetër, mendoj që edhe aktorët shqiptarë nuk është se janë të gjithë bashkuar në këtë proces. Ndoshta i bashkon të gjithë ideja e pavarësisë, por nga ana tjetër shoh se kanë shumë kontradikta midis tyre. Po ashtu ,raporti i politikanëve shqiptarë me ndërkombëtarët nga njëra anë dhe bashkatdhetarët nga ana tjetër ngërthen brenda një kontradikte tjetër të fortë për mendimin tim. Ç’kuptoj me këtë? Kuptoj që ata duhet të përdorin dy gjuhë, dy kode. Njëra është gjuha që lidhet me projektin ndërkombëtar, Planin e Ahtisarit, që dukej qartë, p.sh., në fjalën që mbajti ditën e pavarësisë Thaçi, apo që u shfaq në flamurin që u valëvit në Parlament si flamur i Kosovës, ndërsa tjetra është gjuha nacionaliste me shqiptarët, në kuptimin e gjuhës së aspiratave të shqiptarëve që kanë qenë aspirata të ndërtimit të shtetit të tyre komb. Edhe në këtë të fundit përsëri, nëse i hyjmë edhe më thellë kontradiktave midis shqiptarëve, do të dallojmë një projekt për një Kosovë të pavarur, shtet më vete, dhe një projekt për bashkim me Shqipërinë. Të gjitha këto që numërova e bëjnë situatën dhe këtë proces mjaft të paqartë e aspak vijëdrejtë”.
Rreziku që vjen nga gazetaria e sahanlëpirësve
Posted in Liria e shprehjes, Media, Opinion, Shqiptari on E enjte, 28. Gusht 2008| 11 Comments »
Enver Robelli, Koha Ditore
Gazetarë apo tregtarë? Në Kosovë po kopjohet modeli më i fëlliqur i gazetarisë – ai i Tiranës.
A duhet ti besohet një gazetari, i cili nëpër rrugët e Tiranës defilon me “Porche Cayenne”, fundjavën e kalon diku në vilën e tij në bregdetin shqiptar dhe përherë është i gatshëm që me ton dashamirës t’i promovoj politikanët në pushtet, duke zhvilluar me ta intervista pa asnjë pyetje kritike? Fakti që ky lloj gazetari krekoset me “Porche Cayenne” në njërin ndër vendet më të varfra të Evropës nuk ka fare të bëjë me zilinë sociale ndaj tij; përkundrazi: vozitja me “Porche Cayenne” është shenjë e mjaftueshme dalluese e korruptimit dhe të detyron të mendosh se ku pseudogazetar nuk ka mision publicistik, por ka zgjedhur gazetarinë si fushë tregtie për t’u pasuruar me metoda të fëlliqura. Në këtë rrugë ky oj gazetari është i gatshëm që në çdo kohë t’u lyej mustaqet me mjaltë politikanëve, të jetë përherë në pozitën e sahanlëpirësit, t’i shantazhoj qeveritarët në vendimmarrje derisa të fitoj ndonjë privilegj dhe, pastaj, t’i lavdëroj deri në qiell. Ky lloj bastardimi i gazetarit është në anën e pushtetarëve, deri në atë moment kur e vëren se në zgjedhjet e ardhshme do të fitoj opozita. Këtu e tutje ky tip gazetari idiot i vardiset opozitarëve si një kurvë, sepse e di se ata nesër do të jenë në pushtet. Shumica e politikanëve shqiptarë janë përherë të gatshëm të lozin këtë lojë me gazetarët e korruptuar, sepse kështu e kanë më lehtë të jenë të pranishëm në ekranet televizive dhe në gazeta. Shqipëria deri më tani ishte ndër vendet e rralla në Evropë, ku një pushtetar i lartë mund t’i telefononte një gazetari të ashtuquajtur prominent dhe t’i thoshte: “Dua të inkuadrohem drejtpërdrejt në emisionin tënd për të dhënë një mesazh për opinion”.
Për fatkeqësinë e Kosovës modeli i çoroditur i gazetarisë së Shqipërisë ka filluar ngaherë të kopjohet dhe në disa fletushka të Prishtinës. Gazetarë deri dje krejtësisht anonim, kacagjela të pështirë, hiqen si autoritete të publicistikës, shesin mend në veten e parë dhe – mbi të gjitha – shtyhen me bërryla se cili më së shumti do të dëshmohet në rolin e çanaklëpirësit në tezgën e pushtetarëve. Për këtë shërbim me përulësi të paparë ky soj gazetarëve të Prishtinës, shpërblehet prej autoriteteve. Dikur këto shpërblime janë dhënë edhe në formën e qofteve, ndonjë gotë me raki ose verë. Tash dhuratat janë shtuar, për shembull me hapësira banimi, troje, shtëpia, vetura, para të gatshme, me trajtim të privilegjuar, me gallata e darka, muhabete për jetën e natës, pushimet në plazhe etje.
Emrat e ambasadorëve të parë të Kosovës
Posted in Politikë, Shtetformim, tagged ambasadat e Kosovës on E enjte, 28. Gusht 2008| 19 Comments »
Avni Spahiu, aktualisht drejtor i Radio Kosovës, ambasador në Washington.
Sylejman Gashi, korrespondent i RTK-së në New York, ambasador në New York.
Muhamedin Kullashi, profesor në Universitetin e Parisit, ambasador në Paris.
Muhamet Hamiti, ish zëdhënës i Ibrahim Rugovës dhe tani këshilltar i Fatmir Sejdiut, ambasador në Londër.
Vilson Mirdita, punonjës kërkimor pranë Universitetit të Hohenheim-it, ambasador në Berlin
Albert Prenkaj, profesor dhe ish punonjës i OSBE-së, ambasador në Romë
Ilir Dugolli, analist në KIPRED dhe ish-këshilltar i kryeministrit Bajram Rexhepi, ambasador në Bruksel
Naim Mala, ambasador në Bernë
Gazmend Pula, drejtues i Komitetit të Helsinkut në Kosovë, ambasador në Tiranë
Sabri Kiçmari, anëtar i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës dhe ish emigrant në Gjermani, ambasador në Vjenë
Bekim Sejdiu, këshilltar politik i Ministrit të Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, ambasador në Ankara.
Molla e Kuqe
Parlamenti i Kosovës kritikohet nga OSBE
Posted in Kosovë on E martë, 12. Gusht 2008| 1 Comment »
OSBE ka kritikuar ligjivënësit e Kosovës se nuk kanë respektuar rregullat parlamentare dhe detyrat e kërkuara nga qeveria. Në vlerësimin e saj mbi efetkshmërinë e parlamentit për periudhën nga prilli në qershor, një raport i OSBE-së i publikuar të dielën (10 gusht) kritikon faktin që anëtarët e qeverisë nuk kanë marrë pjesë në seancat e zakonshme dhe se takimet e komisioneve janë mbajtur pa kuorumet e kërkuara. OSBE i bëri thirrje parlamentit të ushtrojë autoritetin e tij dhe të insistojë tek anëtarët e kabinetit të jenë të pranishëm në seanca për t’ju përgjigjur pyetjeve mbi çështjet kyçe.
Në lajmet e tjera, ish-dërguari i posaçëm i BE-së në Kosovë Volfgang Petritssh po sugjeron se modeli i Brcko, në Bosnje-Hercegovinë (BH), mund të përdoret në Kosovë për të zgjidhur përkohësisht çështjet e Mitrovicës. “Duhet të jetë një dialog i drejtpërdrejtë midis Beogradit dhe Prishtinës. Janë kaq shumë institucione që kanë të drejtën legjitime të negociojnë dhe të gjejnë një zgjidhje të identifikuar,” i tha Petritssh BBC të hënën.
SETimes.com
70 % e UNMIK-ut do të largohen nga Kosova
Posted in BE, Minoritete, Shtetformim, tagged Alexander Ivanko, EULEX, rikongfigurim, UNMIK on E martë, 12. Gusht 2008| 1 Comment »
Shefi i UNMIK-ut, Lamberto Zannier UNMIK-u thotë se do të ruajë rreth 30 përqind të numrit të punonjësve Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë paralajmëron se brenda pak ditësh do të fillojë largimin e 70 përqind të personelit. Kjo masë është pjesë e planit për ristrukurimin e UNMIK-ut, pas shpalljes së pavarësisë dhe hyrjes në fuqi të Kushtetutës së Kosovës.
Kombet e Bashkuara po planifikojnë të mbajnë në Kosovë rreth 30 përqind të personelit ndërkombëtar dhe vendor, apo rreth 600 zyrtarë, të cilët do të jenë pjesë e misionit të rikonfiguruar të UNMIK-ut. Afër 1400 zyrtarë të tjerë do të humbin shumë shpejt vendet e punës.
Zvogëlimi i personelit të Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë mund të fillojë këtë javë, ndonëse zyrtarë të UNMIK-ut nuk kanë konfirmuar ende datën e saktë.
“Nuk mund t’ua them datën e saktë, por në ditët e ardhshme ne do të fillojmë zvogëlimin e personelit ndërkombëtar dhe atij vendor, siç parashihet me planin për rikonfigurimin e UNMIK-ut”, tha për BBC-në zëdhënësi i UNMIK-ut, Alexander Ivanko.
Valle me motive nga Kosova (video)
Posted in Argëtim, Kulturë, tagged Ansambli Akademik i Universitetit te Prishtinës on E hënë, 11. Gusht 2008| 1 Comment »
Ansambli Akademik i Universitetit te Prishtinës kërcen valle me motive nga dasma kosovare. Koreograf është Dilaver Kryeziu.
Sipas mediave serbe Kosova është fajtore për konfliktin mes Rusisë dhe Gjeorgjisë
Posted in Bota, Kosovë, Media, Shtetformim, tagged konflikti Rusi-Gjeorgji, pavarësia, Polonia on E diel, 10. Gusht 2008| 9 Comments »
Edhe sot kanë vazhduar luftimet midis forcave ruse dhe atyre gjeorgjiane brenda territorit të Gjeorgjisë.
Përveç se kanë raportuar se aleati i tyre i madh po shënon sukses në luftimet kundër gjeorgjianëve mbi provincat e Abkhazisë dhe Osetisë Jugore, mediat serbe kanë filluar ta përdorin këtë konflikt të armatosur kundër pavarësisë së Kosovës.
B92, një shtëpi mediale nga Beogradi me pronarë disa organizata të huaja që ndihmojnë fjalën e lirë, sot ka publikuar një artikull që përmbledh se ç’far shkruajnë gazetat polake për konfliktin mes Gjeorgjisë dhe Rusisë, dhe jo rastësisht faji për këtë konflikt i lihet Kosovës.
Sipas B92, gazetat polake shkruajnë se sulmet ruse kundër armatës gjeorgjiane janë përgjigjja e Rusisë kundër Perëndimit për përkrahjen dhe njohjen pavarësinë e Kosovës.
Në këtë artikull edhe janë përfshirë disa deklarata të liderit antikomunist, Lech Wales, ku ai kritikon lidershipin polak për njohjen e pavarësisë së Kosovës.
Molla e Kuqe
A po sjell rezultate lobimi i Qeverisë së Kosovës?
Posted in Bota, Politikë, Shtetformim, tagged Minstria e Punëve të Jashtme, pavarësia, Republika e Kosovës on E shtunë, 9. Gusht 2008| 3 Comments »
Sipas ekspertëve dhe opozitës, lobimi i Qeverisë së Kosovës për njohjen e pavarësisë së Kosovës ka dështuar.
Tani kur kanë kaluar gati gashtë muaj, vetëm 45 shtete e kanë njohur pavarësinë e Kosovës që u shpall me 17. shkurt nga Kuvendi i Kosovës. Atë kohë Thaçi theksonte se Kosova brenda një kohe të shkurtër do të njihej nga së paku 100 shtete, por tani 6 muaj më vonë kjo nuk ka ndodhur dhe gazetat dhe analistët kanë filluar të kërkojnë përgjigjeje. Thaçi dhe qeveria e tij tani tregohen më të kujdesshëm kur është në pyetje numri i shteteve që do ta njohin Kosovën por vazhdojnë të premtojnë se njohje të reja do te vinë por pa përmendur afate, emër shtetesh apo periudha kohore.
Sipas ekspertëve që janë prononcuar për Kohën Ditore, asnjë nga njohjet deri më tani nuk është meritë e lobimit të Qeverisë së Kosovës. Të gjitha njohjet janë merita të miqve të Kosovës (ShBA-ve, Britanisë së Madhe etje).
Derisa lobimi i qeverisë së Kosovës nuk ka dhënë frute, lobimi serb i kryesuar nga ministri i jashtëm, Vuk Jeremiq, ka qenë mjaft i suksesshëm, edhe pse Serbia ka pasur zgjedhje pas pavarësisë së Kosovës dhe diplomacia serbe nuk ka funksionuar ashtu siç duhet për disa muaj.
Vuk Jeremiq, Ministër i Jashtëm serb në dy qeveritë e fundit dhe i shkolluar në universitetin prestigjioz të Harvardit, prej shpalljes të pavarësisë ka zhvilluar disa turne pothuajse në të gjithë botën ku ka bërë thirrje që pavarësia e Kosovës të mos njihet. Bisedat e tij me homolog kryesisht nga Azia, Lindja e Mesme, Afrika dhe Amerika Latine kanë rezultuar që hovi i madh i njohjeve që filloi fill pas shpalljes së pavarësisë të ndalet kështu që Kosova të mos arrij njohjet kuantitative (sa më shumë shtete që është e mundur) , për dallim nga ato kualitative (shtetet e rëndësishme) që tani janë realitet.
Shkaqet se pse ka dështuar lobimi i qeverisë së Kosovës janë të shumta dhe jo të gjitha lidhen me vetë këtë qeveri.
Një shkak që vihet në pah nga ekspertet dhe opozita është mungesa e një trupi diplomatik. Serbët që janë shtet tani e shumë vite dhe që kanë trashëguar pothuajse të gjithë shërbimin diplomatik të Jugosllavisë, e kanë më të lehtë të depërtojnë tek organizmat e ndryshme. Kosova në ato shtete ku nuk është e njohur si e pavarur nuk trajtohet si palë e barabartë. Kosova gjithashtu nuk ka ende ambasada.
Një shkak tjetër është e ngadalësia e qeverisë për të filluar edhe atë lobim të kufizuar që u iniciua pas shpalljes së pavarësisë. Qeveria kishte premtime dhe ishte e bindur se nuk ishte e nevojshme me lobim për të marr njohjet por nuk doli ashtu siç qeveria mendonte dhe kur kjo u pa, qeveria e Thaçit filloi një ofensivë në disa vende por kjo erdhi vonë, shumë javë, ne disa raste edhe muaj pas ofensivës së qeverisë së Serbisë.
Burime të ndryshme bëjnë të ditur se shpallja e pavarësisë ishte e planifikuar të ndodhte në vitin 2007 por pas disa mëdyshjeve nga disa shtet kjo u shtye edhe për disa muaj. Për fat të keq të Kosovës, mbështetja ndërkombëtare për pavarësi ishte më e madhe në vitin 2007 sesa në vitin 2008 kur edhe ndodhi pavarësi.
Shumë pak kanë pritur një hezitim kaq të madh të vendeve arabe dhe atyre me shumicë myslimane. Të gjithë kanë qenë të bindur se nuk do të jetë e vështirë për të marrë njohje nga vendet myslimane por kjo ka dal një pavërtetë. Me përjashtim të Turqisë, Afganistanit dhe Senegalit, asnjë shtet tjetër mysliman nuk e ka njohur Kosovën si shtet të pavarur. Serbia po vazhdon lobimin në shtetet myslimane. Gjatë një takimi me homologun e tij egjiptian, Jeremiq ka kërkuar nga ky dhe shtetet arabe që të mbështesin iniciativën serbe në Gjykatën Ndërkombëtare për ta shpallur pavarësinë e Kosovës në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare.
Në qarqet e ndryshme në Kosovë ka edhe një bindje të thellë se Ministri i Jashtëm i Kosovës, Skënder Hyseni, nuk është njeriu i duhur në këtë post. Mendohet se Hyseni nuk e ka marrë postin e ministrit për shkak të aftësive por për shkak të pozitës që kishte në Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) para dhe pas vdekjes së Ibrahim Rugovës. Edhe pse shumë pak e thonë publikisht, kjo bindje mbizotëron edhe në mesin e popullatës. Bindja përforcohet edhe nga raportet e ndryshme që tregojnë mungesën e rezultateve nga Ministria e Jashtme gjatë atyre muajve që ka ekzistuar.
Prej që Hyseni është bërë ministër ka zhvilluar shumë pak takime me homologët e tij. Edhe me homologët nga shtetet që e kanë njohur Kosovën, ka pasur shumë pak takime.
Sipas Kohës Ditore, edhe në shtypin kosovar ka më shume lajme për vizitat e Jeremiq se sa vizitat e Hysenit. Kjo e brengos Ibrahim Gashin nga Aleanca Kosova e Re që mendon do të duhej të ishte e kundërta dhe akuzon Hysenin se është pasiv dhe nuk po ve në funksion të lobimit të gjitha potencialet.
Edhe Avni Arifi, anëtar i kryesisë së AAK-së, kritikon qeverinë e Kosovës. Sipas tij diplomacia kosovare ekziston vetëm në letër. Ai mendon se një investim më i madh në lobim do të kishte dhënë njohje nga së paku 80 shtete.
“Qeveria e jonë krenohet që ka ngrënë tri darka më pak dhe se shpenzimet për telefona i kanë 18 % më pak, kur dihet se çmimet e telefonisë gati janë përgjysmuar si pasoj e konkurrencës” thotë Arifi.
Përgjigjja e këshilltares për media pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme për kritikat që vinë nga opozita për punën e kësaj ministrie është:
“Sa i përket punës që po bën MPJ dhe ministri Hyseni, mund të konstatojmë se po bëhet më e mira në kushtet në të cilat operon MPJ”
“Më duhet të sjell në kujtesë se MPJ është ende në fillet e saj, me një strukturë ende në formim e sipër, e pakompletuar në staf civil, pa objekt që i përmbush nevojat dhe reputacionin e saj.”
Molla e Kuqe
Koha Ditore
Kosova paslufte – Dilemat e politikës.
Posted in Kosovë on E enjte, 7. Gusht 2008| 1 Comment »
Kosova paslufte – Ground Zero.
Posted in Kosovë, Politikë on E enjte, 7. Gusht 2008| 3 Comments »
Toka e Shenjtë e njërit dhe Palestina e tjetrit përbëjnë
dy faqe të ndryshme të të njejtës dhe të vetmes medalje :
ajo e marrjes së shpagës nga ana një shumice të çliruar dhe
fitimtare, e cila, në emër të historisë ju shkakton të tjerëve po
ato vuajtje që ka hequr vetë, gjatë periudhës së skllavërisë së saj.


Ndjekje penale për ish “Universitetet Private”
Posted in Kosovë on E martë, 5. Gusht 2008| 1 Comment »
Isa Mulaj
Raporti i Këshillit Britanik për Akreditim, në mes tjerash, tërthorazi e vërteton atë që ka qarkulluar gjithmonë në opinion dhe shumicën e mas medieve kosovare – se universitetet private (nëse kanë qenë ndonjëherë universitete) janë sektor i shpëlarjes së parave. Nuk ka pasur kurrfarë dyshimi në kualitetin e studimit në këto “Universitete”. Ka qenë evident fakti se ato ishin themeluar vetëm për mbledhjen e tepricës së studentëve që nuk i plotësonin kriteret për regjistrim në universitetin publik të Prishtinës.
Kur numri i “Uversiteteve Private” po i ofrohej normës dyshifrore, disa pedagogë gjysmë analfabetë të tyre na thonin se kështu, me rritjen e numrit të tyre, vjen deri te konkurrenca që do ta bëjë eliminimin e shumicës dhe përzgjedhjen e disave që do të mbesin në treg. Atë që këta pedagogë nuk donin dhe nuk dinin të thoshin, është se, në ekonominë e tregut shteti është rregullatori më i mirë i konkurrencës. Iu bë “qejfi” këtyre pedagogëve dhe numri i “Universiteteve Private” arriti në mbi 30, shumica prej të cilave kishin fakultete të arsimimit për biznes, që në realitet ishte biznesi i arsimit për pronarët dhe pedagogët në dëm të studentëve. Si mund të vinte konkurrenca në arsimin e lartë kur teprica e universitetit publik tani po bëhej edhe më e shpërndarë në më shumë “Universitete Private”? Po të kishte kuptim logjika se numri i madh është në funksion të konkurrencës së arsimit të lartë, atëherë këtë do ta praktikonte Britania e Madhe, ose shteti nga i cili u ftua institucioni për vlerësimin e “Universiteteve Private” të Kosovës – Këshilli Britanik për Akreditim. Britania e Madhe me mbi 60 milionë banorë ka 120 universitete, prej tyre 118 publike dhe vetëm 2 private. Dikush do të thoshte se ky është raport 1 universitet për 500.000 banorë krahasuar me 1 ndaj përafërsisht 65.000 banorëve në Kosovë. Ky krahasim është i padobishëm meqenëse në universitetet Britanike kanë qasje miliona studentë nëpër botë, ndërsa në Kosovë kjo qasje ishte e rezervuar për tepricën e Universitetit të Prishtinës. Dy universitetet e vetme private në Britani të Madhe janë: Universiteti i Bakingamit dhe Universiteti i Riçmondit. I pari ka gjithsej 840 studentë. I dyti ka më pak se 2.000 studentë dhe njihet si Universiteti Ndërkombëtar Amerikan në Londër, çka e bënë Britaninë e Madhe (edhe zyrtarisht ashtu njihet) me vetëm një universitet privat, atë të Bakingamit. Sidoqoftë, të dyja qëndrojnë prapa universiteteve publike pothuajse në çdo aspekt. Sllovenia me popullsi përafërsisht sa Kosova ka gjithsej katër universitete, të gjitha publike, dhe nuk paska nevojë t’i hyjë aventurave me konkurrencë private në arsimin e lartë.