Feeds:
Postime
Komente

Archive for Shtator, 2008

Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu priti sot humanisten serbe Natasha Kandiç, drejtoreshë e Fondacionit për të Drejtën Humanitare me seli në Beograd, e cila po qëndron në Kosovë.

Zonja Kandiç theksoi se është shumë e nevojshme që të krijohet një Komision Rajonal për Viktimat, i cili do të punonte për ndriçimin e të gjitha krimeve që kanë ndodhur në ish-Jugosllavi. Ajo tha se nisma e saj është përkrahur edhe në Kroaci dhe në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe se priste që kjo përkrahje t’i jepej edhe në Kosovë.

“E vërteta është e vërtetë dhe para saj bien të gjitha “argumentet” e tjera, të cilat ndokush përpiqet t’i plasojë në opinion”, theksoi zonja Kandiç, e bindur se zbardhja e krimeve do ta lehtësonte afrimin dhe bashkëpunimin mes popujve në këtë pjesë të Evropës.

Ndërkaq, Presidenti Sejdiu e përgëzoi zonjën Kandiç për tërë veprimtarinë e saj humanitare, sidomos për angazhimin e saj të fuqishëm për zbardhjen e të gjitha krimeve që kanë ndodhur në hapësirat e ish-federatës jugosllave.

Zyra e Presidentit të Kosovës

Read Full Post »

E krasit RTK-në

Adi Krasta për emisionin “Njerëz të një shteti të ri”, për një muaj paguhet më shumë se Presidenti, Kryeministri dhe Kryeparlamentari së bashku. Paga e tij sillet prej 6 mijë deri në 8 mijë euro në muaj. Edhe paga e Krastës edhe e Presidentit Sejdiu paguhen nga buxheti i Kosovës.

Njëri prej moderatorëve më të mirë shqiptarë, është duke vazhduar ciklin e emisioneve më të dobëta dhe më të shtrenjta që janë realizuar ndonjëherë në Radio Televizionin e Kosovës. Meqë këto ditë aq shumë është folur për pagat e Presidentit dhe të Kryeministrit të Kosovës, ia vlen të thuhet se Krasta për një muaj të vetëm është paguar më shumë se sa Presidenti, Kryeministri dhe Kryeparlamentari tok. Ose, Krasta i vetëm paguhet se gjysma e ministrave së bashku. Lajmi i vetëm që eventualisht mund ta prodhojë “shoë” i Krastës, i titulluar “Njerëzit e shtetit të ri”, është çmimi me të cilin RTK ka vendosur ta paguajë këtë moderator.

Gazeta Express ka mësuar prej burimeve të saja se për një emision Krasta paguhet më shumë se 2 mijë euro, ose rreth 8 mijë euro në muaj. Këtë e ka mohuar drejtori Televizionit, Liridon Cahani, sipas të cilit, moderatori i importuar nga Shqipëria paguhet për një emision “vetëm” 1600 euro. Kjo i bie që Krasta për një muaj nga RTK ka marrë rreth 6 mijë euro. Kjo shifër kalon të gjitha pagat që ndonjëherë është paguar ndonjë gazetar i Kosovës, apo moderator.

Express ka kërkuar prej RTK-së që ta shohë kontratën e lidhur me Krastën, por kjo gjë nuk është mundësuar me pretekstin se kontratat e tilla nuk bëhen publike. Radio Televizioni i Kosovës, si organ publik, do të duhej ta kishte të obliguar që t’i bënte publike të gjitha të dhënat për të hyrat dhe të dalat e veta, pra edhe këtë kontratë.

Përndryshe në vende të ndryshme të botës, edhe televizionet komerciale, i bëjnë publike, të shumtën e herave, kontratat me shoëmen-et e televizioneve të tyre. Përndryshe, emisioni që Krasta po realizon në Kosovë, nuk është as hija e atyre që ky shoëman i ka realizuar gjatë punës së tij në televizionet shqiptare.

Emisioni i tij është krejtësisht joatraktiv, jocilësor, joinovativ dhe njëqelizor. Anipse bëhet fjalë për një emision me titull “Njerëz të një shteti të ri”, aty defilojnë edhe njerëz të “shtetit të vjetër”, nga Shqipëria. Për shembull kemi pasur rastin të fascinohemi me prezencën e njëfarë Arbana Osmani dhe Arbër Qepani, që nuk kanë ndonjë lidhje të ngushtë me shtetin e ri, sepse ata janë pjesëtarë të shtetit shqiptar. E vetmja lidhje e këtyre dy personave me Kosovën është se miku i tyre, Adi Krasta, po merr para nga shteti i ri. Ata janë pjesë e stafit që kishte realizuar emisionin “Big Brother”, një shoë të cilit i është bërë një propagandë e madhe.

Edhe shikuesit më të shkujdesur të këtij emisioni, kanë pasur mundësinë të vërejnë se Krasta në disa intervista të tij është shfaqur me rroba të njëjta. Dyshohet se ai i ka realizuar dy – tri intervista brenda një dite. Kaq sa i përket seriozitetit dhe djersës që Krasta ka derdhur për realizimin e emisionit.

Deri më tani janë transmetuar emisionet me të ftuarit si Fatmir Limaj, Ramush Haradinaj, Melihate Tërmkolli, Arbana Osmani, Arbër Qepani dhe Muharrem Nitaj.

Po presim që Krasta të na befasojë ditëve në vijim.

Gazeta Express

Read Full Post »