Nacionalistet serbe kanë ngritur sot parlamentin serb në qytetin e ndarë të Mitrovicës në shenjë sfide të hapur ndaj shtetit të pavarur të Kosovës.
Parlamenti serb do të luftojë kundër krijimit të një tjetër shteti shqiptar në Ballkan ka thënë për agjensinë e lajmeve “Reuters” lideri i nacionalistëve serbë Marko Jaksic.
Gjithsesi parlamenti serb në Mitrovicë nuk do të ketë asnjë fuqi legjislative dhe ekzekutive, por reflekton ndarjen e thellë që ka ende në Kosovë mes shumicës shqiptare dhe pakicës serbe që pas shpalljes së pavarësisë në 17 shkurt.
Ndërkaq kanë ardhur menjëherë reagimet e para për këtë veprim të serbëve në Mitrovicë, kështu presidenti kosovar Fatmir Sejdiu e ka cilësuar destabilizues parlamentin serb, por megjithatë i ka bërë një apel shqiptarëve për të ruajtur qetësinë. “Ruani qetësinë dhe mos reagoni ndaj provokimeve”, ka qenë apeli i presidnetit Sejdiu. Edhe shefi i ri UNMIK-ut italiani Lamberto Zanier ka reaguar duke u shprehur se parlamenti serb në Kosovë do të ketë vetëm një rol simbolik. Serbët zgjodhën sot për të ngritur paralmentin e tyre pikërisht për të përkujtuar betejën për Kosovën në 28 qershor të 1389 kundër osmanëve. Ndërkaq UMNIK dhe policia kosovare kanë shtuar kontrollet në Mitrovicë për të parandaluar çdo incident të mundshëm.
Ndërkohë, përfaqësuesi i listës serbe për Kosovë, Oliver Ivanoviq, një veprim të tillë e quan të parëndësishëm sepse formohet nga partitë opozitare, ajo radikale serbe dhe Partia Demokratike e Serbisë, për qëllime të një grupi të vogël njerëzish.
“Ata do të tentojnë të gjejnë mënyrën për ndërtimin e një institucioni i cili do të kundërshtojë koalicionin e ri në Beograd. Qeveria pro evropiane në Beograd është po ashtu e ndjeshme përballë çështjes së Kosovës dhe se është e qartë se ata do të tentojnë të veprojnë si forcë opozitare, e cila do të jetë absolutisht e parëndësishme”, ka thënë Ivanoviq.
Ivanoviqi mendon se nuk duhet të merren hapa të tillë, sepse një institucion i tillë nuk do të jetë partner as i Bashkësisë Ndërkombëtare, as i institucioneve kosovare e as për qeverinë e re të koalicionit në Beograd. Ai thekson se një Kuvend i tillë do të formohet vetëm për interesat e një grupi të vogël njerëzish sa për të marrë funksione.
Zëdhënësi i UNMIK-ut, Aleksander Ivanko, ka thënë se formimi i strukturave paralele në Mitrovicë është një akt ilegal, me të cilin forcohen strukturat paralele serbe.
“Parlamenti serb është ilegal. Ai është një pjesë e një realiteti virtual, diçka që ne nuk e marrim seriozisht”, ka thënë Ivanko, duke shtuar se deklarata e këtij kuvendi, e cila hedh poshtë pavarësinë e Kosovës, nuk ndihmon në pajtimin mes shqiptarëve dhe serbëve.
“Do të ishte më e dobishme që serbët e Kosovës të mundohen që të përfshihen sa më shumë në punën e institucioneve të Kosovës, në vend se të formojnë struktura të reja paralele”, tha Ivanko. (Balkanweb, RTK, Evropa e Lirë)