Feeds:
Postime
Komente

Archive for the ‘Ekonomi’ Category

Isa Mulaj

Subjektet politike vendore dhe ndërkombëtare ishin të vetëdijshme se gjendja e përgjithshme socio-ekonomike në Kosovë nëse nuk mund të paraqitej si e tmerrshme, së paku duhej arsyetuar në opinion me fjalën si shumë e rëndë. Këtë do ta vërtetoj edhe sekretarja Amerikane e shtetit Condolizza Rice kur deklaroj se “Kosova nuk ka ekonomi”. Për t’i ngjallur shpresat dhe hapur mundësinë e krijimit të ekonomisë, u shpall pavarësia politike dhe filluan njohjet nga shtetet më të fuqishme ekonomike të botës. Duke e ditur se qytetarët nuk mund të ushqehen me euforinë e pavarësisë politike gjatë, duhej gjetur strategjinë e radhës për t’iu dhënë shpresa më praktike qytetarëve që tani po i vlerësonin bisedimet për statusin e Kosovës, Planin e Ahtisaarit, shpalljen e pavarësisë dhe miratimin symbyllur të kushtetutës, me një emërues të përbashkët në shumës – mashtrime. Erdhi konferenca e donatorëve. Këtu nuk duhet të ngutemi e ta cilësojmë këtë si një mashtrim tjetër, përkundër bindjes që e kanë shumica e qytetarëve. Para se të flasim për mundësitë nga premtimet e kësaj konference, është e dobishme të përshkruhet pse pas afër një dekade erdhëm në këtë gjendje të pa ekonomi me gjithë ato donacione?

Mësimet nga shtetet tjera dhe çka nuk shkoj si duhet në Kosovë?

(më tepër…)

Read Full Post »

Në Bruksel përfundoi Konferenca e Donatorëve për Kosovën. BE-ja, SHHBA-ja dhe Gjermania janë tre donatorët më të mëdhenj.

Donatorët premtuan 1.2 miliardë euro për zhvillimin e ekonomisë në Kosovë, në konferencën e donatorëve që u mbajt në Bruksel.

“Konferenca ka qenë shumë e suksesshme”, tha Pier Mirel, zyrtar i lartë i Komisionit Evropian, përgjegjës për Ballkanin.
“Ky është një sukses i jashtëzakonshëm për të ardhmen e Kosovës si shtet i sigurt, demokratik dhe shumëetnik”, tha kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi në mbyllje të konferencës së donatorëve.

Sipas tij, qeveria e Kosovës premton se do të vazhdojë me qeverisjen e mirë dhe shtoi se “asnjëherë nuk do t’ju zhgënjejmë”.

(më tepër…)

Read Full Post »

S. Adam Cardais, Transitions Online

Shteti i ri i Kosovës shpreson në investimet e emigrantëve për të përmirësuar ekonominë

Gati 5 muaj pas shpalljes së pavarësisë, shteti më i ri i botës, Kosova, “i ka drejtuar sytë” drejt emigrantëve të vet, për të përmirësuar ekonominë me anë të investimeve aq shumë të nevojshme. Kanë kaluar gati 27 vjet, qëkur Agim Kalenderi, atëherë vetëm një adoleshent, u largua nga qyteti i tij i lindjes, Prizreni, për një jetë më të mirë në Belgjikë. Dhe me shumë fat, ai e arriti një gjë të tillë. Sot, 47-vjeçari është pronar i “New Fruit Co”. Me një xhiro vjetore prej 50 milionë eurosh, kompania e tij me bazë në Bruksel është një prej distributorëve të shitjes me pakicë më të mëdhenj të frutave dhe perimeve të Belgjikës. Mes rreth 400 mijë kosovarëve që u larguan nga vendi i tyre në vitet 1960 drejt vendeve si Gjermania dhe Zvicra, por edhe të tjerëve që u larguan gjatë luftërave në Ballkan në vitet ‘90, historia e suksesit të Kalenderit është mbase më e rralla. Shumë emigrantë kosovarë e përshkruajnë jetën jashtë vendit si një betejë konstante për të mbajtur familjet e tyre. Të qenit biznesmen nuk e bën Agimin të veçantë mes diasporës kosovare, por marrëdhënia e tij me Kosovën dhe veçanërisht dëshira e tij e madhe për të investuar në vendlindjen e tij. “Unë jam shqiptar Kosove. Do të doja shumë të investoja në vendin tim, por klima e investimeve duhet ende të përmirësohet. E vërteta është se ne nuk kemi siguri për kapitalin tonë”, – shprehet ai. Ashtu si Agimi, shumë investitorë potencialë hezitojnë, për shkak të frikës së hyrjes në një ekonomi të pllakosur nga papunësia, inflacioni dhe varfëria.

(më tepër…)

Read Full Post »

Isa Mulaj

Transicioni i shoqëruar me shpërbërjën e ish-Jugosllavisë rezultoj me hartimin dhe zbatimin e politikave ekonomike divergjente nga shtetet e reja. Tregu i përbashkët Jugosllav ishte çintegruar dhe në vend të tij u shfaqen shumë pengesa në shkëmbimet tregatare. Nga një ekonomi që për dy dekada deri në fillim të viteve ’80-ta kishte pasur bilanc pozitiv në tregtinë e jashtme, gjatë transicionit për në ekonominë e tregut në kuptimin e plotë (ish-Jugosllavia ka qenë ekonomi gjysmë e tregut) shtetet e reja, me përjashtim të Sllovenisë, ende kanë deficit të lartë tregtar.

Sipas statistikave zyrtare, eksporti i Kosovës gjithmonë ka qenë shumë më i vogël se importi. Në vitin 1987, afër 2/3 e bruto prodhimit material (kështu quhej atëherë) të Kosovës ishte tregtuar në tregun lokal dhe më pak se 1/4 në njësitë tjera federative të ish-Jugosllavisë. Vetëm 12% e tregtisë së përgjithshme llogaritej si eksport në shtetet e jashtme ose mbulesë e importit me eksport. Nëse kësaj i shtohet edhe eksporti brenda ish-Jugosllavisë, eksporti i Kosovës ka qenë ndërmjet 35% dhe 36% e importit të përgjithshëm. Dy dekada me vonë ose në fund të vitit 2007, ky tregues siç e raporton Ministria e Tregtisë dhe Industrisë është vetëm 6,4%. Kjo mbulesë tejet e vogël duket si përmirësim nga vitet paraprake kur kishte qenë 5,7% më 2006 dhe 4,1% më 2005.

(më tepër…)

Read Full Post »

Turist në Prishtinë

Ky reportazh është shkruajtur nga Sophie Middlemiss për të përjavshmen britanike “The Observer”. Artikulli u botua më datën 22 qershor 2008.

Pse pikërisht tash?

Shteti më i ri në botë, Kosova, ka deklaruar pavarësinë në muajin shkurt. Festat e rrugëve ndoshta tani kanë mbaruar, por se emocionet ende janë të dukshme në kryeqytetin e Kosovës, në Prishtinë, një qytet i sigurt dhe i ngjeshur, i përkryer për një eksplorim në fundjavë.

Të dielën e kaluar është miratuar kushtetuta e Kosovës, ndërsa himni kombëtar që thuhet se është i titulluar “Evropa”, është luajtur nga Filarmonia e Kosovës.

Ndërtesa e Rilindjes, PrishtinëVendtakimi i moçëm

E ngritur mbi të metat e saj, me mbishkrim të ndritur dhe verandë me bar artificial, Hotel Grandi është ende vendtakimi kryesor në kryeqytet. Hotel Afa, i këndshëm dhe i nivelit mesatar ka pasur një ide frymëzuese duke ofruar zbritje prej 20 për qind për qytetarët e vendeve që kanë njohur pavarësinë e Kosovës (duke përfshirë edhe Britaninë). Përvojën më të mirë për fjetje do ta keni në një shtëpi familjare të një ish-profesori në universitet; Guesthouse Velani. Është e panjollë, mikpritëse dhe e lirë, ku nata kushton 13 euro.

(më tepër…)

Read Full Post »

Përfaqësuesit e Delegacionit faktmbledhës të Komitetit Buxhetor të Parlamentit Evropian, pas qëndrimit dyditësh në Kosovë, thanë se është me rëndësi që të ketë një kontroll të shfrytëzimit të parave dhe transparencë për përfitimet që mund të ketë në të ardhmen Qeveria e Kosovës dhe institucionet në ndërtimin e vendit.

Kosovës i nevojitet një gjykatë funksionale e auditorëve, kanë bërë të qartë ata.

BE-ja ka investuar deri më tash rreth 2 miliardë euro në Kosovë ndërsa delegacioni i cili, gjatë vizitës, ka pasur takime të shumta ka vlerësuar se shumica e projekteve të bizneseve të vogla janë mjaftë inkurajuese, mirëpo siç u shprehën përfaqësuesit e këtij delegacioni, ka pasur edhe kritika se çka duhet të përmirësohet në të ardhmen.

Kryesuesi i këtij delegacioni, Herbert Bosch, tha se të gjitha përshtypjet do të paraqiten në raportin e përgatitur për këtë vizitë, në mënyrë që Parlamenti Evropian të informohet mbi çështjet e asistencës financiare nga vendet e BE-së.

(më tepër…)

Read Full Post »

Isa Mulaj, hulumtues i lartë dhe koordinator për Kosovë i Institutit për Studime dhe Analiza të Politikave Ekonomike

Nëse ndonjëherë populli bëhet i pavëmendshëm ndaj punëve publike, unë dhe ti, Kongresi dhe kuvendet, gjykatësit dhe guvernatorët, të gjithë duhet të bëhemi ujq
-Thomas Jefferson-

Sheshet janë pjesë e infrastrukturës së qyteteve. Prishtinës si kryeqytet i Kosovës, me përjashtim të disa hapësirave të vogla rreth ndërtesave shoqërore, i ka munguar shumë një shesh i mirëfilltë dhe i rregulluar. Qytetarët në përgjithësi e kishin mirëpritur vendimin e kuvendit komunal (KK) të Prishtinës për mbylljen e qarkullimit të automjeteve në një pjesë të rrugës Nënë Tereza dhe shndërrimin e saj në shesh, pa marrë parasysh se me këtë projekt do të ngarkohej qarkullimi në rrugët tjera të kryeqytetit ende pa i gjetur alternativat e lehtësimit të tollovisë në komunikacion. Projektin po e përkrahte edhe Programi i Kombeve të Bashkura për Zhvillim (UNDP) në Kosovë.

(më tepër…)

Read Full Post »

Isa Mulaj

Kaloj edhe euforia e festës së pavarësisë politike, së paku për qytetarët e zakonshëm dhe armatën e të papunëve. Politikanët dhe analistët vendorë dhe të huaj me plot të drejtë, por si gjithmonë me shumë vonesë, filluan ta ngrisin zërin dhe prezencën e tyre në media se sfida kryesore e Kosovës tani është zhvillimi ekonomik. Krijohet një dozë dyshimi nëse ky zhvillim ka qenë prioritet edhe më herët, apo prioritetin e tij e kishte ngulfatur prezenca e tepërt e çështjeve politike ditore që vazhdon edhe sot.

Statusi ekonomik i Kosovës duket se është bërë shumë më i paqartë se ai politik, qoftë para apo pas shpalljes së pavarësisë. Me treguesit ekonomik Kosova është shumë më e pazhvilluar se edhe shtetet fqinje. Sipas studimit të Bankës Botërore (BB) që shfrytëzon të dhënat e Entit Statistikor të Kosovës, gati gjysma e popullsisë së Kosovës (45 përqind) jeton në varfëri pasi konsumi i tyre individual është më pak se 1,42 euro në ditë, dhe 18 përqind në varfëri të skajshme që matet me vlerën e konsumit individual prej më pak se një 1 euro në ditë. Përpos të dhënave që në Kosovë janë më të dyshimta se në çdo shtet tjetër të Evropës, ka edhe shumë paqartësi tjera në përllogaritjen e varfërisë. E para ka të bëjë me kufirin e varfërisë që e merr për bazë BB. Më herët ai ishte i shprehur në dollar Amerikan USD ($) dhe përdorej në tërë botën. Të njëjtin kufi (1.42$ për varfëri relative dhe 0.93$ për varfëri të skajshme) tani e shpreh në euro (€). Në momentin kur euro ishte futur në përdorim si monedhë, norma e këmbimit të saj me Dollarin Amerikan ishte e përafërt. Raporti i fundit i BB mbi vlerësimin e varfërisë në Kosovë e tregon kursin e këmbimit si 1$=0.71€ (me 3 tetor 2007) dhe vie në përfundim se norma e varfërisë kinse nuk është rritur nga periudha 2002/2003 kur ishte 37 dhe tani është 45 përqind. Raporti vetëm thotë se nuk ka përmirësim dhe ofron shumë sqarime për metodologjinë e ndërlikuar që është përdorur në përllogaritje dhe defektet e të dhënave. Saktësia dhe gabimet në përllogaritjen e normës së varfërisë nuk kanë rëndësi aq të madhe sa ka strategjia për luftimin dhe zbutjen e saj. Ndonëse BB hyn në detaje të thella me analiza statistikore rreth varfërisë si problem strukturor i Kosovës, ajo në raportin e saj në dy vëllime nuk ofron rekomdanime për politikat e zbutjes së varfërisë, por vetëm rekomandime rreth metodologjisë se si të përmirësohet përllogaritja e varfërisë. Pra, BB në Kosovë së pari iu desht të sqaroj të metat dhe kufizimet që i kishin përllogaritjet e mëparshme me këto të fundit (krahasimi i të dhënave, përzgjedhja e mostrës së anketimit, shpenzimet e ekonomive familjare, llojet e artikujve për konsum) dhe të sjellë këto tri rekomandime: 1) Mosndryshimi i pyetësorëve të anketave duhet të jetë qëllimi i anketimeve të ardhshme; 2) Është nevojë urgjente që të bëhet regjistrimi i popullsisë me qëllim të krijimit të një baze për zgjedhje të paanshme të mostrave; dhe 3) Është i nevojshëm edhe një administrim më i mirë i anketave dhe dokumentacionit për të gjithë hapat e procesit dhe të dhënat. Kuptohet se rezultatet nga baza më e mirë e të dhënave e ka rëndësinë e padiskutueshme kur hartohen politikat zhvillimore, porse ekspertiza e tillë nuk ka kurrfarë ndikimi në praktikë nëse në bazë të tyre nuk ndërmerret diçka konkrete rreth fenomeneve që hulumtohen. Nuk mjafton vetëm interpretimi i gjendjes por masat për ndryshimin e saj. Kjo duhet të mbahet mend mirë kur dihet se moto e BB është “Our dream is a world without poverty” (ëndrra jonë është një botë pa varfëri). Se sa është BB vet në fuksion dhe angazhim të bërjes realitet të kësaj ëndrre, gjithmonë ka qenë diskutabile përkundër se i ka mjetet. Bile ajo së bashku me Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN) shpesh janë akuzuar për ndjekjen dhe zbatimin e politikave të gabuara lidhur me uljen a varfërisë në vendet në zhvillim. Kritikuesi më i ashpër i këtyre politikave është nobelisti Joseph Stiglitz, i cili ka shërbyer si ekonomist udhëheqës i BB. Nga analiza në librin e tij Globalization and its discontents (Globalizimi dhe pakënaqësitë rreth tij) të përkthyer në 40 gjuhë të botës, ai tregon se politikat ekonomike të FMN-së dhe BB nëse nuk e kanë përmirësuar gjendjen e shumë shteteve në zhvillim, në masën më të madhe e kanë përkeqësuar. Edhe rekomandimet për Kosovën të BB se si të përmirësohet efikasiteti në qeverisjen e anketave dhe rekomandimet e detyrueshme të FMN-së për Qeverinë se nuk mund t’i rris pagat në sektorin publik, sidomos për punonjësit e arsimit, duket se janë modele standarde që i kritikon Stiglitz. Çështja nuk është nëse FMN-ja dhe BB mundet apo jo ta zbusin varfërinë por vetëm nëse duan. Deri sot ato nuk kanë dashur. Për më tepër, ekzistojnë dyshime se BB nuk do ta marr rolin udhëheqës në konferencën e donatorëve për Kosovën që do të mbahet në Bruksel me 11 korrik 2008, me arsyetimin se Kosova ende nuk është anëtare e kësaj organizate ndërkombëtare.

(më tepër…)

Read Full Post »

Drejtuesi i Organizatës për demokraci, antikorrupsion dhe dinjitet-“Çohu”, Avni Zogiani, ka prezantuar sot në një takim me gazetarë një studim që i ka bërë kjo organizatë, tregut të telekomunikacionit. Ai tha se sektori publik në vendin tonë po dëmtohet nga korruptimi i spektrit politik i cili, sipas tij, po favorizon konfliktin e interesave në dy kompanitë kryesore që ofrojnë shërbime telefonike dhe internet.

Analiza e paraqitur nga organizata ÇOHU ka të bëjë me dy kompanitë e mëdha në vendin tonë. PTK dhe IPKO. Kompanitë publike kanë pasur pasoja nga politizimi, tha Zogiani. Ai shtoi se kjo analizë përfshinë një rast të veçantë të favorizuar nga qeveria aktuale.

“Në përgjithësi mund të themi se sektori i kompanive publike po vuan nga mungesa e një titullari, i cili do ta mbronte pronën publike. Nuk ekziston një zot shtëpie i cili merret me mbrojtjen e interesit qytetar, kur kemi të bëjmë me kompanitë publike”, ka thënë Zogiani.

Në sektorin e telekomunikacionit janë organizuar dy tenderë për operatorin e dytë të telefonisë mobile dhe të që të dy kanë qenë të përcjellur me afera të jashtëzakonshme korruptive, të cilat pastaj kanë finalizuar një operator të dytë publik me titullar të atyre njerëzve që kishin dështuar në tenderin e parë, për shkak të dyshimeve për korrupsion.

“Në këtë proces është vendosur ndikimi politik, janë blerë politikanë, janë blerë partitë politike të cilat tashti janë të pafuqishme për të vepruar. ART-ja nuk është konstituuar asnjëherë. ART-ja është një njeri, ose eventualisht janë dy-tre njerëz të cilët nuk e kanë konstituuar bordin asnjëherë. Asnjë parti politike nuk mundet me intervenu sepse janë ashiqare të lidhur në interesa korruptive me ART-në. Politika kosovare sot është e pafuqishme që të vendosë ligj në ART, duke qenë se ata kanë korruptuar politikën kosovare”, thotë Zogiani.

(më tepër…)

Read Full Post »

Qeveria e Kosovës bashkë me Kuvendin, Presidencën dhe Zyrën e kryeministrit Hashim Thaçi, vetëm për tre muajt e parë të këtij viti ka shpenzuar hiç më pak se mbi 1 milion e 300 mijë euro të buxhetit, për ushqim dhe pije për stafin e tyre, si dhe për dreka e darka zyrtare, bën të ditur në numrin e sotëm gazeta Koha Ditore.

Rekordin e shpenzimeve të tilla, sipas kësaj gazete, mbajnë Ministria e Drejtësisë, ajo e Arsimit dhe Ministria e Shëndetësisë, por jo larg tyre qëndron edhe Zyra e kryeministrit Thaçi.

Bazuar në raportin tremujor të shpenzimeve për këtë vit, të cilin e ka siguruar “Koha Ditore”, kryeministri Hashim Thaçi, i cili, derisa ishte në opozitë, ka bërë zhurmë rreth këtyre shpenzimeve, gjsatë të muajve të parë të këtij viti për stafin e Zyrës së tij ka bërë shpenzime të përgjithshme në vlerë prej mbi 300 mijë eurosh më shumë se sa që ka bërë kjo zyrë në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, kur udhëhiqej nga paraardhësi i tij, Agim Çeku.

Telegrafi

Read Full Post »

Ndër të gjitha sfidat me të cilat përballet Kosova, por edhe komuniteti ndërkombëtar, pas pavarësisë, ndoshta më e mprehta është gjendja e pakicave. Ndërsa plani Ahtisaari i garanton të drejtat e tyre, zbatimi mbetet kyçi i suksesit. Pikërisht këto probeme ishin në qendër të një seance të Komisionit amerikan për Sigurimin dhe Bashkëpunimin në Evropë, ose komisioni i Helsinkit. Komisioni kishte ftuar për të dëshmuar të martën Komisionerin e Lartë të OSBE-së për të drejtat e pakicave, Knut Vollebaek.

Që gjendja e pakicave në Kosovë ka nevojë për përmirësime të thella, për këtë thuajse të gjithë janë dakord.

“Diskriminimi, mungesa e lirisë së lëvizjes, vështirësitë ekonomike dhe rreziku për dhunë, janë të gjitha pjesë të jetës së përditshme për disa komunitete në Kosovë”.

(më tepër…)

Read Full Post »

 


Organizata Freedom House publikoi në Uashington raportin vjetor për lirinë e shtypit në botë.

Lidhur me Kosovën, raporti thotë se sistemi i liçensimit të mediave atje është i komplikuar dhe jo koherent. Gjatë vitit të kaluar ka patur njoftime për një numër incidentesh dhune dhe shumë herë gazetarët janë ankuar se nuk janë lejuar të shfrytëzojnë burimet e informacionit publik.Drejtuesit e Freedom House thanë dje në prezantimin e rezultateve të raportit, në muzeun e ri të shtypit Newseum se në shkallë botërore, gjendja e shtypit në vitin 2007 u keqësua, me rënien më të madhe në Evropën Lindore dhe ish vende të Bashkimit Sovjetik.

Raporti është hartuar për periudhën para se Kosova të bëhej e pavarur dhe Karin Deutch Karlekar, studiuese e organizatës Freedom House, thotë se ndoshta raporti i vitit të ardhshëm do të përfshijë një kapitull më vete për shtetin e ri.

(më tepër…)

Read Full Post »

Sot lexova tek RTK-ja se biletat e autobusit për udhëtime brenda Prishtinës prej sot kushtojnë 40 eurocent. Çmimi deri më tani ishte 30 cent.  Qytetarët me të drejtë ankohen se rritja e çmimit do të rëndojë edhe më shumë buxhetin e tyre kurse zyrtarët (nuk shkruan se cilët, por me siguri ata komunal) përgjigjen se rritja është simbolike. Unë nuk e di se si e definojnë fjalën simbolike këta zyrtar por një rritje e çmimit prej 33,3 % pa marrë parasysh të ardhurat nuk mund të konsiderohet simbolike, posaçërisht në një vend të varfër si Kosova.

Molla e Kuqe

Read Full Post »

Kam zgjedhur të përdor vetëm inicialet e emrit të personit në fjalë pasi që ky artikull është/ mund të bëhet barrë për atë dhe rrethin e tij (Molla e Kuqe)

B. S. (31) nga një fshat i Vushtrrisë, ka marrë vendimin përfundimtar. Ai ka vendosur të shesë njërën nga veshkat e tij. B. S. beson se nuk ka më asnjë rrugë tjetër për të shpëtuar nga gjendja e vështirë ekonomike, në të cilën ndodhet familja e tij.

“Këtë e kam vendosur. Nuk është e lehtë. Ai që ofron 160 mijë euro, duke përfshirë edhe shpenzimet mjekësore, e ka të sigurt veshkën time”, thotë B. S. për Express.

Ai, gruaja e tij dhe vajza E. S., 15-muajshe, jetojnë si të mundën. Tash kanë dy javë që janë vendosur në Prishtinë, në lagjen “Kolovicë”, në një shtëpi të vjetër njëdhomëshe.

(më tepër…)

Read Full Post »

Rreth 1100 qytetarë të Kosovës janë të përfshirë në një projekt për punësimi i cili është duke u realizuar nga programi për zhvillim i Kombeve të Bashkuara.

Tetëdhjetë veta janë përfshirë në këtë projekt edhe në komunën e Suharekës në jug perëndim të Prishtinës, 50 për qind prej tyre janë të gjinisë femërore, Merita Isufi përfaqësuese e Programit për Zhvillim të Kombeve të bashkuara thotë se qëllimi i tyre është që të sigurohen se personat e përfshirë në projekt janë duke përfituar përvojat e duhura dhe të mos jenë më në listën e punë kërkuesve. Kemi një përfshirje edhe të pakicave me rreth 18 për qind, thotë ajo duke nënvizuar se projekti nuk është i përqendruar vetëm në një vend por në tërë Kosovën.

(më tepër…)

Read Full Post »

Liga e Socialdemokratëve të Vojvodinës ka dënuar aksionin e një grupi qytetarësh, të cilët në Sombor ndajnë falas bukë në mënyrë që qytetarët të mos blejnë në furrat e bukës në pronësi të shqiptarëve.

“Gjesti i tillë mund të karakaterizohet si fashist, sepse të përkujton kohën kur patriotët e rremë gjermanë në vitet tridhjetë bojkotonin tregtarët çifutë, gjë që në fund përfundoi me hollokaust”, thuhet në një reagim të kësaj partie të Vojvodinës.

Ndërkaq, në një koment të gazetës “Politika” po në këtë temë, me titull “Vekna (buka) e turpit” theksohet se “ndarja falas e bukës, e cila turpëron të gjithë qytetarët e Somborit, që turpëron Vojvodinën dhe tërë Serbinë, po vazhdon çdo mëngjes gjithnjë deri më sot, por që askush nga komepetentët nuk e ka parë të nevojshme të bëjë diçka dhe nga mendja fodull e një numri të vogël të mbrojë fqinjët e tyre”. Por, ndërsa kjo farsë shoveniste po vazhdon prej dy javësh në Sombor, e cila është shoqëruar edhe me sulmet ndaj pronave të shqiptarëve, shefi i diplomacisë serbe Vuk Jeremiq dje ka folur në një mbledhje të Këshillit të drejtave të njeriut në Kombet e Bashkuara në Gjenevë për Vojvodinën si shembull kur respektohen të drejtat e njeriut dhe ato janë në nivelin më të lartë!

 Qendra për Informim e Kosovës

Read Full Post »

Më 26 shkurt 2008, Ministri i Financave të Serbisë, z. Dinkiq ka deklaruar se Serbia duhet t’i ndalojë pagesat e borxheve të Kosovës, pasi që kjo e fundit e ka shpallur pavarësinë më 17 shkurt 2008. Qeveria e Serbisë do të vazhdojë ta diskutojë qëndrimin e saj rreth kësaj çështjeje. Sipas qeverisë së Serbisë, borxhi i supozuar është llogaritur të jetë rreth 1,264 miliardë dollarë amerikan. Çështja e borxhit dhe si duhet të zgjidhet ky problem është diskutuar në negociatat e fundit në mes të Prishtinës dhe Beogradit në procesin e udhëhequr nga Ahtisaari në Vjenë. Rreth gjysma e borxhit është ndaj Bankës Botërore, ndërsa gjysma tjetër është borxh ndaj Klubit të Parisit dhe atij të Londrës.

Ligjërisht, Kosova nuk është nënshkruese e këtyre kredive dhe si e tillë asnjë pjesë e borxhit nuk mund t’i transferohet automatikisht. Nënshkruese e borxhit ka qenë Republika Socialiste Federative e Jugosllavisë, dhe pasardhëset e saja, Republika Federative e Jugosllavisë, Serbia dhe Mali i Zi, si dhe në fund Serbia. Në aspektin ligjor, Qeveria e Serbisë është përgjegjëse për borxhin dhe çfarëdo ndalese e pagesës së borxhit pa marrëveshje me kreditorët dhe Republikën e Kosovës do të ketë pasoja vetëm për Serbinë. Megjithatë, autoritetet e Kosovës duhet të theksojnë përsëri gatishmërinë për të diskutuar këtë çështje.

Rekomandohet që sa i përket çështjes së borxheve, Qeveria e Kosovës t’i koordinojë politikat në bazë të parimeve në vijim:

1) Kosova duhet të shprehë gatishmërinë që të merr përsipër kthimin e kredive, që janë përdorur për projekte në Kosovë. Ekziston një numër i projekteve në Kosovë të cilat janë financuar nga këto kredi. Kosova nuk duhet ta mohojë këtë dhe në rrugën drejt zhvillimit të shtetit të qëndrueshëm dhe të respektueshëm, duhet të pranojë obligimin moral që të merr përsipër borxhet të cilat i takojnë asaj.

2) Kosova duhet t’i pranojë borxhet vetëm pasi të verifikojë se ato fonde janë investuar në Kosovë. Kjo mund të bëhet duke e verifikuar dokumentacionin origjinal të kredive që momentalisht gjendet në Beograd. Pasi që borxhi është ndaj shumë kreditorëve individual është joreale të pritet që ky informacion mund të mblidhet nga këto institucione. Kosova nuk duhet të marrë përgjegjësinë për çfarëdo pjese të borxhit në qoftë se nuk ka qasje në këtë dokumentacion.

3) Kosova duhet të jetë e gatshme të diskutojë me Beogradin çështjen e borxheve siç është paraparë në Planin e Ahtisarit. Ekzistojnë disa raste ku dy shtete të ndara kanë diskutuar çështje të sukcesionit. Gjithashtu, të gjitha shtetet e tjera të pavarura të ish-Jugosllavisë kanë negociuar ndarjet e pasurisë dhe borxheve. Rasti i fundit ishte pavarësimi i Malit të Zi. Në shumicën e rasteve, pasi që diskutimet përfshijnë edhe ndarjen e kredive të paalokuara, (kreditë e përgjithshme), marrëveshjet përfshijnë edhe ndarjen e pasurive të shtetit, si edhe çështje të tjera të pazgjedhura të ndarjes.

Këto parime sigurojnë që Kosova është gati që të diskutojë pasuritë dhe obligimet për t’i respektuar përgjegjësitë dhe obligimet e veta; dhe vepron në pajtueshmëri me parimet e Planit të Ahtisaarit duke mos i dëmtuar interesat e saja financiare.

Instituti për Studime të Avancuara – GAP

Read Full Post »

Qeveria e Kosovës është në prag të një vendimi për ulje të madhe të pagave në ndërmarrjet publike. Menaxherët e Korporatës Energjetike të Kosovës, Postë- telekomunikacionit dhe Aeroportit të Prishtinës do t`i kenë pagat paralel me ata të administratës. Kjo nënkupton se këta menaxherë dhe punonjës tjerë të këtyre kompanive nuk do të marrin më nga dy a tri mijë euro në muaj, por 300 deri në 400 euro. Kjo do të bëhet për të nivelizuar pagat në tërë sektorët publikë të Kosovës.

E tërë administrata Kosovës, me rreth 75 mijë punëtorë, i kushton buxhetit të vendit 200 milionë euro në vit. Në anën tjetër, 15 mijë punëtorët e kompanive publike përbijnë mbi 100 milionë euro në vit. Vetëm 2400 punëtorët e PTKsë, për një motmot gëlltisin afër 28 milionë euro vetëm për paga. Kthyer në shqip, kjo i bie që çdo punëtor i kësaj korporate merr mesatarisht nga një mijë euro pagë në muaj. Kjo është më tepër se pesë fish se mesatarja e pagës së një buxhetori.

Pjesë nga artikulli i Gazetës Express

Read Full Post »