Enver Robelli, Koha Ditore
Gazetarë apo tregtarë? Në Kosovë po kopjohet modeli më i fëlliqur i gazetarisë – ai i Tiranës.
A duhet ti besohet një gazetari, i cili nëpër rrugët e Tiranës defilon me “Porche Cayenne”, fundjavën e kalon diku në vilën e tij në bregdetin shqiptar dhe përherë është i gatshëm që me ton dashamirës t’i promovoj politikanët në pushtet, duke zhvilluar me ta intervista pa asnjë pyetje kritike? Fakti që ky lloj gazetari krekoset me “Porche Cayenne” në njërin ndër vendet më të varfra të Evropës nuk ka fare të bëjë me zilinë sociale ndaj tij; përkundrazi: vozitja me “Porche Cayenne” është shenjë e mjaftueshme dalluese e korruptimit dhe të detyron të mendosh se ku pseudogazetar nuk ka mision publicistik, por ka zgjedhur gazetarinë si fushë tregtie për t’u pasuruar me metoda të fëlliqura. Në këtë rrugë ky oj gazetari është i gatshëm që në çdo kohë t’u lyej mustaqet me mjaltë politikanëve, të jetë përherë në pozitën e sahanlëpirësit, t’i shantazhoj qeveritarët në vendimmarrje derisa të fitoj ndonjë privilegj dhe, pastaj, t’i lavdëroj deri në qiell. Ky lloj bastardimi i gazetarit është në anën e pushtetarëve, deri në atë moment kur e vëren se në zgjedhjet e ardhshme do të fitoj opozita. Këtu e tutje ky tip gazetari idiot i vardiset opozitarëve si një kurvë, sepse e di se ata nesër do të jenë në pushtet. Shumica e politikanëve shqiptarë janë përherë të gatshëm të lozin këtë lojë me gazetarët e korruptuar, sepse kështu e kanë më lehtë të jenë të pranishëm në ekranet televizive dhe në gazeta. Shqipëria deri më tani ishte ndër vendet e rralla në Evropë, ku një pushtetar i lartë mund t’i telefononte një gazetari të ashtuquajtur prominent dhe t’i thoshte: “Dua të inkuadrohem drejtpërdrejt në emisionin tënd për të dhënë një mesazh për opinion”.
Për fatkeqësinë e Kosovës modeli i çoroditur i gazetarisë së Shqipërisë ka filluar ngaherë të kopjohet dhe në disa fletushka të Prishtinës. Gazetarë deri dje krejtësisht anonim, kacagjela të pështirë, hiqen si autoritete të publicistikës, shesin mend në veten e parë dhe – mbi të gjitha – shtyhen me bërryla se cili më së shumti do të dëshmohet në rolin e çanaklëpirësit në tezgën e pushtetarëve. Për këtë shërbim me përulësi të paparë ky soj gazetarëve të Prishtinës, shpërblehet prej autoriteteve. Dikur këto shpërblime janë dhënë edhe në formën e qofteve, ndonjë gotë me raki ose verë. Tash dhuratat janë shtuar, për shembull me hapësira banimi, troje, shtëpia, vetura, para të gatshme, me trajtim të privilegjuar, me gallata e darka, muhabete për jetën e natës, pushimet në plazhe etje.