Feeds:
Postime
Komente

Archive for the ‘Opinion’ Category

“Plani i Ahtisarit sipas mendimit tim është projekti i një shteti që formon kombin.”
“Ky është pragmatizmi i një klase politike, e cila historikisht, siç thashë, ka ardhur në pushtet nëpërmjet të huajve.”

Intervistë e Fatos Lubonjës botuar në gazetën kosovare “Epoka e re”. Intervistoi Dritan Dragusha.
-Më 17 shkurt 2008 është shpallur Kosova shtet i pavarur bashkë me rezolutën 1244, me pakon e Ahtisarit, pa ushtri, policinë nuk e kontrollon vetë, por dhe nuk e kontrollon një pjesë të territorit të vet. A mund ta quajmë këtë pavarësi sipas jush?

“Sigurisht që nuk është pavarësi. Në rastin më të mirë është pavarësi nga Serbia, nëse është. Gjykimi im për këtë situatë është se nuk jemi në një proces të përcaktuar qartazi, prerazi, vijëdrejtë, përkundrazi mjaft kontradiktor. Them kontradiktor në dy aspekte që duhen dalluar njëri nga tjetri. Njëri është procesi i kushtëzuar nga ndërkombëtarët, që marrin pjesë në proces me gjithë aktorët e vet, ndërsa tjetri është konteksti brenda Kosovës, ku ka edhe atje aktorë të ndryshëm, të cilët edhe ata janë në proces. Dhe po t’i shohësh të dyja palët, edhe ndërkombëtarët, edhe shqiptarët brenda, ku duhet të përfshijmë edhe pakicat e tjera, kanë kontradiktat e veta në këtë proces. Gjendja e Kosovës për sa i përket statusit të saj është pikërisht, për mendimin tim, shprehje e të gjitha këtyre kontradiktave. Më konkretisht, kur flas për ndërkombëtarët dhe kontradiktat mes tyre, kam parasysh: kontradiktat në një nivel gjeopolitiko-strategjik, ku mund të përmendja Rusinë me njërin krah që ka mbrojtur Serbinë dhe është kundër pavarësisë, me pjesën kryesore të Perëndimit me në krye SHBA-të që e mbështet. Por është edhe kontradikta që ka vetë Perëndimi brenda vetes në këto çështje. Disa shtete që kanë probleme të ngjashme, si Spanja dhe vende të tjera janë kundër. Po ashtu mendoj se ka edhe një kontradiktë tjetër, që nuk duhet harruar, që lidhet me pyetjen se ku po shkon Evropa. Ajo vetë është ngërthyer në kontradiktat midis atij që mund ta quajmë projekti i Evropës së Bashkuar, kozmopolite mënjanë dhe prirjet nacionaliste brenda shteteve të saj në anën tjetër. Edhe kjo është një kontradiktë e pazgjidhur. Padyshim që të gjitha këto reflektohen edhe në Kosovë, me një situatë paqartësie, siç e përshkruat edhe ju që jetoni atje çdo ditë. Nga ana tjetër, mendoj që edhe aktorët shqiptarë nuk është se janë të gjithë bashkuar në këtë proces. Ndoshta i bashkon të gjithë ideja e pavarësisë, por nga ana tjetër shoh se kanë shumë kontradikta midis tyre. Po ashtu ,raporti i politikanëve shqiptarë me ndërkombëtarët nga njëra anë dhe bashkatdhetarët nga ana tjetër ngërthen brenda një kontradikte tjetër të fortë për mendimin tim. Ç’kuptoj me këtë? Kuptoj që ata duhet të përdorin dy gjuhë, dy kode. Njëra është gjuha që lidhet me projektin ndërkombëtar, Planin e Ahtisarit, që dukej qartë, p.sh., në fjalën që mbajti ditën e pavarësisë Thaçi, apo që u shfaq në flamurin që u valëvit në Parlament si flamur i Kosovës, ndërsa tjetra është gjuha nacionaliste me shqiptarët, në kuptimin e gjuhës së aspiratave të shqiptarëve që kanë qenë aspirata të ndërtimit të shtetit të tyre komb. Edhe në këtë të fundit përsëri, nëse i hyjmë edhe më thellë kontradiktave midis shqiptarëve, do të dallojmë një projekt për një Kosovë të pavarur, shtet më vete, dhe një projekt për bashkim me Shqipërinë. Të gjitha këto që numërova e bëjnë situatën dhe këtë proces mjaft të paqartë e aspak vijëdrejtë”.

(më tepër…)

Read Full Post »

Enver Robelli, Koha Ditore

Gazetarë apo tregtarë? Në Kosovë po kopjohet modeli më i fëlliqur i gazetarisë – ai i Tiranës.

A duhet ti besohet një gazetari, i cili nëpër rrugët e Tiranës defilon me “Porche Cayenne”, fundjavën e kalon diku në vilën e tij në bregdetin shqiptar dhe përherë është i gatshëm që me ton dashamirës t’i promovoj politikanët në pushtet, duke zhvilluar me ta intervista pa asnjë pyetje kritike? Fakti që ky lloj gazetari krekoset me “Porche Cayenne” në njërin ndër vendet më të varfra të Evropës nuk ka fare të bëjë me zilinë sociale ndaj tij; përkundrazi: vozitja me “Porche Cayenne” është shenjë e mjaftueshme dalluese e korruptimit dhe të detyron të mendosh se ku pseudogazetar nuk ka mision publicistik, por ka zgjedhur gazetarinë si fushë tregtie për t’u pasuruar me metoda të fëlliqura. Në këtë rrugë ky oj gazetari është i gatshëm që në çdo kohë t’u lyej mustaqet me mjaltë politikanëve, të jetë përherë në pozitën e sahanlëpirësit, t’i shantazhoj qeveritarët në vendimmarrje derisa të fitoj ndonjë privilegj dhe, pastaj, t’i lavdëroj deri në qiell. Ky lloj bastardimi i gazetarit është në anën e pushtetarëve, deri në atë moment kur e vëren se në zgjedhjet e ardhshme do të fitoj opozita. Këtu e tutje ky tip gazetari idiot i vardiset opozitarëve si një kurvë, sepse e di se ata nesër do të jenë në pushtet. Shumica e politikanëve shqiptarë janë përherë të gatshëm të lozin këtë lojë me gazetarët e korruptuar, sepse kështu e kanë më lehtë të jenë të pranishëm në ekranet televizive dhe në gazeta. Shqipëria deri më tani ishte ndër vendet e rralla në Evropë, ku një pushtetar i lartë mund t’i telefononte një gazetari të ashtuquajtur prominent dhe t’i thoshte: “Dua të inkuadrohem drejtpërdrejt në emisionin tënd për të dhënë një mesazh për opinion”.

Për fatkeqësinë e Kosovës modeli i çoroditur i gazetarisë së Shqipërisë ka filluar ngaherë të kopjohet dhe në disa fletushka të Prishtinës. Gazetarë deri dje krejtësisht anonim, kacagjela të pështirë, hiqen si autoritete të publicistikës, shesin mend në veten e parë dhe – mbi të gjitha – shtyhen me bërryla se cili më së shumti do të dëshmohet në rolin e çanaklëpirësit në tezgën e pushtetarëve. Për këtë shërbim me përulësi të paparë ky soj gazetarëve të Prishtinës, shpërblehet prej autoriteteve. Dikur këto shpërblime janë dhënë edhe në formën e qofteve, ndonjë gotë me raki ose verë. Tash dhuratat janë shtuar, për shembull me hapësira banimi, troje, shtëpia, vetura, para të gatshme, me trajtim të privilegjuar, me gallata e darka, muhabete për jetën e natës, pushimet në plazhe etje.

(më tepër…)

Read Full Post »


Më 17 u shpall pavarësia e Kosovës. Po në te njëjtën ditë Kosova u bë edhe me flamur. Deri më tani ishte përdorur flamuri i Shqipërisë me shqiponjën e zezë dykrenare në sipërfaqe të kuqe.

Prej kësaj dite Kuvendi i Kosovës vendosi se Kosova do të kishte një flamur të ri që i përngjante shumë flamurit të Bashkimit Europian, njërit prej dy mbështetësve kryesor të pavarësisë së Kosovës. Flamuri i kaltër me hartën e Kosovës në mes dhe 6 yje përmbi, u përqafu shumë shpejt nga populli i Kosovës dhe menjëherë filloj të valëvitej përpara ndërtesave zyrtare.

Flamuri që u paraqit në sallën e Kuvendit të Kosovës më 17 maj, kishte një hartë të Kosovës me ngjyrën të verdhë (kosovarçe sarihtë) dhe unë por edhe gjithë të tjerët menduan se ky ishte flamuri i ardhshëm. Por kur filluam të shohim një flamur tjetër u hutuam. Në shumë raste harta e Kosovës që është pjesë e flamurit, nuk ishte më e verdhë por e artë.

Cili është flamuri zyrtar i shtetit më të ri të Europës? Këtë pyetje i kam bërë vetes disa herë dhe ende nuk kam arrit të gjejë një përgjigje të saktë.

Vendosa ti përdor ato resurse që janë në internet dhe së pari shkova te faqja në internet e kryeministrisë. Në anën e djathtë pashë stemën por edhe flamurin dhe këtu harta e Kosovës ishte e artë. Erdhe te përfundimi se flamuri zyrtar, ai i sakti, ishte ai që kishte hartën e artë. Por për të qenë krejtësisht i sigurt vendosa të kërkoj në Google edhe faqen e Kuvendit të Kosovës. U befasova. Këtu në krye të faqes ishte përdorur një stemë ku harta e Kosovës ishte e verdhë, bile e verdhë e ndezur. Deri tash e kisha parë një me hartë të artë dhe një me hartë të verdhë, kështu që e vizitova edhe faqen e presidentit dhe edhe aty stema që ishte përdorur kishte hartën e artë.

Cili flamuri është flamuri (zyrtar) i Kosovës? Kësaj pyetje do të duhet t’i përgjigjen qeveria e Kosovës, p.sh. Hajredin Kuçi që ka qenë përgjegjës për koordinimin e punës në lidhje me simbolet e shtetit të Kosovës. Le ta dinë se nuk është mirë që kanë krijuar kaq shumë konfuzion se cili është flamuri i Kosovës. Shumë po habitem se si ata vetë nuk e kanë parë se institucionet e ndryshme të Republikës së Kosovës po përdorin stema dhe flamuj të ndryshëm.

Molla e Kuqe

Read Full Post »

Isa Mulaj

Transicioni i shoqëruar me shpërbërjën e ish-Jugosllavisë rezultoj me hartimin dhe zbatimin e politikave ekonomike divergjente nga shtetet e reja. Tregu i përbashkët Jugosllav ishte çintegruar dhe në vend të tij u shfaqen shumë pengesa në shkëmbimet tregatare. Nga një ekonomi që për dy dekada deri në fillim të viteve ’80-ta kishte pasur bilanc pozitiv në tregtinë e jashtme, gjatë transicionit për në ekonominë e tregut në kuptimin e plotë (ish-Jugosllavia ka qenë ekonomi gjysmë e tregut) shtetet e reja, me përjashtim të Sllovenisë, ende kanë deficit të lartë tregtar.

Sipas statistikave zyrtare, eksporti i Kosovës gjithmonë ka qenë shumë më i vogël se importi. Në vitin 1987, afër 2/3 e bruto prodhimit material (kështu quhej atëherë) të Kosovës ishte tregtuar në tregun lokal dhe më pak se 1/4 në njësitë tjera federative të ish-Jugosllavisë. Vetëm 12% e tregtisë së përgjithshme llogaritej si eksport në shtetet e jashtme ose mbulesë e importit me eksport. Nëse kësaj i shtohet edhe eksporti brenda ish-Jugosllavisë, eksporti i Kosovës ka qenë ndërmjet 35% dhe 36% e importit të përgjithshëm. Dy dekada me vonë ose në fund të vitit 2007, ky tregues siç e raporton Ministria e Tregtisë dhe Industrisë është vetëm 6,4%. Kjo mbulesë tejet e vogël duket si përmirësim nga vitet paraprake kur kishte qenë 5,7% më 2006 dhe 4,1% më 2005.

(më tepër…)

Read Full Post »

Gazeta Express kishte dje një artikull për paraqitjet skenike të shumë këngëtarëve kosovare dhe ndikimin negativ që këto paraqitje kanë tek fëmijët.

Nga paslufta në Kosovë është bërë ligj i pashkruar për këngëtaret, se nëse dëshirojn të bëhesh e suksesshme duhet të zhvishesh sa më shumë që mundesh. Bile disa nga këngëtaret besojnë se ka lidhje mes cullakut dhe famës që arrihet. Sa më shumë cullak, aq më shpejt arrihet maja. Kënga dhe zëri nuk janë edhe aq të rëndësishme.

Më herët kur dikush ka ngritur zërin kundër kësaj dukurie negative, përgjigjja që ka marrë gjithmonë ka qenë se këto vajza po e modernizojnë Kosovën, po na çojnë më afër perëndimit e Evropës. Nga frika për t’u etiketuar të prapambetur shumë analist, sociolog, psikolog kanë zgjedhur që të mos flasin.

Por artikulli ne Express tregon se ka që nuk frikësohen nga etiketime të tilla dhe shprehin mendimet e tyre për këtë dukuri negative qe tani e dhjetë vite me radhë e ka vërshuar Kosovën.

“Duhet të kuptohet se edhe gjysmë-lakuriqësia nxit efekt erotik, sidomos tek fëmijët pasi që fëmija qysh në moshën shtatë vjeçare mendon për gjininë e kundërt dhe seksin. Këngëtaret e estradës nuk mendojnë aspak për këtë. Madje, ato, kështu nuk i imitojnë as yjet amerikanë të muzikës, pasi që Madonna shpeshherë ka mbajtur edhe ligjërata për edukatën seksuale para nxënësve të shkollave fillore amerikan dhe se vet ajo si këngëtare nuk lejon që video-spotet e saj të transmetohen në orët e mëngjesit nëpër televizionet amerikane”, thotë Mimoza, studente e Psikologjisë në Fakultetin Filozofisë në Prishtinë.

“Ndikojnë negativisht, si model i këndimit, vallëzimit dhe lëvizjeve të ndryshme skenike. Kjo ndikon negativisht dhe shihet edhe në koncertet e fëmijëve të shkollave kosovare, sidomos tek vajzat e shkollave fillore, të cilët imitojnë në gjeste, në veshje dhe lëvizje këngëtaret e estradës”, thotë sociologu Shemsi Krasniqi.

“Tek fëmija, sidomos pamja origjinale e këngëtarit nëpër qytet gjysmëlakuriqe ndikon keq. Kështu që një dalje e tyre në veshje normale do të ndikonte pozitivisht. Madje një dalje e tillë do të ndikonte tek këngëtari për të pasur një vlerësim më të mirë dhe më të pranueshme tek adhuruesit e tyre”, thotë psikologu Agim Selimi.

Trendi me kengetaret gjysëm të zheshura fillio në fund të viteve të 90-ta dhe pioniere e këtij trendi ishte këngëtarja e mirënjohur Adelina Ismajli. Më poshtë mund ta shihni një klip nga viti 1998 ku Ismajli këndon këngën Sajzeza me grupin shqiptar nga Maqedonia “Elita 5”. Paraqitjet skenike si kjo deri në atë kohë ishin të pazakonta. Pas kësaj filluan edhe këngëtaret tjera si Bleona Qereti, Genta Ismajli, Ciljeta, Nora Istrefi etje.

Për ta parë këtë klip kliko këtu.

Molla e Kuqe

Read Full Post »

Po sjelli disa fragmente nga një intervistë e shkrimtarit dhe publicistit Fatos Lubonja dhënë Blendi Fevziut në emisionin Opinion gjatë muajit maj.

Në këtë intervistë shtjellohen shumë tema por unë po sjelli vetëm përgjigjet e Lubonjës në lidhje me identitetin shqiptar.

Cilat janë sipas jush mangësitë historike të romanit të Blushit?

Mangësia kryesore e romanit, në thelb, – nuk po hyjmë në detaje, – është që autori nuk di se ajo që ai e quan “shqiptarizmi”, ndjenja e të qenit shqiptar, nuk është ashtu sikurse është mësuar, (sepse edhe ai e ka mësuar këtë) nga letërsia e mëparshme, një gjë që ka ekzistuar qysh në krye të herës dhe ka qenë njëlloj vazhdimisht, por se kemi të bëjmë me një ndjenjë (kombëtare) që lind në shek. XIX.

Në 1850-ën thoni ju, duke iu referuar Veqilharxhit…

Afërsisht. I referohem një sërë lëvizjesh që lindën në atë kohë, në një kontekst më të gjerë. Dhe, kur ti vendos shqiptaristë në shekullin e XVIII, është njëlloj sikur të bësh një roman për shek. XIX dhe të vendosësh regjime komuniste, komunistë si këta të sotmit.

Nuk ka patur ndjenjë shqiptarie para shek. XIX z. Lubonja? Se ky është thelbi i pyetjes…

(më tepër…)

Read Full Post »

Përfaqësuesit e Delegacionit faktmbledhës të Komitetit Buxhetor të Parlamentit Evropian, pas qëndrimit dyditësh në Kosovë, thanë se është me rëndësi që të ketë një kontroll të shfrytëzimit të parave dhe transparencë për përfitimet që mund të ketë në të ardhmen Qeveria e Kosovës dhe institucionet në ndërtimin e vendit.

Kosovës i nevojitet një gjykatë funksionale e auditorëve, kanë bërë të qartë ata.

BE-ja ka investuar deri më tash rreth 2 miliardë euro në Kosovë ndërsa delegacioni i cili, gjatë vizitës, ka pasur takime të shumta ka vlerësuar se shumica e projekteve të bizneseve të vogla janë mjaftë inkurajuese, mirëpo siç u shprehën përfaqësuesit e këtij delegacioni, ka pasur edhe kritika se çka duhet të përmirësohet në të ardhmen.

Kryesuesi i këtij delegacioni, Herbert Bosch, tha se të gjitha përshtypjet do të paraqiten në raportin e përgatitur për këtë vizitë, në mënyrë që Parlamenti Evropian të informohet mbi çështjet e asistencës financiare nga vendet e BE-së.

(më tepër…)

Read Full Post »

Hymni i Kosovës

Aty po e flet nena gjuhen shqipe
Aty shendrite Hena e Dielli -po tybe
Aty s`do te kishte vuajtje edhe gazep
Po te ishin bijt e saj te lidhur me rrespekt

Aty me te vertete flamurin e mbushen “zvezdicat”
Se u harruan Bajram Currat e Shote Galicat
Aty ku minoriteti matet me grad cellxiusi
jete te gjate sdo te kete jo qebesa flamuri si Miki Mausi

Aty edhe ku meshkujt lidhen
Me kablla te perziera
E tradhetojin gjinin tjeter te bukur
Nganjehere sa rete ne hapsira

Aty eshte Kosova ime
Qe duron stuhine e duron Deboren
Aty jetojin edhe ata
Qe gjuajn gure e mshefin doren

Sabahate Byci

Read Full Post »

Isa Mulaj, hulumtues i lartë dhe koordinator për Kosovë i Institutit për Studime dhe Analiza të Politikave Ekonomike

Nëse ndonjëherë populli bëhet i pavëmendshëm ndaj punëve publike, unë dhe ti, Kongresi dhe kuvendet, gjykatësit dhe guvernatorët, të gjithë duhet të bëhemi ujq
-Thomas Jefferson-

Sheshet janë pjesë e infrastrukturës së qyteteve. Prishtinës si kryeqytet i Kosovës, me përjashtim të disa hapësirave të vogla rreth ndërtesave shoqërore, i ka munguar shumë një shesh i mirëfilltë dhe i rregulluar. Qytetarët në përgjithësi e kishin mirëpritur vendimin e kuvendit komunal (KK) të Prishtinës për mbylljen e qarkullimit të automjeteve në një pjesë të rrugës Nënë Tereza dhe shndërrimin e saj në shesh, pa marrë parasysh se me këtë projekt do të ngarkohej qarkullimi në rrugët tjera të kryeqytetit ende pa i gjetur alternativat e lehtësimit të tollovisë në komunikacion. Projektin po e përkrahte edhe Programi i Kombeve të Bashkura për Zhvillim (UNDP) në Kosovë.

(më tepër…)

Read Full Post »

Gjergj Driloni

Nuk di pse deri më sot nuk është dhënë asnjë skjarim lidhur me deklaratën për shpalljen e pavarësisë së Kosovës të cilën e (nuk)lexoi kryeministri Hashim Thaçi dhe tekstit të shkruar në këtë faqe, të cilat kanë një kontraditë shumë të madhe ndërmjet veti dhe ate në jo në cikrrime, por në gjërat , apo në terminologjinë e fjalëve përcaktuese të gjithë asaj që përmban Deklarata e shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës. Në deklaratë është shkruar kështu:- ‘…nëpërmjet kësaj Deklarate shpallim Kosovën shtet të pavarur dhe sovran.’, kurse kur e lexon Kryeministri Thaçi thotë:-‘…nëpërmjet kësaj Deklarate shpallim Kosovën shtet të pavarur dhe demokratik.’

-Cila prej këtyre varianteve është e vërteta dhe ku qëndron lajthitja?

-Pse nuk është bërë korrigjimi ,apo rektifikimi dhe riparimi i këtij lapsus lingue , apo lapsus calami , cilido qoftë ai ?

(më tepër…)

Read Full Post »

Edita Tahiri, kryetare e Alternativës Demokratike të Kosovës (ADK)

Kosova deklaroi pavarësinë dhe u bë tashmë një shtet i njohur ndërkombëtarisht nga pjesa më e fuqishme e bashkësisë ndërkombëtare. SHBA-të dhe vendet kryesore të Bashkimit Evropian e më gjërë e njohtën të drejtën e Kosovës për shtetësi dhe mirëpritën ardhjen e saj në familjen botërore të shteteve. Më 15 qershor 2008 hyri në fuqi Kushtetuta e Kosovës si dokument që legjitimon vullnetin e popullit për pavarësi dhe i cili vendos bazën ligjore të një shteti ligjor, demokratik, sovran e të pavarur. Kosova hapi një kaptinë të re, atë të shtetësisë dhe të sfidave që vijnë me të. Në këtë rrugëtim Kosova do të ketë për mbështetje praninë ndërkombëtare, ushtarake e politike, me ndryshime që përkojnë me realitete të reja por edhe të kushtëzuara nga kontekstet ndërkombëtare. Definimet e reja të pranisë ndërkombëtare u bënë të qarta këto ditë pas pritjeve dhe debateve se a thua çdo të sjellin udhëzimet e Sekretarit të Përgjithshëm to OKB-së, Ban Kimun. Nga dy letra që ai dërgoi një në adresë të Prishtinës dhe një në adresë të Beogradit (dhe në mungesë të informacionit se çka përmbanë letra/dokumenti që shoqëron letrën për Prishtinën) ajo që mund të konkludohet është se statusi i ri i Kosovës është ‘pavarësi plus protektorat asimetrik’.

(më tepër…)

Read Full Post »

Këshilli i Evropës po bën një fushatë që t’i bindë vendet anëtare të ndalojnë me ligj ndëshkimin trupor ndaj fëmijëve, që përfshin vënien dorë mbi fëmijët në familje, shkollë apo shoqëri.

Ndëshkimi trupor është një nga format më të dukshme të dhunës ndaj fëmijëve. Kjo dhunë ndodh në vende ku fëmijët duhet të jenë të mbrojtur, si në shkolla, familje, apo vende banimi.

Në shumë vende evropiane, shoqeria toleron, madje aprovon forma të caktuara të dhunës së zakonshme ndaj fëmijëve, veçanërisht në familje.

Këshilli i Evropës thotë se dhuna kundër fëmijëve duhet konsideruar si shkelje e të drejtave të njeriut dhe u kërkon të gjitha vendeve të ndalojnë me ligj të gjitha format e dhumës trupore, pa përjashtim.
Asnjë dhunë ndaj fëmijëve nuk është e justifikuar, çdo dhunë kundër fëmijëve është e parandalueshme.

Deri tani 47 vende anëtare të Këshillit janë angazhuar t’i japin fund këtij fenomeni, ndërsa 18 vende kanë aprovuar ligje për ndalimin e kësaj dhune dhe të paktën shtatë vende të tjera kanë premtuar ta bëjnë këtë në të ardhmen e afërt.

Motoja e OKB-së: Asnjë dhunë ndaj fëmijëve nuk është e justifikuar, çdo dhunë kundër fëmijëve është e parandalueshme.

Dihet se ndëshkimi trupor i fëmijëve është shumë i zakonshëm tek shqiptarët dhe ju lus që të jepni mendimin tuaj për këtë çështje.

– A duhet shteti ta ndalojë me ligj rrahjen e fëmijëve?

– A ka ndojë rast që ju do ta lejonit përdorimin e ndëshkimit trupor për fëmijët?

– Sa e përhapur është ky fenomen në vendin ku jetoni?

BBC Shqip

Read Full Post »

Edhe pse Serbia (e mbështetur nga Rusia) nuk e ka pranuar Planin e Ahtisaarit, qeveria dhe institucionet e Kosovës me një nguti të pashpjegueshme dhe këmbëgulësi të verbër po vazhdojnë me miratimin e përshpejtuar të projektligjeve që dalin nga ky plan. Plani i Ahtisaarit e legalizon ndarjen etnike dhe territoriale të Kosovës përmes formës së decentralizimit që synon ta zbatojë, kurse Beogradit ia mundëson zhvillimin e strategjisë së rikolonizimit të Kosovës përmes kthimit të serbëve të ikur nga Kosova dhe vendosjes së tyre ku nuk kanë banuar më parë, pra aty ku lidhen enklavat me njëra-tjetrën.

Njëri ndër rreziqet që përmban ky Plan, e i theksuar vazhdimisht nga Lëvizja VETËVENDOSJE!, është edhe procesi i shkombëtarizimit të Kosovës. Institucionet e pushtetit dhe disa qarqe të caktuara ndërkombëtare po synojnë zhveshjen e popullit të Kosovës nga identiteti ynë kombëtar, heqjen e flamurit, paraqitjen e popullit shqiptar asgjë më shumë sesa njëri nga gjashtë bashkësitë etnike që jetojnë në Kosovë etj.

Në kuadër të kësaj fushate shkombëtarizuese, qeveria e Kosovës ka propozuar edhe ligjin për rregullimin e festave shtetërore. Ajo që është skandaloze, e patolerushme, dhe luftë e hapur kundër identitetit tonë si komb, është fakti që ky ligj heq festën e 28 Nëntorit! Ligji parasheh si festa shtetërore të gjitha festat kryesore fetare, kurse mohon festën tonë kombëtare. Ligji jorastësisht lejon atë mbi të cilën kombi fragmentohet, por ndalon festën në të cilën i gjithë kombi bashkohet. Këto përpjekje janë në kundërshtim me prirjen historike të kombit tonë për theksimin e elementeve të përbashkëta kombëtare përmbi identitetet tjera alternative jokombëtare. Projekti i shkombëtarizimit, në krye të të cilit qëndron qeveria e Kosovës, është kundër përpjekjeve të parreshtura të lëvizjeve tona kombëtare që prej 1878 e deri sot.

E gjithë kjo po bëhet që pas disa vitesh ta harrojmë identitetin tonë kombëtar. Që flamuri i kuq me shqiponjën e zezë dykrerëshe një ditë të na duket i largët e i huaj. Këta njerëz duan që të vijë një kohë kur prishtinasi, drenicaku a pejani të mos ndjejnë kurrgjë të përbashkët me tiranasin, shkodranin a vlonjatin.

Në Kosovë sot kemi një elitë politike, kuazikulturore dhe pseudointelektuale që po përpiqet ta thellojë ndarjen që i ka ndodhur kombit shqiptar më 1913. Një tragjedi tonën të përbashkët, ata po mundohen të na e paraqesin si gëzimin më të madh. Në vend që politika të bëjë hapa në drejtim të cytjes së përmirësimit të padrejtësive historike që na janë bërë, këta politikanë po mundohen të ndërtojnë diçka të re mbi tragjedinë. Por mbi tragjedinë nuk mund të ngrihet asgjë e qëndrueshme.

Lëvizja Vetëvendosje

Read Full Post »

Mentor Shala, Gazeta Java

Derisa e ndigjova himnin m’u rrit krenaria…tash kemi shtet mendova, kushtetutë, flamur, stemë dhe himn. E kam nji bindje t’plotë se, edhepse pa tekst, himni i Kosovës ka me i ba qytetarët e saj me u çu n’kambë në ditën e parë që kanë me e ndigjue. Ashtu qysh e pranun flamurin, stemën, kushtetutën dhe elementet tjera të shtetit, edhe ma mirë kanë me e pranu edhe himnin e shtetit të tyne. Sepse, përnime ish himn që po t’bajke me u çu e me ndejt gatitu e me shpreh respektin. E përgëzoj edhe atë djalin e Lupçit që e kish komponu edhe komisionin që kish dijtë me e përzgjedh atë propozim-himn aq reprezentues, që nuk kish qysh mos me t’pëlqy.

Si qytetar i Kosovës i falënderoj shumë edhe kompozitorin edhe komisionin që kishin ditë me na gjetë ate melodi shumë moderne dhe shumë frymëzuese.

Me nji fjalë, ishte ma i mirë se tana himnet e shteteve t’botës!

Bile për mu!

Artikullin e plotë mund ta lexoni këtu

Read Full Post »

Isa Mulaj

Kaloj edhe euforia e festës së pavarësisë politike, së paku për qytetarët e zakonshëm dhe armatën e të papunëve. Politikanët dhe analistët vendorë dhe të huaj me plot të drejtë, por si gjithmonë me shumë vonesë, filluan ta ngrisin zërin dhe prezencën e tyre në media se sfida kryesore e Kosovës tani është zhvillimi ekonomik. Krijohet një dozë dyshimi nëse ky zhvillim ka qenë prioritet edhe më herët, apo prioritetin e tij e kishte ngulfatur prezenca e tepërt e çështjeve politike ditore që vazhdon edhe sot.

Statusi ekonomik i Kosovës duket se është bërë shumë më i paqartë se ai politik, qoftë para apo pas shpalljes së pavarësisë. Me treguesit ekonomik Kosova është shumë më e pazhvilluar se edhe shtetet fqinje. Sipas studimit të Bankës Botërore (BB) që shfrytëzon të dhënat e Entit Statistikor të Kosovës, gati gjysma e popullsisë së Kosovës (45 përqind) jeton në varfëri pasi konsumi i tyre individual është më pak se 1,42 euro në ditë, dhe 18 përqind në varfëri të skajshme që matet me vlerën e konsumit individual prej më pak se një 1 euro në ditë. Përpos të dhënave që në Kosovë janë më të dyshimta se në çdo shtet tjetër të Evropës, ka edhe shumë paqartësi tjera në përllogaritjen e varfërisë. E para ka të bëjë me kufirin e varfërisë që e merr për bazë BB. Më herët ai ishte i shprehur në dollar Amerikan USD ($) dhe përdorej në tërë botën. Të njëjtin kufi (1.42$ për varfëri relative dhe 0.93$ për varfëri të skajshme) tani e shpreh në euro (€). Në momentin kur euro ishte futur në përdorim si monedhë, norma e këmbimit të saj me Dollarin Amerikan ishte e përafërt. Raporti i fundit i BB mbi vlerësimin e varfërisë në Kosovë e tregon kursin e këmbimit si 1$=0.71€ (me 3 tetor 2007) dhe vie në përfundim se norma e varfërisë kinse nuk është rritur nga periudha 2002/2003 kur ishte 37 dhe tani është 45 përqind. Raporti vetëm thotë se nuk ka përmirësim dhe ofron shumë sqarime për metodologjinë e ndërlikuar që është përdorur në përllogaritje dhe defektet e të dhënave. Saktësia dhe gabimet në përllogaritjen e normës së varfërisë nuk kanë rëndësi aq të madhe sa ka strategjia për luftimin dhe zbutjen e saj. Ndonëse BB hyn në detaje të thella me analiza statistikore rreth varfërisë si problem strukturor i Kosovës, ajo në raportin e saj në dy vëllime nuk ofron rekomdanime për politikat e zbutjes së varfërisë, por vetëm rekomandime rreth metodologjisë se si të përmirësohet përllogaritja e varfërisë. Pra, BB në Kosovë së pari iu desht të sqaroj të metat dhe kufizimet që i kishin përllogaritjet e mëparshme me këto të fundit (krahasimi i të dhënave, përzgjedhja e mostrës së anketimit, shpenzimet e ekonomive familjare, llojet e artikujve për konsum) dhe të sjellë këto tri rekomandime: 1) Mosndryshimi i pyetësorëve të anketave duhet të jetë qëllimi i anketimeve të ardhshme; 2) Është nevojë urgjente që të bëhet regjistrimi i popullsisë me qëllim të krijimit të një baze për zgjedhje të paanshme të mostrave; dhe 3) Është i nevojshëm edhe një administrim më i mirë i anketave dhe dokumentacionit për të gjithë hapat e procesit dhe të dhënat. Kuptohet se rezultatet nga baza më e mirë e të dhënave e ka rëndësinë e padiskutueshme kur hartohen politikat zhvillimore, porse ekspertiza e tillë nuk ka kurrfarë ndikimi në praktikë nëse në bazë të tyre nuk ndërmerret diçka konkrete rreth fenomeneve që hulumtohen. Nuk mjafton vetëm interpretimi i gjendjes por masat për ndryshimin e saj. Kjo duhet të mbahet mend mirë kur dihet se moto e BB është “Our dream is a world without poverty” (ëndrra jonë është një botë pa varfëri). Se sa është BB vet në fuksion dhe angazhim të bërjes realitet të kësaj ëndrre, gjithmonë ka qenë diskutabile përkundër se i ka mjetet. Bile ajo së bashku me Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN) shpesh janë akuzuar për ndjekjen dhe zbatimin e politikave të gabuara lidhur me uljen a varfërisë në vendet në zhvillim. Kritikuesi më i ashpër i këtyre politikave është nobelisti Joseph Stiglitz, i cili ka shërbyer si ekonomist udhëheqës i BB. Nga analiza në librin e tij Globalization and its discontents (Globalizimi dhe pakënaqësitë rreth tij) të përkthyer në 40 gjuhë të botës, ai tregon se politikat ekonomike të FMN-së dhe BB nëse nuk e kanë përmirësuar gjendjen e shumë shteteve në zhvillim, në masën më të madhe e kanë përkeqësuar. Edhe rekomandimet për Kosovën të BB se si të përmirësohet efikasiteti në qeverisjen e anketave dhe rekomandimet e detyrueshme të FMN-së për Qeverinë se nuk mund t’i rris pagat në sektorin publik, sidomos për punonjësit e arsimit, duket se janë modele standarde që i kritikon Stiglitz. Çështja nuk është nëse FMN-ja dhe BB mundet apo jo ta zbusin varfërinë por vetëm nëse duan. Deri sot ato nuk kanë dashur. Për më tepër, ekzistojnë dyshime se BB nuk do ta marr rolin udhëheqës në konferencën e donatorëve për Kosovën që do të mbahet në Bruksel me 11 korrik 2008, me arsyetimin se Kosova ende nuk është anëtare e kësaj organizate ndërkombëtare.

(më tepër…)

Read Full Post »

Shkruan: Bardhyl Metaj, Zürich

Me rastin e përvjetorit të Kuvendit të Lidhjes së Prizrenit (1878-2008)!

Praeludium:

Historikisht: Kombet formojnë Shtetin por dhe Shteti formon Kombet!

Procesi historik Shtet- dhe Kombformues i shqiptarëve fillon, kur mbaron (kurorëzohet) procesi i njëjtë tek gjermanët!

Tek shqiptarët ngjizet me Kuvendin e Lidhjes së Prizrenit!

Laudatio:

Histori e procesit politik për një shtet Shqiptarë për shqiptarët, prodhoi dy shtete (dy shtetësi) dhe dy identitete e entitete politike – po aq shqiptare – Shqiptarë dhe Kosovarë*!

Më 28 Nëntor 1912 – Shqipërinë e cunguar, më 17 Shkurt 2008 – Kosovën e cunguar!

Dy shtetet sado jo optimale për nga shtrirja territoriale, por me taban shqiptarë, mund ti bëjnë dëm vetëm: jo dashamirëve të shqiptarëve…!

Zeitgeist-i ynë dhe ai global:

Historia na ndau!

Po tani: të vajtojmë apo të festojmë?

Jo! Të punojmë me ritëm të përshpejtuar për integrim në BE, për mirëqenie kombëtare, politike e ekonomike të shqiptarëve gjithandej!

Procesi historik evolutiv i mendësisë së përbotshme, kulmuar me Zetigeist-in global kontemporan, e që përmblidhet shumë shkurt në sloganin, “Think Global and deal Lokal“, reflektoi-n pozitivisht edhe në historinë e shqiptarëve!

Dhe ndau në këtë frymë përgjegjësit administrative për shtetet dhe regjionet, Kombeve përkatëse – Shqiptarëve dhe Kosovarëve!

Së këndejmi, përpjekjet eventuale për Bashkim kombëtarë – janë kundër historike!

Retrograde, humbje kohe dhe energjie!

(më tepër…)

Read Full Post »

Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese – BIRN – dënon ashpër sulmin ndaj ekipit të emisionit ‘Jeta në Kosovë’, nga ana e sigurimit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës.Të premten, me 6 qershor 2008, rreth orës 13:30, ekipi i BIRN-it është sulmuar jashtë ndërtesës së Këshillit Gjyqësor të Kosovës në Prishtinë, derisa ishte duke xhiruar. Ekipi është sulmuar nga një punëtor i sigurimit të Këshillit Gjyqësor, institucion ky që ishte dashur të përfaqësojë drejtësinë në Kosovë.

‘Unë jam e befasuar me një sjellje të tillë, sidomos duke marrë parasysh faktin që BIRN ka marrëveshje për bashkëpunim me Këshillin Gjyqësor, me të cilin i lejojnë gazetarët tanë që të monitorojnë punën e këtij këshilli’, ka thënë Jeta Xharra, drejtoreshë e BIRN-it në Kosovë.

(më tepër…)

Read Full Post »

Me mijëra persona në Kosovë punojnë për organizata të llojllojshme ndërkombëtare. Nga ato që janë nën ombrellën e Kombeve të Bashkuara dhe të njohura në të gjithë botën deri tek ato si Qendra Kombëtare për Gjykatat Shtetërore që shumë pak nga ne dinë se c’far është dhe c’far bënë në Kosovë.

Edhe pse këto organizata vijnë nga shtete të zhvilluara me legjislacion që ndalon largimin nga puna pa arsye apo ndëshkimet e ndryshme ndaj të punësuarve, në Kosovë këto organizata praktikojnë rregulla që as në shtetet më të prapambetura të botës nuk janë të lejueshme.

Këto organizata që kanë ardhur në Kosovë të na mësojnë se si duhet të respektohen të drejtat e njeriut, i shkelin këto të drejta me të dy këmbët sa herë që është e nevojshme për ta.

Sapo lexova një koment shumë interesant shkruajtur nga Skender Limani, një ish punonjës i një organizate ndërkombëtare që tregon për përvojën e tij të hidhur si i punësuar në këtë organizatë. Nuk kam pyetur për leje për ta publikuar por shpresoj zotëri Limani nuk reagon kundër publikimit të komentit këtu te Molla e Kuqe.

Nëse punon sipas urdhrave dhe politikave të punëdhënësit, nëse shërben, tek e fundit, edhe si mbulesë për korrupsionin e tyre ose edhe nëse bëhesh bashkëpjesëmarrës në të, nëse bëhesh i dëgjueshëm dhe i zbaton me përpikëri politikat dhe urdhrat e tyre (edhe nëse nuk pajtohesh me ta, por nuk e shpreh në asnjë mënyrë), ju mund të jeni kandidat potencial për t’u punësuar në secilin institucion ose organizatë ndërkombëtare në Kosovë.

Gjatë vitit 2006 kam punuar në një organizatë ndërkombëtare amerikane në Kosovë me emrin Qendra Kombëtare për Gjykatat Shtetërore (NCSC, anglisht). Kjo organizatë kishte për qëllim reformimin e sistemit gjyqësor në Kosovë. Një ditë pune, duke pirë kafenenë e mëngjesit me disa nga bashkëpunëtorët amerikanë, u pyeta: “Çfarë mendojnë Kosovarët për flamurin e Rugovës (të propozuar nga Ibrahim Rugova) që të bëhet flamur i juaji?”. U përgjigja: “Besoj që ky do të jetë vendim i Kuvendit të Kosovës, pra, çfarëdo që vendosin ata sigurisht që nuk do të kundërshtohet nga ne Kosovarët.” Ishte ora 8 e 30 e mëngjesit. Në orën 16 e 30 më erdhi vendimi në tavolinë ku informohesha për shkëputjen e njëanshme të kontratës nga punëdhënësi.

(më tepër…)

Read Full Post »

Sipas radios Evropa e Lirë në pjesën veriore të Kosovës, bazuar në zgjedhjet serbe të 11 majit, mbajtur edhe në Kosovë, serbët kanë themeluar “komunën e Mitrovicës”.

Kjo po ndodh në Kosovën e pavarur, vetëm një javë para se të hyj në fuqi Kushtetuta e Republikës së Kosovës.

UNMIK-u zyrtarisht vazhdon t’i konsideroj zgjedhjet serbe në Kosovë si të paligjshme por disa deklarata të zyrtarëve ndërkombëtar lënë të kuptohet se ata do të njohin rezultatet e këtyre zgjedhjeve edhe pse qëllimi me këto zgjedhje ishte sabotimi i shtetit të ri të Kosovës.

Sjelljet e ndërkombëtarëve dhe mëdyshjet e tyre rreth bartjes së kompetencave pas hyrjes në fuqi të kushtetutës janë për të ardhur keq. Ata me këto sjellje të papjekura vetëm po krijojnë konfuzion rreth të ardhmes së Kosovë dhe po ju japin serbëve, në Kosovë por edhe në Beograd, më shumë arsye për të vazhduar të kundërshtojnë pavarësinë e Kosovës dhe të mendojnë se pavarësia e Kosovës nuk është punë kryer apo edhe më keq mund të zhbëhet.

(më tepër…)

Read Full Post »

Një territor i cili ka deri në 300 ditë diell në vit, një teritor ku katër stinët e vitit janë të dallueshme me karakteristikat e tyre të veçanta klimaterike, një teritor me shumëllojshmëri të konfiguracionit gjeografik, që nga riviera e deri tek malet e mbuluara me borë, një teritor me një shumëllojshmëri të florës me më shumë se 3300 specie, një teritor me një mundësi kultivimi të të gjitha varieteteve të drithërave, pemëve e perimeve. Do të duheshin edhe disa ditë diell më shumë që në trojet shqiptare të kultivohej edhe bananja. Një teritor me një shumëllojshmëri të resurseve minerare, rreth 54 lloje mineraresh nga më të rrallat, me cilësi dhe bollëk dhe të kërkuara në gjithë botën. Një vend me pasuri të jashtzakonshme burimesh ujore natyrale dhe minerale. Një vend në udhkryq të botës së vjetër, ku janë kyçur dhe kyçen rrugët dhe interesat gjeostrategjike e gjeopolitike të të tri kontinenteve të botës së vjetër dhe shtetgrupeve të interesave gjeopilotike e gjeostrategjike edhe nga kontinentet tjera.

Për të mos u zgjatur në këtë lëmi, besoj që mjafton për fillimin e asaj që kam ndërmend të provoj të shtjelloj në këtë artikull të shkurtër.

Duke i pasur parasyshë kushtet klimaterike, pasuritë dhe shumëllojshmërinë e të mirave materiale, që këtij vendi ia ka dhënë dhuratë nëna natyrë, nuk ka se si që edhe rraca njerëzore e këtyre trevave të mos jetë lloj i veçantë dhe të mos zgjoj interesimin e të tjerëve për rigjenerimin e rracave të cilat çdo ditë e më tepër po e humbin vitalitetin e tyre dhe po shkojnë nga një pleqëri e pakthim kombesh deri në krizë shuarje të ndonjërit prej tyre. Mu për këtë, e në anën tjetër edhe ato që përmenda më lartë,besoj që qendrat e vendosjes, nuk janë të interesuara për zgjidhjen e drejtë dhe të qëndrueshme të problemit të ballkanit, kështu që dje, sot dhe në të ardhmen, gjithënjë do të lëjnë hapur çështjen shqiptare që kur ka nevojë ndonjëri prej popujve, në krizë pleqërie, për të rivitalizuar rracën dhe kombin e vetë, apo ca sish, do të riaktivizonin çështjen shqiptare dhe do të hapnin dyertë në heshtje, në emër humanizmit dhe të strehimit të atyre fatkeqëve që do të rrezikoheshin nga fqinjët shovinist të nxitur dhe të sëmurë qëllimisht nga një shqiptarofobi që nga mesjeta e hershme.

(më tepër…)

Read Full Post »

Older Posts »