Feeds:
Postime
Komente

Archive for the ‘Pa kategori’ Category

Berisha formalizoi njohjen e pavarësisë së Kosovës, e bërë me një rezolutë të Kuvendit të Shqipërisë më 21 tetor të 1991, e cila është miratuar po unanimisht nga të gjithë deputetët e parlamentit shqiptar, i cili atëherë kishte si maxhorancë të majtën.Në një konferencë për shtyp, pak minuta pasi sekretarja e departamentit të SHBA-së, Rajs, kishte bërë njohjen e shtetit më të ri në Ballkan e Europë, Kryeministri shqiptar bëri të ditur, në të njëjtën linjë me zyrtaren e lartë amerikane, se “do të mbledhë Këshillin e Ministrave për të vendosur ngritjen e marrëdhënieve diplomatike midis Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës në rang ambasadorësh”.

Fakti që vendi ynë e ka njohur që në 1991 pavarësinë e Kosovës, bëri që dje Kryeministri mos ta përmendë direkt togfjalëshin “pavarësinë e Kosovës”, por më tej gjatë pyetjeve të gazetarëve ai sqaroi: “Shqipëria e ka njohur atë. Askush nuk mund të hedhë poshtë votën unanime të Parlamentit shqiptar në vitin 1991. Por e vërteta është që këto dy vende vëllezër, për 15 vjet respektojnë njëri-tjetrin si të barabartë. Kështu që njohjen e ka bërë Parlamenti shqiptar. Qeveria bën disa detyra të tjera në këtë rast, përmes të cilave, ngre në nivel ambasadorësh marrëdhëniet diplomatike me këtë shtet”.

Duke iu përmbajtur rezolutës së 1991 për Kosovën, Berisha ripërmendi faktin se pret nga vendet e Këshillit të Sigurimit, nga vendet anëtare të BE-së, por edhe nga vendet e Ballkanit, njohjen e pavarësisë së Kosovës, “si kontribut real shtesë tjetër i tyre në paqen dhe sigurinë në Ballkan, duke respektuar kështu edhe vullnetin e ligjshëm të popullit të saj”.

Por Kryeministri shqiptar, në emër të qeverisë së tij, siguroi të gjitha vendet e tjera, të cilat nuk do ta njohin pavarësinë e tyre, se marrëdhëniet me Shqipërinë do të jenë të njëjta, bilaterale dhe të një miqësie të ndërsjellë.

Sa i takon kundërshtares kryesore të pavarësisë së Kosovës, që është Rusia, Berisha u shpreh se nëse “Kremlini le mënjanë historiografinë falsifikuese serbe mbi të vërtetën e shqiptarëve, ai do të ndryshojë qëndrimin e tij ndaj tyre”. Sipas tij, puna e diplomacisë shqiptare në kuadër të Rusisë, do të jetë intensive dhe e kujdesshme, pikërisht për të sqaruar faktin e vetëm historik, të pamohueshëm, që shqiptarët nuk kanë ardhur në Ballkan, por ato kanë qenë këtu prej shekujsh.

Kryeministri Berisha gjeti rastin të përshëndeste në këtë konferencë për shtyp, SHBA-në, Francën, Britaninë e Madhe, por dhe gjithë shteteve të BE-së që njohën pavarësinë e Kosovës ditën e djeshme.

Reklama

Read Full Post »

Ka pak ditë që ka mbushur 87 vjeç, e 17 Shkurti, dita e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, do të jetë për të një nga ngjarjet e rralla që ka përjetuar në jetë. Shumë e emocionuar, nën petkun e të gjitha përpjekjeve që bashkëshorti i saj Enver Hoxha ka bërë për këtë çështje, Nexhmije Hoxha ka vendosur të flasë e të urojë të gjithë shqiptarët për ditën e madhe. Me një tufë karafilash, ajo ka shkuar më 17 shkurt në varrezat e Sharrës, ku prehet Enveri, ndërsa i ka rrëfyer gjithçka. Shprehet se është e lumtur për veten që ia arriti të shohë këtë ditë, e po kaq e pezmatuar është që Enver Hoxha nuk mundi ta përjetonte fitoren e shekullit.

Çfarë mund të na thoni pas shpalljes së Pavarësisë në Kosovë?

Përshëndetje të zjarrta dhe urime pa fund, vëllezërve kosovarë për ditën e madhe historike, shpalljen e Pavarësisë së Kosovës. Kjo ditë, aq shumë e pritur, është një ngjarje e mrekullueshme, që ngazëlleu të gjithë shqiptarët kudo që janë, në Kosovë e Shqipëri, në Maqedoni e Mal të Zi, në diasporë, emigracion…, sepse më në fund Kosova u shkëput përfundimisht nga zgjedha shekullore e Serbisë. Ky akt historik që u arrit, në radhë të parë, me luftën e bijve të shquar të Kosovës, me gjak e sakrifica të padëgjuara të popullit trim kosovar, shënoi hapin e parë në rrugën e Pavarësisë së plotë. Për çdo shqiptar është një lumturi që ia arriti ta përjetojë këtë ditë të ndritur të Lirisë e Pavarësisë së Kosovës, pavarësisht se ka ende fuqi të mëdha që kërcënojnë popujt e vegjël në të drejtat e tyre të nënvetësisë, siç kanë bërë edhe me Shqipërinë e tani me Kosovën. Por sot, Kosova është e lirë. Çështje ndërkombëtare, për shumë arsye konjukturale në mes fuqive të mëdha, rrethana që ndihmuan Kosovën të ketë mbështetje e mbrojtje nga ato fuqi të mëdha, në plan të parë SHBA-ja, të interesuara qoftë për interesat e veta që në rajonin tonë, në Ballkanin e trazuar, kur Serbia, me prirjet e saj naziste, shkaktoi konflikte e masakra të tipit hitlerian, të vendoset një ekuilibër i qëndrueshëm në mes popujve e etnive të këtij rajoni, për t’u ngritur në nivelin e popujve demokratë, që bëjnë pjesë në Bashkimin Evropian.

Çfarë ju sjell ndër mend kjo ditë?

Ngjarja e jashtëzakonshme që solli 17 Shkurti, është një ngjarje që të ngarkon me emocione shumë të forta, duke përkujtuar gjithë ata bij të kombit shqiptar, që me pushkë e penë luftuan gjithë jetën për një Shqipëri të bashkuar, të lirë e të pavarur. Nder e lavdi të gjithë këtyre, që nga Skënderbeu me luftëtarët e tij, nga Isa Boletini e Abdyl Frashëri e gjithë rilindasit tanë, nga Ismail Qemali me gjithë luftëtarët e Vlorës e të gjithë krahinave të Shqipërisë për Pavarësinë e 1912-ës, nga partizanët e luftëtarët e tjerë atdhetarë e antifashistë në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni, deri tek luftëtarët e UÇK-së me komandantin legjendar, Adem Jashari, e gjithë ata dëshmorë që dhanë jetën e gjakun e tyre në demonstrata e burgje, të torturuar, të masakruar, ca të zhdukur nga forcat barbare paramilitariste të Sllobodan Millosheviçit e pasuesit të tij.

Sa e rëndësishme është kjo ditë në historinë shqiptare?

17 Shkurti i 2008-ës do të mbetet brez pas brezi në zemrat e gjithë shqiptarëve dhe i shkruar me germa t’arta në radhën e datave më të shquara të historisë së kombit shqiptar, që nga çlirimi i Krujës, Lidhja e Prizrenit, Dita e ngritjes së Flamurit kombëtar në Vlorë më 1912-ën, dhe çlirimi i Shqipërisë nga pushtimi nazifashist më 29 nëntor 1944.

Si ndjeheni, pasi kosovarët vlerësojnë shumë rolin e Enver Hoxhës në përpjekjet për një Kosovë të lirë?

Jam e lumtur që ia arrita kësaj dite, që Kosova të jetë e lirë dhe e pavarur nga sundimi i egër i Serbisë naziste e antishqiptare. Por sa e madhe është lumturia ime, aq e madhe është dhe keqardhja që Enveri nuk ia arriti të përjetojë ditën, kur para shqiptarëve të Kosovës u hap rruga për të ardhmen e saj të re, që ai e kish aq për zemër ta shihte të bashkuar me Shqipërinë amë, si një komb e shtet i vetëm, që s’u lodh gjithë jetës së tij ta proklamonte me zë të fortë e penë të mprehtë. Prandaj në këtë ditë të ndritur historike, unë me familjen time me emocione jo të zakonshme, shkuam te varri i Enverit, i vumë karafila të freskëta, i treguam për fitoren e Kosovës e gëzimin e të gjithë shqiptarëve në Prishtinë, Tiranë, Tetovë e në të gjitha trevat e komunitetit shqiptar, që tani të gjitha stacionet televizive shqiptare i tregojnë në kulmin e gëzimit dhe të bashkuar, të mbështjellë me flamuj të panumërt kuq e zi, që këndojnë e flasin në gjuhën e tyre të përbashkët shqipe. Kujtuam rreth tij, me sa zjarr e vendosmëri luftoi brenda mundësive të kohës e të rrethanave, në mbështetje të aspiratave të shqiptarëve të Kosovës dhe të gjithë të tjerëve që jetojnë në trojet shqiptare. Edhe një herë nga Tirana, bashkë me fëmijët e mi, në emër të Enverit përshëndesim e urojmë gjithë shqiptarët e Kosovës, veçanërisht familjen e Adem Jasharit e luftëtarëve të UÇK-së, Gëzuar Ditën e Pavarësisë!

Gazeta Shqiptare

Read Full Post »

Intervistë me “kryeadministratorin” e ri

Diplomati holandez që do të jetë drejtues i misionit të BE-së në Kosovë, Pieter Feith, në një intervistë me gazetën holandeze, NRC Handelsblad, thotë se ai do të ketë pushtet ekzekutiv në Kosovë që sipas tij nënkupton se ai mundet të anuloj ligjet e miratuara nga Kuvendi i Kosovës, shkarkoj zyrtarë të korruptuar dhe shpall të pavlefshme vendime të Qeverisë së Kosovës.

Këto janë disa nga pyetjet dhe përgjigjet që ai i dha gazetares Petra de Koning në intervistën e publikuar më 16. shkurt.

Misioni në Kosovë drejtohet nga Bashkimit Europian. Shqiptarët do të duhet ti drejtohen BE-së kur janë të pakënaqur me diçka, a po?

Ashtu është

Amerikanët do të vazhdojnë të jenë heronjtë e tyre

Më herët i kam thënë kryeministrit Thaçi se Kosova kurrë nuk do të bëhet shteti i 51-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Por Kosova mund të bëhet anëtare e Bashkimit Europian. Kujtimet e 1999-së do të zbehen dhe e ardhmja i takon BE-së. Ne do të duhet të sqarojmë qartë se përmisime të mëdha në kushtet e jetesës mund të vinë vetëm nga qeveria e Kosovës. Ata do të duhet të konfrontojnë korrupsionin dhe krimin e organizuar.

Cili është problemi më i madh i Kosovës?

Kosova duhet të bëhet një shtet multi-etnik. Të drejtat e minoriteteve duhet të respektohen dhe sanksionohen në ligje. Një problem tjetër i madh është edhe papunësia që arrin 44 %. Ka shumë pak iniciativa dhe është e qartë se Kosova ka qenë nën administrim të OKB-së më gjatë se sa është dashur.

Ju thoni se Kosova duhet të bëhet shtet multi-etnik por mendoni se Kosova po funksionon kështu. Serbët në Kosovë janë të frikësuar.

Mund të ndodhë se ata janë më të sigurt se sa ndjehen vet. Ushtarët e KFOR-it janë ende atje por ndenja e sigurisë nuk duhet të varet vetëm nga kjo. Duhet të kemi një bazë të natyrshme për këtë. Ne edhe kemi problemin e kthimit të refugjatëve serb në Kosovë. Ky proces po manipulohet.

Serbia po bllokon kthimin?

Po

Serbia sipas të gjitha gjasave nuk do ta bëjë këtë pas pavarësisë së Kosovës?

Si duket ashtu do të ndodhë

Brenda Kosovës pushteti juaj do të bazohet në dëshirën për anëtarësim në BE?

Unë kam pushtet ekzekutiv. Unë mund të anuloj ligjet, shkarkoj zyrtarë të korruptuar dhe shpall të pavlefshme vendimet e Qeverisë së Kosovës. Unë jam i impresionuar nga synimet e politikanëve në Kosovë. Sot apo nesër kushtetuta do të publikohet dhe kjo kushtetutë do të kontrollohet nga organizata ime para se të aprovohet nga parlamenti.

Por edha pa kompetenca të posaçme ju do të kishit autoritet?

Po, Kosova ofron një thesar me eksperiencë. E ardhmja është e kosovarëve, nuk dua që ata të kenë arsye për të mos ndihmuar shtetin e tyre të përparoj. Ne në Kosovë do të veprojmë ndryshe nga se vepruam në Bosnjë ku bashkësia ndërkombëtare ende merr vendimet e rëndësishme. Për ne është e rëndësishme të bartim përgjegjësitë.

Një ish-gjeneral francez do të drejtoj misionin e policisë dhe juristëve. Ju jeni përfaqësuesi më i lartë ndërkombëtar. Kush është shefi?

Nëse ka të bëjë me politikë unë do të jem ai që këshillon komandantin francez.

Përktheu stafi i “molla kuqe”

Read Full Post »

Ministri për Tregti i Serbisë, Predrag Bubalo, njoftoi dje se Serbia nuk do të vendos embargo ekonomike ndaj Kosovës. Sipas ministrit shpallja e njëanshme e pavarësisë nuk do të ndikoj në marrëdhëniet ekonomike midis Serbisë dhe Kosovës.

“Ne së pari ne duhet të kujdesemi për ata njerëz që e njohin shtetin e Serbisë dhe janë qytetar lojal të Serbisë” theksoi Bubali dhe shtoi se Serbia nuk mund të dënoj këta njerëz për shkak të tjerëve.

Bubalo mendon se çështja e statusit të Kosovë nuk ka përfunduar ende dhe se Serbia nuk mundet të vendos embargo në “një pjesë të territorit të saj”.

molla kuqe

Read Full Post »

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti pakon e Marti Ahtisarit në Deklaratën për Pavarësi e shpallur në Kuvendin e Kosovës e ka quajtur si thikë pas shpinës për popullin e Kosovës. Kurti thotë se në “Deklaratën për pavarësi” shumë më tepër është përmendur shprehja “Pakoja e Ahtisarit” sesa fjala “pavarësi”.

“I bëhet referim Rezolutës 1244 dhe thuhet se Kosova do të jetë e pavarur dhe demokratike, por jo edhe sovrane”, vlerëson lideri i Vetëvendosjes, aktivistët e së cilës shumë herë kanë dalë në rrugë për të kërkuar që populli i Kosovës përmes referendumit të shprehë vullnetin e tij për shtet të pavarur dhe sovran të Kosovës.

Albin Kurti rrëfen se kjo është pavarësi e gjysmuar, meqë sipas tij, Kosova nuk ka Ministri të Mbrojtjes me ushtri, nuk ka Ministri të Punëve të Jashtme dhe që, sipas tij, kjo pavarësi nuk garanton integritet territorial e ulëse në OKB për Kosovën.

 “Në anën tjetër, kjo deklaratë e përmban Pakon e Ahtisarit, që do të na e sajojë një Republikë Serbe përbrenda, ngjashëm si në Bosnje dhe sundimin jodemokratik e burokratik të EULEX-it sërish, ngjashëm si në Bosnje, konstaton Kurti pak orë pas shpalljes së Pavarësisë në Kuvendin e Kosovës. Sipas tij, politikanët me mjeshtëri kanë përqendruar vëmendjen e qytetarëve te dita dhe ora e shpalljes së pavarësisë në mënyrë që, sipas Kurtit, të mos diskutohet për përmbajtjen dhe cilësinë e asaj pavarësie.

“Ngjashëm kanë vepruar edhe për fokusimin te festa para, gjatë dhe pas pavarësisë, në mënyrë që të mos diskutohet për pasojat që mund të na i shkaktojë Serbia në ditët e javët në vijim, përmes strukturave të saj në Kosovë që kontrollojnë 25 % të territorit”, vlerëson ai. Gjëja më cinike që ka ndodhur në ditën kur është shpallur pavarësia e Kosovës, sipas Kurtit, është që jashtë Kuvendit të Kosovës festohej me flamurin kuqezi me shqiponjë, pikërisht në momentin kur brenda në Kuvend po hiqej dorë nga ai flamur.

“Në flamurin e ri të Kosovës janë dy ngjyra që i ka edhe flamuri i Serbisë, e kaltra dhe e bardha, mirëpo asnjëra nga dy ngjyrat e flamurit shqiptar”, shpreh pakënaqësitë e tij lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurtit.

Gazeta Express

Read Full Post »

Deklarata e Pavarësisë

Të mbledhur në mbledhje të jashtëzakonshme më 17 shkurt 2008, në kryeqytetin e Kosovës, në Prishtinë,

Duke iu përgjigjur thirrjes së popullit për të ndërtuar një shoqëri që respekton dinjitetin njerëzor dhe afirmon krenarinë dhe synimet e qytetarëve të saj,

Të zotuar për t’u përballur më trashëgiminë e dhembshme të së kaluarës së afërt në frymë të pajtimit dhe faljes,

Të përkushtuar ndaj mbrojtjes, promovimit dhe respektimit të diversitetit të popullit tonë,

Duke riafirmuar dëshirën tonë për t’u integruar plotësisht në familjen euroatlantike të demokracive,

Duke vërejtur se Kosova është një rast special që del nga shpërbërja jokonsensuale e Jugosllavisë dhe nuk është presedan për cilëndo situatë tjetër,

Duke rikujtuar vitet e konfliktit dhe dhunës në Kosovë që shqetësuan ndërgjegjen e të gjithë popujve të civilizuar,

Mirënjohës që bota intervenoi më 1999 duke hequr në këtë mënyrë qeverisjen e Beogradit mbi Kosovën, dhe vendosur Kosovën nën administrimin e përkohshëm të Kombeve të Bashkuara,

Krenarë që Kosova që atëherë ka zhvilluar institucione funksionale, multietnike të demokracisë që shprehin lirisht vullnetin e qytetarëve tanë,

Duke rikujtuar vitet e negociatave të sponsorizuara ndërkombëtarisht ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës mbi çështjen e statusit tonë të ardhshëm politik,

Duke shprehur keqardhje që nuk u arrit asnjë rezultat i pranueshëm për të dyja palët përkundër angazhimit të mirëfilltë të udhëheqësve tanë,

Duke konfirmuar se rekomandimet e të Dërguarit Special të Kombeve të Bashkuara, Martti Ahtisaari, i ofrojnë Kosovës një kornizë gjithëpërfshirëse për zhvillimin e saj të ardhshëm, dhe janë në vijë me standardet më të larta europiane për të drejtat të njeriut dhe qeverisjen e mirë,

Të vendosur që ta shohim statusin tonë të zgjidhur në mënyrë që t’i jipet popullit tonë qartësi mbi të ardhmen e vet, të shkohet përtej konflikteve të së kaluarës dhe të realizohet potenciali i plotë demokratik i shoqërisë sonë,

Duke nderuar të gjithë burrat dhe gratë që bënë sakrifica të mëdha për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për Kosovën,

1. Ne, udhëheqësit e popullit tonë, të zgjedhur në mënyrë demokratike, nëpërmjet kësaj Deklarate shpallim Kosovën shtet të pavarur dhe sovran. Kjo shpallje pasqyron vullnetin e popullit tonë dhe është në pajtueshmëri të plotë me rekomandimet e të Dërguarit Special të Kombeve të Bashkuara, Martti Ahtisaari, dhe Propozimin e tij Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës.

2. Ne shpallim Kosovën një republikë demokratike, laike dhe multietnike, të udhëhequr nga parimet e jodiskriminimit dhe mbrojtes së barabartë sipas ligjit. Ne do të mbrojmë dhe promovojmë të drejtat e të gjitha komuniteteve në Kosovë dhe krijojmë kushtet e nevojshme për pjesëmarrjen e tyre efektive në proceset politike dhe vendimmarrëse.

3. Ne pranojmë plotësisht obligimet për Kosovën të përmbajtura në Planin e Ahtisarit, dhe mirëpresim kornizën që ai propozon për të udhëhequr Kosovën në vitet në vijim. Ne do të zbatojmë plotësisht ato obligime, përfshirë miratimin prioritar të legjislacionit të përfshirë në Aneksin XII të tij, veçanërisht atë që mbron dhe promovon të drejtat e komuniteteve dhe pjesëtarëve të tyre.

4. Ne do të miratojmë sa më shpejt që të jetë e mundshme një kushtetutë që mishëron zotimin tonë për të respektuar të drejtat e njeriut dhe liritë themelore të të gjithë qytetarëve tanë, posaçërisht ashtu siç definohen me Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut. Kushtetuta do të inkorporojë të gjitha parimet relevante të Planit të Ahtisaarit dhe do të miratohet nëpërmjet një procesi demokratik dhe të kujdesshëm.

5. Ne mirëpresim mbështetjen e vazhdueshme të bashkësisë ndërkombëtare për zhvillimin tonë demokratik nëpërmjet të pranive ndërkombëtare të themeluara në Kosovë në bazë të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (1999). Ne ftojmë dhe mirëpresim një prani ndërkombëtare civile për të mbikëqyrur zbatimin e Planit të Ahtisaarit dhe një mision të sundimit të ligjit të udhëhequr nga Bashkimi Europian. Ne, po ashtu, ftojmë dhe mirëpresim NATO-n që të mbajë rolin udhëheqës në praninë ndërkombëtare ushtarake dhe të zbatojë përgjegjësitë që i janë dhënë sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (1999) dhe Planit të Ahtisaarit, deri në atë kohë kur institucionet e Kosovës do të jenë në gjendje të marrin këto përgjegjësi. Ne do të bashkëpunojmë plotësisht më këto prani në Kosovë për të siguruar paqen, prosperitetin dhe stabilitetin në të ardhmen në Kosovë.

6. Për arsye të kulturës, gjeografisë dhe historisë, ne besojmë se e ardhmja jonë është në familjen europiane. Për këtë arsye, ne shpallim synimin tonë për të marrë të gjitha hapat e nevojshëm për të siguruar anëtarësim të plotë në Bashkimin Europian sapo që të jetë e mundshme dhe për të zbatuar reformat e kërkuara për integrim europian dhe euroatlantik.

7. Ne i shprehim mirënjohje Organizatës së Kombeve të Bashkuara për punën që ka bërë për të na ndihmuar në rimëkëmbjen dhe rindërtimin pas lufte dhe ndërtimin e institucioneve të demokracisë. Ne jemi të përkushtuar të punojmë në mënyrë konstruktive me Organizatën e Kombeve të Bashkuara gjersa ajo vazhdon punën e saj në periudhën në vijim.

8. Me pavarësinë vie detyra e anëtarësisë së përgjegjshme në bashkësinë ndërkombëtare. Ne e pranojmë plotësisht këtë detyrë dhe do t’i përmbahemi parimeve të Kartës së Kombeve të Bashkuara, Aktin Final të Helsinkit, akteve tjera të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë, obligimeve ligjore ndërkombëtare dhe parimeve të marrëdhënieve të mira ndërkombëtare që shënojnë marrëdhëniet ndërmjet shteteve. Kosova do të ketë kufijtë e saj ndërkombëtarë ashtu siç janë paraparë në Aneksin VIII të Planit të Ahtisaarit, dhe do të respektojë plotësisht sovranitetin dhe integritetin territorial të të gjithë fqinjve tanë. Kosova, po ashtu, do të përmbahet nga kërcënimi apo përdorimi i forcës në cilëndo mënyrë që është jokonsistente me qëllimet e Kombeve të Bashkuara.

9. Ne, nëpërmjet kësaj Deklarate, marrim obligimet ndërkombëtare të Kosovës, përfshirë ato të arritura në emrin tonë nga Misioni i Administratës së Përkohshme të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), si dhe obligimet e traktateve dhe obligimet tjera të ish-Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë ndaj të cilave obligohemi si ish-pjesë konstituive, përfshirë konventat e Vjenës për marrëdhëniet diplomatike dhe konsullore. Ne do të bashkëpunojmë plotësisht me Tribunalin Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë. Ne synojmë të kërkojmë anëtarësim në organizatat ndërkombëtare, në të cilat Kosova do të synojë të kontribuojë për qëllime të paqes dhe stabilitetit ndërkombëtar.

10. Kosova shpall zotimin e saj ndaj paqes dhe stabilitetit në rajonin tonë të Europës Juglindore. Pavarësia jonë e sjell në fund procesin e shpërbërjes së dhunshme të Jugosllavisë. Gjersa ky proces ka qenë i dhembshëm, ne do të punojmë pa pushim për t’i kontribuar një pajtimi që do të lejonte Europën Juglindore të shkojë përtej konflikteve të së kaluarës dhe të farkojë lidhje të reja rajonale të bashkëpunimit. Për këtë arsye, do të punojmë së bashku me fqinjtë tanë për të avansuar të ardhmen tonë të përbashkët europiane.

11. Ne shprehim, në veçanti, dëshirën tonë për të vendosur marrëdhënie të mira me të gjithë fqinjtë tanë, përfshirë Republikën e Serbisë, me të cilën kemi marrëdhënie historike, tregtare dhe shoqërore, të cilat synojmë t’i zhvillojmë më tej në të ardhmen e afërt. Ne do të vazhdojmë përpjekjet tona për t’i kontribuar marrëdhënieve të fqinjësisë dhe bashkëpunimit me Republikën e Serbisë duke promovuar pajtimin ndërmjet popujve tanë.

12. Ne, nëpërmjet kësaj, afirmojmë në mënyrë të qartë, specifike dhe të parevokueshme se Kosova do të jetë ligjërisht e obliguar të plotësojë dispozitatat e përmbajtura në këtë Deklaratë, përshirë këtu veçanërisht obligimet e saj nga Plani i Ahtisaarit. Në të gjitha këto çështje, ne do të veprojmë në pajtueshmëri në parimet e së drejtës ndërkombëtare dhe rezolutat e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, përfshirë Rezolutën 1244 (1999). Ne shpallim publikisht se të gjitha shtetet kanë të drejtën të mbështeten në këtë Deklaratë, dhe i bëjmë apel të na ofrojnë përkrahjen dhe mbështetjen e tyre.

Read Full Post »

Janë dashur tri ditë insistime të vazhdueshme për ta bindur shkrimtarin e madh shqiptar Ismail Kadarenë që të japë një intervistë për ngjarjen e madhe që do të ndodhë sot, pavarësinë e Kosovës. “Shumë e bukur për të qenë e vërtetë”, do të thoshte dikush. Ai insistonte që të mos fliste rreth kësaj teme, pa ndodhur vërtet. Por, në fund, ai duket se u bind se pavarësia e Kosovës tashmë është punë e kryer. Të shtunën pasdite, shkrimtari shqiptar me nam botëror, permes telefonit, dha një intervistë të gjatë për Express.  Nga Parisi, Ismail Kadare shfaqi ndjenja ngazëllimi për ngjarjen që do të ndodhë sot pasdite. “Çdo gjë që të themi neve është e zbehtë. Gjuha nganjëherë nuk është e përgatitur për ngjarje kaq të rralla”, u shpreh ai. Sipas tij, pavarësia e Kosovës është diçka e jashtëzakonshme për nga përmasat e saj.

Para 100 vjetësh, shqiptarët ishin të shkapërderdhur në katër Vilajete të Perandorisë Osmane. Kishte një populate të varfër, të pa-arsimuar, elita e saj ndërkaq jetonte në mërgim. Shumica e fushave të këtyre trevave shqiptare ishin në fakt moçalishte. Si ndjeheni ju, tash, në prag të formimit të shtetit të dytë shqiptar,Kosovës?


Zakonisht thuhet se shqiptarët kanë qenë një popull pa fat në histori. Unë do ta vija në dyshim këtë shprehje. Ne, aq sa kemi pasur probleme të rënda, dramatike, në historinë tonë, aq edhe kemi pasur fat disa herë. Për shkak se ajo që thatë ju është gati e pabesueshme sot, kur e mendon se si në vitin 1912, gati 100 vjet më përpara, kur ishte një Shqipëri, do të thosha, karikaturale, një hije e zbehtë e një shteti të pocaqisur në Perandorinë Osmane, se si arriti kjo Shqipëri pa shkolla, pa jetë kulturore, pa jetë institucionale, me një diasporë të shpërndarë në katër anët e botës, se si arriti në një çast aq të vështirë të historisë europiane të krijonte shtetin shqiptar, mua ende edhe sot më vjen habi e madhe. Prandaj, mendoj se ne shqiptarët nuk jemi kaq të pafat sa kujtojmë. E njëjta gjë është edhe me shtetin e dytë shqiptar që po krijohet në Ballkan. Ta thoshe këtë gjë në ’99, ’98, dhjetë vjet më përpara, do dukej ëndrra më utopike, më absurde, në botë. Jo vetëm që do të marrë fund sundimi serb në Kosovë, por do të marrë fund pas një bombardimi, pas një ndëshkimi që i bën Europa, pra Europa e ndëshkon Jugosllavinë për shkak të shqiptarëve, do të ishte e pabesueshme. Do të ishte e pabesueshme që Serbia do të dëbohej nga Kosova. Dhe pabesueshmëria e fundit do të ishte që do të ketë dy shtete shqiptare në Ballkan. Prandaj, për të gjithë ne, duke ditur të gjitha problemet dhe vështirësitë që dalin përpara, të gjitha sfidat që ka Kosova – për të cilat duhet të jemi të gjithë të ndërgjegjshëm se i ka – prapëseprapë mendimi ynë duhet të jetë me një ngazëllim të plotë nga kjo anë, se është kryer diçka e cila nuk merrej me mend se do të kryhej. Dhe, është kryer relativisht shpejt, po të merrej parasysh ’98, kur u acarua konflikti në Ballkan, kurse sundimi serb ishte i gjatë, tepër i gjatë. Kjo tregon se kombi shqiptar, pavarësisht nga këto telashe të mëdha që ka kaluar, shekulli i fundit ka qenë përgjithësisht – në disa pika themelore – shumë rezultativ, me disa përfundime të papritura, të forta, sikurse ka pasur edhe drama të mëdha. Një ndër to është edhe incidenti komunist, incidenti i stalinizmit shqiptar në Shqipërinë historike. Drama tjetër ka qenë persekutimi për një kohë të gjatë i Kosovës nga komunizmi serb.

Shteti i ri i Kosovës do ta ketë flamurin, stemën, himnin, e madje ka njerëz që besojnë se duhet ta ketë edhe një standardë tjetër të gjuhës. Në këtë kontekst, a mendoni se kështu Kosova do ta krijojë një identitet të saj, shtetëror,por edhe nacional, pas një periudhe kohore?

E para, një herë, nuk e kuptoj pse duhet shtruar një problem i tillë. Do të thotë, me çfarë synimi shtrohet; si një gjë që kinse i duhet Kosovës për të njëmendësuar edhe më mirë atë që, si të thuash, pavarësinë e saj, që nuk mendoj se është fare kështu. Apo, ka edhe ndonjë arsye tjetër? Mendoj se që të krijohet një shtet i ri shqiptar – nuk ka lidhje fare që të shoqërohet me një dyzim të identitetit shqiptar, sepse ky është një gjymtim i ri i kombit. Ka qenë një gjymtim gjeografik, politik, shtetëror, tash ky gjymtim bie dhe krijohet artificialisht një gjymtim I ri, një ndarje të re. Ju përmendet gjuhën, disa përmendin identitetin, nesër do të përmendin historinë, kujtimet kombëtare, psikologjinë etj, etj. Për të ardhur tek një tezë e mbrapshtë që nuk ka një komb shqiptar, por paska dy kombe. Se si do të quhet ky komb tjetër, unë ende nuk e kam të qartë. Prandaj, mendoj se ky është një diskutim shumë I ngutshëm, i pamenduar, i paqartë, i turbullt. Të vijmë tek një nga shembujt, gjuha. Gjuha është një nga elementet bazë të një kombi. Artificialisht duan të krijojnë një gjuhë tjetër, gjithashtu e thashë se si do të quhet kombi tjetër njëjtë them edhe si do të quhej gjuha tjetër. Duhet të dimë se shtete të ndryshme me gjuhë të njëjtë: Gjermania, Austria, Anglia, Amerika, Franca, Belgjika… Do të thotë, nuk është ndonjë kërkesë, domosdoshmëri, ose një ndihmë për shtetin e ri që befas të kërkojë që të ndryshojë gjuhën. Dhe, bashkë me gjuhën, pastaj, aq më tepër, të ndryshojë kujtimet kombëtare, atë që quhet identitet. Mendoj se ky është një reflektim i përçudur i asaj që quhet Shqipëri e Madhe. Është hapur një legjendë e madhe prej vitesh për të penguar Kosovën që të marrë lirinë. Dhe, një ndër argumentet ishte – nëse Kosova merr pavarësinë, do t’i hapim rrugë rrezikut të tmerrit, të gogolit, fantazmës së Shqipërisë së Madhe. Vite me radhë u shfrytëzua kjo frikë artificiale, e krijuar me qëllim të keq për të penguar pavarësimin e Kosovës. Kur kjo frikë u duk se ishte ngritur në mënyrë artificiale, që nuk qëndronte. Kam frikë se ky kërkim i një identitetit të ri i shqiptarëve të Kosovës, natyrisht prej disave, për shkak se mendoj që ky është një mendim në disa grupe të caktuara, ky kërkim i një identiteti të ri është një kërkim i një lloj projektimi i një rreziku të paqenë. Kjo do të thotë se ne, dakord nuk po e bëjmë Shqipërinë e Madhe, por, ama, do të bëjmë çmos që ky kombi shqiptar mos të duket I madh, ose të mos krijojmë një Shqipëri të Madhe të ndryshme shpirtërore, kulturore, gjuhësore, historike, etj. Pra, është e njëjta frikë, që ndoshta tash transferohet nga sfera politike, gjeografike, në diçka të brendshme. Si e tillë, mendoj unë, është po aq qëllimkeqe.

Statusi i Kosovës do të jetë një pavarësi e mbikëqyrur, e definuar sipas Pakos së Martti Ahtisaarit. A mendoni se kjo Pako mund ta komplikojë organizimin e brendshëm shtetëror, duke ditur diskriminimin ekstra pozitiv që u bën vendbanimeve serbe në Kosovë?

Ky është një nga problemet më serioze në këtë dalje. Natyrisht, nuk duhet tepruar si problem, sepse nuk mendoj që bashkësia europiane dhe ekspertët që njohin Kosovën, e që do të jenë atje për të ndihmuar njëmendësimin e pavarësisë së Kosovës, do të jenë kaq naivë saqë mos ta kuptojnë se në një shtet të ri, që është shteti i ri shqiptar, mund të lejohet që gjërat të shkojnë deri në absurditet. Pra, të abuzohet, të spekulohet me disa parime që janë të drejta, por që duke u keqinterpretuar, duke spekuluar me to, mund të kthehen në parime bllokuese, të padrejta. Është krejtësisht e drejtë që pakicat në Kosovë të respektohen në maksimumin e standardeve europiane, e në radhë të pare sigurisht pakica serbe. Por, unë prapë i kthehem asaj se nuk besoj që europianët do të jenë kaq naive sa të lejojnë bllokadë, ose me një gjuhë më të thjeshtë që quhet sabotim i gjithçkaje në Kosovës. Sepse, nganjëherë, respektimi i të drejtës dhe kalimi I asaj si një mjet bllokues – nuk janë shumë larg. Ky rrezik do të jetë në Kosovë. Mendoj se kjo nuk është fatale, ka zgjidhje. Kjo kërkon vetëm që pala shqiptare të jetë korrekte në angazhimet e saj dhe me përpjekje do të zgjidhet, do të sqarohet gradualisht. Ndryshe, Kosova nuk funksionon dot, pasi që nëse do të ketë pengesa të tilla, të krijuar me qëllim për të penguar dhe jo më qëllim për ta çuar përpara këtë shtet të ri.

Thatë se shqiptarët nuk kanë qenë popull aq i pafat. Në fakt,tashmë në Kosovë është bërë klishe të thuhet se meritor për pavarësinë e Kosovës është populli i Kosovës dhe miqtë e shumtë perëndimorë. Por,çfarë realisht ndodhi që Perëndimi u rreshtua kaq fuqishëm përkrah popullit shqiptar, në këtë rast përkrah Kosovës?

E para, një herë, për pyetjen që diskutohet shpesh – cili ishte faktori kryesor për çlirimin e Kosovës? Kjo është e qartë për të gjithë, ose duhet të jetë e qartë për të gjithë, se këtu janë dy faktorë, të cilët pa njëri-tjetrin do të ishin të mangët. Në radhë të parë, ishte rebelimi i drejtë shqiptar, kryengritja shqiptare, lëvizja shqiptare, lufta shqiptare, kam parasysh lufta për çlirim që udhëhoqi UÇK. Pa të, problemet e Kosovës do të zgjasin ende. Një ditë do të merrej vesh e vërteta. Por, e vërteta që ndonjëherë përmes një veprimi, që është edhe heroik dhe dëshpërues, e edhe imediat – ritmi i kësaj të vërtete që shpërthen në këtë mënyrë, është shumë efikas. Dhe, kjo ndodhi. Pa një përpjekje të tillë, ndoshta përgjumja ndërkombëtare, dremitja do të vazhdonte shumë gjatë. Pra, ishte ky faktor i domosdoshëm. Për një fat të shqiptarëve, ky faktor gjeti mirëkuptim nga bashkësia europiane. Sepse, një kohë ai edhe mund të mos gjente mirëkuptim. Ju e dini se për një kohë të gjatë, UÇK, lufta e saj u quajt terroriste dhe propaganda jugosllave ishte kaq e zellshme në këtë gjë sa që kishte arritur të çorodiste një pjesë të opinionit ndërkombëtar, sidomos europian. Fati jonë e deshi që në këtë opinion europian pjesa më përparimtare e tij, e ndihmuar nga faktori i një pjese intelektuale tepër të guximshme të Europës, i një lëvizje të një opinioni tepër progresiv europian, zbardhi të vërtetën, se propaganda jugosllave po mashtron. Kështu që ndodhi një ndërthurje e lumtur, do të thosha unë, që faktori i brendshëm të ketë një mirëkuptim nga faktori ndërkombëtar. Dhe, ndodhi ajo që ndodhi. Ndodhi ajo që ishte e pabesueshme. Që Jugosllavia, e cila ishte kanakarja e Europës Perëndimore dhe asaj Lindore një kohë të gjatë, u bombardua nga Europa për hatër të shqiptarëve. Kështu që, mendoj se të dy këta faktorë – nuk mund të kuptohen pa njëri-tjetrin.

Mendoni se shqiptarët janë me fat që në këto 20 vjetët e fundit patën elitë intelektuale dhe lider politikë, të cilët bën zgjedhjen e duhur – rreshtuan masat në bllokun e shteteve perëndimore?

Nuk është e thënë që një kauzë e drejtë e një populli të vogël të gjejë mirëkuptim ndërkombëtar. Historia na jep të dyja rastet. Nga një anë, duket se e drejta fiton gjithmonë, i cili është një mentalitet popullor që disa here naiv, në fakt e drejta nuk fiton gjithmonë. Ne e dimë se ka popuj të tjerë, që njësoj sikur neve, ju është shkelur më këmbë e drejta e tyre. Prandaj, këtu është e drejtë të përdoret fjala FAT. Ne shqiptarët e Shqipërisë historike ishim të rreshtuar në një kamp fatalist të gabuar, kemi qenë në një gjendje staliniste, të pandreqshme. Ne kishim shpallur armiq, miqtë tanë. Gjë më të mbrapsht në botë nuk mund të ndodhte. Me qëndrimin tonë të keq, ndikonim për keq edhe për qëndrimin ndaj Kosovës. Si të thuash, ne mbronim Stalinin, ne nga kjo anë ishim turpi i botës dhe sigurisht se ne ishim të braktisur nga vëmendja ndërkombëtare, e një pjesë e kësaj braktisje I kalonte dashur pa dashur edhe Kosovës. Pa rrëzimin e komunizmit, Kosova nuk kishte gjasa ende të çlirohej. Do të thotë, faktori i pare që ishte, nuk ishte as i brendshëm I shqiptarëve të Kosovës dhe as factor i diplomacisë perëndimore. Ishte një para-faktor, pra rrëzimi I komunizmit, diçka që erdhi i papritur, i paparashikueshëm nga asnjë agjenci botërore. Rënia e komunizmit i hoqi bazat sundimit serb në Kosovë. Nuk është e rastit që lëvizja për çlirim në Kosovë mori hov pas rënies së komunizmit. Kjo ishte një rrjedh natyrale e historisë.

Kushtetuta e Re e Kosovës parasheh mosbashkimin e Kosovës me ndonjë shtet tjetër. Por çfarë mendoni ju, a mund të ndodh që në 100 vjetorin e shpalljes së mëvetësisë së Shqipërisë, pra pas katër vjetësh,Kosova dhe Shqipëria të bashkohen?

Këtë çështje unë nuk e kam parë të shtrohet diku. Nuk mendoj se është një problem për t’u shtruar. Është një problem që mendoj si i përket distancave të mëdha kohore. Populli shqiptar ka gjëra tjera përpara. Kosova ka shumë gjëra që duhet t’i zgjidhë, nga të cilat nuk duhet të trembet aspak, sepse një nga karakteristikat e lirisë është dinamizmi i jetës, i problemeve, të cilat kërkojnë zgjidhje. Shqiptarët kanë dhënë të kuptohet, përmes disa formave, se ata kanë bërë një sakrificë, kanë hequr dorë nga një ide që qarkullonte në mënyrë jo të organizuar. Pasi që çdo popull e ka në subkoshiencën e tij, një ide të natyrshme, të jetë familja bashkë. Por, këtu nuk ka pasur programe, zyra, organizimi nuk ka pasur as të hapura as të fshehta për një gjë të tillë. Prandaj, aq më pak kjo çështje mund të shtrohet kur shqiptarët sapo morën Kosovën në duar. Unë nuk e di të jetë shtruar kjo çështje edhe në Kosovë.

Në fakt kjo çështje shtrohet prej qarqeve ende margjinale, por që nuk dihet se si do të rrjedhin ngjarjet më tej.Por,a mendoni se bashkimi i shqiptarëve në fakt do të ndodh në Bashkimin Europian?

Hyrja e Kosovës dhe Shqipërisë në Bashkimin Europian, që është një çështje që mund diskutohet në mënyrë konkrete, praktikisht hyn hapësira shqiptare, e cila edhe në këto dyja nuk është e plotë, po të shikohet nga ana gjeografike ose politike. Bota shqiptare, hapësira shqiptare, universi shqiptar, në një Europë, e bashkuar vetvetiu, i dedramatizon kufijtë, i kthen ata në një faktor të dorës së dytë, të tretë. Kryesorja është që populli shqiptar t’I zgjidhë problemet e tij vitale, të shëndoshet, të forcohet, të përparojë, të emancipohet, të qytetërohet, të krijojë standarde të larta dhe të gjitha problemet tjera vetvetiu shkojnë drejtë zgjidhjes. Kosova, për shembull, ka problemin e jashtëzakonshëm të papunësisë, problemin e jashtëzakonshëm të funksionimit të degëve të përgjithshme të ekonomisë, etj. Të njëjtat probleme i ka edhe Shqipëria. Madje, disa herë më të mbrehtë. Kështu që, mendoj se energjitë tona kanë ku derdhen një kohë të gjatë, pastaj duke hyrë në Europë gjithçka ndryshon, vizionet, realitetet ndryshojnë, zgjidhen probleme që dukeshin të pazgjidhshme dhe dalin njëkohësisht probleme që kanë qenë të paparashikueshme. Kjo është jeta e kontinentit europian.
Fatmirësia më e madhe e kombit shqiptar sot është se ideja shqiptare me idenë europiane – përkon. Nuk ndeshen. Shqipëria po përfiton nga kjo bashkë-udhëtim me Europën, nga kjo bashkëpërputhje strategjish, mendimesh, për gjërat themelore. Falë kësaj, u krijua shteti i dytë shqiptar. Prandaj, ky është një fat i madh. Ka vende që gjykojnë se ju pengon hyrja në Europë, ju pengon aspirata europiane. Kurse, aderimi ynë në aleancën Euro-Atlantike dhe në Bashkimin Europian është tepër I sinqertë, i vërtetë, sepse lidhet me ekzistencën tonë, me sigurinë tonë për të ardhmen, me zhvillimin tonë ekonomik, kulturor me gjithçka.

Ka njerëz që mendojnë se Kosovës duhet t’i ndërrohet emri. Cili është mendimi juaj,zoti Kadare, a duhet t’i hyhet kësaj aventure apo jo?

Mendoj se është një gjë që ndoshta është e parakohshme që të shtrohet tashti. Është një problem jo fort i rëndësishëm, është një problem “luksi”. Është e vërtetë se fjala Kosovë është një fjalë serbe, sllave, e vërtetë. Por, unë zakonisht e kam një parim se nuk dua të hyj në gjëra që i përkasin shqiptarëve të Kosovës, pasi që është mendimi i tyre zotërues në këtë rast që duhet të merret parasysh. Nuk mendoj se është një gjë që nuk pret. Sigurisht se mund të shtrohet, mund t’i vijë radha. Shumë shtete në botë, këto 30-40 vitet e fundit, kanë ndërruar emrat. Nuk është kjo ndonjë skandal, nuk është ndonjë gjë e paparë në botë. Por, se sa është për t’u shtruar tashti, nuk jam i sigurt.

Leonard Kerquki, Gazeta Express

Read Full Post »

Older Posts »