Feeds:
Postime
Komente

Posts Tagged ‘9 maj’

Pas shumë mjegulle që ditët e fundit kishte mbështjellur realitetin politik të Kosovës, më në fund u bë e qartë se po përgatitet të ndodh ajo për të cilën ne e kemi paralajmëruar herët dhe vazhdimisht: më 11 maj zgjedhjet parlamentare dhe ato lokale të Serbisë do të mbahen në Kosovë.

Më 11 maj Serbia serbëve të Kosovës do t’u ofrojë dy mundësi: ngritjen e strukturave paralele politike në nivel lokal, e të cilat nuk do ta njohin pushtetin lokal në Kosovë; si dhe mundësinë e përfaqësimit të serbëve të Kosovës në parlamentin e Serbisë, e jo në atë të Kosovës. Kjo strategji e çintegron Kosovën tutje si në nivelin lokal, po aq edhe në atë qendror. Në nivelin komunal i izolon serbët edhe më shumë, duke e rritur lojalitetin e tyre ndaj strukturave paralele të Serbisë, kurse në nivelin qendror e thellon edhe më tej largimin e përfaqësimit të serbëve të Kosovës në parlamentin dhe institucionet e Kosovës.

Prandaj, hapi i dytë serioz i cungimit të sovranitetit të Kosovës, pas okupimit të veriut të Kosovës nga Serbia, është mbajtja e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë. Ata që na njohin seriozisht kërkojnë hapa serioz nga ne. Departamenti Amerikan i Shtetit bëri të ditur që zgjedhjet e shtetit të Serbisë nuk duhet të mbahen në Kosovë. Të njëjtën e pat deklaruar edhe Ministri i Jashtëm Gjerman (Frank-Walter Steinmeier). Kurse disa të tjerë si Komisioneri për Zgjerim i BE-së, Olli Rehn, duke cituar Planin e Ahtisaarit, ia mbajti ison Serbisë, duke i arsyetuar zgjedhjet nëpërmjet dyshtetësisë, dhe ky duket të jetë edhe qëndrimi i turpshëm i qeverisë së Kosovës. Por nëse vetë bashkësia ndërkombëtare është e paunifikuar mbi këtë çështje, ne duhet të kemi qëndrim pa ekuivoke: kategorikisht kundër mbajtjes së zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë.

Lëvizja VETËVENDOSJE!, më 9 maj 2008, organizon demonstratë gjithëpopullore kundër mbajtjes së zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë. Kosova është tepër e çmuar për t’ua lënë në dorë këtyre politikanëve, të cilët 9 vjet më parë firmosën një dokument që parashihte deputetë të Kosovës në parlamentin e Serbisë.

Lëvizja Vetëvendosje

Read Full Post »