Fjala e të Ngarkuarës me Punë, Tina Kaidanow, me rastin e Hapjes së Ambasadës së SHBA‐ve në Prishtinë, më 8 prill 2008
Z. president, z. kryeministër, kryetar i kuvendit Krasniqi, kryetar i komunës Mustafa, dhe anëtarë të stafit tim,
Ju faleminderit të gjithëve që keni ardhur sot për të ndarë me ne këtë moment shumë të rëndësishëm dhe emocionues. Si pasojë e statusit të ri të Kosovës si vend i pavarur, i njohur nga shumë prej kombeve më të fuqishme dhe më të përparuara të botës, na është dhënë leja nga Kongresi i SHBA‐ve për t’u hapur formalisht si Ambasadë e Shteteve të Bashkuara.
Gjersa Zyra e SHBA‐ve në Prishtinë ka funksionuar për shumë vite me të gjitha përgjegjësitë dhe detyrat e një misioni të zellshëm diplomatik, emërimi si ambasadë pasqyron një fazë të re në zhvillimin tonë dhe nënvizon përkushtimin tonë të thellë dhe të qëndrueshëm për të punuar për përparimin e Kosovës dhe popullit të saj.