“Asnjëherë nuk do të hapet pakoja e Martti Ahtisaari-t, asnjëherë nuk do të hapet statusi i Kosovës dhe asnjëherë nuk do të ulemi në tavolinë për të dialoguar çështjet që kanë të bëjnë me të ardhmen e Kosovës dhe të pozicionit të saj juridik dhe kushtetues që ka”, ka thënë presidenti i vendit Fatmir Sejdiu pas një takimi me përfaqësuesit e minoriteteve, veç atyre serb, të cilët e kanë bojkotuar takimin.
Presidenti Fatmir Sejdiu nuk e ka përjashtuar mundësinë e bisedimeve me Beogradin për çështje praktike që janë në interes të qytetarëve të Kosovës, por ka theksuar se në këto bisedime, Prishtina mund të hyjë vetëm si palë e barabartë me Beogradin.
Sejdiu ka thënë se pavarësisht tendencave të Beogradit, Qeveria e Kosovës nuk do të pranojë asnjë zgjidhje që do të jetë në dëm të qytetarëve të Kosovës.
Sipas tij, çdo çështje e mundshme do të analizohet thellësisht dhe me maturi. Presidenti i Kosovës siguroi se sa i përket statusit nuk do të ketë më asnjëherë bisedime me Serbinë.(RTK)