Feeds:
Postime
Komente

Posts Tagged ‘hoxha’

Ka pak ditë që ka mbushur 87 vjeç, e 17 Shkurti, dita e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, do të jetë për të një nga ngjarjet e rralla që ka përjetuar në jetë. Shumë e emocionuar, nën petkun e të gjitha përpjekjeve që bashkëshorti i saj Enver Hoxha ka bërë për këtë çështje, Nexhmije Hoxha ka vendosur të flasë e të urojë të gjithë shqiptarët për ditën e madhe. Me një tufë karafilash, ajo ka shkuar më 17 shkurt në varrezat e Sharrës, ku prehet Enveri, ndërsa i ka rrëfyer gjithçka. Shprehet se është e lumtur për veten që ia arriti të shohë këtë ditë, e po kaq e pezmatuar është që Enver Hoxha nuk mundi ta përjetonte fitoren e shekullit.

Çfarë mund të na thoni pas shpalljes së Pavarësisë në Kosovë?

Përshëndetje të zjarrta dhe urime pa fund, vëllezërve kosovarë për ditën e madhe historike, shpalljen e Pavarësisë së Kosovës. Kjo ditë, aq shumë e pritur, është një ngjarje e mrekullueshme, që ngazëlleu të gjithë shqiptarët kudo që janë, në Kosovë e Shqipëri, në Maqedoni e Mal të Zi, në diasporë, emigracion…, sepse më në fund Kosova u shkëput përfundimisht nga zgjedha shekullore e Serbisë. Ky akt historik që u arrit, në radhë të parë, me luftën e bijve të shquar të Kosovës, me gjak e sakrifica të padëgjuara të popullit trim kosovar, shënoi hapin e parë në rrugën e Pavarësisë së plotë. Për çdo shqiptar është një lumturi që ia arriti ta përjetojë këtë ditë të ndritur të Lirisë e Pavarësisë së Kosovës, pavarësisht se ka ende fuqi të mëdha që kërcënojnë popujt e vegjël në të drejtat e tyre të nënvetësisë, siç kanë bërë edhe me Shqipërinë e tani me Kosovën. Por sot, Kosova është e lirë. Çështje ndërkombëtare, për shumë arsye konjukturale në mes fuqive të mëdha, rrethana që ndihmuan Kosovën të ketë mbështetje e mbrojtje nga ato fuqi të mëdha, në plan të parë SHBA-ja, të interesuara qoftë për interesat e veta që në rajonin tonë, në Ballkanin e trazuar, kur Serbia, me prirjet e saj naziste, shkaktoi konflikte e masakra të tipit hitlerian, të vendoset një ekuilibër i qëndrueshëm në mes popujve e etnive të këtij rajoni, për t’u ngritur në nivelin e popujve demokratë, që bëjnë pjesë në Bashkimin Evropian.

Çfarë ju sjell ndër mend kjo ditë?

Ngjarja e jashtëzakonshme që solli 17 Shkurti, është një ngjarje që të ngarkon me emocione shumë të forta, duke përkujtuar gjithë ata bij të kombit shqiptar, që me pushkë e penë luftuan gjithë jetën për një Shqipëri të bashkuar, të lirë e të pavarur. Nder e lavdi të gjithë këtyre, që nga Skënderbeu me luftëtarët e tij, nga Isa Boletini e Abdyl Frashëri e gjithë rilindasit tanë, nga Ismail Qemali me gjithë luftëtarët e Vlorës e të gjithë krahinave të Shqipërisë për Pavarësinë e 1912-ës, nga partizanët e luftëtarët e tjerë atdhetarë e antifashistë në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni, deri tek luftëtarët e UÇK-së me komandantin legjendar, Adem Jashari, e gjithë ata dëshmorë që dhanë jetën e gjakun e tyre në demonstrata e burgje, të torturuar, të masakruar, ca të zhdukur nga forcat barbare paramilitariste të Sllobodan Millosheviçit e pasuesit të tij.

Sa e rëndësishme është kjo ditë në historinë shqiptare?

17 Shkurti i 2008-ës do të mbetet brez pas brezi në zemrat e gjithë shqiptarëve dhe i shkruar me germa t’arta në radhën e datave më të shquara të historisë së kombit shqiptar, që nga çlirimi i Krujës, Lidhja e Prizrenit, Dita e ngritjes së Flamurit kombëtar në Vlorë më 1912-ën, dhe çlirimi i Shqipërisë nga pushtimi nazifashist më 29 nëntor 1944.

Si ndjeheni, pasi kosovarët vlerësojnë shumë rolin e Enver Hoxhës në përpjekjet për një Kosovë të lirë?

Jam e lumtur që ia arrita kësaj dite, që Kosova të jetë e lirë dhe e pavarur nga sundimi i egër i Serbisë naziste e antishqiptare. Por sa e madhe është lumturia ime, aq e madhe është dhe keqardhja që Enveri nuk ia arriti të përjetojë ditën, kur para shqiptarëve të Kosovës u hap rruga për të ardhmen e saj të re, që ai e kish aq për zemër ta shihte të bashkuar me Shqipërinë amë, si një komb e shtet i vetëm, që s’u lodh gjithë jetës së tij ta proklamonte me zë të fortë e penë të mprehtë. Prandaj në këtë ditë të ndritur historike, unë me familjen time me emocione jo të zakonshme, shkuam te varri i Enverit, i vumë karafila të freskëta, i treguam për fitoren e Kosovës e gëzimin e të gjithë shqiptarëve në Prishtinë, Tiranë, Tetovë e në të gjitha trevat e komunitetit shqiptar, që tani të gjitha stacionet televizive shqiptare i tregojnë në kulmin e gëzimit dhe të bashkuar, të mbështjellë me flamuj të panumërt kuq e zi, që këndojnë e flasin në gjuhën e tyre të përbashkët shqipe. Kujtuam rreth tij, me sa zjarr e vendosmëri luftoi brenda mundësive të kohës e të rrethanave, në mbështetje të aspiratave të shqiptarëve të Kosovës dhe të gjithë të tjerëve që jetojnë në trojet shqiptare. Edhe një herë nga Tirana, bashkë me fëmijët e mi, në emër të Enverit përshëndesim e urojmë gjithë shqiptarët e Kosovës, veçanërisht familjen e Adem Jasharit e luftëtarëve të UÇK-së, Gëzuar Ditën e Pavarësisë!

Gazeta Shqiptare

Read Full Post »