Sipas një artikulli në të përjavshmen Java, gazetari Baton Haxhiu tani po punon për t’iu siguruar disa mediave nga Shqipëria frekuenca kombëtare të transmetimit në Kosovë.
Sipas burimeve të Javës Baton Haxhiu ka qenë ndërmjetësues për një takim midis kryeministrit të Kosovës Hashim Thaçi dhe pronarit të Top Media, Dritan Hoxha. Top Media është pronare e Top Channel, DigitAlb dhe gazetës Shqip.
Gjatë takimit mësohet se Hoxha i ka premtuar Thaçit investime në Kosovë që kapin shumën 10 milion euro, ndërsa Thaçi ka premtuar mbështetje të qeverisë për Top Media.
Haxhiu, që deri para disa muajve ishte drejtor i gazetës Express, pronë e IPKO, ka lidhje të mira edhe me aksionarët e kompanisë Klan, Aleksandër Frangu dhe Blendi Fevziu. Edhe këtyre të dyve supozohet u është premtuar një frekuencë.
Qëllimi I këtyre veprimeve mendohet është pakënaqësia e qeverisë së Kosovës me televizionet në Kosovë, RTK, RTV21 dhe KTV.
Gazeta Java, që shumë herë është shprehur pro ndërtimit të identitetit kosovar akuzon qeverinë e Kosovës se po përbuz mediat kosovare dhe po punon në mënyrë aktive për dobësimin e këtyre mediumeve.
Thaçi ka dëshirë që të jetë i vetmi që ka ndikim në Radio Televizionin e Kosovës por kjo po i pamundësohet nga Ramush Haradinaj që përmes gruas Anita Haradinaj por edhe baballëkut Mustafë Muçaj po ushtron ndikim të dukshëm në politikat redaktuese të këtij televizioni publik.
Në raportin e fundit të organizatës Freedom House në lidhje me lirinë shtypit në Kosovë thuhet se mediat kanë probleme financiare dhe u nënshtrohen interesave të biznesit. Edhe pavarësia redaksionale vazhdon të mbetet e dobët sipas raportit.
Radiotelevizioni i Kosovës, thuhet në raportin e organizatës Freedom House është veçanërisht në mëshirën e interesave politike dhe ekonomike.
Molla e Kuqe