Feeds:
Postime
Komente

Posts Tagged ‘Jugosllavia’

E vetmja rrugë e hapur për t’i bërë ballë problemit të pazgjidhur të zhvillimit ekonomik të Kosovës titiste si edhe pasojave të pashmangshme shoqërore mbetej kurbeti. Falë një marrëveshjeje të re të nënshkruar ndërmjet Federatës jugosllave dhe Turqisë, një numër i madh myslimanësh « u ftua » të merrte rrugën drejt vendit « të origjinës ». Burimet jozyrtare flasin për 246.000 myslimanë që braktisën Jugosllavinë ndërmjet viteve 1945 dhe 1966, mes të cilëve rreth 100.000 nga Kosova. Rregjistrimet e popullsisë të zhvilluara në 1948 dhe 1951 lejojnë të shihet një rritje e paparë e numrit të njerëzve që e deklarojnë vetvehten « turq » ; vetëm në Maqedoni, nga 95.940 të tillë të rregjistruar në vitin 1948, tre vjet më vonë numri i këtyre turqve të fshehur shkon në 203.000 vetë. Nuk është e vështirë të kuptohet se pjesa më e madhe e tyre s’ishin gjë tjetër veçse shqiptarë që e jetonin fort keq gjendjen e tyre prej pakice ose që s’mund të duronin më gjendjen e tyre edhe më të vështirë ekonomike. Diferenca e nuancës mes turqve « të gënjeshtërt » dhe shqiptarëve « të vërtetë » nuk duket të ketë shqetësuar tej mase administratën titiste pasi në sytë e saj si në njerin rast dhe në tjetrin bëhej fjalë për myslimanë të bindur. Ndërkohë, si pasojë e papunësisë të pashembullt prej 70% që prekte popullsinë me origjinë shqiptare të Kosovës, një numër ende më i madh zgjodhi kurbetin klasik me motive ekonomike, drejtimet tradicionale të të cilit ishin Gjermania dhe Zvicra (1). Pak nga pak, diaspora e bollshme perëndimore u bë një faktor i dorës së parë, së pari në rrafshin ekonomik dhe më pas në atë politik. Në origjinën e tyre, hyrjet e vazhdueshme dhe të rregullta të devizës së huaj të fortë shërbyen për të rrafshuar diferencën e ndjeshme të të ardhurave lokale në krahasim me republikat e tjera pasi qëllimi i tyre kryesor ishte pikërisht përmirësimi i jetesës së përditshme. Më tej në praktikën e zakonshme, markat gjermane dhe frangat zvicerane bënë që të zbulohen horizonte të reja, ai i shitoreve dhe i shërbimeve, ndërkohë që sasi të mëdha devize investoheshin drejt blerjes së tokave dhe në ndërtimin e shtëpive. Kjo gjë jo vetëm i dhuroi një shkallë më tepër lirie popullatës shqiptare lidhur me kompozanten serbe e cila duhej të organizonte jetën veç me anë të rrogave, por edhe dobësoi gjithnjë e më tepër vartësinë e saj nga pushteti qendror (2), duke thelluar diferencimin shoqëror dhe ekonomik. Kjo dikotomi ndërmjet trajektores ekonomike të imponuar nga pushteti me atë të zgjedhur prej grupit, mes logjikës shoqërore individuale dhe asaj bashkësiore – e kqyrur në kontekstin ku konceptet shumicë/pakicë ushqehen nga një paqartësi e natyrës ideologjike, shërben si terren i përshtashëm për kërkesa të ardhshme të natyrës politike.

(më tepër…)

Read Full Post »

Gazeta britanike, The Guardian, i ka shtruar historianit britanik, Noel Malcolm, pyetjen “A është Kosova Serbi?”. Kjo është përgjigjja që Malcolm, autor i librit të famshëm “Kosovo – a short story” i dha kësaj gazete.

—–

Historia e serbëve filloi në fillim të shekullit të 7-të kur ata u vendosën në Ballkan. Baza e tyre ishte jashtë Kosovës, të cilën ata e pushtuan gjatë fillimit të shekullit të 13-të, kështu që pohimi “Kosova ishte djepi i serbëve” është i pavërtetë.

Ajo që është e vërtet është se ata e sunduan Kosovën për rreth 250 vjet deri kur osmanët arritën kontrollin e plotë gjatë mesit të shekullit të 15-të. Kishat dhe manastiret kanë mbetur nga ajo periudhë, por nuk ka më shumë vazhdimësi midis shtetit mesjetar serb dhe Serbisë së sotme se sa midis Perandorisë Bizantine dhe Greqisë.

Kosova ishte territor osman deri sa kur u pushtua nga forcat serbe në vitin 1912. Serbët thonë se ata e çliruan Kosovën por edhe vlerësimet e vetë serbëve tregojnë se popullata ortodokse serbe në këtë kohe ishte më pak se 25 %. Shumica e popullsisë ishte shqiptare, dhe nuk e mirëpritën sundimin serb, kështu që “pushtim” është fjala e drejtë.

Por ligjërisht Kosova nuk ishte e përfshirë në mbretërinë Serbisë në vitin 1912: ajo vazhdoi të ishte territor i okupuar deri pas 1918-ës. Atëherë Kosova më në fund u inkuadrua, jo në shtetin serb, por në Jugosllavi dhe përveç një ndërprerje gjatë luftës së dytë botërore ajo mbeti pjesë e Jugosllavisë deri në vitin 2006.

Deri në shkatërrimin e Jugosllavisë federale nga Millosheviqi, Kosova kishte status të dyfishtë. U quante pjesë e Serbisë por ishte gjithashtu pjesë e federatës. Statusi si pjesë e federatës mbizotëronte; Kosova kishte parlamentin dhe qeverinë e saj dhe ishte e përfaqësuar drejtpërsëdrejti në nivel federal sikurse edhe Serbia. Në të vërtet Kosova ishte njëra nga tetë njësitë përbërëse të sistemit federal.

Pothuajse të gjitha njësitë janë bërë të pavarura. Historikisht, pavarësia e Kosovës vetëm kompleton këtë proces. Për këtë shkak Kosova tani është një shtet ish-jugosllav, kështu do të thoshte secilido historian.

 Is Kosovo Serbia? We ask a historian, The Guardian, 26 shkurt 2008

Read Full Post »

Më 26 shkurt 2008, Ministri i Financave të Serbisë, z. Dinkiq ka deklaruar se Serbia duhet t’i ndalojë pagesat e borxheve të Kosovës, pasi që kjo e fundit e ka shpallur pavarësinë më 17 shkurt 2008. Qeveria e Serbisë do të vazhdojë ta diskutojë qëndrimin e saj rreth kësaj çështjeje. Sipas qeverisë së Serbisë, borxhi i supozuar është llogaritur të jetë rreth 1,264 miliardë dollarë amerikan. Çështja e borxhit dhe si duhet të zgjidhet ky problem është diskutuar në negociatat e fundit në mes të Prishtinës dhe Beogradit në procesin e udhëhequr nga Ahtisaari në Vjenë. Rreth gjysma e borxhit është ndaj Bankës Botërore, ndërsa gjysma tjetër është borxh ndaj Klubit të Parisit dhe atij të Londrës.

Ligjërisht, Kosova nuk është nënshkruese e këtyre kredive dhe si e tillë asnjë pjesë e borxhit nuk mund t’i transferohet automatikisht. Nënshkruese e borxhit ka qenë Republika Socialiste Federative e Jugosllavisë, dhe pasardhëset e saja, Republika Federative e Jugosllavisë, Serbia dhe Mali i Zi, si dhe në fund Serbia. Në aspektin ligjor, Qeveria e Serbisë është përgjegjëse për borxhin dhe çfarëdo ndalese e pagesës së borxhit pa marrëveshje me kreditorët dhe Republikën e Kosovës do të ketë pasoja vetëm për Serbinë. Megjithatë, autoritetet e Kosovës duhet të theksojnë përsëri gatishmërinë për të diskutuar këtë çështje.

Rekomandohet që sa i përket çështjes së borxheve, Qeveria e Kosovës t’i koordinojë politikat në bazë të parimeve në vijim:

1) Kosova duhet të shprehë gatishmërinë që të merr përsipër kthimin e kredive, që janë përdorur për projekte në Kosovë. Ekziston një numër i projekteve në Kosovë të cilat janë financuar nga këto kredi. Kosova nuk duhet ta mohojë këtë dhe në rrugën drejt zhvillimit të shtetit të qëndrueshëm dhe të respektueshëm, duhet të pranojë obligimin moral që të merr përsipër borxhet të cilat i takojnë asaj.

2) Kosova duhet t’i pranojë borxhet vetëm pasi të verifikojë se ato fonde janë investuar në Kosovë. Kjo mund të bëhet duke e verifikuar dokumentacionin origjinal të kredive që momentalisht gjendet në Beograd. Pasi që borxhi është ndaj shumë kreditorëve individual është joreale të pritet që ky informacion mund të mblidhet nga këto institucione. Kosova nuk duhet të marrë përgjegjësinë për çfarëdo pjese të borxhit në qoftë se nuk ka qasje në këtë dokumentacion.

3) Kosova duhet të jetë e gatshme të diskutojë me Beogradin çështjen e borxheve siç është paraparë në Planin e Ahtisarit. Ekzistojnë disa raste ku dy shtete të ndara kanë diskutuar çështje të sukcesionit. Gjithashtu, të gjitha shtetet e tjera të pavarura të ish-Jugosllavisë kanë negociuar ndarjet e pasurisë dhe borxheve. Rasti i fundit ishte pavarësimi i Malit të Zi. Në shumicën e rasteve, pasi që diskutimet përfshijnë edhe ndarjen e kredive të paalokuara, (kreditë e përgjithshme), marrëveshjet përfshijnë edhe ndarjen e pasurive të shtetit, si edhe çështje të tjera të pazgjedhura të ndarjes.

Këto parime sigurojnë që Kosova është gati që të diskutojë pasuritë dhe obligimet për t’i respektuar përgjegjësitë dhe obligimet e veta; dhe vepron në pajtueshmëri me parimet e Planit të Ahtisaarit duke mos i dëmtuar interesat e saja financiare.

Instituti për Studime të Avancuara – GAP

Read Full Post »