Nga blogu Xha Xhai
Pyetja e parë në lidhje me identitetin kosovar është nëse ekziston apo jo veçmas, si alternativë ndaj identitetit shqiptar.
Shkëputja e Kosovës prej Serbisë – fitore historike nga ato që është fat t’i përjetosh – e lypte madje ia vlente një farë mjegullimi të raporteve të banorëve shqiptarë të Kosovës me Shqipërinë. Nga ana tjetër, për shumë kosovarë pyetja nëse të jesh kosovar është diçka e ndryshme nga të jesh shqiptar është pa kuptim.
Nga ana tjetër, Shqipëria dhe Kosova kanë histori të ndryshme: me përjashtim të disa pak viteve gjatë Luftës II Botërore, Kosova nuk ka qenë kurrë pjesë e Shqipërisë, edhe pse ka qenë kurdoherë pjesë e mitit kombëtarist shqiptar.
Nëse shqiptarë prej Shqipërie e shqiptarë prej Kosove ndajnë një histori të përbashkët, kjo ka të bëjë me periudhën kur të dy miset e shqiptarisë ballkanase i përkisnin Perandorisë Osmane. Kjo lloj përkatësie nuk u ka shpëtuar ideologëve serbë, të cilët rilindjen e faktorit shqiptar në Ballkan duan ta paraqitin si një revansh të luftrave ballkanike dhe dëbimit të osmanëve prej gadishullit.
Pyetja e dytë është nëse identiteti kosovar do parë si diçka statike, apo si diçka dinamike, në formim e sipër, i projektuar ndaj së ardhmes.
Këtu vizioni europian për shtetin më të ri në kontinent dhe vizioni i shtetasve të Kosovës nuk pajtohen dhe aq. Për Europën rëndësi ka veçanërisht se çfarë do të bëjnë pikërisht kosovarët; ndërsa për kosovarët vetë rëndësi ka para së gjithash se cilët janë: fisi, feja, gjuha që flasin, rangu social, klani, lidhjet miqësore.
E vërteta është se që prej 1912-ës e deri më sot, pikë referimi e kombëtarizmit kosovar ka qenë Tirana; aq më tepër kur kosovarëve u është dashur të diferencohen prej popujve të tjerë të Jugosllavisë. Ndryshe prej boshnjakëve, që këtë diferencim e kanë realizuar nëpërmjet identitetit fetar mysliman, kosovarët e kanë marrë frymëzimin identitar nga shteti përbri.
Për këtë arsye, nëse mund të flitet për një identitet kosovar të tanishëm në kuptimin jokrahinor, ky i ka rrënjët në bashkëjetesën – sado të lemerisur e të përçudnuar – midis kosovarëve dhe serbëve: institucionet që i kanë qeverisur, kultura që kanë marrë në shkollat e në universitetet, ekonomia ku kanë prodhuar, librat që kanë lexuar, mediat me të cilat kanë komunikuar.
Migjen Kelmendi ka vite që identitetin kosovar kërkon ta themelojë mbi një variant të gegërishtes të ngritur në nivelin e një kosovarishteje zyrtare, e cila t’i kundërvihet toskërishtes zyrtare të adoptuar nga Tirana në 1972 e që përdoret sot e kësaj dite në ligjërimin publik të Prishtinës. Mirëpo kosovarishtja e Kelmendit nuk ka traditë të shkruar, as shkrimtarë prestigjiozë; në një kohë që zhargoni burokratik i krahinës, në atë masë që dallon prej zyrtarishtes së Tiranës, është i nginjur me kalke dhe forma semantike të serbishtes.
A ka gjasa kosovarishtja të zëvendësojë standardin e Tiranës, si gjuhë institucionale në Kosovë? Mua më duket se jo, sidomos ngaqë në Prishtinë sot për sot e pavarësisht nga përpjekjet e Migjen Kelmendit e të gazetës “Java”, mungon dëshira për këtë farë revolucioni, i cili prej shumëkujt shihet si përçarës i çështjes kombëtare.
Çështja e vërtetë nuk është nëse Kosova dhe Shqipëria do të bashkohen për të përftuar Shqipërinë e Madhe, sikurse paralajmërohet me të madhe në Beograd, Athinë e Moskë; por nëse shqiptarët, kudo që janë në Ballkan, do të arrijnë të komunikojnë lirisht mes tyre, pa u marrë dorën serbëve, maqedonasve, ose kujtdo tjetër që i ka parë e i sheh nga lart poshtë, ose i shpërfill si qytetarë të dorës së dytë, mafiozë, aborigjenë, fundamentalistë islamikë, ose terroristë demografikë.
Me të drejtë është thënë se ky nivel komunikimi ndërshqiptar në liri do të arrihet kur hapësira shqiptare të integrohet ekonomikisht dhe politikisht në Europë; edhe pse komunikimi vetë do të kryhej më mirë sikur shqiptarët të përdornin, në publik, të njëjtat zanore e bashkëtingëllore e të njëjtat forma gramatikore.
Pyetja e tretë ka të bëjë me karakterin “multi-etnik” që i është dhënë shtetit të ri kosovar e që është konsakruar deri edhe në flamurin e sapo-shpallur.
Natyrisht, serbët kanë historinë, mitet dhe monumentet e tyre në Kosovë, të cilat gjithsesi u duhen respektuar, siç edhe u janë respektuar. Nga ana tjetër, shteti i ri kosovar u përket, në teori, edhe atyre qindra mijërave serbë që jetojnë në trojet e tij; pavarësisht nga lojërat që po bën sot me ta Beogradi. Prandaj pyetja ime do të formulohej kështu: a mund të jetë ky identitet i ri kosovar i tillë që t’u duket i pranueshëm edhe serbëve të Kosovës?
Siç lexoja sot në “The Guardian”, edhe pse nuk e gjykojnë veten si të ardhur ose mysafirë mes shqiptarëve të atjeshëm, serbët e Kosovës thonë hapur se nuk e kanë ndier as do ta ndiejnë veten ndonjëherë kosovarë, por veç serbë. Kjo besnikëri e ky përkushtim i serbëve të atjeshëm ndaj identitetit serb primordial, përbën njëkohësisht sfidë ndaj partizanëve të identitetit kosovar – meqë identiteti i ri elitar, nëse nuk i ndih konsolidimit të qytetarisë në shtetin e ri të Kosovës, atëherë për çfarë do t’u duhej pikërisht shqiptarëve të Kosovës?
Read Full Post »