Me gjithë problemet e shumta pas ditëve të para të Pavarësisë, nga shtetit i ri i Kosovës pritet zgjidhje edhe për trashëgiminë kulturore. Kjo çështje e politizuar në favor të tezave të përkatësisë territoriale, kërkon përkujdesjen për vlerat që bartin këto monumente. Shumë prej tyre, të shkatërruara dhe të djegura, ndoshta nuk do të kthehen më. Mbrojtja dhe rindërtimi i tyre është një tjetër sfidë për shtetin e ri. Historiani dhe drejtuesi i Kompleksit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Parim Kosova beson se rritja e buxhetit për këtë fushë do të përshpejtonte konservimin, restaurimin dhe ringritjen e këtyre monumente. Por sipas tij, është e nevojshme të nisë sa më parë verifikimi i hipotezave të falsifikuara nga serbët për trashëgiminë ortodokse shqiptare të Kosovës, sipas të cilave ato i përkasin serbëve.
Një nga çështjet e diskutuara në Kosovë është trashëgimia kulturore dhe historike. Çfarë ka ndodhur ndër vite me këtë pasuri?
Si në krahinat e tjera shqiptare ashtu edhe në Kosovë, iliro-shqiptarët në vazhdimësi kanë krijuar edhe vlera të shumta kulturore-historike. Dëshmi janë lokalitetet e shumta arkeologjike, objektet arkitektonike, perlat e shumta etj. Trashëgimia jo ortodokse në Kosovë gjatë gjithë kohës së okupimit serb të Kosovës(1912-1999) përjetoi përdhunime të ndryshme dhe sistematike, sipas planeve të sajuara nga institucionet shtetërore të okupatorit. Ajo trashëgimi që i shpëtoi kulturocidit dhe urbicidit serbojugosllav filloi të trajtohet në mënyrë institucionale vetëm gjatë viteve 1967-1981. Kjo falë rrethanave të krijuara në politikën ndërkombëtare në relacion me ish-Jugosllavinë. Nga viti 1981-1999, pas demonstratave shqiptare për Kosovën Republikë, filloi vendosja e masave të dhunshme nëpër institucione shkencore, kulturore, arsimore të Kosovës si në Entin për Mbrojtjen e Monumenteve të Kosovës, Muzeun e Kosovës, Muzeun e Revolucionit të Kosovës, Entin për Mbrojtjen e Përmendoreve Kulturore të Prizrenit etj. Filloi edhe rrënimi i shumë monumenteve të tjera që kishin shpëtuar deri atëherë. Madje u përdhosën edhe bustet e heronjve shqiptar që kishin luftuar nën parullën e “Vëllazërim Bashkimit” gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Situatat që pasuan më vonë, sollën heqjen e autonomisë së Kosovës më 1989. Kështu filloi faza e përshpejtuar edhe e shkatërrimit të trashëgimisë në Kosovë nga serbët. Gjatë Luftës së fundit UÇK-shteti Serb, ata shkatërruan edhe një pjesë të madhe të trashëgimisë. Vetëm në rrethinën e Deçanit dogjën dhe shkatërruan mbi 300 kulla. Në Kosovë dogjën dhe shkatërruan 218 xhami, shumë teqe, tyrbe, disa kisha katolike dhe me qindra mijëra objekte banimi. Muzeu i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit së bashku me eksponatet, kulla ku është mbajtur Lidhja Shqiptare e Pejës, Çarshia e Pejës, Çarshia e Gjakovës etj, patën të njëjtin fat.
Aktualisht si është gjendja? Ka pasur rindërtime të këtyre monumenteve historike dhe kulturore?
Një pjesë e tyre u rindërtuan nga vetë pronarët, disa nga buxheti i konsoliduar i Kosovës, një pjesë tjetër u rindërtuan me donacione të ndryshme. Pas luftës është rindërtuar Muzeu i djegur i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Teqeja Bektashiane e Gjakovës etj. Por duhet të theksohet se shumica nga këto mijëra objekte të shkatërruar, për shumë arsye nuk mund të rindërtohen më asnjëherë.
Kosova vazhdon të gëzojë ditët e para të Pavarësisë. Çfarë mendoni se do ndodhë me këtë pasuri dhe cilat duhet të jenë masat e para?
Me zgjidhjen e statusit të Kosovës, situata për trashëgiminë do të jetë shumë më e favorshme. Pavarësisht vështirësive të ndryshme që do të ketë në buxhetin e Kosovës, duhen gjetur mënyra që buxheti për trashëgimi të rritet. Kjo është bazë për përkujdesje të mirëfilltë të trashëgimisë së mbetur dhe të rindërtimit të një pjese të atyre që janë shkatërruar. Flasim për ato monumente që ekzistojnë në incizime arkitektonike dhe fotografi të ndryshme. Rritja e buxhetit do të çojë në përshpejtimin e restaurimit, konservimit dhe rindërtimit të monumenteve. Mendojmë që duhet të fillohet me verifikimin e hipotezave serbe pasi ata, të mbështetur nga aleatët tradicional të pansllavizmit gjatë gjithë shekullit të kaluar bënë falsifikime për trashëgiminë ortodokse shqiptare në Kosovë, duke u munduar të përvetësonin ato objekte si të tyre. Pas Pavarësisë, besoj që ekspertët vendorë në bashkëpunim me ata nga Tirana dhe vende të tjera duhet të vërtetojnë këto falsifikime të pseudoshkencës serbe. Rindërtimi i atyre që janë shkatërruar duhet të fillojë. Puna ka filluar në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, e cila përmes ekspertëve të Instituteve për Mbrojtjen e Monumenteve ka bërë inventarizimin e trashëgimisë së Kosovës. Në këtë mënyrë janë evidentuar objektet-monumentet të të gjitha gjinive. E rëndësishme është që tani monumentet janë nën përkujdesje institucionale dhe të mbrojtura me ligj nga Shteti i Kosovës.
Do të gjejë vëmendjen e duhur trashëgimia në këtë kohë, apo do të ketë një shpërfillje kundrejt problemeve të tjera?
Kjo gjë nuk do të ndodhë kurrë në Shtetin e Kosovës. Populli me shekuj i mbrojti monumentet e veta dhe tani ka edhe institutet e veta nëpër të gjitha komunat e Kosovës. Vitin e kaluar u aprovua edhe Ligji për Trashëgimi dhe është në funksion.
A ka marrë një theks politik, si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë kjo çështje?
Edhe më sipër theksova se Serbia me aparatin e saj arriti të politizojë këtë çështje, por besoj që në vitet e ardhme kjo do të depolitizohet. Po marrim vetëm një shembull të këtij vullneti. Manastiri i Deçanit historikisht dihet që i ka takuar fisit shqiptar Gashi, por aty prej vitesh janë vendosur murgjit serbë…Manastiri në fjalë tani është monument i mbrojtur edhe nga UNESCO-ja. Për momentin Serbia doli fituese në këtë drejtim. Me aleatët e vetë arriti të politizojë falsifikimet e veta. Mjerisht kjo gjë u mbështet edhe në Planin e Ahtisaarit…
Një pjesë e mirë e objekteve të trashëgimisë u rrëmbyen gjatë luftës. Ka përpjekje ose shpresa të kthehen sërish?
Në vitin 1995, Ministria e Kulturës e Serbisë kishte organizuar një ekspozitë në Beograd të titulluar “Vlerat e Kosovës”. Disa qindra eksponate i kishte marrë nga Muzeu i Kosovës, Muzeu Arkeologjik Regjional i Prizrenit dhe pavarësisht përpjekjeve nga instancat e Kosovës ato nuk janë kthyer ende. Ka pasur vetëm ndonjë rast si ai para tri vjetësh kur administratori i Kosovës z. Michael Shtainer solli nga Beogradi eksponatin shumë me vlerë “Hyjnesha në Fron”, e cila daton në vitin 3500 pr. Er.
Objektet e kultit kanë qenë objektiv i shkatërrimeve të mëdha. Vazhdojnë të kanosen?
Edhe gjatë luftës së fundit ishin objektiv i shkatërrimeve nga serbët, por sot ato trajtohen në mënyrë institucionale, dhe nuk kanosen nga përdhunimet.
Nisur nga pozicioni i historianit, sa kanë humbur brezat që do vijnë nga dëshmitë historike të Kosovës, që tashmë nuk janë më?
Kosova, njerëzimi dhe brezat në përgjithësi kanë humbur shumë nga gjithë ky kulturocid i ushtruar nga serbët ndaj trashëgimisë në Kosovë.
Ju drejtoni një kompleks, i cili vet pësoi shkatërrim total. Keni bërë një kërkesë për gjykim në Gjykatën e Hagës. Është marrë parasysh?
Muzeu Historik në Kompleksin Monumental të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, më 27 mars 1999 u dogj së bashku me të gjitha eksponatet nga serbët. Ndaj këtyre 11 pjesëmarrësve kemi ngritur aktakuzë në Tribunalin e Hagës. Ne ende nuk kemi informatë që është marrë në shqyrtim aktakuza jonë.
Oliverta Lila, Gazeta Shqiptare
Read Full Post »