Feeds:
Postime
Komente

Posts Tagged ‘Kosovë’

Përfaqësuesi i Bashkimit Evropian në Kosovë, Pieter Feith hapi zyrën e tij në Prishtinë duke u kërkuar serbëve që të mos frikësohen nga BE-ja.
Duke folur tre ditë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, zoti Feith tha se BE-ja do t’i dislokonte 2000 zyrtarët e policisë dhe gjyqësorit në mbarë Kosovën, përfshirë edhe në veriun e dominuar nga serbët.Por ai shtoi se do të ishte e gabuar të sygjerohej se Kosova do të bëhej protektorat i BE-së:

“Po ndodh një transferim i autoritetit që do të jetë nga OKB-ja në qeverinë e Kosovës. Nuk është një transferim nga OKB-ja tek BE-ja, sepse jemi në një pozitë të ndryshme këtu.”

“Ne nuk do të vazhdojmë administrimin e Kosovës. Është qeveria ajo që do të marrë përgjegjësitë dhe ne jemi këtu si këshilltar të afërt të qeverisë me përgjegjësinë e caktuar të zbatimit të zgjidhjes së gjithanshme”, tha përfaqësuesi i BE-së.

Zoti Feith e cilësoi ekonominë e Kosovës si një prej çështjeve kryesore, me të cilën duhej të merrej BE-ja.

“Unë mendoj se me forcimin e sigurisë për të gjithë shtetasit përfshirë edhe komunitetin serb, ekonomia, krijimi i vendeve të punës, rritja, investimet janë ato që do t’i bëjnë njerëzit të qëndrojnë ku janë dhe të ndihen më pranë institucioneve evropiane, të cilave u përkasin”, tha Pieter Feith.

BBC Shqip 

Dje publikuam :  Intervistë me “kryeadministratorin” e ri 

Read Full Post »

Këtu kemi renditur të gjitha ngjarjet me rëndësi që nga kur filluan negociatat për statusin përfundimtar të Kosovës në vitin 2005 dhe deri në shkurt 2008 kur u bë shpallja e pavarësisë.

24 janar 2005: International Crisis Group (shqip: Grupi Ndërkombëtar i Krizave) publikon raportin “Kosovo: Toward Final Status” ku konkludohet se pavarësia është zgjidhja më e mirë për Kosovën. Serbët si gjithmonë refuzojnë këtë.

tetor 2005: Kai Eide, ambasador i Norvegjisë në NATO, i dorëzon Kofi Annan raportin mbi gjendjen e përgjithshme në Kosovë. Eide i rekomandon Annan fillimin e bisedimeve për statusin. Politikanët shqiptarë të Kosovës e karakterizojnë raportin si të drejtë.

10 nëntor 2005: Këshilli i Sigurimit i OKB-së aprovon emërimin e Martti Ahtissari nga sekretari gjeneral Kofi Annan, si përfaqësues special për statusin e ardhshëm të Kosovës. Zëvendës i Ahtisaari emërohet austriaku, Albert Rohan.

21 nëntor 2005: Martti Ahtisaari viziton Kosovën për herë të pas që nga emërimit si përfaqësues special për statusin e ardhshëm të Kosovës. Ai bën takime me kryeadministratorin e OKB-së, Søren Jessen-Petersen, presidentin Ibrahim Rugova, kryeministrin Bajram Kosumi dhe përfaqësues të opozitës dhe minoritetit serb. Në të njëjtën ditë proteston lëvizja “Vetëvendosje” me parullat “Jo negociata- Vetëvendosje”.

21 janar 2006: Presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova, që për një kohë kishte vuajtur nga kanceri në mushkëri ndërron jetë. Afër një milion njerëz e përcjellin për në varr. Bisedimet që do të duhej të startonin në fund të këtij muaji shtyhen për disa javë.

10 shkurt 2006: Fatmir Sejdiu zgjidhet nga Kuvendi i Kosovë, president i Kosovës.

1 mars 2006: Kryeministri Bajram Kosumi jep dorëheqje. Edhe kryeparlamentari Daci detyrohet ta bëjë këtë. Disa ditë më vonë zgjidhet, Agim Çeku, që deri në këtë kohë ishte kryekomandant i TMK-së, kryeministër për AAK, dhe Kolë Berisha nga LDK zgjidhet kryetar i parlamentit.

12 qershor 2006: Søren Jessen-Petersen (PSSP) lajmëron largimin e tij nga Kosova. Analistët thonë se po e lënë Kosovën për shkak të deklaratave pro-pavarësisë.

15 qershor 2006: Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, fillon një vizitë treditore në Kosovë. Përsërit qëndrimin e qeverisë Shqiptare për pavarësi të plotë për Kosovën. Gjatë kësaj vizite ai vizitoi qytetet kryesore të Kosovës.

24 korrik 2006: Takimi i zyrtarëve më të lartë të Kosovës dhe Serbisë në pallatin Niederosterich, Vjenë, Austri. Prezent janë: Agim Çeku(kryeministër i Kosovës), Fatmir Sejdiu(president i Kosovës), Vojslav Kostunica(kryeministër i Serbisë), Boris Tadic(president i Serbisë) dhe anëtarët tjerë. Siç është pritur nuk arrihet asnjë marrëveshje, por Ahtisaari e konsideron të suksesshëm për faktin se këta liderë janë takuar sy në sy. Në Kosovë ky takim u përshkruante si “takimi i elefantëve”. Lëvizja “Vetëvendosje” proteston në Prishtinë kundra këtyre bisedimeve.

27 korrik 2006: Ultranacionalisti, Tomislav Nikolic, lider i Partisë Radikale të Serbisë, kërcënoi me luftë nëse Kosova merr pavarësinë.

28 korrik 2006:International Crisis Group publikon raportin “An Army for Kosovo?”, ku thuhet se Kosova duhet të ketë ushtrinë e vet pas zgjidhjes së statusit, që sipas tyre duhet të jetë pavarësia.

7 gusht 2006: Bisedimet mes autoriteteve kosovare dhe serbe në Vjenë. Në fokus është decentralizimi. Delegacioni shqiptar drejtohet nga Veton Surroi. Pas mbarimit të këtyre takimeve thuhet se ka pasur progres minimal.

14 gusht 2006: Sekretari gjeneral i OKB-së, Kofi Annan, emëron gjermanin Joachim Rüecker, kryeadministrator(PSSP) të Kosovës. Rüecker para këtij emërimi kishte punuar për disa vite në UNMIK.

28 dhe 29 tetor 2006: Referendum në Serbi për kushtetutën e re që u hartua brenda disa muajve pa debate publike. Në kushtetutë nënvizohet se Kosova është “pjesë e pandarë e Serbisë”. ICG, Grupi Ndërkombëtar i Krizave në raportin me titullin “Serbia’s New Constitution: Democracy Going Backwards”(Shqip: Kushtetuta e re e Serbisë: Demokraci mbrapsht) kritikon përmbajtjen dhe mënyrën se si është hartuar kushtetuta.

dhjetor 2006: Bëhet e ditur se publikimi i propozimit të Martti Ahtisaarit për statusin përfundimtar të Kosovës do të shtyhet deri në janar 2007, me mundësi për shtyrje të mëtejshme.

21 janar 2007: Zgjedhje parlamentare në Serbi. Propaganda “Kosova është Serbi” në qendër të fushatës elektorale. Por politikani, Čedomir Jovanović, nga partia Liberalo Demokrate tha se ai do të nënshkruante pavarësinë e Kosovës. Këto zgjedhje që në të vërtet ishin të paplanifikuara dhe u përcaktuan pas referendumit për kushtetutën ishin shkaku që Ahtisaari shtyri publikimin e rekomandimit të tij në lidhje me statusin. Pritet që Ahtisaari të rekomandoj pavarësi dhe bashkësia ndërkombëtare kishte frikë se bërja publike e rekomandimit para zgjedhjeve do të rriste përqindjen e partive radikale në Serbi.

21 janar 2007: Përkujtohet ish presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova me rastin e njëvjetorit të vdekjes së tij. Fatmir Sejdiu dekoron Rugovën me urdhrin Heroi i Kosovës, për udhëheqjen e rezistencës për liri dhe pavarësi dhe për formimin e shtetit të Kosovës.

24 janar 2007: Asambleja e Këshillit të Evropës (Council of Europe) miraton rezolutën 1533 në lidhje me statusin përfundimtar të Kosovës. Disa nga nenet e projektrezolutës që u paraqit para përfaqësuesve nga e gjithë Evropa u hoqën për shkak se disa përfaqësues të prirë nga Serbia, Rusia dhe Greqia votuan kundra inkuadrimit të tyre në rezolutën përfundimtare.

26 janar 2007: Ahtisaari takim me të ashtuquajturin Grupi i Kontaktit që përbëhet nga ShBA, Britania e Madhe, Franca, Gjermania, Italia dhe Rusia. Nuk kishte prononcim për media dhe takimi ishte me dyer të mbyllura, por njoftohet se Ahtisaari ka informuar se do të propozoj pavarësi të kushtëzuar. Në të gjitha shtetet e botës njoftohet se Kosova do të marr pavarësi të kushtëzuar. Mediat lajmërojnë se Rusia është skeptike në lidhje me planin e Ahtisaarit. Sekretari gjeneral i NATO-s holandezi, Jaap de Hoop Scheffer shprehet se NATO përkrah planin e Ahtisaarit në lidhje me statusin e Kosovës.

02 shkurt 2007: BIRN(Balkan Investigatve Reporting Network) publikon nenet kryesore të planit të Ahtissarit. Disa orë më vonë Martti Ahtisaari dorëzon propozimin e tij në Beograd dhe Prishtinë. Edhe pse nuk përmendet fjala pavarësi të gjithë, edhe presidenti i Serbisë, Boris Tadic, janë të mendimit se ky propozim e qon Kosovën drejt pavarësis.

10 shkurt 2007: Lëvizja “Vetëvendosje” organizon protestë në Prishtinë kundra pakos së Ahtissarit që ata mendojnë nuk i bien Kosovës pavarësi. Disa nga protestuesit filluan të përleshen me policinë(që përbëhej nga ata kosovar dhe ndërkombëtar). Policia u përgjigje me dhunë ndaj të gjithë protestuesve. Dhjetëra të lënduar. Më 11 shkurt u njoftua se dy (Vetëvendosje thotë tre) protestues kanë vdekur nga plagët që morën një ditë më parë nga dhuna e policisë. Të vdekurit janë Arben Xheladini (1972) nga Prishtina dhe Mon Balaj (1976) nga Besiana. KMLDNJ dënon dhunën e policisë ndaj protestuesve dhe e quan një krim atë që ka bërë policia. KMLDNJ së bashku me Prishtinën zyrtare kërkojnë hetim të gjerë të asaj që ndodhi.¨Pas mbarimit të protestave në zyrat e lëvizjes “Vetëvendosje” arrestohet lideri i lëvizjes Albin Kurti.

12 shkurt 2007: Ministri Brendshëm i Kosovës, Fatmir Rexhepi, jep dorëheqje pas dhunës në protestat e 10 shkurtit të organizuara nga Vetëvendosje ku vdiqën dy shqiptar të rinj. Ai thotë se ndjenë përgjegjësi morale, edhe pse policia as ajo e UNMIK dhe as SHPK nuk janë nën kontroll të tij. Po këtë ditë Këshilli për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut (KMLDNJ) viziton Albin Kurtin në paraburgim. Kurti tregon për keqtrajtim.

13 shkurt 2007: Në Besianë (ish Podujevë) varroset Mon Balaj. KMLDNJ kërkon shkarkimin e shefit të polic së UNMIK-ut, Stephen Curtis.

14 shkurt 2007: Stephen Curtis, shef i policisë ndërkombëtare në Kosovë, jep dorëheqje pas kërkesës së kryeadministratorit Joachim Ruecker.

21 shkurt 2007: Negociata të reja në Vjenë që kanë për qëllim gjetjen e një kompromisi. Pas këtyre negociatave njoftohet se asgjë nuk është arritur dhe se qëndrimet e të dy palëve janë të njëjta: shqiptarët duan pavarësi kurse serbët ofrojnë autonomi. Edhe Ahtisaari por edhe ndihmësit e tij kishin sinjalizuar se këto negociata nuk do të sjellin asgjë. Albert Rohan, anëtar i ekipit të Ahtisaarit i tha BBC se këto negociata janë shansi i fundit për kompromis.

3 mars 2007: Protesta paqësore në Prishtinë të organizuara nga lëvizja Vetëvendosje. Njoftohet se afër 4 000 persona morën pjesë.

10 mars 2007: Në Vjenë të Austrisë mbarojnë bisedimet për statusin përfundimtar të Kosovës mes shqiptarëve dhe serbëve pa marrëveshje. Të pranishëm ishin krerët e Kosovës(Fatmir Sejdiu, Agim Ceku, Kolë Berisha dhe të tjerë) dhe Serbisë (Boris Tadic, Vojislav Kostunica dhe të tjerë) si dhe i dërguari i OKB-së për statusin, Martti Ahtisaari. Ahtissari shprehu keqardhje që nuk është arritur asnjë marrëveshje. Ai edhe njoftoi se dokumenti përfundimtar për statusin e Kosovës do ti dërgohet Këshillit të Sigurimit të OKB-së në fund të këtij muaji.

15 mars 2007: Albert Rohan, bashkëpunëtor i Martti Ahtisaari i dorëzon OKB-së propozimin e Ahtisaarit për statusin e Kosovës. Sipas burimeve të agjencisë së lajmeve, Reuters, plani direkt propozon pavarësi për Kosovën.

26 mars 2007: Martti Ahtisaari i dërgon raportin përfundimtar Këshillit të Sigurimit të OKB-së ku ai thotë se Kosova duhet të bëhet e pavarur. Nicholas Burns, zëvendës ministër i jashtëm i SHBA-ve thotë se SHBA-të përkrahin planin e Ahtisaarit dhe mendojnë se Kosova duhet të bëhet e pavarur. Serbët vazhdojnë ta kundërshtojnë planin. Rusia bënë deklarata që mund të interpretohen si kundra pavarësisë por nuk përmend përdorimin e vetos.

29 mars 2007: Parlamenti Evropian miraton një rezolutë ku shprehet përkrahja për pavarësi të mbikëqyrur për Kosovën. 490 vota pro, 80 kundër dhe me 87 abstenime.

3 prill 2007: Fillon shqyrtimi i planit të Ahtisaarit në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Pas dyerve të mbyllura është dëgjuar i dërguari special për Kosovën Martti Ahtisaari duke shpalosur planin që pritet t’i jap Kosovës një pavarësi të mbikëqyrur. Ishte planifikuar që edhe Fatmir Sejdiu të merrte fjalën por pas protestave të Serbisë dhe Rusisë u vendos që ai të mos flas dhe fjalimin e tij ta lexoj PSSP-ja Joachim Ruecker. Kryeministri nacionalist i Serbisë, Vojislav Kostunica, kundërshtoi planin dhe kërkoi negociata dhe kryenegociatorë të ri. Shtete perëndimore si ShBA, Britania e Madhe, Franca po përkrahin planin e Ahtisaarit.

5 prill 2007: Kuvendi i Kosovës miraton një deklaratë për përcaktimin e statusit të Kosovës ku mbështetet propozimi i kryenegociatorit Martti Ahtisaari.

13 prill 2007: Këshilli i Sigurimit i OKB-se njofton se ka vendosur të dërgoj në Kosovë në fund të prillit një mision faktmbledhës pas kërkesës së Rusisë që ka të drejtë vetoje në këtë këshill.

17 prill 2007: Zëvendësministri i jashtëm i ShBA-ve, Nicholas Burns, në një fjalim para Këshillit për Marrëdhënie me Jashtë në Uashington tha se Uashingtoni e konsideronte pavarësinë si opsionin më të përshtatshëm për Kosovën dhe se ai priste që Këshilli i Sigurimi të aprovonte planin për pavarësi të prezantuar nga i ngarkuari i posaçëm i OKB-së, Martti Ahtisaari. Ai edhe shtoi se autonomia ofruar nga Serbia është dashtë të ofrohej para 12 vjetëve dhe jo tani.  

25 prill 2007: Misioni faktmbledhës që përbëhet nga 15 ambasadorët/zëvendës ambasadorët për në OKB të shteteve anëtare të Këshillit të Sigurimit arrin në Bruksel ku ka takime mes tjerash me sekretarin gjeneral të NATO- s Jaap de Hoop Scheffer dhe zyrtar të Bashkimit Europian. Scheffer ju tregon ambasadorëve se NATO përkrah planin e Ahtisaarit për ti dhënë pavarësi Kosovës. Ambasadorët erdhën në Kosovë pas kërkesës së Rusisë që ka të drejtë vetoje në KS të OKB-së, për tu njoftuar më afër me gjendjen e minoriteteve. Pjesëmarrës janë ambasadorët e këtyre shteteve: ShBA-ve, Francës, Britanisë së Madhe, Kinës, Kongos, Ganës, Afrikës së Jugut, Katarit, Indonezisë, Sllovakisë, Panamasë, Rusisë, Belgjikës, Italisë dhe Perusë.

26 prill 2007: Misioni faktmbledhës arrin në Beograd ku ka takim me presidentin dhe kryeministrin e Serbisë, Boris Tadic dhe Vojslav Kostunica. Serbia kundërshton planin e Ahtisaarit dhe propozon për Kosovën “autonomi të mbikëqyrur”. Si gjithmonë nuk mungojnë ankesat për të drejtat e njeriut. Disa mijëra serb që gjoja lëshuan Kosovën para luftës mblidhen afër kufirit me Kosovën për të protestuar për kthimin e tyren ë Kosovë. Në mbrëmje po këtë ditë arrijnë në Kosovë ambasadorët e Këshillit të Sigurimit që priten në Aeroportin e Prishtinës nga presidenti dhe kryeministri i Kosovës, Fatmir Sejdiu dhe Agim Çeku, si dhe nga PSSP-ja Joachim Ruecker.

Prishtinë 27 prill 2007. Takimi i UNMIK-ut me ambasadorët e Këshillit të Sigurimit të OKB-së27 prill 2007: Ambasadorët kanë takime me zyrtarët më të lartë të Kosovës: Presidentin, Kryeparlamentarin dhe Kryeministrin. Autoritetet kosovare prezantojnë të gjitha të arriturat e tyre posaçërisht në të arriturat që kanë të bëjnë me minoritetet. Pas takimeve ambasadori amerikan, Zalmay Khalilzad, dhe ai francez, Jean Marc de La Sablier, shprehen të kënaqur me përparimet në Kosovën, edhe kur janë në pyetje minoritetet. Në orët e pasdites ambasadorët do të takohen me përfaqësues serb dhe do të vizitojnë vendbanime serbe.

28 prill 2007: Misioni faktmbledhës viziton fshatin Krushë e Vogël ku gjatë luftës në 1999 u vranë 103 meshkuj (70 % e meshkujve te fshatit) të pafajshëm shqiptar. Banorët u treguan se aty kishte ndodhur diçka e ngjashme me Srebrenicën. Misioni edhe vizitoi disa vendbanime serbe. Më vonë udhëtuan për në Vjenë ku takuan Martti Ahtisaarin. Më pas ata udhëtuan për në New York. Në një debat për marrëdhëniet transatlantike në Bruksel Ndihmësi i sekretarit amerikan të shtetit Daniel Frid gazetarëve u ka thënë se Kosova do të bëhet e pavarur me rezolutën e Këshillit të sigurimit të KB ose me “proces të pakontrolluar” në të cilin serbet e Kosovës do të ishin “viktimat më të mëdha meqë kjo do të thoshte më shumë dhunë”.

13 maj 2007: Një rezolutë e hartuar nga ShBA-të ju shpërndahet shteteve anëtare të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Kjo rezolutë çon drejt pavarësisë së Kosovës. ShBA-të vazhdojnë të deklarojnë se e përkrahin pavarësinë e Kosovës dhe se kjo duhet të vij brenda muajit maj. Rusia thotë se nuk mundet ti pranoj disa pjesë të rezolutës. Gazeta Express që ka pa një kopje të rezolutës thotë të dielën me 13 maj: “Teksti i draftrezolutës, të cilin Shtetet e Bashkuara të Amerikës me partnerët europianë ia kanë prezantuar Këshillit të Sigurimit, nuk përmban fjalën pavarësi. Mirëpo, baza e këtij drafti është plani i Ahtisaarit, i cili çon drejt pavarësisë.”  Sot në parlamentin e Serbisë votohet qeveria e re që do të vazhdoj të kryesohet nga nacionalisti Vojslav Kostunica. Si president vazhdon Boris Tadic.

15 maj 2007: Sekretarja amerikane e shtetit, Kondoliza Rajs, në Moskë thote: “Kosova kurrë më nuk do të jetë pjesë e Serbisë. Kjo është e pamundur”. Rusia vazhdon të shprehet kundra pavarësisë. Statusi i Kosovës ishte ndër pikat më të rëndësishme në takimet që Rajs kishte në Moskë.

7 qershor 2007: Në takimin e G8 në Heiligendamm, Gjermani presidenti i porsazgjedhur francez Nichola Sarkozy propozon që zgjidhja përfundimtare e statusit të Kosovës të shtyhet me gjashtë muaj me kusht që Rusia të mos bllokoj rezolutën për pavarësinë e Kosovës nëse një kompromis midis Prishtinë dhe Beogradit nuk gjendet brenda këtyre gjashtë muajve.

8 qershor 2007: Përfundon takimi i G8. Nuk është arritur marrëveshje për pavarësinë e Kosovës por kancelarja gjermane Angela Merkel thotë se diskutimet ishin konstruktive. Rusia vazhdon të jetë pengesa e vetme për pavarësinë e Kosovës. Zyrtarët kryesorë kosovarë i bëjnë apel komunitetit ndërkombëtar që të miratojnë sa më shpejt një projektrezolutën për pavarësinë e Kosovës. Propozimi për shtyrje refuzohet. ShBA vazhdojnë të këmbëngulin se pavarësia është zgjidhja e vetme dhe më e mirë

10 qershor 2007: Presidenti amerikan, George W. Bush, viziton Tiranën, hera parë që Shqipëria vizitohet nga një president amerikan. Ai thotë se Kosova do ta marr pavarësinë. Bush u mirëprit shumë mire nga populli shqiptar.

11 qershor 2007: Presidenti dhe kryeministri i Kosovës, Fatmir Sejdiu dhe Agim Ceku, takojnë kryeministrin e Shqipërisë, Sali Berisha, në qytetin e Kukësit. Berisha përcjell mesazhin e presidentit Bush për pavarësinë e Kosovës.

13 qershor 2007: Ekipi i Unitetit shpall konkursin 15 ditor për flamurin dhe stemën e Kosovës ku thuhet se “secili propozim duhet ti përmbahet frymës dhe përmbajtjes së Propozimit gjithëpërfshirës për zgjidhjen e statusit të Kosovës”. Më pas shkruhet se nuk duhet të përdoret cilindo simbol shqiponje dhe se nuk duhet përdorur ngjyrat kuq e zi (për shkak të flamurit të Shqipërisë) dhe kuq, kaltër dhe bardh (flamuri i Serbisë)

25 qershor 2007: Vazhdon të përflitet për shtyrjen e zgjidhjes së statusit. Në një projektrezolutë të paraqitur para disa ditëve në Këshillin e Sigurimit të OKB-së propozohet që vendimi për statusin të shtyhet me 4 muaj, dhe nëse gjatë këtyre katër muajve nuk gjendet zgjidhje atëherë plani i Ahtisaarit të zbatohet automatikisht, kështu që Kosova të bëhet e pavarur. Rusia dhe Serbia kanë kundërshtuar rezolutën. Ende nuk është vendosur përfundimisht se a do të ketë shtyrje. Nga disa pritet një zhbllokim i procesit pas takimit mes presidentëve Bush dhe Putin. Sot ministrja e jashtme amerikane, Kondoliza Rajs , ka thënë: “Serbia dhe Kosova nuk do të jenë përsëri pjesë e trupit të njëjtë”.” Në një letër të shpërndarë nga zyra britanike në Prishtinë kryeministri britanik, Toni Blair, para se të lëshoj zyrën e kryeministrit, thotë: “Jam krenar për rolin që Britania e Madhe ka luajtur për t’i dhënë popullit të Kosovës një të ardhme më të mirë”

korrik 2007: Pas dështimit të negociatave me Rusinë për një rezolutë në Këshillin e Sigurimit që do ti hapte rrugën pavarësisë së Kosovës, çështja e statusit ju dërgua Grupit të Kontaktit që do të ndërmjetësoj në negociatat shtesë prej 120 ditëve midis Prishtinës dhe Beogradit. Shqiptarët vazhdojnë që jenë kategorik në kërkesën e tyre për pavarësi.

6 gusht 2007: Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, takon presidentin e posa zgjedhur të Shqipërisë, Bamir Topi. Topi shprehet se të gjitha institucionet në Shqipëri përkrahin pavarësinë e Kosovës.

17.nëntor 2008: Mbahen zgjedhjet parlamentare dhe komunale në Kosovë. Partia Demokratike e Kosovës merr 34,3 % të votave dhe bëhet partia më e madhe në Kosovë kurse Lidhja Demokratike e Kosovës merr 22,6 %. Partia ORA e themeluar nga Veton Surroi merr më pak se 5% të votave dhe për shkak të pragut zgjedhor mbesin jashtë parlamentit të Kosovës.

4. janar 2008: Deputetët e zgjedhur më 17. nëntor japin betimin në Kuvendin e Kosovës.

7.janar 2008: Zyrtarizohet marrëveshje për bashkëqeverisje mes LDK-së dhe PDK-së.

9.janar 2008: Kuvendi i Kosovës zgjedh Fatmir Sejdiu kryetar të Kosovës kurse Hashim Thaçin kryeministër.

10. dhjetor 2007: Përfundojnë negociatat shtesë dhe nuk ka ndonjë kompromis mes Kosovës dhe Serbisë për statusin përfundimtar të Kosovës. Njoftohet se vendimi për statusin nuk do të vije deri pas zgjedhjeve presidenciale në Serbia. Kjo për shkak të frikës tek bashkësia ndërkombëtare se pavarësia e Kosovës do të mund ta favorizonte kandidatin ultranacionalist Nikolic.

20. janar 2008: Në Serbi mbahet raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale. Dy kandidatët që morën më së shumti vota, Boris Tadic dhe Tomislav Nikolic, shkojnë në raundin e dytë të këtyre zgjedhjeve.

3.shkurt 2008: Mbahet raundi i dytë i zgjedhjeve në Serbia dhe Boris Tadic fiton 50,51 % të votave kurse kandidati nga partia ultranacionaliste serbe Tomislav Nikolic merr 47,89 %. Edhe pse Tadic dëshiron që Serbia të bëhet anëtare e Bashkimit Europian ai sikurse edhe nacionalistët në Serbi kundërshton kategorikisht pavarësinë e Kosovës.

16.shkurt 2008: Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, viziton Prekazin në prag të shpalljes së pavarësisë.

17.shkurt 2008: 10:00: Thaçi kërkon nga kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme në Kuvendin e Kosovës, 12:00: Kryesia e Kuvendit mblidhet, 15:00: Fillon seanca e kuvendit ku do bëhet shpallja e pavarësisë, 18:00: Fatmir Sejdiu, Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi paraqiten në “Prishtina Media Centre” pranë Hotelit Grand ku mbajnë konferencë për shtyp me gazetar nga e gjithë bota, 18:30: Zbulimi i obeliskut për pavarësinë përball Pallatit të Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë, 19:00: Koncert nga Filharmonia së Kosovë në sallën “1 Tetori”, 20:00: Në Prishtinë mbahet koncerti i madh për pavarësinë, 22:50: Fatmir Sejdiu dhe Hashim Thaçi i drejtohen popullit, 23:00: Hidhen fishekzjarre në katër anët e Prishtinës. Shpallja e pavarësisë përshëndetet nga shumë vende të botës dhe shumë shtete tregojnë se janë të gatshme ta njohin. Në Kosovë me qindra mija njerëz dalin në qendër për ta pritur shpalljen e pavarësisë kurse në Beograd ka protesta kundra pavarësisë me që rast sulmohen edhe disa ambasada dhe përfaqësi të firmave të huaja.

18.shkurt 2008: Presidenti amerikan, George W. Bush, gjatë një vizite në Tanzani thotë se tash kosovarët janë të pavarur. Në Bruksel mbahet mledhje e ministrave të jashtëm të vendeve të Bashkimit Europian.

Disa nga të dhënat më herët janë publikuar tek Wikipedia Shqip nga autori i këtij artikulli

Read Full Post »

Dita e Pavarësisë

pavaresia1.jpg

Sot Kuvendi i Kosovës në një seancë solemne do të miratoj Deklaratën për Pavarësinë e Kosovës. Sipas mediave në Kosovës kjo është rrjedha e ditës së sotme:

10:00: Thaçi kërkon nga kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme në Kuvendin e Kosovës
12:00: Kryesia e Kuvendit mblidhet
15:00: Fillon seance e kuvendit ku do të shpallet pavarësia e Kosovës
18:00: Fatmir Sejdiu, Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi paraqiten në “Prishtina Media Centre” pranë Hotelit Grand ku do
të kenë konferencë për shtyp me gazetar nga e gjithë bota.
18:30: Zbulimi i obeliskut për pavarësinë përball Pallatit të Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë
19:00: Koncert i Pavarësisë i Filharmonisë së Kosovë në sallën “1 Tetori”
20:00: Në Prishtinë koncerti i madh për pavarësinë
22:50: Fatmir Sejdiu dhe Hashim Thaçi i drejtohen popullit
23:00: Hidhen fishekzjarre në katër anët e Prishtinës

Kryeqyteti i Kosovës në mëngjesin e ditës së dielën është vërshuar nga shumë qytetar nga mbarë Kosova dhe vendet tjera. Për nderë të fetës së madhe, me iniciativën e Aleancës Kosovare të Biznesit dhe Oda Ekonomike të Kosovës të gjitha bizneset kanë filluar t’i urojnë festën e pavarësisë të gjithë qytetarëve që mësyjnë Prishtinës me artikujt e tyre falas. Për nderë të kësaj ditë të shenjët, në Sheshin “Nëna Terezë” në Prishtinë bizneset janë përgatitur që qytetarëve t’i shërbejnë me pije dhe gjera ushqimore deri në përfundimin e kësaj kremte. Po ashtu, është në përfundim e sipër montimi i skenës ku do të mbahet në mbrëmje koncerti me yjet e estradës sonë.

Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu në prag të shpalljes së pavarësisë së Kosovës sot bëri homazhe pranë Memorialit të presidentit Rugova.

“Kishim një përkujtim të gjithmonshëm për presidentin Rugova, për themeltarin e shtetit modern të Kosovës për njeriun që sakrifikoi vetën në kohët më të vështira dhe u shkri për Kosovën, për njeriun që vuri parimet e demokracisë dhe pluralizmit në Kosovë, për njeriun që na ofroi në mënyrën më të mirë me botën demokratike dhe siguroi miqtë më të fortë për Kosovën, për njeriun që diti të artikulojë më së miri në kohën e vet në shekullin e vet idenë për lirinë, pavarësinë dhe demokracinë e Kosovës”, theksoi Sejdiu.

Presidenti Sejdiu vlerësoi se sot është një ditë e veçantë për Kosovën dhe është festa e madhe e hyrjes në një epokë të re të zhvillimeve demokratike të bashkëngjitjes së Kosovës në familjen e lirë të vendeve të botës demokratike. “Është nder i veçantë për të gjithë ne, për të gjithë brezat që dhanë jetën e vet që në binomin e veçantë të Ibrahim Rugovës dhe Adem Jasharit kanë simboliken e përjetësisë”, theksoi Presidenti Sejdiu.

Presidenti Sejdiu do të bëjë sot homazhe edhe pranë varrit të komandantit legjendar të UÇK-së Adem Jashari.

Burime: molla kuqe, Kosovapress, RTK

Read Full Post »

Hapet “molla kuqe”

Në këtë ditë historike për popullin shqiptar, posaçërisht për shqiptarët e Kosovës, po e fillojmë këtë faqe interneti në formën e blogut për të ju ofruar shqiptarëve një arenë të re ku do të mundemi të diskutojmë dhe shprehim mendimet tona.

Ne do të fokusojmë më së shumti në Kosovë dhe ngjarjet atje por premtojmë se do të prekim edhe tema që kanë rëndësi mbarëkombëtare.

Një rëndësi të veçantë do të ju kushtojmë shqiptarëve që banojnë jashtë kufijve të shteteve me shumicë shqiptare, pra jashtë Kosovës dhe Shqipërisë.

Kurrsesi nuk do të harrojmë shqiptarët e diasporës që gjatë të kaluarës kanë dhënë kontribut të paharrueshëm për çlirimin e Kosovës dhe tani vazhdojnë të japin kontribut të pakrahasueshëm për pavarësimin dhe zhvillimin e vendlindjes së tyre.

Urime Pavarësia dhe gëzohuni se botës shqiptare të internetit, pikërisht në datën historike 17 shkurt, i është shtuar edhe një faqe alternative që do të ju ushqej me lajme, analiza, opinione, intervista dhe fotografi që kanë të bëjnë me zhvillimet politike, shoqërore dhe kulturore në Kosovë dhe në trojet tjera shqiptare. Si asnjë here më pare ju njerëzit e thjesht, larg zyrave ku merren vendimet do të keni mundësi të shprehni mendimin tuaj.

Nuk mundem ta përfundoj këtë letër inauguruese pa përmendur blogun shqiptar “Peshku pa ujë” që na ka inspiruar më së shumti për fillimin e kësaj faqeje. Shpresojmë se në të ardhmen do të kemi një bashkëpunim frytdhënës me ta.

Na priftë e mbara

Shumë shpejt do të publikojmë informata më të hollësishme për faqen dhe synimet tona

Read Full Post »

« Newer Posts