Feeds:
Postime
Komente

Posts Tagged ‘Kostunica’

Kosova më kurrë nuk do të jetë pjesë e Serbisë. Kjo ishte përgjigja e Washingtonit ndaj deklaratave të zyrtarëve rusë që dje ishin për vizitë në Beograd, ku theksuan mbështetjen e Rusisë për sovranitetin serb. Kosova do të jetë e lirë dhe e pavarur në kufijtë e tanishëm kështu siç e njohëm ne, ka thënë nënsekretari amerikan i shtetit Nicholas Burns.

“Ne do të bëjmë përpjekje të punojmë me të dyja palët, si rusët ashtu edhe serbët, mirëpo duhet të jetë e qartë për të gjithë se Kosova më kurrë nuk do të jetë pjesë e Serbisë”, tha dje zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Tom Casey.
I pyetur rreth deklaratës së kryeministrit të Serbisë për “anulimin e njohjes së pavarësisë së Kosovës nga SHBA”, zëdhënësi Casey tha se edhe ajo deklaratë e kryeministrit serb “nuk dallon shumë nga çdo fjalim tjetër që ka mbajtur ai (Koshtunica) për Kosovën”.

Ndërkaq nënsekretari amerikan i shtetit, Nicholas Burns duke folur mbrëmë në Washington, në Këshillin për Marrëdhëniet me Jashtë, ka hedhur poshtë zërat për ndarjen e Kosovës.

“Ne nuk do ta pranojmë ndarjen e Kosovës, e këtë nuk do ta pranojnë as Kombet e Bashkuara, as Bashkimi Evropian dhe as NATO-ja”, tha Burns. Ai shtoi se “Kosova do të jetë e lirë dhe e pavarur në kufijtë e tanishëm kështu siç e njohëm ne”.

“Nëse Serbët e Kosovës, apo ata në Beograd mendojnë se mund ta ndajnë Kosovën, atëherë ne u themi se e kanë gabim”, tha nënsekretari amerikan i Shtetit, Nicholas Burns, në një nga fjalimet e tij të fundit në postin e tanishëm.

Ai në fillim të marsit pensionohet me dëshirën e tij. Do të mbahet në kujtesë të Kosovës sepse ishte zyrtari më i lartë i Departamentit të Shtetit që i orientoi dhe i dinamizoi aktivitetet për zgjidhjen e 1ështjes së saj gjatë tre vjetëve të fundit.

Radio Televizioni i Kosovës

Advertisements

Read Full Post »

Petrit Selimi, bashkthemelues i Gazetës Express dhe kompanisë Ipko 

Të enjten në mbrëmje, CNN-i ndërpreu programin e rregullt për të treguar pamje nga demonstratat në Beograd, të organizuara nga kryeministri Kostunica dhe aleati i tij i rizbuluar politik, ish-paramilitari dhe radikali Tomislav
Nikolic.

Grupe të hallakatura të “tifozëve sportivë”, ish-rezervistëve dhe vandalëve, kanë atakuar ambasada të ndryshme perëndimore, ndërsa në sheshin kryesor politikanët mbanin fjalime të pasionuara. Udhëheqësi i CNN-it, Jim Clansy, në një moment komenton diçka me gjysmë zëri që “për serbë Kosova është Jerusalem dhe prandaj shumë serbë kanë reaguar me dhunë ndaj këtij lajmi”.

Edhe në disa komente të para mediale nga mediat e ndryshme në mbarë botën, të postuara në Internet, vërehet një trohë hamendjeje se mos po nis diçka e tmerrshme në Ballkan, për shkak të njohjes së Kosovës? Nuk do shumë imagjinatë që tek disa diplomatë evropianë, e ndoshta edhe në publikun evropian, të lodhur nga lajmet për probleme në Ballkan, mund të ketë reaksion të brengosur se ç’po ndodh me demonstrata të dhunshme, pika kufitare të kallura e retorikë nxitëse.

Kjo edhe mund të luhatë bindjen që vendimi më i mirë është marrë për Ballkanin. Një shtresë e caktuar e burokratëve evropianë me gjysmë zëri kanë pranuar pavarësinë e Kosovës, pjesërisht edhe duke besuar që një lloj dëmi po i bëhet Serbisë. Që pavarësia e Kosovës është e keqja më e vogël – opsion i keq, por i detyruar.

Mitingu në Beograd është ngjarje që demonstron më së miri arsyet se pse Kosova ka kërkuar pavarësinë. Kënd po e shohim në ekrane televizive duke propaganduar që “Kosova është Serbi”? Është Vojislav Kostunica, politikan minor që u bë figurë në Serbi, vetëm pasi që ekspertët e sondazheve vërejtën që është politikani që mund të rrëzojë Millosevicin, pasi
që është nacionalist i përbetuar dhe mund t’i tërheq votat e djathtistëve. Vojislav Kostunica dhe ministrat e tij besnikë, janë duke përdorur terme që kanë qëllim ta degradojnë, frikësojnë apo shkaktojnë dhe përkrahin dhunë dhe veprime paragjykuese ndaj shqiptarëve të Kosovës. Ky është edhe definicion enciklopedik i gjuhës së urrejtjes, i cili nuk duhet frikësuar, por gërditur publikun normal evropian.

Kostunica është duke ndarë ekranin me Toma Nikolicin, i cili publikisht ka pranuar të ketë qenë paramilitar, në fushatat kundër Kroacisë dhe Bosnjës, ku bandat e tij dhe Shesheljit kanë shkaktuar masakrat më mizore pas luftës. Toma Nikolic, ca javë para se të vritet Djindjic, thërret publikisht për vrasjen e tij. Më 1991, Nikolic ka deklaruar që “Milosevic është frikacak, ai ka bëri thirrje për luftë – unë kam shku vetë në luftë”. Kostunica është afër edhe peshkopit Amfilohije Radovic, njërit nga klerikët më nacionalistë të Kishës Ortodokse, person i cili nuk fsheh simpatinë dhe përkrahjen për kriminelët e luftës, Ratko Mladic dhe Radovan Karadjic. Pamjet e qeta me qirinj dhe lutje për Kosovën nuk duhet mashtruar Evropën. Ky person nuk po lutet për paqe. Në fjalimin e tij të njohur gjatë varrimit të kryeministrit Djindjic më 2003, peshkopi pat tmerruar familjen e të ndjerit, duke pohuar që Djindjici ia bëri gropën vetit me fjalët “kush e nxjerrë shpatën, nga shpata vdes”. Shumëkush ka kuptuar që fjalët e tij ishin hakmarrja e fundit ndaj politikanit që dorëzoi Milosevicin në Hagë.

Porosia e Kostunicës po amplifikohet nga mediat agresive serbe, nga disa fytyra të njëjta mediale që propagonin vrasje gjatë luftërave të viteve 1990. Është ironike ta shohësh Miroslav Lazanskin, gazetarin më të spikatur nacionalist, të shkruajë kolumne në të përditshmen Politika, medium që ishte platforma e sundimit Milosevician. Tabloidet serbe kanë pasur dy vite të negociatave për ta mbushur kupën me helm. Çdo ditë shtesë të negociatave veçse ka hapur më shumë dritaren e mundësisë për nacionalistët të shtojnë decibelat në thirrjet e tyre. Emiteri publik serb, RTS, njëherë veç i bombarduar nga NATO-ja për shkak të nxitjes së urrejtjes, iu ka kthyer pllakës së vjetër. Ministrat e DSS-it të Kostunicës po ashtu përkrahin veprimet e dhunshme të “tifozëve sportivë”. Edhe këta duhet demistifikuar. S’janë këta huliganët e lindur nga klasa punëtore e qyteteve evropiane. Organizatat e tifozëve në Serbi kanë qenë paravan për mbledhje të paramilitarëve të vërtetë gjatë të nëntëdhjetave. Organizatat e tifozëve të Obiliqit dhe Cervena Zvezdes kane qenë të përkrahur financiarisht nga Arkani, një kriminel tjetër i luftave. Ministrat e Kostunicës i përkrahin publikisht këta ekstremistë – edhe pse në klithmat e tyre gjatë protestave të fundit përsëritnin parullat e rimuara vdekjeprurëse “Thika, teli, Srebrenica” (Noz-zica-Srebrenica), “Vraj, prej n’fyt, që shqiptari të zhduket” (Ubij-zakolji-da-siptar-ne-postoji).

Kjo pra është Serbia që po proteston në TV. Amalgam i politikanëve nacionalistë që kërkojnë renesansë të karrierës së tyre politike, duke rilindë edhe ndjenjën nacionaliste. Qyqarë dhe vrasës që sot e kësaj dite janë pishman se pse nuk vranë më shumë “ustashë, balija e shiftari” sa patën mundësi – ndoshta ashtu do t’i kishin fituar luftërat e humbura. Priftërinjtë që kërkojnë poena politikë për të dominuar organizatën kishtare, që e ka prijësin e sëmurë (Patriarku serb është plakur dhe është pa vetëdije). Duke shkruar këto rreshta, dëgjoj edhe një margaritar të argumentimit serb. Komentatorët “liberalë” ankohen se “pse po na merret Kosova për shkak Milosevicit, kur ka 8 vite që jemi demokraci proevropiane”. Nuk e vërejnë dot diskrepancën midis asaj çka proklamohet dhe natyrës së proklamuesit. Serbia ndoshta ka bërë lëvizje progresive në ekonomi të tregut. Ndoshta edhe ka organizuar zgjedhje demokratike dhe ka reformuar sistemin politik. Megjithatë – retorika e Serbisë e viteve të fundit për njohësit e Ballkanit, e edhe për ne të shkretët që kjo gjuhë urrejtjeje na shkatërroi një pjesë të madhe të jetës, nuk është e ndryshme prej fjalëve që na tmerruan në verën e vitit 1989.

Me këtë Serbi nuk ka vend për ta dialoguar Kosovën. Kjo është Serbia e Vukovarit, Sarajevës, Srebrenicës, Reçakut e Suha Rekës. Serbia, e cila kërkon Kosovën, por nuk i sheh kosovarët për njerëz. Që pretendon të jetë e brengosur për kisha, por s’i vjen as era e vlerave të krishtera. Por, me këtë Serbi nuk duhet të merremi ne. Duhet të merret Evropa. Në duhet përvjelë mangët dhe fokusuar që shoqërinë tonë ta bëjmë të suksesshme. Të mos bie pre e provokimeve dhe taktikës së tmerrimit dhe propagandës. Ndoshta nacionalistët serbë edhe do të harxhohen në retorikë, si ndonjë ballon i shfryer. Por argumentimi i shoqërive të civilizuara kundër kësaj kulshedre të rilindur nuk duhet të zbutet.

Read Full Post »