Feeds:
Postime
Komente

Posts Tagged ‘Kurti’

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti pakon e Marti Ahtisarit në Deklaratën për Pavarësi e shpallur në Kuvendin e Kosovës e ka quajtur si thikë pas shpinës për popullin e Kosovës. Kurti thotë se në “Deklaratën për pavarësi” shumë më tepër është përmendur shprehja “Pakoja e Ahtisarit” sesa fjala “pavarësi”.

“I bëhet referim Rezolutës 1244 dhe thuhet se Kosova do të jetë e pavarur dhe demokratike, por jo edhe sovrane”, vlerëson lideri i Vetëvendosjes, aktivistët e së cilës shumë herë kanë dalë në rrugë për të kërkuar që populli i Kosovës përmes referendumit të shprehë vullnetin e tij për shtet të pavarur dhe sovran të Kosovës.

Albin Kurti rrëfen se kjo është pavarësi e gjysmuar, meqë sipas tij, Kosova nuk ka Ministri të Mbrojtjes me ushtri, nuk ka Ministri të Punëve të Jashtme dhe që, sipas tij, kjo pavarësi nuk garanton integritet territorial e ulëse në OKB për Kosovën.

 “Në anën tjetër, kjo deklaratë e përmban Pakon e Ahtisarit, që do të na e sajojë një Republikë Serbe përbrenda, ngjashëm si në Bosnje dhe sundimin jodemokratik e burokratik të EULEX-it sërish, ngjashëm si në Bosnje, konstaton Kurti pak orë pas shpalljes së Pavarësisë në Kuvendin e Kosovës. Sipas tij, politikanët me mjeshtëri kanë përqendruar vëmendjen e qytetarëve te dita dhe ora e shpalljes së pavarësisë në mënyrë që, sipas Kurtit, të mos diskutohet për përmbajtjen dhe cilësinë e asaj pavarësie.

“Ngjashëm kanë vepruar edhe për fokusimin te festa para, gjatë dhe pas pavarësisë, në mënyrë që të mos diskutohet për pasojat që mund të na i shkaktojë Serbia në ditët e javët në vijim, përmes strukturave të saj në Kosovë që kontrollojnë 25 % të territorit”, vlerëson ai. Gjëja më cinike që ka ndodhur në ditën kur është shpallur pavarësia e Kosovës, sipas Kurtit, është që jashtë Kuvendit të Kosovës festohej me flamurin kuqezi me shqiponjë, pikërisht në momentin kur brenda në Kuvend po hiqej dorë nga ai flamur.

“Në flamurin e ri të Kosovës janë dy ngjyra që i ka edhe flamuri i Serbisë, e kaltra dhe e bardha, mirëpo asnjëra nga dy ngjyrat e flamurit shqiptar”, shpreh pakënaqësitë e tij lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurtit.

Gazeta Express

Read Full Post »