Tash më propozimi për Kushtetutën e Kosovës është publikuar dhe pas një debati publik që më së shumti mund të zgjatë një muaj do të miratohet nga Kuvendi i Kosovës.
Preambula
Ne, Populli i Kosovës,
Të vendosur për të ndërtuar një ardhmëri të Kosovës si një vend i lirë, demokratik dhe paqëdashës, i cili do të jetë atdhe i të gjithë qytetarëve të vet;
Të përkushtuar për krijimin e një shteti të qytetarëve të barabartë, i cili do të garantojë të drejtat e secilit qytetar, liritë qytetare dhe barazinë e të gjithë qytetarëve para ligjit;
Të zotuar që Kosova të jetë shtet i mirëqenies ekonomike dhe i prosperitetit social;
Të sigurt që shteti i Kosovës do të kontribuojë në stabilitetin e rajonit dhe të mbarë Evropës, duke krijuar marrëdhënie të fqinjësisë dhe të bashkëpunimit të mirë me të gjitha shtetet fqinje;
Të bindur që shteti i Kosovës do të jetë anëtar i denjë i familjes së shteteve paqëdashëse në Botë;
Me synimin që shteti i Kosovës të përfshihet në proceset integruese Euro-Atlantike;
Neni 1 [Përkufizimi i Shtetit]
1. Republika e Kosovës është shtet i pavarur, sovran, demokratik, unik, dhe i pandashëm.
2. Republika e Kosovës është shtet i shtetasve të saj. Republika e Kosovës ushtron autoritetin e saj bazuar në respektimin e të drejtave dhe lirive të qytetarëve të saj dhe të gjithë individëve brenda kufijve të saj.
3. Republika e Kosovës nuk ka pretendime territoriale ndaj asnjë shteti ose pjese të ndonjë shteti dhe nuk do të kërkojë e as të pranojë të bashkohet me asnjë shtet ose pjesë të ndonjë shteti.
Neni 2 [Sovraniteti]
1. Sovraniteti i Republikës së Kosovës buron nga populli, i takon popullit dhe ushtrohet, në pajtim me Kushtetutën, përmes përfaqësuesve të zgjedhur, me referendum, si dhe në forma tjera, në pajtim me dispozitat e kësaj e Kushtetute.
2. Sovraniteti dhe integriteti territorial i Republikës së Kosovës është i pacenueshëm, i patjetërsueshëm dhe i pandashëm dhe mbrohet me të gjitha mjetet e parapara me këtë Kushtetutë dhe me ligj.
3. Republika e Kosovës, me qëllim të ruajtjes së paqes dhe mbrojtjes së interesave shtetërore, mund të marrë pjesë në një sistem të sigurisë ndërkombëtare.
Neni 3 [Barazia para Ligjit]
1. Republika e Kosovës është shoqëri shumetnike, e cila qeveriset në mënyrë demokratike, me respektim të plotë të sundimit të ligjit, përmes institucioneve të veta legjislative, ekzekutive dhe gjyqësore.
2. Ushtrimi i autoritetit publik në Republikën e Kosovës bazohet në parimet e barazisë para ligjit të të gjithë individëve dhe në respektimin e plotë të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, të pranuara ndërkombëtarisht, si dhe në mbrojtjen e të drejtave dhe në pjesëmarrjen e të gjitha komuniteteve dhe pjesëtarëve të tyre.
Neni 4 [Forma e Qeverisjes dhe Ndarja e Pushtetit]
1. Kosova është Republikë demokratike e bazuar në parimin e ndarjes së pushteteve dhe kontrollit e balancimit në mes tyre, sikurse është përcaktuar me këtë Kushtetutë.
2. Kuvendi i Republikës së Kosovës ushtron pushtetin legjislativ.
3. Presidenti i Republikës së Kosovës përfaqëson unitetin e popullit. Presidenti i Republikës së Kosovës është përfaqësues legjitim i vendit brenda e jashtë dhe garantues i funksionimit demokratik të institucioneve të Republikës së Kosovës, në pajtim me këtë Kushtetutë.
4. Qeveria e Republikës së Kosovës është përgjegjëse për zbatimin e ligjeve e politikave shtetërore dhe i nënshtrohet kontrollit parlamentar.
5. Pushteti gjyqësor është unik dhe ushtrohet nga gjykatat e pavarura.
6. Gjykata Kushtetuese është e pavarur në mbrojtjen e kushtetutshmërisë dhe është autoritet përfundimtar në interpretimin e Kushtetutës.
7. Republika e Kosovës ka institucionet e veta për mbrojtjen e rendit kushtetues dhe të integritetit territorial, rendit dhe qetësisë publike, të cilat funksionojnë nën autoritetin kushtetues të institucioneve demokratike të Republikës së Kosovës.
Neni 5 [Gjuhët]
1. Gjuhë zyrtare në Republikën e Kosovës janë gjuha shqipe dhe gjuha serbe.
2. Gjuha turke, boshnjake dhe ajo rome kanë statusin e gjuhëve zyrtare në nivel komune ose do të jenë në përdorim zyrtar në pajtim me ligjin.
Neni 6 [Simbolet]
1. Flamuri, stema dhe himni janë simbolet shtetërore të Republikës së Kosovës të cilat pasqyrojnë karakterin shumetnik të saj.
2. Pamja, mënyra e përdorimit dhe e mbrojtjes së flamurit dhe të simboleve të tjera shtetërore rregullohen me ligj. Mënyra e përdorimit dhe e mbrojtjes së simboleve kombëtare rregullohet me ligj.
Neni 7 [Vlerat]
1. Rendi kushtetues i Republikës së Kosovës bazohet në parimet e lirisë, paqes, demokracisë, barazisë, respektimit të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit, mosdiskriminimit në baza etnike, gjinore ose fetare, e së drejtës për të poseduar pronë, mbrojtjes e mjedisit, drejtësisë sociale, pluralizmit, ndarjes së pushtetit shtetëror dhe ekonomisë e hapur të tregut.
2. Republika e Kosovës siguron barazinë gjinore si vlerë themelore për zhvillimin demokratik të shoqërisë, mundësi të barabarta për pjesëmarrje të femrave dhe meshkujve në jetën politike, ekonomike, sociale, kulturore dhe në fushat tjera të jetës shoqërore.
Neni 8 [Shteti Laik]
Republika e Kosovës është shtet laik dhe neutral në çështje të besimeve fetare.
Neni 9 [Trashëgimia Kulturore dhe Fetare]
Republika e Kosovës siguron ruajtjen dhe mbrojtjen e trashëgimisë së vet kulturore dhe fetare.
Të gjitha nenet e propozimit për Kushtetutë të Kosovës mundeni ti lexoni në këtë faqe zyrtare.
Read Full Post »