Feeds:
Postime
Komente

Posts Tagged ‘maqedoni’

Rrëqethen lubotenasit kur dëgjojnë nga goja e prokurorit të Hagës se ish ministri i punëve të brendshme Lube Boshkovski shpallet i pafajshëm.

Në momentin kur shpallej gjykimi i dy të akuzuarve, Boshkovskit dhe Tarçullovskit, “Lajm” ndiqte seancën e Tribunalit të Hagës në familjen e Qani Jasharit, të cilit në masakrën e 12 gushtit të vitit 2001 iu vranë djemtë Kadriu dhe Bajrami.

Të gjithë janë bërë sy e veshë dhe presin…Shtangia që zgjatë disa sekonda, ndërpritet me ndezjen e cigares dhe thithjen e thellë të tymit. Mosbesim në momentin kur Boshkovski u shpall i pafajshëm. Nuk u besonin dot veshëve të tyre.

“Si është e mundur? Ç’është ky skandal që po ndodh sërish? Çfarë gjyqi është ky që e shpall të pafajshëm këtë njeri që na dogji dhe masakroi”, shprehet i revoltuar Afeti vëllai i dy djemve të vrarë.

I dëshpëruar, Afeti thotë se më s’ka mbet jetë në Luboten. “Kur edhe Haga vendosi kështu, atëherë çfarë mund të presim prej maqedonasve”, thotë ai.

(më tepër…)

Read Full Post »


Në video mund ta shihni njërin nga dy të arrestuarit në lidhje me atentatin kundër Ali Ahmetit, kryetar i partisë shqiptare nga Maqedonia, BDI.

Një gjykatës në Maqedoni caktoi masën e paraburgimit prej 30 ditësh për një të dyshuar në lidhje me atentatin kundër kryetarit të Bashkimit Demokratik për Integrim Ali Ahmetit.

Gjykatësi dha masën e paraburgimit kundër 31-vjeçarit F. I. pasi dëshmitarët e lidhën atë me atentatin kundër zotit Ahmeti. Ndërkohë sipas njoftimeve, i dyshuari i dytë V.Xh. iu dorëzua të mërkurën organeve të rendit.

Mijëra përkrahës të partisë Bashkimi Demokratik për Integrim protestuan të martën në Tetovë kundër atentatit, nga i cili zoti Ahmeti shpëtoi i palënduar.

Autorët e sulmit qëlluan mbi makinën e kryetarit të BDI-së ndërsa ai bënte fushatë për zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Zëri i Amerikës
Molla e Kuqe

 

Read Full Post »

Inspektori i Sektorit të Punëve të Brendshme (SPB) në Manastir Gjoko Strezovski, në mënyrë shtazarake e ka rrahur Esat Asllanin, drejtorin e ndërmarrjes “Lindidrim” nga Ohri, vetëm pse në çantën e tij ka gjetur një portret të kryeheroit shqiptarë Adem Jashari.

Rasti makabër ka ndodhur para tre ditëve, natën mes të enjtes dhe të premtes në stacionin policorë në Ohër, kurse nga keqtrajtimi policorë Asllani ka marrë frakturë të hundës.

(më tepër…)

Read Full Post »

Anila Disha, Lajm Maqedoni

Maqedonia me sa duket me arshin të dyfishtë e përcjellë situatën në fqinjësi. Përderisa kur është fjala për Kosovën, situata ;do herë dramatizohet, kur është në pyetje Serbia situata relativizohet, madje edhe kur është dramatike.

Edhe pse në Serbi kanë filluar protesta të cilat e rrezikojnë tërë rajonin, ato aspak nuk e brengosin MPB-në e Maqedonisë, ku vlerësohet se situata është normale. Zëdhënësi i MPB-së, Ivo Kotevski thotë se MPB-ja po e përcjellë situatën dhe për momentin nuk ka nevojë të rritjes së forcave të sigurisë në vendkalimet kufitare me Serbinë. “Situata është normale dhe gjithçka është nën kontroll. Gjatë gjithë kohës e përcjellim situatën dhe po qe nevoja do të ketë edhe përforcime”, tha zëdhënësi Kotevski, duke shtuar se për momentin gjithçka është normale.

Edhe serbët e Maqedonisë kanë paralajmëruar protesta në Maqedoni. Partia Demokratike e Serbëve të Maqedonisë, ka paralajmëruar protesta pasi të kthehen nga protestat e Beogradit. Protestat janë planifikuar që të mbahen në qytetin e Kumanovës, ku protestuesit kryesorë do të jenë nxënësit e shkollave. Sipas organizatorëve protestuesit planifikohet që të marshojnë edhe drejt gjimnazit të Kumanovës, ku mësojnë nxënësit shqiptarë.

Read Full Post »

 Kim Mehmeti, analist shqiptar nga Maqedonia

Në fillim të dekadës së nëntë të shekullit të kaluar, balta e mosmarrëveshjeve mes etnitetit maqedonas dhe atij shqiptar në Maqedoni ishte aq e thellë dhe aq ngjitëse, sa e la e kaluara e propagandës antishqiptare, e fabrikuar në punëtoritë serbe të Beogradit. E cila kryesisht mbështetej mbi mendësinë e “popujve shtetformues” – sllavëve të jugut – të cilëve u bie në hise të mbrojnë këto hapësira nga “rreziku shqiptar”. Pra, bëhej fjalë për ndasi të dukshme në mbrojtës dhe armiq të natyrshëm të shtetit.

Me ardhjen në pushtet të VMRO-DPMNE-së dhe PDSH-së, në vitin 1998, filloi pyllëzimi i Maqedonisë me kryqe dhe kisha ortodokse, me çka, kësaj balte iu shtua edhe gara ndër-religjioze. Thuajse nuk i mjaftonin mosmarrëveshjet ndëretnike, ndaj dhe Maqedonia trilloi edhe luftën mes çerekhënës, e cila gjoja rrezikonte kryqin ortodoks. Kështu, Maqedonia donte të keqpërdorte gatishmërinë globale pas ngjarjeve të shtatorit në Nju Jork, dhe shqiptarët e këtushëm t‘i vendosë aty ku nuk e kanë vendin. E me këtë nuk arriti asgjë më shumë, përpos që baltën e mosmarrëveshjeve ndëretnike, e trashi dhe e thelloi aq sa është sot, kur qeveria e po të njëjtës përbërje vazhdon aty ku e la këtë pyllëzim ish-kryeministri Georgiveski.

Mbase qeveria e Gruevskit tani vetëm u përshtatet rrethanave të paskonfliktit të 2001 dhe përpos kryqeve gjigante e kishave, ofron edhe ndërtimin e xhamive. Që do të thotë, ka hapur “tenderë” publikë dhe tregti mes ortodoksëve e myslimanëve të këtushëm. Kështu që, për të ndërtuar një kishë ortodokse në qendër të Shkupit, e mbi themelet e shtëpisë ku ka lindur Nënë Tereza, shqiptarëve të këtushëm, kryesisht myslimanë, u ofron një xhami në qendër të Tetovës. Tregti shumë e rrezikshme, që aq naivisht e pranuan dhe e përkrahën edhe pushtetarët shqiptarë; tregti primitive që luan me ndjenjat religjioze të qytetarëve të këtushëm, e që ka prapavijë të qartë: Shkupit t‘ia shlyejë edhe ato pak shenja të shqiptarisë e të kulturës lindore që i kanë mbetur, dhe të harrohet se dikur Shkupi kishte pak maqedonas etnikë e shumë shqiptarë katolikë e myslimanë, turq, hebre dhe vlleh; tregti që vë në sprovë besimin më të shenjtë të shqiptarëve të këtushëm, besimin mbi të cilin është kalitur boshti i tyre etnik kurrizor, e që buron nga begatia tri-religjioze shqiptare, me të cilën begati mirëmbahet besimi më i shenjtë i tyre kombëtar – ai i shqiptarisë.

Kryeministri aktual i Maqedonisë, prej moti ka dëshmuar se nuk e njeh as parimin më elementar politik, e që ka të bëjë me urtësinë se i mençuri, së pari e mendon daljen, e pastaj hyrjen në hapësirën e populizmit primitiv. Pra, pas provokimeve të shumta që u bëri shqiptarëve të këtushëm, e që i sollën popullaritet tek etniteti maqedonas, Gruevski vazhdon edhe më tej dhe shqiptarët e këtushëm tani i prek aty ku janë më të ndjeshëm – tek ylberi shumëngjyrësh religjioz. Me vendimin që të ndërtojë kishë aty ku duhet të rindërtohet shtëpia e rrënuar e Nënë Terezës, Gruevski dëshiron t‘u thotë shqiptarëve të këtushëm se ata, si myslimanë që janë, nuk kanë pse të mbrojnë kujtimin për Nënë Terezën katolike. Posaçërisht, nëse ndërkohë u jepet një xhami në qendër të Tetovës. Tani, Maqedonisë ai ia cakton edhe kufijtë religjiozë, me çka më në fund e bëri veprimin më të dëmshëm për vetveten dhe bashkësunduesit e tij shqiptarë, veprim për nga përmasat përbuzëse, i barabartë me barbarizmin e treguar në Brodec të Malësisë së Tetovës, ku policët, përpos që vrisnin e dhunonin, edhe shanin nënën shqiptare. Veprim që shqiptarët e këtushëm i preku aty ku janë më të ndjeshëm: jo tek çerekhëna myslimane dhe kryqi i krishterë, por te besimi në shqiptarinë e tyre, te bindja e tyre se për shqiptarët do ketë Zot e religjion, vetëm aq sa ata do dinë të mbrojnë ylberin e bukur shumëreligjioz që kanë si popull.

Andaj edhe këtij provokimi të Gruevskit, shqiptarët e këtushëm duhet t‘i përgjigjen ashtu siç u ka hije atyre që kanë shijuar madhështinë të jesh pjesëtar i popullit që ngërthen në vetvete më shumë religjione, e që i ndërlidh mes veti besimi i shenjtë – ai i shqiptarisë. Pra, shqiptarët e Maqedonisë duhet t‘i përgjigjen Gruevskit ashtu që atij t‘ia bëjnë të mundur të shohë atë që nuk ia lejon verbëria e shpirtngushtësisë sllavo-ortodokse: se dy kokat e shqiponjës tonë janë të kthyera nga dy foletë e saj njësoj të ngrohta religjioze të shqiptarisë – atë myslimane dhe krishtere, fole në të cilën me shekuj është mëkuar një tolerancë e paparë ndër-religjioze mes shqiptarëve, tolerancë që ka qenë vlerë mbi të gjitha vlerat, model se si mund të bashkëjetojnë fe të ndryshme, e që i ndërlidh besimi etnik, shembull se si mund të ndërthuret edhe modeli shumëreligjioz i Evropës moderne, e cila ende vuan nga stereotipat dhe paragjykimet e trashëguar nga e kaluara, e që kanë të bëjnë kryesisht me mosdurimin ndaj çerekhënës myslimane.

Këtij provokimi të Gruevskit, shqiptarët e Maqedonisë duhet t‘i përgjigjen ashtu që ai ta kuptojë atë që duhet ta dijë cilido që ka pretendime të jetë sundues edhe i shqiptarëve të këtushëm: se shqiponja dykrenore shqiptare ka qëndruar e paluhatur gjatë shekujve, sepse njërën këmbë e ka pasur mbi minaret e larta të xhamive, e tjetrën mbi kambaneritë e kishave krishtere. Dhe kështu, ajo është shndërruar në tempullin më të lartë të shqiptarisë, tempull që i ka bërë fllad shqiptarisë dhe ku janë falur edhe shqiptarët që lutjet ia kanë drejtuar Allahut, edhe ata që kanë puthur kryqin. Pra, kjo shqiponjë dykrenore është bërë faltore në të cilën janë ndjerë dhe ndjehen madhërishëm shqiptarët e të gjitha religjioneve. Me çka mësuan besimin e tyre etnik dhe atë njerëzor, besim që sot i bën më lehtë t‘i dallojnë ata që kryqin dhe çerekhënën i përdorin për ta fshehur urrejtjen ndaj atyre që i takojnë religjionit tjetër, të kuptojnë se edhe armiqtë e sotëm të shqiptarëve, njësoj si edhe ata të mëparshmit, kanë dashur, e duan, të dobësojnë forcën më të madhe të shqiptarisë-tolerancën e tyre ndër-religjioze.

Sot, kur qeveria aktuale e Maqedonisë e shpall veten si kompani ndërtuese e kishave dhe xhamive, shqiptarët e këtushëm asaj duhet t‘ia bëjnë me dije se nuk presin diçka të tillë nga pushtetarët e një shteti laik. Se nga ajo presin t‘u ndërtojë shkolla e biblioteka, spitale e rrugë. Se presin që, më në fund, nga taksat që ata paguajnë, të ndërtohet godina e gjimnazit “Zef Lush Marku” në Shkup. Dhe të rinjtë shqiptarë të kryeqendrës të mos mbeten edhe më tej qiraxhinj nëpër shkollat e bashkëmoshatarëve etnikë maqedonas, të mos shëtisin nëpër lagje, ku nga dita në ditë, shtohet numri i grafitëve të tipit: “Shqiptari i mirë, është kufomë e mirë”. Pra, shqiptarët e Maqedonisë sot duhet me këmbëngulje të mbrojnë shtëpinë e lindjes së Nënë Terezës. Dhe me po të njëjtën këmbëngulje të kërkojnë leje për rindërtimin e Burmali Xhamisë në qendër të Shkupit. Si dhe të kishës katolike shqiptare, që dikur ka qëndruar në afërsi të shtëpisë ku lindi mburrja jonë kombëtare-Nënë Tereza. Pra, të kërkojnë nga kjo qeveri të mos merret me ndërtimin e kishave e xhamive, por t‘ua kthejë pronën bashkësive religjioze të këtushme, që duhet të merren me ndërtimin e objekteve fetare.

Shqiptarët e Maqedonisë, si asnjëherë më parë duhet hapur të tregojnë se religjionet e tyre nuk bëjnë pjesë në tregtinë politike ndërpartiake, që kanë filluar VMRO-DPMNE-ja dhe PDSH-ja. Njësoj siç nuk bëjnë pjesë në këtë tregti as gjuha dhe vlerat kolektive të shqiptarëve. Andaj, edhe ndoshta ka ardhur koha të shkojnë edhe një hap më tej në mbrojtjen e identitetit të vet: të bëhen mbrojtës edhe të kishave ortodokse shqiptare, të cilat i përvetësoi Kisha Ortodokse Maqedonase, edhe pse ndërtues të tyre ishin paraardhësit e myslimanëve të sotëm të devotshëm shqiptarë. Pra, këto kisha duhet t‘i kthehen pronarit të vërtetë. E pastaj, shqiptarët e këtushëm, si myslimanë merhametli që janë, edhe do mund t‘ua japin në përdorim maqedonasve etnikë të këtushëm ortodoksë. Bile, pa kërkuar të paguajnë dëmshpërblim për shfrytëzimin e tyre të deritanishëm e të mëtejmë. Sepse vetëm kështu, shqiptarët e këtushëm do dëshmojnë se e dinë se balta e mosdurimit ndëretnik e ndër-religjioz, në fillim është e cekët dhe jo aq kërcënuese. E pastaj ajo ngadalë thellohet dhe bëhet mbytëse për ata që nuk e kanë kuptuar se në këtë botë nuk janë në konflikt religjionet, por besimtarët që për Zot njohin vetëm të mirën e tyre

Read Full Post »