Feeds:
Postime
Komente

Posts Tagged ‘Mitrovica’

“Kuvendi i komunave serbe”, i formuar të shtunën në veri të Mitrovicës, është ilegal dhe pa kurrfarë vlere juridike, tha të hënën në takimin e Komitetit të Sigurisë në Mitrovicë, kryetari i Komunës, Bajram Rexhepi.

“Ne si Kuvend Komunal vlerësojmë se krijimi i një kuvendi të tillë nga serbët është ilegal ashtu siç kanë qenë edhe zgjedhjet që janë mbajtur në maj si dhe vetë fituesit që kanë dalë prej atyre zgjedhjeve”, theksoi Rexhepi.

Sipas tij, ai kuvend i formuar prej vetëm dy partive nuk ka kurrfarë legjitimiteti, dhe kundërshtohet edhe nga një pjesë e konsiderueshme e vetë liderëve dhe banorëve serbë në Kosovë, çka tregon se një pjesë e tyre ka filluar ta kuptoj realitetin e ri.

(më tepër…)

Read Full Post »

Në orët e para të mëngjesit policia speciale e UNMIK-ut ka nxjerr nga ndërtesa e gjykatës komunale të Mitrovicës serb që kishin okupuar këtë ndërtesë që nga java e kaluar.

Njoftohet se policia ka përdorur gazë lotsjellës për të nxjerr jashtë okupuesit e ndërtesës që më pas së bashkë me serb tjerë lokal janë tubuar para ndërtesës së gjykatës dhe kanë protestuar.

Dëshmitarët tregojnë se ka demonstrues dhe policë të lënduar.

Që nga e premtja e 14 marsit ndërtesa e gjykatës komunale të Mitrovicës ka qenë e okupuar nga serb që pretendonin ishin punëtor në ketë gjykatë para se të hynte NATO në vitin 1999.

Molla e Kuqe

Read Full Post »

Kosova drejt ndarjes?

Titulli është i redaksisë 

Për një popull që jeton keq dhe që nuk ka gjasa reale që në një kohë njerëzisht të afërt të tejkalojë rreziqet, kaosin dhe varfërinë, duket se nuk ka formulë më të mirë politike për të sunduar sesa promovimi dhe imponimi i optimizmit.

Këto gjera duket se i kanë ditur edhe ata që kanë themeluar dhe konsumuar religjionet. Por, evropianët e vjetër, të këndellur nga dogmat mistike totalitare të Lindjes, me shqelma e dëbuan Religjionin nga Institucionet e Shtetit. Kështu disi ndodhi që sundimi komod përmes optimizmit teleologjik të kthehej në qeverisje me përgjegjësi të mandatuar.

Por, ndërsa shohin shefat e shtetit të Serbisë tek vazhdojnë të dalin në mitingje me murgjit e Kishës Ortodokse të cilët i bekojnë ose mallkojnë politikanët e ndryshëm, as ne shqiptarët e Kosovës nuk kemi arsye të lavdërohemi se jemi në ndonjë shkallë më të avancuar civilizuese sesa ata. Tek ne, virusi i optimizmit religjioz është në thelb të koncepteve dhe praktikave mbizotëruese politike, të PDK-së ashtu sikur edhe të LDK-së.

Por, të gjetur në një situatë të pamundur, gjithçka që shohim se ndodh na tregon se Kosova nuk mund të mbijetojë pa atë lloj optimizmi religjioz. Dhe, në suaza të asaj mendësie, jashtë besimit nuk ekziston të thuash asgjë. Me një popullatë të dërmuar nga shtypja, gjakderdhja, dhuna e varfëria, me breza të rritur në situata anksioze ekstreme ekzistenciale, me gjasë duhet diçka më shumë se Realiteti.

Dhe, ja ku i kemi Thaçin e Sejdiun. Sikurse që kishim dikur Rugovën. Diskursi i optimizmit është po ai. “Nuk ka ndarje të Kosovës!” “Qeveria do ta ushtrojë pushtetin në gjithë territorin e Kosovës!” “Do t’i miratojmë të gjitha ligjet që duhet dhe do ta zbatojmë Pakon e Ahtisarit!” Pas pyetjes se a po copëtohet Kosova, dikush tash e përmendi se Kosova po hyn në një situatë të re të “konfliktit të ngrirë” brenda territorit te saj. Gjithësesi, Qeveria Thaçi nuk ka se si të mos e kuptojë se ajo që po shohim pas 17 Shkurtit është një proces i copëtimit faktik të Kosovës në baza etnike, si paralojë e modifikimit të Pakos së Ahtisarit, dhe atë në versionin më optimist të interpretimit të ngjarjeve. Por, duket se deklaratat e Nikollas Bërnsit dhe Piter Fejtit- se nuk do të ketë copëtim të Kosovës dhe se nuk do te ketë kanton serb, kanë mjaftuar që thuajse askush më të mos brengoset.

Në këtë situatë të krijuar, duket sikur Qeveria jonë, e gjetur plotësisht nën ombrellën e fuqive të Perëndimit, nuk ka asnjë farë punë me serbët e Kosovës. Por, përpjekjet serbe, me gjithë deklarata e qarta dhe pozitive të Bërnsit dhe Fejtit, aktualisht duken të pandalshme, përderisa shohim një tolerim të hapur të prezencës së gjithanshme të shtetit të Serbisë në gjitha anën e territorit të Kosovës. Prandaj besoj se roli i Qeverisë në rrethanat që po krijohen nuk mund te jetë vetëm ai i prodhimit të deklaratave optimiste, por edhe i presionit për aksion konkret. Ndryshe, me një ritëm të këtillë të zhvillimeve, në muajin maj, kur Serbia mban zgjedhje lokale, Kosova do t’i shohë zgjedhjet e saj në territorin e Kosovës së shpallur sovrane.

Dhe, nuk do te jetë çudi e madhe po qe se bashkësia ndërkombëtare sërish do të marr qëndrimin e njohur se as nuk i ndalon as nuk pengon ato. Por, kësaj radhe, konsekuencat do te ishin krejt tjera nga ato deri më tash. Në atë rast, ne do të kishim një legalizim të butë të sovranitet të dyfishtë në territorin e Republikës së Kosovës. Përpjekjet e qarta serbe për sovranitet të dyfishtë në Kosovë, dhe atë vetëm deri në një situatë të re historike kur ata do të mund te pretendonin marrjen e sovranitetit të plotë në Beograd, do të duhej të ishte pika që nuk do të duhej lejuar të kalohej.

Nënshkrimi pergamenës ka qenë punë e lehtë dhe plot kënaqësi, por, bërja e shtetit të Kosovës është, megjithatë, një proces që ende po vazhdon. Dhe, çfarëdo rrjedhe që të marrin ngjarjet në muajt e ardhshëm dhe çfarëdo qëndrimi që të marrë bashkësia ndërkombëtare para sfidës së rrezikshme serbe, Thaçi dhe Qeveria e tij megjithatë nuk mund të amnistojnë veten nga përgjegjësia historike që bie personalisht mbi ta, për vendimet e mira ose të këqija për paqen dhe mundësinë e zhvillimit të Kosovës së ardhshme.

Mufail Limani, Gazeta Express

Read Full Post »

Revista e re “Ekonomisti” që botohet në Kosovë në numrin e saj të fundit ka publikuar një intervistë me ish-kryeministrin e Kosovës dhe tani kryetarin e komunës së Mitrovicës, Bajram Rexhepi. Më poshtë po sjellim disa nga përgjigjjet e zotit Rexhepi dhënë revistës.

Ekonomisti: Meqë ju jetoni në fshatin Suhodoll që gjendet në veri të Mitrovicës, sa e ndieni veten të sigurt?

Rexhepi: Po unë e ndiej veten shumë të sigurt, por qytetarët kanë të drejtë të shqetësohen ndonjëherë. Kjo ndoshta është edhe për nga natyra ime, sepse jam i prirur që zakonisht t’i minimizoj këto ngjarje, të cilat të tjerët ndoshta mund t’i konsiderojnë shumë të mëdha.

Ekonomisti: Ju keni propozuar Mitrovicën me dy komuna. Kështu është konceptuar edhe në planin e Martti Ahtisaarit. A besoni ende se shpëtimi i vetëm për Mitrovicën është funksionimi i saj me dy komuna?

Rexhepi: Po ne një kohë të gjatë jemi munduar të gjejmë një zgjidhje për çështjen e Mitrovicës. Ky vend ka kaluar edhe nëpër neglizhencën e madhe nga ana e ndërkombëtarëve, por edhe tw vendorëve. UNMIK-u para ca ditësh ka pranuar se nuk është bërë sa duhet për çështjen e Mitrovicës. Natyrisht ka qenë i njohur edhe opsioni për ndarjen e pushtetit në Mitrovicë, i cili do t’i kënaqte disa aspirata të komunitetit serb. Por në anën tjetër mund të jetë një dhimbje për shqiptarët. Një sakrificë e tillë mendoj se realisht mund ta parandalonte ndarjen klasike të Mitrovicës dhe do të ishte një opsion i mirë krahas qëllimeve tona, sepse ne asnjëherë nuk u kemi ofruar diçka të tillë strukturave politike serbe për ndonjë marrëveshje eventuale lidhur me këtë çështje. Por gjithsesi parakushte për një gjë të tillë janë siguria e plotë, si dhe shpërbërja e strukturave paralele, sundimi i ligjit, lëvizja e lirë si dhe të mbrohet e drejta e pronës. Në këtë mënyrë ndoshta edhe do të mund të funksiononte ky koncept.

Ekonomisti: Çështja e shqiptarëve në veri është një problem më veti. Shumë prona janë shitur dhe njerëzit janë zhvendosur, por tash mund të ndryshohet situata dhe një pjesë e tyre mund të tentojë të kthehet. Si do ta zgjidhni këtë problem?

Rexhepi: Po natyrisht se plani ekziston. Përpara në pjesën veriore të Mitrovicës, më se 41 për qind e popullsisë ka qenë shqiptare, kurse të tjerët kanë qenë serbë dhe pakica tjera. Tash në këtë pjesë, shqiptarë e joserbë janë vetëm 15 për qind. Një pjesë e mirë e shqiptarëve i kanë pronat në atë pjesë dhe kompetent për këtë çështje është Agjensioni i Pronësisë. Gati të gjitha rastet janë të shqyrtuara dhe në proces tw implementimit. Kjo do të ndodhë, por natyrisht ky është një proces pak më i ngadalshëm, deri në kryerjen edhe tw disa formaliteteve rreth përfundimit të statusit dhe implementimit final të këtij projekti.Ekonomisti: A ka ndonjë statistikë se sa janë pronat e shitura të shqiptarëve në veriun e Mitrovicës?

Rexhepi: Nuk kemi statistika për këtë çështje, sepse kjo gjë ka qenë kompetencë e administratorit lokal. Ndoshta përafërsisht 20 apo 30 për qind të pronave janë shitur apo ndërruar në mënyrë konsensuale.

Të tërë intervistën mund ta lexoni ketu: Dhunës do t’i përgjigjemi me gjuhë të njejtë

Read Full Post »