Feeds:
Postime
Komente

Posts Tagged ‘pavarësia’

Reklama

Read Full Post »

Anila Disha, Lajm Maqedoni

Maqedonia me sa duket me arshin të dyfishtë e përcjellë situatën në fqinjësi. Përderisa kur është fjala për Kosovën, situata ;do herë dramatizohet, kur është në pyetje Serbia situata relativizohet, madje edhe kur është dramatike.

Edhe pse në Serbi kanë filluar protesta të cilat e rrezikojnë tërë rajonin, ato aspak nuk e brengosin MPB-në e Maqedonisë, ku vlerësohet se situata është normale. Zëdhënësi i MPB-së, Ivo Kotevski thotë se MPB-ja po e përcjellë situatën dhe për momentin nuk ka nevojë të rritjes së forcave të sigurisë në vendkalimet kufitare me Serbinë. “Situata është normale dhe gjithçka është nën kontroll. Gjatë gjithë kohës e përcjellim situatën dhe po qe nevoja do të ketë edhe përforcime”, tha zëdhënësi Kotevski, duke shtuar se për momentin gjithçka është normale.

Edhe serbët e Maqedonisë kanë paralajmëruar protesta në Maqedoni. Partia Demokratike e Serbëve të Maqedonisë, ka paralajmëruar protesta pasi të kthehen nga protestat e Beogradit. Protestat janë planifikuar që të mbahen në qytetin e Kumanovës, ku protestuesit kryesorë do të jenë nxënësit e shkollave. Sipas organizatorëve protestuesit planifikohet që të marshojnë edhe drejt gjimnazit të Kumanovës, ku mësojnë nxënësit shqiptarë.

Read Full Post »

Ndërtesa ku u mbajt Lidhja Shqiptare e Prizrenit, Prizren

Qysh se ta pata nisë një letër të gjatë dikur për gjuhën,më pëlqen me iu përgjigjë kërkesave tua për me kontribue herë mbas here në “Java”, duke ruejt formën e një letërkëmbimi midis miqsh.

Mbi çka me e ndërtue Kosoven,me pyet ti. Mbi gjak, sakrifica e përmendore, apo mbi vlera e të drejta.

Reagimi i parë që më vjen para një pyetje të tillë asht se une nuk e di.

Gjithmonë më kanë lanë shije jo të mirë ata që ulun para tastieres së një kompjuteri diku nëpër qytetet e Europës, lëshojnë receta e shesin mend ( e në fakt i shesin lirë, mbasi mendt nuk po kanë shumë të shitun kohët e fundit) se si me i zgjidhë çashtjet themelore të egzistencës sonë si komb a si shtet.
Pra, tundimi i parë ishte që të pergjigjesha duke të thane se, i dashtun Migjen , une nuk po di se mbi çka duhet me e ndërtue Kosovën.
Por, nuk mundem me e mshehë se pyetja që ti më kishe nisë më bani me mendue. Jo aq me mendue se çfarë recetet mundem une me i ofrue kosovarëve mbi ndërtimin e shtetit të tyne, por më bani me mendue mbi ate se sa asht e drejtë me e shtrue problemin në këte mënyrë.
Mbi gjak a mbi vlera.
Mënyra se si e ke ndërtue pyetjen i ven gjakun,përmendoret e sakrificat në krahun e kundërt të vlerave e të drejtës. Duke e pranue këte kundërshti si një të dhanë objektive, ti mandej shtron pyetjen se çfarë zgjedhjet duhet ba kur të hidhen themelet e shtetit të Kosovës, zgjedhja e gjakut apo e vlerave.

(më tepër…)

Read Full Post »

Sheshi Skenderbeu, Prishtinë 

Edlira Gjoni, Tirana Observer

Të shoh në sy, Kosovë! Drejt, në syrin tënd zhbirues, që s’tutet, as ulet, as dridhet. Në sy të shoh, Kosovë. Në sy! Dhe më ngul drithërimat qartësia e asaj që shoh drejt në sytë e tu. Mëvetësinë, bindjen për ta pasur, këmbënguljen për ta arritur, të drejtën për ta merituar. Dhe më dhembin sytë e mi, Kosovë. Sytë e mi shqiptarë, që nuk e panë kaq drejt vuajtjen tënde; as pastrimin tënd etnik; as rrugën tënde të pashembullt 9-vjeçare për ta arritur standardet që në Tiranë nuk po dinë të arrijnë dot; as këmbënguljen tënde të palëkundur nga asnjë lloj presioni, lëmoshe apo gënjeshtre.

Të shoh në sy, Kosovë, dhe më vjen për të qarë. Për të vuajtur më vjen, që ndjenja ime e gëzimi për ty më është mbuluar nga manipulimet prej të cilave nuk kam imunitet. Guximi yt për të marrë atë që meriton më tremb, sepse më pyesin “a din ti, Kosovë, të ndërtosh shtet? A mundesh ti, Kosovë, të kuptosh fjalën “demokraci”? A din ti, Kosovë, të jetosh në komunitet?” …Unë i ul sytë e para, Kosovë. I ul poshtë krejt, se nuk e kam aq të fortë besimin tek origjina ime; as tek të drejtat e mia që përditë m’i tregojnë të ndryshme; as tek kultura ime, që shumë kam lënë të ma përziejnë; as tek idealet e mia, që nuk di nën ç’qiell presin të damkosen a të lulëzojnë.

Unë ika nga Shqipëria në ’97-ën, Kosovë. Së bashku me mijëra të tjerë që eksoduan, e me të tjera mijëra që shkuan poshtë dheut për të mos parë çmenduritë sipër tij. Kurse ti i mblodhe të gjithë shqiptarët e tu një vit më vonë, me anije, aviona e mushka, me armë në krah e pa kompromis në kokë. T’i pritëm të dëbuarit e tu, Kosovë, por nuk iu bashkë-ngjitëm Bacës, as Ramushit, as Hashimit, as Vetonit, as Imbrahimit. As në Recak, as në Rambuje, as në Prishtinë! E pamë të vërtetën tënde me sytë e botës, Kosovë; edhe pse me gjysma fjalësh përkthenim vetë për ty në Morinë. Por s’ta kaluam cakun, Kosovë. Prandaj i ul sot sytë e mi.

“Mëvetësinë ta njoh me kushte”-të thashë. Po ti e kurseje zërin për atje ku do të dëgjohej. Kushtësitë e mia ishin sy-poshtë. Por në 17 Shkurt ma shkule nga kraharori ndjenjën që meskiniteti dhe sytë e tretë më bënin të shihja për ty. Festova në Vlorën e Ismailit dhe qava bashkë me Isë Boletinin. Ia mora këngës labe për ty; dhe nuk doja fare të frenohesha e kërkoja llogari për ndjesitë e mia të vrullshme kuqezi. Ngrita dolli për pavarësinë tënde në Tiranë, e ri-gjetura Kosovë. Dhe përjetova njëlloj si në Fier, në Lushnjë, në Durrës, në Shkodër, në Gostivar, në Shkup, në Tetovë, Romë, Londër, Boston, New York, Gjenevë….kudo ku kishte një shqiptar. Gëzova; dhe ngrita kokën të të shoh drejt në sy! Mezi i shihja sytë e tu, me kokën lart dhe vështrimin drejt, ashtu siç e mbaje edhe në Recak, edhe në Rambuje, edhe në Hagë. Nuk e kapja dot vështrimin tënd që sheh vetëm drejt. Vështrim gjigant, mbartur në pa-përulësinë e ish-komandantit që para se të mësonte të “negocionte” për termat, i mësoi terma-nxjerrësit se ç’do të thotë “të mos heqësh dorë nga ideali”.

Kam frikë nga vështrimi yt, Kosovë. Është i gjallë, i qartë, i largët, i drejtë, dhe është disa kokë sipër meje. Ty s’tu drodh qerpiku. As me shprehjet e ngrira në kokat e prera në 99-ën, as në politikën e zvarritjes vrasëse deri në 2008-ën. Ti pe drejt! Shumë drejt, Kosovë! Prandaj më tremb, më tkurr, më shpërfill vështrimi yt. Por unë vazhdoj, vazhdoj të të shoh në sy, sepse dua të di deri ku shkon ai vështrimi yt; se këtu poshtë, nga Shqipëria ime, ende nuk duket dot gjë. Asgjë nuk shoh. Shtati, përshtatja, asimilimi, përulja, hapja rrugë, bindja pa fjalë, kompromisi pa skrupull, etja për pak më shumë gjatësi, m’i kanë shkulur fare ato rrënjët që ushqejnë virtytet që mban ende gjallë ti, Kosovë. Ato virtyte që guxoj të t’i quaj edhe tribale, se kështu më kanë mësuar të parët dhe ndërkombëtarët. Të njëjtët të cilëve ti u mësove se mëvetësia ka lindur para diplomacisë. Po, po. Të njëjtët që më kërkojnë Himarën e më mohojnë Çamërinë. Të njëjtët që më thonë “orientale”, e që rrugën për tek gjuha ime fare nuk e dinë. Të njëjtët që më përbuzin e më duan, se pa përbuzjen ndaj meje, nesër më nuk gdhijnë! Ti i sfidove, Kosovë. Ata, bashkë më mua, perëndimoren pa tribu. Qytetaren e salloneve të mëdha me gota gjaku pa shije. Zbërthyesen e demokracisë, tamam këtu ku ka 18 vjet që meritokracia është ulur këmbëkryq në orgjitë me kalbëzimet perëndimore. Të shoh në sy, Kosovë. Dhe ti bën bash mirë që ma shpërfill vështrimin. Më në fund, e meritoj!

Read Full Post »

Kjo është një nga maicat(fanellat nëse nuk je nga Kosova) e dizajnuara me rastin e pavarësisë së Kosovës. Kjo maicë është punuar nga dizajnerët e kompanisë “Trembelat”

independence_kosovo.jpg

Read Full Post »

Projekt Kushtetuta e Kosovës

Tash më propozimi për Kushtetutën e Kosovës është publikuar dhe pas një debati publik që më së shumti mund të zgjatë një muaj do të miratohet nga Kuvendi i Kosovës.

Preambula

Ne, Populli i Kosovës,

Të vendosur për të ndërtuar një ardhmëri të Kosovës si një vend i lirë, demokratik dhe paqëdashës, i cili do të jetë atdhe i të gjithë qytetarëve të vet;

Të përkushtuar për krijimin e një shteti të qytetarëve të barabartë, i cili do të garantojë të drejtat e secilit qytetar, liritë qytetare dhe barazinë e të gjithë qytetarëve para ligjit;

Të zotuar që Kosova të jetë shtet i mirëqenies ekonomike dhe i prosperitetit social;

Të sigurt që shteti i Kosovës do të kontribuojë në stabilitetin e rajonit dhe të mbarë Evropës, duke krijuar marrëdhënie të fqinjësisë dhe të bashkëpunimit të mirë me të gjitha shtetet fqinje;

Të bindur që shteti i Kosovës do të jetë anëtar i denjë i familjes së shteteve paqëdashëse në Botë;

Me synimin që shteti i Kosovës të përfshihet në proceset integruese Euro-Atlantike;

Neni 1 [Përkufizimi i Shtetit]

1. Republika e Kosovës është shtet i pavarur, sovran, demokratik, unik, dhe i pandashëm.

2. Republika e Kosovës është shtet i shtetasve të saj. Republika e Kosovës ushtron autoritetin e saj bazuar në respektimin e të drejtave dhe lirive të qytetarëve të saj dhe të gjithë individëve brenda kufijve të saj.

3. Republika e Kosovës nuk ka pretendime territoriale ndaj asnjë shteti ose pjese të ndonjë shteti dhe nuk do të kërkojë e as të pranojë të bashkohet me asnjë shtet ose pjesë të ndonjë shteti.

Neni 2 [Sovraniteti]

1. Sovraniteti i Republikës së Kosovës buron nga populli, i takon popullit dhe ushtrohet, në pajtim me Kushtetutën, përmes përfaqësuesve të zgjedhur, me referendum, si dhe në forma tjera, në pajtim me dispozitat e kësaj e Kushtetute.

2. Sovraniteti dhe integriteti territorial i Republikës së Kosovës është i pacenueshëm, i patjetërsueshëm dhe i pandashëm dhe mbrohet me të gjitha mjetet e parapara me këtë Kushtetutë dhe me ligj.

3. Republika e Kosovës, me qëllim të ruajtjes së paqes dhe mbrojtjes së interesave shtetërore, mund të marrë pjesë në një sistem të sigurisë ndërkombëtare.

Neni 3 [Barazia para Ligjit]

1. Republika e Kosovës është shoqëri shumetnike, e cila qeveriset në mënyrë demokratike, me respektim të plotë të sundimit të ligjit, përmes institucioneve të veta legjislative, ekzekutive dhe gjyqësore.

2. Ushtrimi i autoritetit publik në Republikën e Kosovës bazohet në parimet e barazisë para ligjit të të gjithë individëve dhe në respektimin e plotë të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, të pranuara ndërkombëtarisht, si dhe në mbrojtjen e të drejtave dhe në pjesëmarrjen e të gjitha komuniteteve dhe pjesëtarëve të tyre.

Neni 4 [Forma e Qeverisjes dhe Ndarja e Pushtetit]

1. Kosova është Republikë demokratike e bazuar në parimin e ndarjes së pushteteve dhe kontrollit e balancimit në mes tyre, sikurse është përcaktuar me këtë Kushtetutë.

2. Kuvendi i Republikës së Kosovës ushtron pushtetin legjislativ.

3. Presidenti i Republikës së Kosovës përfaqëson unitetin e popullit. Presidenti i Republikës së Kosovës është përfaqësues legjitim i vendit brenda e jashtë dhe garantues i funksionimit demokratik të institucioneve të Republikës së Kosovës, në pajtim me këtë Kushtetutë.

4. Qeveria e Republikës së Kosovës është përgjegjëse për zbatimin e ligjeve e politikave shtetërore dhe i nënshtrohet kontrollit parlamentar.

5. Pushteti gjyqësor është unik dhe ushtrohet nga gjykatat e pavarura.

6. Gjykata Kushtetuese është e pavarur në mbrojtjen e kushtetutshmërisë dhe është autoritet përfundimtar në interpretimin e Kushtetutës.

7. Republika e Kosovës ka institucionet e veta për mbrojtjen e rendit kushtetues dhe të integritetit territorial, rendit dhe qetësisë publike, të cilat funksionojnë nën autoritetin kushtetues të institucioneve demokratike të Republikës së Kosovës.

Neni 5 [Gjuhët]

1. Gjuhë zyrtare në Republikën e Kosovës janë gjuha shqipe dhe gjuha serbe.

2. Gjuha turke, boshnjake dhe ajo rome kanë statusin e gjuhëve zyrtare në nivel komune ose do të jenë në përdorim zyrtar në pajtim me ligjin.

Neni 6 [Simbolet]

1. Flamuri, stema dhe himni janë simbolet shtetërore të Republikës së Kosovës të cilat pasqyrojnë karakterin shumetnik të saj.

2. Pamja, mënyra e përdorimit dhe e mbrojtjes së flamurit dhe të simboleve të tjera shtetërore rregullohen me ligj. Mënyra e përdorimit dhe e mbrojtjes së simboleve kombëtare rregullohet me ligj.

Neni 7 [Vlerat]

1. Rendi kushtetues i Republikës së Kosovës bazohet në parimet e lirisë, paqes, demokracisë, barazisë, respektimit të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit, mosdiskriminimit në baza etnike, gjinore ose fetare, e së drejtës për të poseduar pronë, mbrojtjes e mjedisit, drejtësisë sociale, pluralizmit, ndarjes së pushtetit shtetëror dhe ekonomisë e hapur të tregut.

2. Republika e Kosovës siguron barazinë gjinore si vlerë themelore për zhvillimin demokratik të shoqërisë, mundësi të barabarta për pjesëmarrje të femrave dhe meshkujve në jetën politike, ekonomike, sociale, kulturore dhe në fushat tjera të jetës shoqërore.

Neni 8 [Shteti Laik]

Republika e Kosovës është shtet laik dhe neutral në çështje të besimeve fetare.

Neni 9 [Trashëgimia Kulturore dhe Fetare]

Republika e Kosovës siguron ruajtjen dhe mbrojtjen e trashëgimisë së vet kulturore dhe fetare.
Të gjitha nenet e propozimit për Kushtetutë të Kosovës mundeni ti lexoni në këtë faqe zyrtare.

Read Full Post »

Berisha formalizoi njohjen e pavarësisë së Kosovës, e bërë me një rezolutë të Kuvendit të Shqipërisë më 21 tetor të 1991, e cila është miratuar po unanimisht nga të gjithë deputetët e parlamentit shqiptar, i cili atëherë kishte si maxhorancë të majtën.Në një konferencë për shtyp, pak minuta pasi sekretarja e departamentit të SHBA-së, Rajs, kishte bërë njohjen e shtetit më të ri në Ballkan e Europë, Kryeministri shqiptar bëri të ditur, në të njëjtën linjë me zyrtaren e lartë amerikane, se “do të mbledhë Këshillin e Ministrave për të vendosur ngritjen e marrëdhënieve diplomatike midis Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës në rang ambasadorësh”.

Fakti që vendi ynë e ka njohur që në 1991 pavarësinë e Kosovës, bëri që dje Kryeministri mos ta përmendë direkt togfjalëshin “pavarësinë e Kosovës”, por më tej gjatë pyetjeve të gazetarëve ai sqaroi: “Shqipëria e ka njohur atë. Askush nuk mund të hedhë poshtë votën unanime të Parlamentit shqiptar në vitin 1991. Por e vërteta është që këto dy vende vëllezër, për 15 vjet respektojnë njëri-tjetrin si të barabartë. Kështu që njohjen e ka bërë Parlamenti shqiptar. Qeveria bën disa detyra të tjera në këtë rast, përmes të cilave, ngre në nivel ambasadorësh marrëdhëniet diplomatike me këtë shtet”.

Duke iu përmbajtur rezolutës së 1991 për Kosovën, Berisha ripërmendi faktin se pret nga vendet e Këshillit të Sigurimit, nga vendet anëtare të BE-së, por edhe nga vendet e Ballkanit, njohjen e pavarësisë së Kosovës, “si kontribut real shtesë tjetër i tyre në paqen dhe sigurinë në Ballkan, duke respektuar kështu edhe vullnetin e ligjshëm të popullit të saj”.

Por Kryeministri shqiptar, në emër të qeverisë së tij, siguroi të gjitha vendet e tjera, të cilat nuk do ta njohin pavarësinë e tyre, se marrëdhëniet me Shqipërinë do të jenë të njëjta, bilaterale dhe të një miqësie të ndërsjellë.

Sa i takon kundërshtares kryesore të pavarësisë së Kosovës, që është Rusia, Berisha u shpreh se nëse “Kremlini le mënjanë historiografinë falsifikuese serbe mbi të vërtetën e shqiptarëve, ai do të ndryshojë qëndrimin e tij ndaj tyre”. Sipas tij, puna e diplomacisë shqiptare në kuadër të Rusisë, do të jetë intensive dhe e kujdesshme, pikërisht për të sqaruar faktin e vetëm historik, të pamohueshëm, që shqiptarët nuk kanë ardhur në Ballkan, por ato kanë qenë këtu prej shekujsh.

Kryeministri Berisha gjeti rastin të përshëndeste në këtë konferencë për shtyp, SHBA-në, Francën, Britaninë e Madhe, por dhe gjithë shteteve të BE-së që njohën pavarësinë e Kosovës ditën e djeshme.

Read Full Post »

« Newer Posts - Older Posts »