Kosova më kurrë nuk do të jetë pjesë e Serbisë. Kjo ishte përgjigja e Washingtonit ndaj deklaratave të zyrtarëve rusë që dje ishin për vizitë në Beograd, ku theksuan mbështetjen e Rusisë për sovranitetin serb. Kosova do të jetë e lirë dhe e pavarur në kufijtë e tanishëm kështu siç e njohëm ne, ka thënë nënsekretari amerikan i shtetit Nicholas Burns.
“Ne do të bëjmë përpjekje të punojmë me të dyja palët, si rusët ashtu edhe serbët, mirëpo duhet të jetë e qartë për të gjithë se Kosova më kurrë nuk do të jetë pjesë e Serbisë”, tha dje zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Tom Casey.
I pyetur rreth deklaratës së kryeministrit të Serbisë për “anulimin e njohjes së pavarësisë së Kosovës nga SHBA”, zëdhënësi Casey tha se edhe ajo deklaratë e kryeministrit serb “nuk dallon shumë nga çdo fjalim tjetër që ka mbajtur ai (Koshtunica) për Kosovën”.
Ndërkaq nënsekretari amerikan i shtetit, Nicholas Burns duke folur mbrëmë në Washington, në Këshillin për Marrëdhëniet me Jashtë, ka hedhur poshtë zërat për ndarjen e Kosovës.
“Ne nuk do ta pranojmë ndarjen e Kosovës, e këtë nuk do ta pranojnë as Kombet e Bashkuara, as Bashkimi Evropian dhe as NATO-ja”, tha Burns. Ai shtoi se “Kosova do të jetë e lirë dhe e pavarur në kufijtë e tanishëm kështu siç e njohëm ne”.
“Nëse Serbët e Kosovës, apo ata në Beograd mendojnë se mund ta ndajnë Kosovën, atëherë ne u themi se e kanë gabim”, tha nënsekretari amerikan i Shtetit, Nicholas Burns, në një nga fjalimet e tij të fundit në postin e tanishëm.
Ai në fillim të marsit pensionohet me dëshirën e tij. Do të mbahet në kujtesë të Kosovës sepse ishte zyrtari më i lartë i Departamentit të Shtetit që i orientoi dhe i dinamizoi aktivitetet për zgjidhjen e 1ështjes së saj gjatë tre vjetëve të fundit.
Radio Televizioni i Kosovës
Read Full Post »