Feeds:
Postime
Komente

Posts Tagged ‘shkombëtarizimi’

Edhe pse Serbia (e mbështetur nga Rusia) nuk e ka pranuar Planin e Ahtisaarit, qeveria dhe institucionet e Kosovës me një nguti të pashpjegueshme dhe këmbëgulësi të verbër po vazhdojnë me miratimin e përshpejtuar të projektligjeve që dalin nga ky plan. Plani i Ahtisaarit e legalizon ndarjen etnike dhe territoriale të Kosovës përmes formës së decentralizimit që synon ta zbatojë, kurse Beogradit ia mundëson zhvillimin e strategjisë së rikolonizimit të Kosovës përmes kthimit të serbëve të ikur nga Kosova dhe vendosjes së tyre ku nuk kanë banuar më parë, pra aty ku lidhen enklavat me njëra-tjetrën.

Njëri ndër rreziqet që përmban ky Plan, e i theksuar vazhdimisht nga Lëvizja VETËVENDOSJE!, është edhe procesi i shkombëtarizimit të Kosovës. Institucionet e pushtetit dhe disa qarqe të caktuara ndërkombëtare po synojnë zhveshjen e popullit të Kosovës nga identiteti ynë kombëtar, heqjen e flamurit, paraqitjen e popullit shqiptar asgjë më shumë sesa njëri nga gjashtë bashkësitë etnike që jetojnë në Kosovë etj.

Në kuadër të kësaj fushate shkombëtarizuese, qeveria e Kosovës ka propozuar edhe ligjin për rregullimin e festave shtetërore. Ajo që është skandaloze, e patolerushme, dhe luftë e hapur kundër identitetit tonë si komb, është fakti që ky ligj heq festën e 28 Nëntorit! Ligji parasheh si festa shtetërore të gjitha festat kryesore fetare, kurse mohon festën tonë kombëtare. Ligji jorastësisht lejon atë mbi të cilën kombi fragmentohet, por ndalon festën në të cilën i gjithë kombi bashkohet. Këto përpjekje janë në kundërshtim me prirjen historike të kombit tonë për theksimin e elementeve të përbashkëta kombëtare përmbi identitetet tjera alternative jokombëtare. Projekti i shkombëtarizimit, në krye të të cilit qëndron qeveria e Kosovës, është kundër përpjekjeve të parreshtura të lëvizjeve tona kombëtare që prej 1878 e deri sot.

E gjithë kjo po bëhet që pas disa vitesh ta harrojmë identitetin tonë kombëtar. Që flamuri i kuq me shqiponjën e zezë dykrerëshe një ditë të na duket i largët e i huaj. Këta njerëz duan që të vijë një kohë kur prishtinasi, drenicaku a pejani të mos ndjejnë kurrgjë të përbashkët me tiranasin, shkodranin a vlonjatin.

Në Kosovë sot kemi një elitë politike, kuazikulturore dhe pseudointelektuale që po përpiqet ta thellojë ndarjen që i ka ndodhur kombit shqiptar më 1913. Një tragjedi tonën të përbashkët, ata po mundohen të na e paraqesin si gëzimin më të madh. Në vend që politika të bëjë hapa në drejtim të cytjes së përmirësimit të padrejtësive historike që na janë bërë, këta politikanë po mundohen të ndërtojnë diçka të re mbi tragjedinë. Por mbi tragjedinë nuk mund të ngrihet asgjë e qëndrueshme.

Lëvizja Vetëvendosje

Advertisements

Read Full Post »