Feeds:
Postime
Komente

Posts Tagged ‘shqiptar’

Po sjelli disa fragmente nga një intervistë e shkrimtarit dhe publicistit Fatos Lubonja dhënë Blendi Fevziut në emisionin Opinion gjatë muajit maj.

Në këtë intervistë shtjellohen shumë tema por unë po sjelli vetëm përgjigjet e Lubonjës në lidhje me identitetin shqiptar.

Cilat janë sipas jush mangësitë historike të romanit të Blushit?

Mangësia kryesore e romanit, në thelb, – nuk po hyjmë në detaje, – është që autori nuk di se ajo që ai e quan “shqiptarizmi”, ndjenja e të qenit shqiptar, nuk është ashtu sikurse është mësuar, (sepse edhe ai e ka mësuar këtë) nga letërsia e mëparshme, një gjë që ka ekzistuar qysh në krye të herës dhe ka qenë njëlloj vazhdimisht, por se kemi të bëjmë me një ndjenjë (kombëtare) që lind në shek. XIX.

Në 1850-ën thoni ju, duke iu referuar Veqilharxhit…

Afërsisht. I referohem një sërë lëvizjesh që lindën në atë kohë, në një kontekst më të gjerë. Dhe, kur ti vendos shqiptaristë në shekullin e XVIII, është njëlloj sikur të bësh një roman për shek. XIX dhe të vendosësh regjime komuniste, komunistë si këta të sotmit.

Nuk ka patur ndjenjë shqiptarie para shek. XIX z. Lubonja? Se ky është thelbi i pyetjes…

(më tepër…)

Read Full Post »


28 Nëntori nuk do të jetë festë zyrtare për Republikën e Kosovës. Kështu parashihet në projektligjin e aprovuar nga qeveria e Kosovës. 

Ndaj këtij vendimi të Qeverisë, mënjehrë është prononcuar Lëvizja për Bashkim, duke e konsideruar këtë hap si një poshtërim dhe fyerje të ndjenjës kombëtare, si hap kundër historisë dhe ardhmërisë, si hap i radhës drejt shkombëtarizimit të popullit shqiptar reagon ashpër ndaj këtij projektligji.

Read Full Post »

Liga e Socialdemokratëve të Vojvodinës ka dënuar aksionin e një grupi qytetarësh, të cilët në Sombor ndajnë falas bukë në mënyrë që qytetarët të mos blejnë në furrat e bukës në pronësi të shqiptarëve.

“Gjesti i tillë mund të karakaterizohet si fashist, sepse të përkujton kohën kur patriotët e rremë gjermanë në vitet tridhjetë bojkotonin tregtarët çifutë, gjë që në fund përfundoi me hollokaust”, thuhet në një reagim të kësaj partie të Vojvodinës.

Ndërkaq, në një koment të gazetës “Politika” po në këtë temë, me titull “Vekna (buka) e turpit” theksohet se “ndarja falas e bukës, e cila turpëron të gjithë qytetarët e Somborit, që turpëron Vojvodinën dhe tërë Serbinë, po vazhdon çdo mëngjes gjithnjë deri më sot, por që askush nga komepetentët nuk e ka parë të nevojshme të bëjë diçka dhe nga mendja fodull e një numri të vogël të mbrojë fqinjët e tyre”. Por, ndërsa kjo farsë shoveniste po vazhdon prej dy javësh në Sombor, e cila është shoqëruar edhe me sulmet ndaj pronave të shqiptarëve, shefi i diplomacisë serbe Vuk Jeremiq dje ka folur në një mbledhje të Këshillit të drejtave të njeriut në Kombet e Bashkuara në Gjenevë për Vojvodinën si shembull kur respektohen të drejtat e njeriut dhe ato janë në nivelin më të lartë!

 Qendra për Informim e Kosovës

Read Full Post »

Revista e re “Ekonomisti” që botohet në Kosovë në numrin e saj të fundit ka publikuar një intervistë me ish-kryeministrin e Kosovës dhe tani kryetarin e komunës së Mitrovicës, Bajram Rexhepi. Më poshtë po sjellim disa nga përgjigjjet e zotit Rexhepi dhënë revistës.

Ekonomisti: Meqë ju jetoni në fshatin Suhodoll që gjendet në veri të Mitrovicës, sa e ndieni veten të sigurt?

Rexhepi: Po unë e ndiej veten shumë të sigurt, por qytetarët kanë të drejtë të shqetësohen ndonjëherë. Kjo ndoshta është edhe për nga natyra ime, sepse jam i prirur që zakonisht t’i minimizoj këto ngjarje, të cilat të tjerët ndoshta mund t’i konsiderojnë shumë të mëdha.

Ekonomisti: Ju keni propozuar Mitrovicën me dy komuna. Kështu është konceptuar edhe në planin e Martti Ahtisaarit. A besoni ende se shpëtimi i vetëm për Mitrovicën është funksionimi i saj me dy komuna?

Rexhepi: Po ne një kohë të gjatë jemi munduar të gjejmë një zgjidhje për çështjen e Mitrovicës. Ky vend ka kaluar edhe nëpër neglizhencën e madhe nga ana e ndërkombëtarëve, por edhe tw vendorëve. UNMIK-u para ca ditësh ka pranuar se nuk është bërë sa duhet për çështjen e Mitrovicës. Natyrisht ka qenë i njohur edhe opsioni për ndarjen e pushtetit në Mitrovicë, i cili do t’i kënaqte disa aspirata të komunitetit serb. Por në anën tjetër mund të jetë një dhimbje për shqiptarët. Një sakrificë e tillë mendoj se realisht mund ta parandalonte ndarjen klasike të Mitrovicës dhe do të ishte një opsion i mirë krahas qëllimeve tona, sepse ne asnjëherë nuk u kemi ofruar diçka të tillë strukturave politike serbe për ndonjë marrëveshje eventuale lidhur me këtë çështje. Por gjithsesi parakushte për një gjë të tillë janë siguria e plotë, si dhe shpërbërja e strukturave paralele, sundimi i ligjit, lëvizja e lirë si dhe të mbrohet e drejta e pronës. Në këtë mënyrë ndoshta edhe do të mund të funksiononte ky koncept.

Ekonomisti: Çështja e shqiptarëve në veri është një problem më veti. Shumë prona janë shitur dhe njerëzit janë zhvendosur, por tash mund të ndryshohet situata dhe një pjesë e tyre mund të tentojë të kthehet. Si do ta zgjidhni këtë problem?

Rexhepi: Po natyrisht se plani ekziston. Përpara në pjesën veriore të Mitrovicës, më se 41 për qind e popullsisë ka qenë shqiptare, kurse të tjerët kanë qenë serbë dhe pakica tjera. Tash në këtë pjesë, shqiptarë e joserbë janë vetëm 15 për qind. Një pjesë e mirë e shqiptarëve i kanë pronat në atë pjesë dhe kompetent për këtë çështje është Agjensioni i Pronësisë. Gati të gjitha rastet janë të shqyrtuara dhe në proces tw implementimit. Kjo do të ndodhë, por natyrisht ky është një proces pak më i ngadalshëm, deri në kryerjen edhe tw disa formaliteteve rreth përfundimit të statusit dhe implementimit final të këtij projekti.Ekonomisti: A ka ndonjë statistikë se sa janë pronat e shitura të shqiptarëve në veriun e Mitrovicës?

Rexhepi: Nuk kemi statistika për këtë çështje, sepse kjo gjë ka qenë kompetencë e administratorit lokal. Ndoshta përafërsisht 20 apo 30 për qind të pronave janë shitur apo ndërruar në mënyrë konsensuale.

Të tërë intervistën mund ta lexoni ketu: Dhunës do t’i përgjigjemi me gjuhë të njejtë

Read Full Post »

 Kim Mehmeti, analist shqiptar nga Maqedonia

Në fillim të dekadës së nëntë të shekullit të kaluar, balta e mosmarrëveshjeve mes etnitetit maqedonas dhe atij shqiptar në Maqedoni ishte aq e thellë dhe aq ngjitëse, sa e la e kaluara e propagandës antishqiptare, e fabrikuar në punëtoritë serbe të Beogradit. E cila kryesisht mbështetej mbi mendësinë e “popujve shtetformues” – sllavëve të jugut – të cilëve u bie në hise të mbrojnë këto hapësira nga “rreziku shqiptar”. Pra, bëhej fjalë për ndasi të dukshme në mbrojtës dhe armiq të natyrshëm të shtetit.

Me ardhjen në pushtet të VMRO-DPMNE-së dhe PDSH-së, në vitin 1998, filloi pyllëzimi i Maqedonisë me kryqe dhe kisha ortodokse, me çka, kësaj balte iu shtua edhe gara ndër-religjioze. Thuajse nuk i mjaftonin mosmarrëveshjet ndëretnike, ndaj dhe Maqedonia trilloi edhe luftën mes çerekhënës, e cila gjoja rrezikonte kryqin ortodoks. Kështu, Maqedonia donte të keqpërdorte gatishmërinë globale pas ngjarjeve të shtatorit në Nju Jork, dhe shqiptarët e këtushëm t‘i vendosë aty ku nuk e kanë vendin. E me këtë nuk arriti asgjë më shumë, përpos që baltën e mosmarrëveshjeve ndëretnike, e trashi dhe e thelloi aq sa është sot, kur qeveria e po të njëjtës përbërje vazhdon aty ku e la këtë pyllëzim ish-kryeministri Georgiveski.

Mbase qeveria e Gruevskit tani vetëm u përshtatet rrethanave të paskonfliktit të 2001 dhe përpos kryqeve gjigante e kishave, ofron edhe ndërtimin e xhamive. Që do të thotë, ka hapur “tenderë” publikë dhe tregti mes ortodoksëve e myslimanëve të këtushëm. Kështu që, për të ndërtuar një kishë ortodokse në qendër të Shkupit, e mbi themelet e shtëpisë ku ka lindur Nënë Tereza, shqiptarëve të këtushëm, kryesisht myslimanë, u ofron një xhami në qendër të Tetovës. Tregti shumë e rrezikshme, që aq naivisht e pranuan dhe e përkrahën edhe pushtetarët shqiptarë; tregti primitive që luan me ndjenjat religjioze të qytetarëve të këtushëm, e që ka prapavijë të qartë: Shkupit t‘ia shlyejë edhe ato pak shenja të shqiptarisë e të kulturës lindore që i kanë mbetur, dhe të harrohet se dikur Shkupi kishte pak maqedonas etnikë e shumë shqiptarë katolikë e myslimanë, turq, hebre dhe vlleh; tregti që vë në sprovë besimin më të shenjtë të shqiptarëve të këtushëm, besimin mbi të cilin është kalitur boshti i tyre etnik kurrizor, e që buron nga begatia tri-religjioze shqiptare, me të cilën begati mirëmbahet besimi më i shenjtë i tyre kombëtar – ai i shqiptarisë.

Kryeministri aktual i Maqedonisë, prej moti ka dëshmuar se nuk e njeh as parimin më elementar politik, e që ka të bëjë me urtësinë se i mençuri, së pari e mendon daljen, e pastaj hyrjen në hapësirën e populizmit primitiv. Pra, pas provokimeve të shumta që u bëri shqiptarëve të këtushëm, e që i sollën popullaritet tek etniteti maqedonas, Gruevski vazhdon edhe më tej dhe shqiptarët e këtushëm tani i prek aty ku janë më të ndjeshëm – tek ylberi shumëngjyrësh religjioz. Me vendimin që të ndërtojë kishë aty ku duhet të rindërtohet shtëpia e rrënuar e Nënë Terezës, Gruevski dëshiron t‘u thotë shqiptarëve të këtushëm se ata, si myslimanë që janë, nuk kanë pse të mbrojnë kujtimin për Nënë Terezën katolike. Posaçërisht, nëse ndërkohë u jepet një xhami në qendër të Tetovës. Tani, Maqedonisë ai ia cakton edhe kufijtë religjiozë, me çka më në fund e bëri veprimin më të dëmshëm për vetveten dhe bashkësunduesit e tij shqiptarë, veprim për nga përmasat përbuzëse, i barabartë me barbarizmin e treguar në Brodec të Malësisë së Tetovës, ku policët, përpos që vrisnin e dhunonin, edhe shanin nënën shqiptare. Veprim që shqiptarët e këtushëm i preku aty ku janë më të ndjeshëm: jo tek çerekhëna myslimane dhe kryqi i krishterë, por te besimi në shqiptarinë e tyre, te bindja e tyre se për shqiptarët do ketë Zot e religjion, vetëm aq sa ata do dinë të mbrojnë ylberin e bukur shumëreligjioz që kanë si popull.

Andaj edhe këtij provokimi të Gruevskit, shqiptarët e këtushëm duhet t‘i përgjigjen ashtu siç u ka hije atyre që kanë shijuar madhështinë të jesh pjesëtar i popullit që ngërthen në vetvete më shumë religjione, e që i ndërlidh mes veti besimi i shenjtë – ai i shqiptarisë. Pra, shqiptarët e Maqedonisë duhet t‘i përgjigjen Gruevskit ashtu që atij t‘ia bëjnë të mundur të shohë atë që nuk ia lejon verbëria e shpirtngushtësisë sllavo-ortodokse: se dy kokat e shqiponjës tonë janë të kthyera nga dy foletë e saj njësoj të ngrohta religjioze të shqiptarisë – atë myslimane dhe krishtere, fole në të cilën me shekuj është mëkuar një tolerancë e paparë ndër-religjioze mes shqiptarëve, tolerancë që ka qenë vlerë mbi të gjitha vlerat, model se si mund të bashkëjetojnë fe të ndryshme, e që i ndërlidh besimi etnik, shembull se si mund të ndërthuret edhe modeli shumëreligjioz i Evropës moderne, e cila ende vuan nga stereotipat dhe paragjykimet e trashëguar nga e kaluara, e që kanë të bëjnë kryesisht me mosdurimin ndaj çerekhënës myslimane.

Këtij provokimi të Gruevskit, shqiptarët e Maqedonisë duhet t‘i përgjigjen ashtu që ai ta kuptojë atë që duhet ta dijë cilido që ka pretendime të jetë sundues edhe i shqiptarëve të këtushëm: se shqiponja dykrenore shqiptare ka qëndruar e paluhatur gjatë shekujve, sepse njërën këmbë e ka pasur mbi minaret e larta të xhamive, e tjetrën mbi kambaneritë e kishave krishtere. Dhe kështu, ajo është shndërruar në tempullin më të lartë të shqiptarisë, tempull që i ka bërë fllad shqiptarisë dhe ku janë falur edhe shqiptarët që lutjet ia kanë drejtuar Allahut, edhe ata që kanë puthur kryqin. Pra, kjo shqiponjë dykrenore është bërë faltore në të cilën janë ndjerë dhe ndjehen madhërishëm shqiptarët e të gjitha religjioneve. Me çka mësuan besimin e tyre etnik dhe atë njerëzor, besim që sot i bën më lehtë t‘i dallojnë ata që kryqin dhe çerekhënën i përdorin për ta fshehur urrejtjen ndaj atyre që i takojnë religjionit tjetër, të kuptojnë se edhe armiqtë e sotëm të shqiptarëve, njësoj si edhe ata të mëparshmit, kanë dashur, e duan, të dobësojnë forcën më të madhe të shqiptarisë-tolerancën e tyre ndër-religjioze.

Sot, kur qeveria aktuale e Maqedonisë e shpall veten si kompani ndërtuese e kishave dhe xhamive, shqiptarët e këtushëm asaj duhet t‘ia bëjnë me dije se nuk presin diçka të tillë nga pushtetarët e një shteti laik. Se nga ajo presin t‘u ndërtojë shkolla e biblioteka, spitale e rrugë. Se presin që, më në fund, nga taksat që ata paguajnë, të ndërtohet godina e gjimnazit “Zef Lush Marku” në Shkup. Dhe të rinjtë shqiptarë të kryeqendrës të mos mbeten edhe më tej qiraxhinj nëpër shkollat e bashkëmoshatarëve etnikë maqedonas, të mos shëtisin nëpër lagje, ku nga dita në ditë, shtohet numri i grafitëve të tipit: “Shqiptari i mirë, është kufomë e mirë”. Pra, shqiptarët e Maqedonisë sot duhet me këmbëngulje të mbrojnë shtëpinë e lindjes së Nënë Terezës. Dhe me po të njëjtën këmbëngulje të kërkojnë leje për rindërtimin e Burmali Xhamisë në qendër të Shkupit. Si dhe të kishës katolike shqiptare, që dikur ka qëndruar në afërsi të shtëpisë ku lindi mburrja jonë kombëtare-Nënë Tereza. Pra, të kërkojnë nga kjo qeveri të mos merret me ndërtimin e kishave e xhamive, por t‘ua kthejë pronën bashkësive religjioze të këtushme, që duhet të merren me ndërtimin e objekteve fetare.

Shqiptarët e Maqedonisë, si asnjëherë më parë duhet hapur të tregojnë se religjionet e tyre nuk bëjnë pjesë në tregtinë politike ndërpartiake, që kanë filluar VMRO-DPMNE-ja dhe PDSH-ja. Njësoj siç nuk bëjnë pjesë në këtë tregti as gjuha dhe vlerat kolektive të shqiptarëve. Andaj, edhe ndoshta ka ardhur koha të shkojnë edhe një hap më tej në mbrojtjen e identitetit të vet: të bëhen mbrojtës edhe të kishave ortodokse shqiptare, të cilat i përvetësoi Kisha Ortodokse Maqedonase, edhe pse ndërtues të tyre ishin paraardhësit e myslimanëve të sotëm të devotshëm shqiptarë. Pra, këto kisha duhet t‘i kthehen pronarit të vërtetë. E pastaj, shqiptarët e këtushëm, si myslimanë merhametli që janë, edhe do mund t‘ua japin në përdorim maqedonasve etnikë të këtushëm ortodoksë. Bile, pa kërkuar të paguajnë dëmshpërblim për shfrytëzimin e tyre të deritanishëm e të mëtejmë. Sepse vetëm kështu, shqiptarët e këtushëm do dëshmojnë se e dinë se balta e mosdurimit ndëretnik e ndër-religjioz, në fillim është e cekët dhe jo aq kërcënuese. E pastaj ajo ngadalë thellohet dhe bëhet mbytëse për ata që nuk e kanë kuptuar se në këtë botë nuk janë në konflikt religjionet, por besimtarët që për Zot njohin vetëm të mirën e tyre

Read Full Post »