Feeds:
Postime
Komente

Posts Tagged ‘Thaçi’

Sipas një artikulli në të përjavshmen Java, gazetari Baton Haxhiu tani po punon për t’iu siguruar disa mediave nga Shqipëria frekuenca kombëtare të transmetimit në Kosovë.

Sipas burimeve të Javës Baton Haxhiu ka qenë ndërmjetësues për një takim midis kryeministrit të Kosovës Hashim Thaçi dhe pronarit të Top Media, Dritan Hoxha. Top Media është pronare e Top Channel, DigitAlb dhe gazetës Shqip.

Gjatë takimit mësohet se Hoxha i ka premtuar Thaçit investime në Kosovë që kapin shumën 10 milion euro, ndërsa Thaçi ka premtuar mbështetje të qeverisë për Top Media.

Haxhiu, që deri para disa muajve ishte drejtor i gazetës Express, pronë e IPKO, ka lidhje të mira edhe me aksionarët e kompanisë Klan, Aleksandër Frangu dhe Blendi Fevziu. Edhe këtyre të dyve supozohet u është premtuar një frekuencë.

Qëllimi I këtyre veprimeve mendohet është pakënaqësia e qeverisë së Kosovës me televizionet në Kosovë, RTK, RTV21 dhe KTV.

Gazeta Java, që shumë herë është shprehur pro ndërtimit të identitetit kosovar akuzon qeverinë e Kosovës se po përbuz mediat kosovare dhe po punon në mënyrë aktive për dobësimin e këtyre mediumeve.

Thaçi ka dëshirë që të jetë i vetmi që ka ndikim në Radio Televizionin e Kosovës por kjo po i pamundësohet nga Ramush Haradinaj që përmes gruas Anita Haradinaj por edhe baballëkut Mustafë Muçaj po ushtron ndikim të dukshëm në politikat redaktuese të këtij televizioni publik.

Në raportin e fundit të organizatës Freedom House në lidhje me lirinë shtypit në Kosovë thuhet se mediat kanë probleme financiare dhe u nënshtrohen interesave të biznesit. Edhe pavarësia redaksionale vazhdon të mbetet e dobët sipas raportit.

Radiotelevizioni i Kosovës, thuhet në raportin e organizatës Freedom House është veçanërisht në mëshirën e interesave politike dhe ekonomike.

Molla e Kuqe

Read Full Post »

Pllaka në pikën kufitare me Serbinë, Merdare

Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, i shoqëruar nga ministri i Shërbimeve Publike Arsim Bajrami dhe zëvendësministri Rifat Blaku, sot solemnisht ka zbuluar tabelën me mbishkrimin ” Mirë se vini në Republikën e Kosovës”, në pikën kufitare Kosovë – Serbi, në Merdare.

Zyra e Kryeministrit të Kosovës (foto)

Read Full Post »

Kosova drejt ndarjes?

Titulli është i redaksisë 

Për një popull që jeton keq dhe që nuk ka gjasa reale që në një kohë njerëzisht të afërt të tejkalojë rreziqet, kaosin dhe varfërinë, duket se nuk ka formulë më të mirë politike për të sunduar sesa promovimi dhe imponimi i optimizmit.

Këto gjera duket se i kanë ditur edhe ata që kanë themeluar dhe konsumuar religjionet. Por, evropianët e vjetër, të këndellur nga dogmat mistike totalitare të Lindjes, me shqelma e dëbuan Religjionin nga Institucionet e Shtetit. Kështu disi ndodhi që sundimi komod përmes optimizmit teleologjik të kthehej në qeverisje me përgjegjësi të mandatuar.

Por, ndërsa shohin shefat e shtetit të Serbisë tek vazhdojnë të dalin në mitingje me murgjit e Kishës Ortodokse të cilët i bekojnë ose mallkojnë politikanët e ndryshëm, as ne shqiptarët e Kosovës nuk kemi arsye të lavdërohemi se jemi në ndonjë shkallë më të avancuar civilizuese sesa ata. Tek ne, virusi i optimizmit religjioz është në thelb të koncepteve dhe praktikave mbizotëruese politike, të PDK-së ashtu sikur edhe të LDK-së.

Por, të gjetur në një situatë të pamundur, gjithçka që shohim se ndodh na tregon se Kosova nuk mund të mbijetojë pa atë lloj optimizmi religjioz. Dhe, në suaza të asaj mendësie, jashtë besimit nuk ekziston të thuash asgjë. Me një popullatë të dërmuar nga shtypja, gjakderdhja, dhuna e varfëria, me breza të rritur në situata anksioze ekstreme ekzistenciale, me gjasë duhet diçka më shumë se Realiteti.

Dhe, ja ku i kemi Thaçin e Sejdiun. Sikurse që kishim dikur Rugovën. Diskursi i optimizmit është po ai. “Nuk ka ndarje të Kosovës!” “Qeveria do ta ushtrojë pushtetin në gjithë territorin e Kosovës!” “Do t’i miratojmë të gjitha ligjet që duhet dhe do ta zbatojmë Pakon e Ahtisarit!” Pas pyetjes se a po copëtohet Kosova, dikush tash e përmendi se Kosova po hyn në një situatë të re të “konfliktit të ngrirë” brenda territorit te saj. Gjithësesi, Qeveria Thaçi nuk ka se si të mos e kuptojë se ajo që po shohim pas 17 Shkurtit është një proces i copëtimit faktik të Kosovës në baza etnike, si paralojë e modifikimit të Pakos së Ahtisarit, dhe atë në versionin më optimist të interpretimit të ngjarjeve. Por, duket se deklaratat e Nikollas Bërnsit dhe Piter Fejtit- se nuk do të ketë copëtim të Kosovës dhe se nuk do te ketë kanton serb, kanë mjaftuar që thuajse askush më të mos brengoset.

Në këtë situatë të krijuar, duket sikur Qeveria jonë, e gjetur plotësisht nën ombrellën e fuqive të Perëndimit, nuk ka asnjë farë punë me serbët e Kosovës. Por, përpjekjet serbe, me gjithë deklarata e qarta dhe pozitive të Bërnsit dhe Fejtit, aktualisht duken të pandalshme, përderisa shohim një tolerim të hapur të prezencës së gjithanshme të shtetit të Serbisë në gjitha anën e territorit të Kosovës. Prandaj besoj se roli i Qeverisë në rrethanat që po krijohen nuk mund te jetë vetëm ai i prodhimit të deklaratave optimiste, por edhe i presionit për aksion konkret. Ndryshe, me një ritëm të këtillë të zhvillimeve, në muajin maj, kur Serbia mban zgjedhje lokale, Kosova do t’i shohë zgjedhjet e saj në territorin e Kosovës së shpallur sovrane.

Dhe, nuk do te jetë çudi e madhe po qe se bashkësia ndërkombëtare sërish do të marr qëndrimin e njohur se as nuk i ndalon as nuk pengon ato. Por, kësaj radhe, konsekuencat do te ishin krejt tjera nga ato deri më tash. Në atë rast, ne do të kishim një legalizim të butë të sovranitet të dyfishtë në territorin e Republikës së Kosovës. Përpjekjet e qarta serbe për sovranitet të dyfishtë në Kosovë, dhe atë vetëm deri në një situatë të re historike kur ata do të mund te pretendonin marrjen e sovranitetit të plotë në Beograd, do të duhej të ishte pika që nuk do të duhej lejuar të kalohej.

Nënshkrimi pergamenës ka qenë punë e lehtë dhe plot kënaqësi, por, bërja e shtetit të Kosovës është, megjithatë, një proces që ende po vazhdon. Dhe, çfarëdo rrjedhe që të marrin ngjarjet në muajt e ardhshëm dhe çfarëdo qëndrimi që të marrë bashkësia ndërkombëtare para sfidës së rrezikshme serbe, Thaçi dhe Qeveria e tij megjithatë nuk mund të amnistojnë veten nga përgjegjësia historike që bie personalisht mbi ta, për vendimet e mira ose të këqija për paqen dhe mundësinë e zhvillimit të Kosovës së ardhshme.

Mufail Limani, Gazeta Express

Read Full Post »

Qeveria e Kosovës është në prag të një vendimi për ulje të madhe të pagave në ndërmarrjet publike. Menaxherët e Korporatës Energjetike të Kosovës, Postë- telekomunikacionit dhe Aeroportit të Prishtinës do t`i kenë pagat paralel me ata të administratës. Kjo nënkupton se këta menaxherë dhe punonjës tjerë të këtyre kompanive nuk do të marrin më nga dy a tri mijë euro në muaj, por 300 deri në 400 euro. Kjo do të bëhet për të nivelizuar pagat në tërë sektorët publikë të Kosovës.

E tërë administrata Kosovës, me rreth 75 mijë punëtorë, i kushton buxhetit të vendit 200 milionë euro në vit. Në anën tjetër, 15 mijë punëtorët e kompanive publike përbijnë mbi 100 milionë euro në vit. Vetëm 2400 punëtorët e PTKsë, për një motmot gëlltisin afër 28 milionë euro vetëm për paga. Kthyer në shqip, kjo i bie që çdo punëtor i kësaj korporate merr mesatarisht nga një mijë euro pagë në muaj. Kjo është më tepër se pesë fish se mesatarja e pagës së një buxhetori.

Pjesë nga artikulli i Gazetës Express

Read Full Post »

LDK + PDK

Dikur, ish-presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova dhe partia e tij ishin armiqtë më të mëdhenj të Hashim Thaçit, që para se të bëhej kryetar partie, e tani kryeministër, ishte pjesë e strukturave udhëheqëse të UÇK-së. Sipas këtyre njerëzve LDK dhe udhëheqësia e saj ishin tradhtar të popullit të Kosovës, diçka që arsyetohej me fotografitë nga takimet mes Ibrahim Rugovës dhe Sllobodan Milosheviqit.

Por gjërat kanë ndryshuar. E gjithë kjo i takon të kaluarës. Thaçi tani më nuk është radikal siç ishte kur ai studionte në Universitetin e Prishtinës apo u bë pjesë e udhëheqësish së UÇK-së. Pas një kohe të shkurtër si kryeministër i Kosovës fill pas mbarimit të luftës, Thaçi që nuk kishte një përshtypje të mirë tek ndërkombëtarët u deshtë të hynte në opozitë dhe në të njëjtën kohë të filloj një reformim të partisë dhe mënyrës se sy ky perceptohej nga ndërkombëtarët në Kosovës.

Për tu bërë më i pranueshëm, Thaçi i ktheu shpinën idealizmit, asaj që ai gjithmonë kishte besuar, dhe filloi me pragmatizëm për të ju treguar ndërkombëtarëve se ky tani nuk ishte më ushtari gjarpër i luftës së Kosovës por një politikan i respektuar që ishte i gatshëm të merrte në drejtim shtetin e Kosovës.

Në këtë rrugë të transformimit të Thaçit nga një idealist në një pragmatist, partia PDK, ndoshta edhe për shkak të egoizmit të Thaçit për tu bërë kryeministër dhe bile kryeministri i parë i Kosovës së pavarur, sakrifikoi shumë. Lufta e Kosovës filloi të përmendej më rrallë, u pranua që Kosova të mos ketë ushtri të vetën, u hesht kur ata që tani përsërisnin kërkesat e dikurshme të Thaçit dhe shokëve të tij arrestoheshin nga policia ndërkombëtare, LDK nuk ishin më tradhtarët e dikurshëm por bashkëpunëtorët e nevojshëm, flamuri kombëtar u sakfrikua për yllat e BE-së.

Thaçi dhe LDK u bënë mish e shpirt. Kjo ilustrohet më se miri nga vizita e Thaçit tek varri i ish-presidentit të ndjerë Ibrahim Rugova. Për së gjalli nuk arritën të pajtoheshin por tani, ndoshta jo nga vetëdëshira, një pajtim po vjen. Një pajtim që siguron pozicionet e politikanëve por që pa dyshim dëmton popullin pasi që Kosova tani nuk ka ndonjë opozitë dhe fati i popullit është në duart e njerëzve që për më shumë se 9 vite rresht dëshmuan se nuk dinë asgjë tjetër veçse të keqpërdorin në të gjitha mënyrat besimin e popullit. Askush në parlament për të ngritur zërin nëse qeveria Thaçi fillon të çoroditet si ato te mëparshmet. AAK-ja e vogël që tani është në opozitë për një kohë është neutralizuar me ndryshimin e Kornizës Kushtetuese që e bënë të mundshme përfaqësimin e kësaj partie në kryesinë e kuvendit.

Read Full Post »

Dita e Pavarësisë

pavaresia1.jpg

Sot Kuvendi i Kosovës në një seancë solemne do të miratoj Deklaratën për Pavarësinë e Kosovës. Sipas mediave në Kosovës kjo është rrjedha e ditës së sotme:

10:00: Thaçi kërkon nga kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme në Kuvendin e Kosovës
12:00: Kryesia e Kuvendit mblidhet
15:00: Fillon seance e kuvendit ku do të shpallet pavarësia e Kosovës
18:00: Fatmir Sejdiu, Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi paraqiten në “Prishtina Media Centre” pranë Hotelit Grand ku do
të kenë konferencë për shtyp me gazetar nga e gjithë bota.
18:30: Zbulimi i obeliskut për pavarësinë përball Pallatit të Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë
19:00: Koncert i Pavarësisë i Filharmonisë së Kosovë në sallën “1 Tetori”
20:00: Në Prishtinë koncerti i madh për pavarësinë
22:50: Fatmir Sejdiu dhe Hashim Thaçi i drejtohen popullit
23:00: Hidhen fishekzjarre në katër anët e Prishtinës

Kryeqyteti i Kosovës në mëngjesin e ditës së dielën është vërshuar nga shumë qytetar nga mbarë Kosova dhe vendet tjera. Për nderë të fetës së madhe, me iniciativën e Aleancës Kosovare të Biznesit dhe Oda Ekonomike të Kosovës të gjitha bizneset kanë filluar t’i urojnë festën e pavarësisë të gjithë qytetarëve që mësyjnë Prishtinës me artikujt e tyre falas. Për nderë të kësaj ditë të shenjët, në Sheshin “Nëna Terezë” në Prishtinë bizneset janë përgatitur që qytetarëve t’i shërbejnë me pije dhe gjera ushqimore deri në përfundimin e kësaj kremte. Po ashtu, është në përfundim e sipër montimi i skenës ku do të mbahet në mbrëmje koncerti me yjet e estradës sonë.

Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu në prag të shpalljes së pavarësisë së Kosovës sot bëri homazhe pranë Memorialit të presidentit Rugova.

“Kishim një përkujtim të gjithmonshëm për presidentin Rugova, për themeltarin e shtetit modern të Kosovës për njeriun që sakrifikoi vetën në kohët më të vështira dhe u shkri për Kosovën, për njeriun që vuri parimet e demokracisë dhe pluralizmit në Kosovë, për njeriun që na ofroi në mënyrën më të mirë me botën demokratike dhe siguroi miqtë më të fortë për Kosovën, për njeriun që diti të artikulojë më së miri në kohën e vet në shekullin e vet idenë për lirinë, pavarësinë dhe demokracinë e Kosovës”, theksoi Sejdiu.

Presidenti Sejdiu vlerësoi se sot është një ditë e veçantë për Kosovën dhe është festa e madhe e hyrjes në një epokë të re të zhvillimeve demokratike të bashkëngjitjes së Kosovës në familjen e lirë të vendeve të botës demokratike. “Është nder i veçantë për të gjithë ne, për të gjithë brezat që dhanë jetën e vet që në binomin e veçantë të Ibrahim Rugovës dhe Adem Jasharit kanë simboliken e përjetësisë”, theksoi Presidenti Sejdiu.

Presidenti Sejdiu do të bëjë sot homazhe edhe pranë varrit të komandantit legjendar të UÇK-së Adem Jashari.

Burime: molla kuqe, Kosovapress, RTK

Read Full Post »