Feeds:
Postime
Komente

Posts Tagged ‘Tito’

E vetmja rrugë e hapur për t’i bërë ballë problemit të pazgjidhur të zhvillimit ekonomik të Kosovës titiste si edhe pasojave të pashmangshme shoqërore mbetej kurbeti. Falë një marrëveshjeje të re të nënshkruar ndërmjet Federatës jugosllave dhe Turqisë, një numër i madh myslimanësh « u ftua » të merrte rrugën drejt vendit « të origjinës ». Burimet jozyrtare flasin për 246.000 myslimanë që braktisën Jugosllavinë ndërmjet viteve 1945 dhe 1966, mes të cilëve rreth 100.000 nga Kosova. Rregjistrimet e popullsisë të zhvilluara në 1948 dhe 1951 lejojnë të shihet një rritje e paparë e numrit të njerëzve që e deklarojnë vetvehten « turq » ; vetëm në Maqedoni, nga 95.940 të tillë të rregjistruar në vitin 1948, tre vjet më vonë numri i këtyre turqve të fshehur shkon në 203.000 vetë. Nuk është e vështirë të kuptohet se pjesa më e madhe e tyre s’ishin gjë tjetër veçse shqiptarë që e jetonin fort keq gjendjen e tyre prej pakice ose që s’mund të duronin më gjendjen e tyre edhe më të vështirë ekonomike. Diferenca e nuancës mes turqve « të gënjeshtërt » dhe shqiptarëve « të vërtetë » nuk duket të ketë shqetësuar tej mase administratën titiste pasi në sytë e saj si në njerin rast dhe në tjetrin bëhej fjalë për myslimanë të bindur. Ndërkohë, si pasojë e papunësisë të pashembullt prej 70% që prekte popullsinë me origjinë shqiptare të Kosovës, një numër ende më i madh zgjodhi kurbetin klasik me motive ekonomike, drejtimet tradicionale të të cilit ishin Gjermania dhe Zvicra (1). Pak nga pak, diaspora e bollshme perëndimore u bë një faktor i dorës së parë, së pari në rrafshin ekonomik dhe më pas në atë politik. Në origjinën e tyre, hyrjet e vazhdueshme dhe të rregullta të devizës së huaj të fortë shërbyen për të rrafshuar diferencën e ndjeshme të të ardhurave lokale në krahasim me republikat e tjera pasi qëllimi i tyre kryesor ishte pikërisht përmirësimi i jetesës së përditshme. Më tej në praktikën e zakonshme, markat gjermane dhe frangat zvicerane bënë që të zbulohen horizonte të reja, ai i shitoreve dhe i shërbimeve, ndërkohë që sasi të mëdha devize investoheshin drejt blerjes së tokave dhe në ndërtimin e shtëpive. Kjo gjë jo vetëm i dhuroi një shkallë më tepër lirie popullatës shqiptare lidhur me kompozanten serbe e cila duhej të organizonte jetën veç me anë të rrogave, por edhe dobësoi gjithnjë e më tepër vartësinë e saj nga pushteti qendror (2), duke thelluar diferencimin shoqëror dhe ekonomik. Kjo dikotomi ndërmjet trajektores ekonomike të imponuar nga pushteti me atë të zgjedhur prej grupit, mes logjikës shoqërore individuale dhe asaj bashkësiore – e kqyrur në kontekstin ku konceptet shumicë/pakicë ushqehen nga një paqartësi e natyrës ideologjike, shërben si terren i përshtashëm për kërkesa të ardhshme të natyrës politike.

(më tepër…)

Reklama

Read Full Post »