Analisti britanik për çështje të Ballkanit, Tim Judah nuk mendon se zgjedhjet në Serbi do të kenë ndonjë domethënie për Kosovën.
“Tadiq dhe aleatët e tij janë pothuajse tërësisht kundër pavarësisë së Kosovës. Mendoj se do të vazhdojnë rrugën e tyre për të konsoliduar kontrollin e Qeverisë së Serbisë brenda Kosovës, prandaj nuk mendoj se këto zgjedhje do të kenë ndonjë rëndësi në Kosovë”, ka thënë Judah.
Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Judah ka thënë se ato kanë më shumë domethënie për atë se çfarë do të ndodhë në Serbi, por jo edhe në Kosovë. Ai ka theksuar se një pjesë e madhe e zhvillimeve aktuale politike, sikur që është formimi i parlamentit serb në Kosovë, burojnë nga ndasitë politike në Serbi. Ndërkohë duke folur rreth misionit të Kombeve të Bashkuara dhe atij të Bashkimit Evropian, Judah ka thënë se çfarëdo që Bashkimi Evropian të thotë, jemi duke ecur drejt situatës në të cilën ndikimi i Bashkimit Evropian do të dominojë në pjesët e banuara me shqiptarë, kurse Kombet e Bashkuara do të vazhdojnë të dominojnë në pjesët e banuara me serbë. Mendoj se ky proces në fund sërish do të varet nga formimi i qeverisë në Serbi, ka thënë Tim Judah.
Tadic shumë herë në fjalimet e tij ka përsëritur mesazhin nacionalist se Kosova gjithëmon do të jetë pjesë e Serbisë.